Kur këndova për Dritëronë

863
Sigal

Endri Fifo

Kisha vite që doja të bëja një këngë për Dritëro Agollin, devolliun e dashur, mjeshtrin që me shpirtin e penës ka gdhendur fjalën e bukur shqipe. Që i vogël, kur vinte në familjen tonë, e ndjeja se ai ishte një njeri i veçantë për mënyrën e shprehjes së dashurisë për njerëzit. Më vonë, kur unë u rrita, filluam të këndonim bashkë. Ai e ndjente se zërat na shkonin shumë mirë. Janë shumë këngë që i kam mësuar prej tij. Dhe një ditë kënga erdhi. Nisa ta shkruaja tekstin dhe ta këndoj nëpër shtëpi me zë të ulët. Gruaja dhe djemtë e mi, më shikonin dhe qeshnin. Kur e përfundova, ende nuk isha i bindur se do të kisha bërë të bukur vargjet ashtu siç i meritonte shqiptari Dritëro. Një ditë në Tiranë, takova mikun tim poetin Agim Hila. E lexoi dhe pothuaj nuk ndryshoi asnjë varg. Orkestrimin ia dhashë muzikantit Aleks Xhelili. Sa e dëgjoi melodinë me tha: – Do ta orkestroj dhe do t’i bie unë klarinetës dhe fyellit. Driteroin e kemi nip nga Kolonja, nga e ëma kolonjare. Po ofronte viti i lindjes dhe kënga ishte ende në përpunim teknik në studion e incizimit. Qëlloi që në shtëpinë e shkrimtarit shkuam së bashku me Irfan Lulon, ish- kryetarin e Shoqatës Devolli. Ne mes të bisedës, Irfani më pyeti:

– Gjer ku je me këngën e Dritëroit?

– Ja, në përfundim. Ka kohë gjer në njëqind vjetor,- iu përgjigja Dritëroi qeshi dhe tha:

– Po ç’ne këngë për mua, o Endri. T’i bësh këngë punës se devollinjve se duhet edhe një këngë si punëtore të mëdhenj që jemi. Foli shtruar, na trokiti gotat, kroi zërin e tij me një:

– Ooo, heee dhe ia mori shtruar këngës” O ju male me dëborë” Vitet kaluan shpejt. Me rastin e 80- vjetorit të lindjes së poetit, me një grup anëtarësh të Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve ” Miqtë e Dritëroit” shkuam në shtëpinë e tij. Ashtu i madh, i mençur, i dashur e madhështor, bashkë me Sadien, dolën dhe na pritën te dera. Nga mesi i bisedës, filluam t’i jepnim dhuratat e rastit. Unë, me duart që më dridheshin nga emocioni ,i përmalluar, ia dhashë videoklipin që filmova me TVSH. -T’i më ke mësuar shumë këngë, ndaj bëra dhe këtë për ty që të këndohet sa të ketë Devoll dhe devollinj në këto troje. I mallëngjyer ia nisa:

Trëndafil i bardhë

Çelur tetëdhjetë herë

E gdhende fjalën

Me shpirtin e penës

Këngës do t’ia themi

Isot të ushtojnë

Po këndon Devolli

Këngën për Dritëronë!

Kënga solli këngën dhe në këtë ditëlindje te tetëdhjetë të Dritëroit. Kënduam dhe perlat e folklorit tonë” Çeli manushaqja”, “Qan Rehova, qan Nivica”, “O bandill mustaqezi” etj Ai zë i ngrohtë e i mallosur për Devollin dhe devollinjtë, që na përcolli gjer te shkallët më ka mbetur në kujtesë. Edhe sot, pas dy vjetësh që miku im nuk është më fizikisht, kur kaloj poshtë pallatit të tij këndoj vargjet:

Pas dritës së llambës,

Rri gjer te gdhihet

Mbi fletën e bardhë

Me mbjell xhevahire

Këngës do t’ia themi

Isot të ushtojnë

Po këndon Devolli

Këngën për Dritëronë