Vdekja nuk do të ngadhënjejë mbi jetën e Prof. Alfred Uçit

719
Sigal

Gazeta Telegraf/



“Don
Kishoti paska qenë një i mangët i mençëm dhe një i shkalluar i ditur.”

 

  

SHPENDI TOPOLLAJ

 


Ndërsa qindra e qindra
intelektualë dhe njerëz të thjeshtë i jepnin lamtumirën e fundit profesorit të
shquar dhe Mjeshtrit të Madh Alfred Uçi, Biblioteka Kombëtare ishte kujdesur që
në vitrina të posaçme të paraqiste gjithë veprën e tij ndër vite. E gjithë kjo
krijimtari voluminoze, të ngjall respekt dhe nderim për këtë kolos të kritikës
dhe estetikës tonë dhe dhimbje për largimin e një njeriu të këtyre përmasave.
Secili libër i shkruar prej tij, ka vlera të jashtëzakonshme dhe përherë
aktuale, por do të analizoj “Filozofinë e Donkishotizmit” i cili mendoj se
është dhe njeri nga librat që i qëndron më mirë çdo kohe.  Për cilindo që
shkollimi, kultura dhe pasioni i kanë dhënë mundësinë që të njihet me
kryeveprat e letërsisë botërore të të gjitha kohërave, nuk mund të gjendet një
personazh tjetër si Don Kishoti i Mançës që t`i ketë mbetur ndër mend si ai. Aventurier
i fandaksur, ky kalorës që dua të besoj se edhe kur flinte nuk e hiqte ushtën
nga dora për të qenë i gatshëm që të ndeshej me këdo, mjaft që të ndreqte këtë
botë të mbushur me padrejtësi, ai ndofta është heroi më tipik për të ilustruar
atë thënien e Jules Michelet te “Historia e Revolucionit Francez” se “Çdo epokë
ëndërron tjetrën.” Duke besuar në vërtetësinë e kësaj thënieje, afërmendësh që
duhet pranuar se çdo kohë do të nxjerrë edhe Don Kishotët e saj. Ja përse nuk
çuditemi aspak, kur studiues, kritikë dhe shkrimtarë të të gjitha vendeve dhe
kohëve, merren me këtë figurë kaq simpatike dhe kaq të diskutueshme, por që
mbetet padyshim, me universalitetin e vet, nga më interesantet dhe më aktualet
njëkohësisht. Ndaj nuk ka sesi të mos i jemi mirënjohës profesorit tonë,
akademikut Alfred Uçi, për këtë libër.

 

Njeriu i veprave

 

Alfred Uçi ka mbetur
në sytë tanë si njeriu i veprave të mëdha që na ka mrekulluar përherë me
krijimet e tij. Ai pati kurajon e Mark Antonit që edhe në kohën e inkuizicionit
komunist, të na çelte dritare prej nga të mund të shihnim sesi kishte ecur dhe
ku kishte mbërritur arti dhe letërsia në botën kapitaliste dhe revizioniste.
Duke u marrë me temat tabu, prof. Uçi u bë mjaft i kërkuar dhe mjaft i lexuar
për artistët, shkrimtarët,intelektualët, por edhe për rininë e asaj periudhe.
Ishte ai që e kishte përvetësuar më së miri atë thënien e M. Batkinit se
“Ironia në letërsi sjell lirinë”. Vështirë të mos e kuptoje se ajo gjoja
përqeshja e tij me artin borgjezo – revizionist, ishte në vetvete përqeshja me
shabllonet dhe kufizimet tona të ideologjizuara që s`bënin tjetër vetëm se
favorizonin mediokritetin. Ai dinte të na i vinte përpara të dy pamjet e tyre,
pra t`i ballafaqonte ato, duke ia lënë gjykimin lexuesit. Dhe po t`a ndjekësh veprën
e tij edhe sot, kur janë krijuar hapësira të tjera, përsëri Alfred Uçi, atë
mënyrë dhe metodë të të shkruarit praktikon. Këtë e konstatojmë edhe te ky
libër i rëndësishëm i tij. Askush nuk mund të shpjegojë deri në fund të
vërtetën e debatueshme se Don Kishoti, ky kalorës mesjetar, tallet me botën apo
bota e tall atë dhe autori, Miguel Servantesi, ka pasur për qëllim të
stigmatizojë këtë hidalgo të pluhurosur, por me vështrim krenar apo prapësitë e
pafundme me të cilat ndeshemi përjetësisht.

