Luzati në 70 vjetorin e çlirimit

558
Sigal

Fshati që nuk ka pasur asnjë me ballin e për këtë ai u dogj dhe u plaçkit tri herë

Më 29 nëntor 1944 u kurorëzua me sukses me fitore, lufta 5 vjeçare e popullit shqiptar kundër pushtuesit nazi-fashist dhe bashkëpunëtorëve të tyre vendas. Sot, pas 70 vjetësh, nga kjo datë historike dhe e lavdishme për popullin shqiptar, ne kuptojmë vlerat e kësaj lufte, titanike që bënë prindërit tanë, e pa kompromise e lëkundje përkrah, e si pjesë përbërëse e Koalicionit të madh Antifashist Botëror, duke e radhitur Shqipërinë në anën e fitimtarit. Ky fakt bëri të mundur rritjen e autoritetit dhe prestigjit ndërkombëtar të LANÇ-it dhe të Shqipërisë e njëkohësisht, ajo ishte jetike për fatet e atdheut tonë. Sepse me këtë rreshtim, që bëri PKSH përkrah aleatëve, u sigurua ekzistenca dhe tërësia territoriale duke u thënë ndal njëherë e përgjithmonë qëllimeve grabitqare të shteteve fqinjë, që synonin copëtimin e trojeve shqiptare. Bilanci i LANÇ-it për Shqipërinë ishte i dhimbshëm, 28000 dëshmor, mijëra të plagosur, të zhdukur e internuar, të cilët përbënin 7.3 % të popullsisë, mbi 21% e shtëpive dhe fshatrave u dogjën dhe u rrënuan, më shumë së1/3 e gjësë së gjallë, dhen, dhi, lopë, kuaj mushka u asgjësuan ose u rrëmbyen me forca nga pushtuesit sidomos gjatë tërheqjes se trupave gjermane. Të gjitha këto e rendisin Shqipërinë, në krahasim me numrin e popullsisë, ndër vendet me kontribut të madh në raport me vendet e tjera, të bllokut antifashist. Ne sot, jemi plotësisht në gjendje, që me fakte të njohura botërisht dhe të padiskutueshëm, ti përgjigjemi pyetjes se pse shqiptarët iu bashkuan në mënyrë masive me LANÇ-in, për të luftuar me forcën e armëve pushtuesit nazifashist. Sigurisht të gjithë e pranojmë se shqiptarët kurdoherë kanë luftuar kundër çdo pushtuesi, duke mos bërë asnjëherë pazar me lirinë e vendit. Pa mohuar aspak karakterin liridashës të popullit tonë.

Ne e vlerësojmë kontributin e padiskutueshëm dhe vendimtar në organizimin, drejtimin, zhvillimin dhe udhëheqjen e LANÇ-it, të PKSH si forcë e re politike që lindi dhe u rrit në betejat me pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre. Kjo klasë politike me mençuri, urtësi, guxim, patriotizëm dhe aftësi, fitoi respektin e popullit, që e pranoi me besim të palëkundur rolin udhëheqës të saj. Kjo klasë politike me programin e saj fitoi njëkohësisht respektin dhe konsideratën edhe të aleatëve, anglo-sovjeto-amerikanë, të cilët e njohën botërisht, kontributin e shqiptarëve në luftën kundër fashizmit. Duke folur për fitoren e 29 Nëntorit ne detyrohemi të njohim dhe të vlerësojmë rolin e Frontit Nacionalçlirimtar si strukturë politike që bashkoi masat e gjëra të popullit shqiptar në luftë, të vlerësojmë dhe rolin e PKSH si forca politike udhëheqëse, frymëzuese e mobilizuese, si dhe rolin e komandantit të kësaj lufte Enver Hoxha. Historia nuk niset nga asgjë. Ajo shkruhet duke u bazuar në dokumente dhe të vërtetat historike të kohës, kur kanë ndodhur ngjarjet. Sot 70 vjet nga dita e çlirimit, Shqipëria dhe shqiptarët kujtojnë me krenari të ligjshme veprën e prindërve tanë . Ne mburremi me të drejtë me kontributin, që atdheu ynë dha në fitoren përfundimtare, mbi nazifashizmin në kuadrin e Koalicionit Antifashist Botëror, të botës përparimtare e demokratike. Bashkë me të gjithë shqiptarët mburremi edhe ne luzatarët. Si një fshat i vogël në krahinën e Labërisë, kemi dhënë kontributin e madh, kur prindërit dhe të afërmit tanë morën pjesë në këtë luftë për jetë a vdekje kundër pushtuesve. Bijtë e bijat e Luzatit, u rreshtuan në rreshtat partizane, u inkuadruan në batalione e brigade partizane dhe qenë kurdoherë në ballë të luftimeve dhe betejave, në të gjithë territorin e Shqipërisë deri në tokat e Jugosllavisë. Ata u bënë shembull frymëzimi, guximi e trimërie, pjesë e natyrës së luzatarit por edhe të mbrujtur dhe edukuar nga veprimtaria e komunistëve dhe patriotëve, që vendin e donin të lirë e demokratik. Luzati ka një veçori që nuk e kanë fshatrat e tjerë të Labërisë se është i vetmi fshat që nuk ka asnjë me ballin, për këtë, ai u dogj dhe u plaçkit disa herë nga pushtuesit, të udhëhequr nga ballistët. Por luzatarët nuk u përkulën por u lidhën më shumë me luftën partizane. Luzati ishte bazë e luftës në krahinën e Tepelenës, ai i fali bujarinë, mikpritjen dhe shpirtin e tij bujar e liridashës. Por mbi të gjitha ai i fali 14 dëshmor dhe një “Heroinë Populli”, bijtë dhe bijat më të mirë, të cilët ranë në fushën e luftës në lulen e rinisë, duke vëne në themele gjakun e tyre, për të ardhmen e Shqipërisë së lirë e demokratike. Duke e mbyllur këtë përshëndetje më lejoni t’ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj, në këtë veprimtari të fshatit tonë, t’ju uroj nga zemra të gjithë luzatarëve kudo ku jetojnë e punojnë në Shqipëri dhe jashtë saj. Ju ftoj që brenda mundësive të jeni më afër shoqatës duke marrë pjesë në veprimtaritë e saj.

         Bashkim QELI