Shqipëria – Vendi i kontrasteve

620
Sigal

Nga Hyskë Borobojka   

Vendi ynë, Shqipëria është vendi i kontrasteve që fillojnë në kryeqytet e vazhdon në të gjithë vendin, nga Jugu në Veri e nga Lindja në Perëndim, (ku mërzen cjapi e ku zihet krapi).

Diku, në qendër të Tiranës, në një lokal luksoz nga më luksozët, i zbukuruar me drita e lule brenda dhe jashtë, kishin zënë tavolinat moderne e kolltukët e modës së fundit, një tufë oligarkë, qeveritarë të lartë e deputetë të zgjedhur me listë nga kryetarët e partive, që nuk di si duhet t’ua vesh emrin VIP (Very Idiot Person) apo VIP (Very Important Person). Ata ishin të ngarkuar më zinxhirë ari në qafë e unaza me gurë diamanti në duar, që mbushnin e zbraznin gotat e shishet njëra pas tjetrës, boshatisnin pjatat e darovitnin kamerierët, me aq lekë, sa disa si puna ime apo ata që e mbajnë shpirtin gjallë me rroga të ulëta e me ndihma ekonomike, s’i marrin dot as për gjysmë muaji.

Lokali luksoz në kërthizë të kryeqytetit ziente si zgjua blete nga diskutimet, korr e mos lidh, të tyre. Secili prej tyre mburrej e u thoshte të tjerëve, se ai e ka vilen ku banon më të mirë e më të bukur në të gjithë vendin. Tjetri mburrej e rrihte gjoksin, se pallati që ka ndërtuar është m’i larti e më i miri, jo vetëm në Tiranë, por në gjithë Shqipërinë. Tjetri mburrte e ngrinte në qiell kompaninë e tij fitimprurëse, se ka biznesin më fitimprurës e rytbenë më të lartë. Cili do të jetë në listë për deputet e anëtar qeverie e kush në atë të zgjedhjeve të pushtetit vendor?!

-Pa zëre për veshi gotën e rakisë, që ke përpara, se do ngre një dolli- i thotë njëri tjetrit.

-Urdhër dollibash rrofsh e qofsh! Ku më dërgon?

– Te “Rilindja e Re” dhe pije me fund, të kam rixha! shëndeti i saj, s’i thonë shaka!. Po të mos ishte në krye “Rilindja e Re”, opingën e Sheros do fitonim ne?!

Ndërsa në lokalin luksoz vazhdonte ahengu, me raki e me dolli dhe ngriheshin në qiell vilat e bukura e pallatet e tyre të lartë, bizneset fitimprurëse, tenderët e fituar me dallavere e kobashitje nga “Rilindja e Re” kompanitë me disa sektorë, në periferi të Tiranës, në rrugët qorre të saj e në zonat rurale shikon një realitet tjetër. Janë ata që mbajnë shpirtin gjallë me ndihmë ekonomike, me paga të ulëta e me pensione qesharake, me shtëpi e pa shtëpi, me çati e pa çati, ku mbuluar e ku zbuluar, që të kujtojnë këngën humoristike të zavallit Demo. Thoshin se kishte shtëpi të lartë, kurse ai kishte një kasolle me kashtë, kokën brenda bythën jashtë.

Në një lokal tjetër, m’i bukuri ndër të bukurit ishin mbledhur një dorë oligarkë, biznesmenë, qeveritarë të lartë e “Baballarë Kombi në dy e tre legjislatura. Përballë lokalit, në trotuaret e gjerë të zbukuruar me drita neon e me lule dhe në rrugën e asfaltuar që llamburiste nga dritat, ishin radhitur makinat e tyre luksoze, sikur donin t’i mburreshin njëra tjetrës, kush e kishte markën më të mirë, vitin e prodhimit më të ri dhe ngjyrën më të bukur. Ato ruhen nga bodigardët e servilët e ahengxhinjve brenda ne lokal. Në anën tjetër të kryeqytetit, ku jetojnë e banojnë ata që s’kanë ç’të shtrojnë në sofrat e tavolinat e që bëjnë një kontrast të madh me ata, që pa brekë i zuri darka, milionerë i gjeti mëngjesi.

Makinat luksoze të markave të fundit prisnin pronarët e tyre të linin kolltukët e lokalit e të zinin sediliet e buta të tyre. Ndërsa në anën tjetër të kryeqytetit janë ata që s’dinë si ta ngrysin ditën e ta gdhijnë natën. Ata s’kanë makina, por ndonjë dyrrotak të sfilitur apo ndonjë karrocë dore për të mbledhur ndonjë hedhurinë në kazanët e plehrave e që të kujtojnë përsëri zavallin Demo, që thoshin se kishte kalë me shalë, ndërsa kishte një gomar të çalë.

Ngrihen në protestë studentët për të drejtat e tyre të mohuara, për gjendjen e Universitetit Shtetëror, që pothuajse është e mjeruar dhe skandaloze, se studentët diplomohen në fakultetin ekonomik, por s’janë ekonomistë e s’i merr tregu i punës. Diplomohen në fakultetin juridik, por s’janë juristë, se s’fitojnë dot të drejtën e ushtrimit të profesionit. Qeveria e “Rilindjes së Re” dhe kryetari i saj, në vend të plotësojnë kërkesat e drejta të tyre përdorin arrogancën dhe premtimet bajate.

Studentet vazhdojnë protestat me ditë të tëra, në qiell të hapur, në palcën e dimrit të egër, ditën e natën, përpara Ministrisë së Arsimit e Sporteve pa veshë, para Kryeministrisë shurdhe, përballë “Tempullit të Ligjeve” që i shkel ligjet me të dy këmbët, në rrugët kryesore të kryeqytetit. Nënave dhe mamave, kur mendojnë vajzat dhe djemtë e tyre në mes të dimrit të egër u pikon në zemër.

E kundërta ndodh me mamatë deputetka në ambientet e ngrohta valë të Parlamentit, që presin ditën e enjte të bëjnë paradën e modës. Njëra të ekspozojë veshjen firmato të modës së fundit pariziane. Tjetra të pozojë në foto me një kapele në kokë, si ajo e mbretëreshës të Mbretërisë së Bashkuar. Të tjerat bëjnë garën e “lukut” (Nuk e di si është futur kjo fjalë barbare në leksikun e gjuhës së bukur shqipe) Lyen e ngjyejnë flokët me bojëra të ndryshme, si dhi kënutë, duke ngjallur iritim te publiku e sidomos te studentët, që disa prej tyre punojnë me orë të zgjatura për të mbajtur me bukë pjesëtarët e familjes pa punë e për të siguruar të ardhura që të vazhdojnë universitetin. Studentët grevistë s’ka si mos irritohen kur shikojnë gratë e Parlamentit që theken në ambientet e ngrohta, të nisura e të stolisura dhe i krahasojnë më nënat e mamatë e tyre, që mundohen e robtohen dhe s’arrijnë dot të sigurojnë paratë, që fëmijët e tyre të vazhdojnë studimet.