 

Por fundja ç`rëndësi ka kjo?

Kjo puna e letërsisë
dhe e artit në përgjithësi është mjaft e çuditshme. Ngjet njësoj si me ato
pikturat e mesjetës, ku piktori, fjala vjen Leonardo da Vinçi, kur merrej me
portretin e Mona Lizës, thjesht e ka pikturuar atë me gjenialitetin e talentit
të tij, pa i shkuar aspak ndërmend se edhe pas pesëqind vjetësh, kritikët do
haheshin e do grindeshin duke shkruar volume të tëra, se ku ka dashur të dalë
ai me atë vështrimin e përhumbur të saj, me atë enigmën e buzëqeshjes, me vendosjen
e duarve në atë pozicion apo me sfondin pas krahëve. Sikur të ngjiste çudia dhe
piktori i madh të ngjallej, vetë ai do qeshte për këtë me aq ironi, sa të tjera
volume nuk do e shpjegonin atë edhe pse ajo qeshje e hidhur nuk qe tjetër veçse
pyetja: Pse merreni me këto marrëzira dhe pse humbisni kohën kot? Profesori i
letërsisë Migel De Unamuno është njëri nga ata që u morën seriozisht me
zgjidhjen e enigmës së alegorisë të romanit kushtuar kësaj figure. Madje, ai
pretendonte se e kishte në dorë kyçin e kësaj pune. Por edhe për të, dikush
arsyeton, se ai ka ndërhyrë për të zbuluar jo kuptimin që Servantesi
dëshironte, por atë që vetë ai supozon.

