Klement Marku: Jetën artistike në qytetet e mëdha duhet ta ketë në dorë Ministria e Kulturës dhe jo Bashkia

766
Sigal

PERSONAZH/ Flet kompozitori dhe pianisti Klement Marku

Në një  Festival që u bë në Elbasan kur isha në shkollën e mesme unë paraqita një kompozim, i  thjeshtë. Në atë komision ishte Ferdinand Deda, Alfons Balliçi, stafi drejtues i Festivalit të këngës në Elbasan dhe ky kompozim i imi u aprovua. Kështu fitova besimin se unë mund ti futem rrugës së krijimit, kompozimit. Ishte sadisfaksion i parë. Pra kjo tregoi se kisha predispozicion dhe kjo më krijoi bindjen se mund të konkurroja  në Akademinë e Arteve (Atëherë Konservator). U bëra  student  i Tonin Harapit, i cili më ndihmoi shumë. Mu rritën dëshira për të krijuar dhe më shumë dhe në disa komunikime me artdashësit, mendova të krijoj një valle simfonike. Kjo erdhi natyrshëm, pasi vallja simfonike ishte pjesë e dëshirave dhe ambicieve të mia dhe kjo për vetë faktin se  isha i dhënë  pas folklorit,  gjurmëve të valleve dhe këngëve popullore dhe kjo ishte me tema të folklorit tabanas, por të trajtuara në parimin, aspektin simfonik. Kjo valle simfonike u krijua dhe u vu në skenë  në vitin 1977. E vuri në skenë dirigjenti Alqi Lepuri me orkestrën e Konservatorit.

 Ku shkuat pasi përfunduat Akademinë?

Unë e mbarova Akademinë në viti 1978, atë vit që realizova vallen simfonike dhe mua më caktuan në Elbasan. U emërova në shkollën e muzikës në Elbasan dhe më pas pedagog në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” për muzikën. Këtu në qytetin tim e kam vazhduar aktivitetin tim pedagogjik, deri në vitin 1997, pasi në ato vite të vështira shkova emigrant në Greqi. Dihet arsyeja e atyre viteve të vështira. Ishte një luftë e pakuptimtë, por unë aty punova si muzikant ku gjeta hapësira.

 Cila është vegla bazë juaja?

Për kompozitorin vegla bazë është pianoja. Ai  është laboratori i të gjitha veglave të cilës ne i referohemi. Në Greqi kam pasur shumë kontakte me kompozitorë dhe instrumentist shumë seriozë, ndër to ka qenë Thanasis  Kolimatriotis i cili në vitin 2003 ka marrë një kontakt me orkestrën e Radios, një projekt greko –shqiptar, me trajtimin e muzikës greke në gjuhën simfonike.

 Në këto vite  Si ka qenë jeta juaj artistike në vitet 1977 deri në vitin 1990? kam qenë në korrent të ç’do eventi muzikor, isha i lidhur shumë me Tiranën, ku kisha miqtë e mi dhe muzikantët e talentuar Ferdinand Deda, Eno Koço, etj

  Kompozimet e tua a kanë qenë pjesë e Festivaleve në RTSH?

 Unë kam krijuar gjithmonë dhe jam munduar të jem pjesë e tyre. Por unë nuk i përkas shumë zhanrit të muzikës së lehtë dhe pse kam dhe krijime të tilla. P.sh unë kam marrë pjesë në Festivalin e këngës së muzikës së lehtë në vitin 1980, me këngën “Brezaret” e kënduar nga një këngëtare nga Tropoja. Ishte një këngë komunikuese. Më vonë kam pas edhe disa bashkëpunime me këtë Festival të RTSH.

 Kë do veçoje tjetër në këto Festivale?

Festivalin e vitit 1992, ku unë kam qenë kantautor me këngën “Elegjia ime”. Pra këtë këngë e kam kënduar vetë, pasi doja ta shpalosja edhe këtë dimension, dimensionin e këndimit, pasi ishte brenda meje. E veçanta  e gjithë karrierës time është Koncerti i vitit 1989, në prill, ku për herë  të parë u bë premiera e një Simfonie. Simfonia nr1 me dirigjent Eno Koço. Ky koncert u realizua në Tiranë në TOB, ku kam qenë shumë i emocionuar. Tani kam dhe vepra të tjera, pasi jam munduar të lëvroj zhanre dhe gjini të ndryshme muzikore.

