Miltiadh Davidhi: Elegji për artisten e popullit, Vaçe Zela

161

Zëri i ëmbël i Vaçes sonë,

I mbetur këngëve,erërave e shpirtrave,

Si vesëz e artë mëngjesi ndriçon,

E mbi gjethe lulesh e fijezash bari

Tingëllon plot nuanca drite,

Ngjyrash agimi e flakë zjarri,

Dhe njeh veç lindje,

Përndritje e fillim dite.

 

Në arkivole hapësire

Futen vetëm fjongo drite që s’vdesin,

Se zërat brilant s’kanë arkivole,

Dhe tingujt metalik dalë prej shpirtit pa skaj

Të kambanave qiellore që janë në vaj,

Sërish ushqejnë filizat e gjelbra të jetës

Me lotët e pavdekësisë,

E unë,nga askush pa u parë,

Qaj e qaj, e sërish qaj,

 

E mbledh petale lulesh e fijëza bari,

Grimcëza drite, tinguj ujëvarash,

Dhe flutura lëndinave myzeqare

Me ngjyrat e zërit të saj

Të vesuara prej lotëve të qiellit në zi.

 

Zëra të tillë dhe të vdekur këndojnë

E me tingujt e zërave që vijnë prej Universit

Bashkohen hapësirave dhe jehojnë

Me një melodi kaq të bukur shpirti,

Si dhe vet pavdekësia.

Vini veshin e dëgjoni,dëgjoni,miqtë e mi,

Janë mesazhet më të bukura

Që vijnë nga përjetësia!

Zogjtë e vargjeve me vesëza dherash

E refrene këngësh përmbi krahët e bukur,

I lëshoj të fluturojnë për tek Ju, e bukura jonë,

Të të përqafojnë me dashuri

Të qajnë me zërin e dhimbjes së madhe,

Të sjellin lotët e gjithë myzeqarëve,

Dhe ujëvara lotësh nga e jotja Shqipëri.

 

Tashmë, dhe fëmijët e sapo lindur,

Këngët e tua

I këndojnë kudo nëpër botë,

E duket sikur thonë:Vdekja s’është reale,

Vdekja është e kotë!

 

E akullta e dhimbjes së ikjes tënde

Na u fut në zemër, në shpirt,

E shpirti ndonëse i ngrirë si kristal ngrice,

Sërish mërmërit këngët e tua,

E digjet si zjarr plot me dritë.

 

Dielli i dashurisë

U bë më i bukur nga zëri yt,

Që veç heshtje s’njeh

Dhe zërat e erërave më mahnitëse u bënë,

Se Ti, mbretëresh’ e këngës shqiptare

Dhe në arkivol, ende frymon e gjallon,

E si dritëz e bukur Universi,

Shpirtrave të gjelbër këndon.