Gjykatësi i
pagabueshëm i një vepre, tashmë dihet se kush është: njerëzit e thjeshtë dhe
koha. Leon Tolstoi duke folur për këtë, shkruante: “Veprat e mëdha të artit
prandaj dhe janë të mëdha, sepse janë të kuptueshme e të kapshme nga të
gjithë.” Kjo përqaset dhe me atë që pohon vetë prof. Uçi se “Them se shtegtimet
e Kalorësit të Shpresës dhe të shqytarit të tij vazhdojnë e do të vazhdojnë
edhe në të ardhmen jo vetëm se kanë fituar lavdi të pavdekshme, por edhe se
janë miqësuar me lexuesit e gjithë rruzullit, që e mbajnë për libër të shenjtë
“Historinë e Monsinjor Don Kishotit dhe Sanço Pançës”. Nuk bëhet fjalë dhe as
që vihen në dyshim vlerat e mëdha, lidhur me mënyrën e të shkruarit të këtij
romani. Se në pastë diçka që dallon me një herë për harmoninë e formës me
përmbajtjen, është pikërisht kjo vepër të cilin Gj. Lukaçi qysh në vitin 1920 e
rendit tek ato të idealizmit abstrakt dhe të tjerë pas tij, si fillimin e
romanit modern. Prof. Uçi argumenton më së miri ndikimin estetik të tij në
gjithë rrjedhat e historisë të të shkruarit të një romani. Në vetvete “Don
Kishoti” i ka bërë karshillëk si rrallë tjetër letërsisë së traditës. Ai, për
nga roli që ka luajtur ka qenë i barasvlefshëm me ndikimin që kanë realizuar në
shekuj Aristotelit, “Poetika” Horacit “Arti poetik” dhe Nikolas Bualosë  “Arti poetik”, që u shndërruan në kanune, por
natyrisht jo si fjala e fundit. Xh. Papini thotë për të, se ai futi me sukses
në letërsi popullin dhe si i tillë ai “ka
qenë libri i shtresës së tretë, i botës së fshatarësisë, të haneve, kaçakëve,
aventurierëve, hajdutëve e vagabondëve, që sillte aromat e tokës dhe të djersës
së punonjësve të saj.
” Duke qenë i tillë, ai pëlqehet nga të gjithë, pa
pretendimin absurd të përzgjedhjes së një lexuesi elitar. S. Moem, duke qenë në
të njëjtin mendim me Kostandin Stanislavskin, kur diku  shkrua  se “Arti
është i madh dhe i vërtetë në qoftë se atë e shijojnë të gjithë
.” Don
Kishotin dhe Sanço Pançën i duan, i kuptojnë dhe i shijojnë të gjitha
kategoritë e lexuesve, qofshin ato edhe me diferenca të dukshme kulturore. Dhe
ata e arrijnë këtë fare thjeshtë dhe pa ndihmën e teoricienëve. Sikurse këta,
duke bërë punën e tyre, do mprehin lapsat për analiza, pasi një vepër, sa më e
lexueshme që të jetë, aq më shumë do diskutohet, pasi këndvështrimet nuk mund
të unifikohen kurrsesi. Vetë prof. Uçi që e studion gjerë e gjatë këtë libër,
shumë sinqerisht shprehet se “… kur jeta
tregohej dorështrënguar në gëzime dhe sa herë ajo të mashtronte me eufori
shpresash të kota, sa herë kam pas ndier zbrazëti gërryese ose kam qenë
pushtuar nga valë trishtimi e hidhërimi, kam zgjatur dorën në raftin e librave
të parapëlqyer dhe kam gjetur ngushëllim e kënaqësi të mirëfilltë, duke
rilexuar librin mbi aventurat e të famshmit Don Kishot
.”

 

Studiuesit dhe kritikët më të rëndësishëm

 

Pikë së pari, Uçi na
jep një tablo të plotë të mendimeve që kanë shprehur studiuesit dhe kritikët më
të rëndësishëm për Servantesin dhe heronjtë e romanit të tij. Ato janë të
shumta, sikurse janë të shumta edhe faqet që i kushtohen ndikimit të këtij
romani te shkrimtarët e tjerë të shquar, deri në vendin tonë. Se si kudo në
botë edhe këtu, e ndofta pikërisht këtu më shumë, kishin zënë vend ato fjalët e
predikuesit të madh të tolerancës, humanistit Erazmi i Roterdamit se “Nuk ka gjë më të çuditshme sesa brishtësia e
veshëve të njerëzve të këtij shekulli në të cilin po jetojmë
.” Dhe mendoni
që ai bën fjalë për shekullin XV kur jetoi vetë. Pra, ai nuk dinte gjë, sesa të
brishtë na i bëri ne veshët ideologjia e socializmit “shkencor”, ku në sajë të
vigjilencës revolucionare, çdo paragraf i këtij libri shihej me dyshim. Dhe jo
vetëm i këtij libri, por i shumë librave, duke u kthyer vetë censorët në figura
groteske si ajo e Don Kishotit. Ja si thotë autori për këtë: “Nuk besoj se ka pasur ndonjë shkrimtar ose
artist shqiptar, që pat lexuar në vitet 60 – 70 “Don Kishotin
dhe që të mos e ndiente veten si në kohën e
Inkuizicionit, kur gjykohej e dënohej letërsia kalorësiake
.” Pra, ndofta te
ne, u bë shumë i dashur ky roman, pasi në jetën e përditshme, nuk na u ndanë
Don Kishotët. Ata, shpesh ishin në krye të punëve, merrnin poza sikur do
ndërtonin një botë të re, ku e ku më të mirë se kjo e jona dhe nuk shihnin ose
bënin sikur nuk shihnin, greminën ku po na çonin. Edhe ata hiqeshin si gjysmë
shenjtorë, pikërisht kur s`ishin tjetër veçse gjysmë budallenj. Kuptohet që
vetë konstitucioni shpirtëror i Don Kishotit të ndershëm të romanit, ishte
tjetër; aq sa për të ndjenim në mos dashuri, simpati e në mos simpati,
keqardhje. Edhe pse ai s`ishte tjetër veç fryt i asaj që vëren Markezi, luftës
midis fantazisë dhe arsyes. Pastaj, as sot e kësaj dite ne nuk e dimë dhe mesa
duket edhe pas këtij libri, nuk kemi për t`a ditur, se ai qe i mençur apo
torollak. Sidoqoftë, është ashtu sikurse e përcakton prof. Uçi; një njeri super
paradoksal që si shumica ka dalë nga një përzierje e pasioneve dhe prirjeve të
kundërta, siç është dhe vetë jeta që prodhon të mirën dhe të keqen. Le që më
saktë atë e portretizon shqytari i tij (që me cilësitë, tiparet dhe sjelljet që
ka e plotëson atë), i cili kur i shkruan të shoqes, e skalit kalorësin që ndjek
pas: “Don Kishoti paska qenë një i mangët i mençëm dhe një i shkalluar i
ditur.” Pa njëri – tjetrin këto figura do ishin të cunguara. Dhe i tillë do të
ishte i gjithë romani, i cili te ne qysh herët mori përmasat që ka edhe në sajë
të punës plot talent të Fan Nolit, i cili duke e shqipëruar, e bëri vetë
Servantesin të flasë shqip, duke na larë borxhin që na pati, qysh kur kapidani
i piratëve, shqiptari Arnaut Mami i fali jetën, pas pesë orvatjeve të tij për
t`u arratisur.