 Po çmimet e fituara?

Kam fituar çmim të dytë  në një konkurs Kombëtar që zhvillohej për festat e çlirimit të vendit. Festat e Nëntorit,  në mos gaboj 40-vjetori i çlirimit të Atdheut. Por një nga zhanret e mia të preferuar ka qenë dhe mbetet muzika për shoqërim në teatër. Në Elbasan kam bashkëpunuar me regjisorin Spiro Duni, ku në vitin 2006 në një komedi me karakter surrealist, komedia  “Drejt perëndimit” isha fitues bashkë me regjisorin Duni dhe skenografin Fatbardh Marku.  Ishte një ngjarje shumë e bukur, pasi ishte një Festival prestigjioz ku merrnin pjesë shumë trupa të huaja. Ne morëm çmimin e parë si spektakli më i bukur.

 Po në Ansambël çfarë pozicioni kishit në atë sistem?

 Në atë sistem unë kam qenë udhëheqës artistik i Ansamblit të  Elbasanit “Isuf Myzyri”, në shumë shfaqje të dhëna. Aty lëvrohej tradita ë këngës qytetare elbasanase. Këngëtari i parë që punoi me mua ishte Albert Tafani. Ai ishte këngëtari kryesor ku ne mblidheshim për të grumbulluar dhe nxjerrë në pah vlerat e traditës së këngës popullore elbasanase. Më vonë rreth tij erdhën vëllezërit  Zena, Mustafa Mehja, Suzana Qatipi, dhe shumë këngëtarë të tjerë. Ajo punë që bëmë atëherë vlejti për shumë vite, pasi ne ndërtuam një  formacion orkestral bazë i cili hulumtonte dhe mblidhte vlerat e muzikës qytetare të Elbasanit, ku me kohën dolën dhe shumë këngëtarë të tjerë që ecën në këto gjurmë.

 Në regjimin monist kush nga udhëheqësit e kohës vinte dhe ndiqte shfaqjet apo i përkrahte më shumë shfaqjet artistike?

 Ai që na ka përkrahur më shumë ka qenë Jashar Mezelxhiu dhe Pirro Kondi. Por edhe Fatmir Selita, Sekretar i Komitetit të Partisë ishte pranë nesh. Ata na ndihmonin dhe na përkrahnin pa masë. Selita ishte dhe përgjigjej enkas për kulturën.

 Jepnit koncerte të mëdha në atë sistem ku vinin dhe udhëheqës?

 Atëherë jeta artistike ishte shumë e madhe, shumë. Kemi dhënë koncerte  pa fund. Mbaj mend që me rastin kur u inaugurua uzina e Kobaltit, në vitin 1978 erdhi vetë Enver Hoxha. Ne dhamë një koncert të madh. Një koncert shumë kualitativ, ku në qendër ishte një Orkestër Simfonike.  Ne përfaqësuam para të gjithë anëtarëve të Byrosë Politike kulturën e qytetit tonë. Të gjithë na duartrokitën. Enveri na falënderoi. Sot të tillë nuk ka. Ne sot nuk kemi një strategji artistike dhe jeta artistike është e vakët.

 Pse vjen kjo mefshtësi?

 Për shumë arsye, por e para se jetën artistike në qytetet e mëdha duhet ta ketë në dorë Ministria e Kulturës dhe jo Bashkia. Pak janë qytete e mëdha me traditë në këtë fushë. Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Korça, Gjirokastra, Elbasani. Këto qytete duhet të kenë orkestra, duhet të kenë Festivale me staf, sepse po shkatërrohet  tradita, po shkatërrohet arti.  Janë me qindra studentë që mbarojnë Universitetin e Arteve që nuk kanë asnjë perspektivë. S’ka më aktivitete. Strategjinë e kulturës në Shqipëri duhet ta bëjë vetëm Ministria e Kulturës. Veprimtaria kulturore nuk duhet të varet nga Bashkia, ndryshe do humbim kulturën e trashëguar në shekuj.

 Albert Z. ZHOLI