Prof.
Uçi, e shtrin studimin e tij deri te krijimtaria e Agollit, Kadaresë etj. ku
gjen pika të forta takimi me heronjtë e romaneve të tyre. Bëmat e Don Kishotit
dhe Sanço Pançës, aty për aty të bëjnë të qeshësh, por e vërteta është se ato
të venë në mendime. Kësaj ane duket se i ka mëshuar më fort edhe prof. Uçi, kur
trajton atë që ai e quan “filozofi e donkishotizmit”. Ai e pagëzon atë si një
filozofi vitale dhe universale jete. Autori konkludon se:

a. Donkishotizmi është shprehje e paaftësisë njerëzore për t`i
parë gjërat ashtu siç janë.

b. Ai manifestohet si pleksje, pëzierje e mençurisë, urtësisë dhe
marrëzisë.

c. Dhe është botëkuptimi i vizionarit, i ëndërrimtarit, i
idealistit.

d. Kurse vetë filozofinë që mbart Servantesi si autori i këtij
romani, prof. Uçi e përshkruan si atë të njeriut të Rilindjes që del ithtar i
ëndrrave të bukura, tërheqëse, utopike të Kalorësit të arratisur, por që si
humanist demokrat i vërtetë, edhe ka frikë prej tyre, sepse e sheh se mund të
bjerë në grackën e aventurave të zararshme që mund të çojnë në tragjedi të
cilat ai nuk i dëshiron.

Libri i prof. Uçit, si
e gjithë krijimtaria e tij, shquhet për një kulturë të lartë. Dhe jo vetëm
specialistët, por edhe lexuesit e zakonshëm, aty do shuajnë kureshtjen dhe do
të gjejnë shumë përgjigje që shkojnë përtej aventurave të atij personazhi aq
tërheqës. Sikurse me pasazhe të zgjedhura dhe të shkëputura nga romani, që janë
vendosur për ilustrim, do të kujtojnë ato histori, tashmë të njohura prej tyre,
por që për habinë tonë, nuk vjetrohen kurrë.