Flet regjisori Dhimitër Orgocka: Një javë dasmë në Korçë, festivali i monodramës sjell krushq nga bota

603

Bisedë me presidentin e Festivalit, aktorin dhe regjisorin Dhimitër Orgocka

 

Një javë dasmë në Korçë, Festivali i Monodramës sjell krushq nga bota

Nga Vepror Hasani

 

“Që prej 2 qershorit qyteti i Korçës është në festë; bëhet dasmë e madhe, nis të na tregojë presidenti i Festivalit të Monodramës, aktori dhe regjisori i mirënjohur, Dhimitër Orgocka. Krushqit kanë ardhur nga vende të ndryshme të botës; janë aktorë të roleve të mëdha. E ftuar në dasmë është gjithë Korça: të mëdhenj e të vegjël, burra dhe gra, vajza dhe djem. Ditë të gëzuara për qytetin. Të gjithë janë në kërkim të nuses më të bukur; presin shpalljen e monodramës fituese. Aktorët mysafirë të këtij viti janë: Hara Koliu nga Greqia, me monodramën “A man’s voice” (Një zë njeriu); Lavdim Dushi nga Kosova me monodramën “Few sleep, people” (Pak gjumë o njerëz); Andjelija Rondoviç, nga Mali i Zi, me monodramën “The Idiot”, të Fyodor Dostoevsky-t, të dramatizuar; Svetlana Sretenoviç, nga Serbia, me monodramën “Letter from an Unknown Woman” (Letra e një gruaje të panjohur); Valerya Likhodey nga Rusia; Enver Hyseni nga Tirana, me monodramën “Dome”; Gerald Dumont nga Franca me monodramën “Letter to the crooks of Islamophobia who play the game of racists” (Letër për kriminelët e islamofobisë që luajnë lojën e racistëve); Howard Rypp nga Izraeli, me monodramën “Gimpel the Fool” (Gimpeli budalla) dhe Georgi Iobadze nga Rusia, me monodramën “I, grandmother, Iliko and hilarion” (Unë, gjyshja, Iliko dhe Hilarioni). Korça tashmë gjendet e veshur me petkun artistik të festës së madhe. Të gjithë dëshirojnë të vazhdojnë sa më gjatë, por ajo zgjat vetëm një javë, sepse perlat gjithnjë janë pak, por mbahen mend për një kohë shumë të gjatë”.

Edhe mysafirët në festë

Edhe mysafirët e ardhur nga larg gëzojnë bashkë me vendasit. Nga presidenti i Festivalit të Monodramës, aktori dhe regjisori i mirënjohur, Dhimitër Orgocka gjithçka është parashikuar me detaje. “Miqtë njihen me vende të ndryshme dhe vlera të rralla të qytetit të Korçës dhe të trevave të tij.”, vijon më tej rrëfimin e vet Orgocka. “Çdo ditë njihen me diçka të veçantë. Shkojmë në Dardhë, ku gratë i presin mysafirët me tabaka në dorë dhe gotën e rakisë, u hapin portat dhe i ftojnë të hyjnë brenda. Dashamirësia dhe mikpritja dardhare është e njohur dhe shumë e hershme. Këtë vit ishin tri ruse (dy aktore dhe një regjisore) që mbetën të mahnitura nga ajo që panë dhe gjetën atje. Ishte shumë mbresëlënëse për to. Gjatë ditëve të Festivalit, të ardhurit vizitojnë Voskopojën, Pogradecin, Muzeun Mesjetar, Pyllin e Fazanëve, Muzeun Arkeologjik, fshatra turistike, Muzeun Bratko, Liqenasin, Pazarin e Korçës, Katedralen e Korçës, Birra Korçën, Mësonjëtoren etj. Nuk ke mundësi të mërzitesh qoftë edhe një ditë të vetme. Gjithçka ecën shpejt dhe bukur. Një ditë me parë aktorët ishin te “Mjalta” në fshatin Plasë, aty ku gjen vetëm mjaltë bio. Edhe aty miqtë mbetën të mrekulluar, gjithçka ndodhej në natyrë mes ajrit të pastër dhe bletëve që kalonin lule më lule; ngjasonte me një përrallë. Ky është shërbimi më i mirë që i bëjmë turizmit në këto treva, dhe kjo është dhe një prej arsyeve pse Korça është kaq e vizituar; u bënë 16 vjet që vijnë aktorë të mirënjohur nga vendet evropiane”.

Mbrëmjet e arta

“Ndërsa mbrëmjet janë vërtetë të arta, na thotë Orgocka. Shfaqjet jepen kudo që shkojmë, dhe në ambientet e Katedrales së qytetit, e cila ka një skenë të përshtatshme, akustikë të mirë dhe qetësi absolute. Edhe pse monodrama nuk do shumë spektatorë, kemi qenë mjaft të ndjekur nga të gjitha moshat. Monodrama ka një të mirë të madhe sepse në Festival marrin pjesë aktorë të përgatitur nga ana profesionale, sepse aktori është i detyruar ta mbajë gjithë shfaqen i vetëm. Çdo njeri ka çfarë të mësojë prej festivalit. Puna artistike është e nivelit më të lartë. Kjo bën që mungesa e gjuhës shqipe të mbulohet nga mjeshtëria e lartë artistike, nga puna e madhe regjisoriale që ata bëjnë, ndaj edhe gjuhën sikur të mos e dish, vetëm prej mjeshtërisë së tyre e kupton. Por, sivjet realizuam edhe përkthimin nëpërmjet një ekrani të madh. Ky është edicioni i XVI i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës. Prej 16 vitesh, aktorë nga vende të afërt dhe të largëta vijnë çdo vit në qytetin e Korçës. Mbresat e përjetuara i çojnë në vendet e tyre. Kjo është arsyeja që numri i kërkesave për pjesëmarrje në Festivalin e Monodramës, bëhet gjithnjë më i madh, shumë prej të cilave nuk përmbushen sepse do të duheshin fonde shumë më të mëdha. Deri më sot të ardhurit në Korçë kanë qenë nga Italia, Greqia, Sllovakia, Polonia, Republika Çeke, Belgjika, Rumania, Armenia, Gjermania, Bullgaria, Islanda, Kroacia, Serbia, Ukraina, Rusia, Maqedonia, Lituania, Kosova, Shqipëria dhe nga shumë vende të tjera të botës. Që të gjithë kanë mbetur të kënaqur, sepse për fat të mirë ne kemi vende shumë të bukura që atyre u pëlqejnë jashtëzakonisht shumë”.

Kudo që shkojmë bëhet art

“Kudo që shkojmë bëhet art, shpjegon presidenti i Festivalit, Orgocka, organizojmë shfaqje të vogla, herë me këngë, herë me valle apo dhe me improvizime të tjera, sepse atje ku ka artistë ekziston edhe shpirti krijues. Të ndihmuar jemi edhe nga artistët korçarë. Sot do të shkojmë në Pojan sepse është Festa e Trëndafilave, atje do të kemi edhe këngëtarë, edhe valltarë edhe shfaqje. Kjo na bën ta kemi syrin hapur e të mos i trembemi dilemës “Si do të dalim?” Ndihmojmë aktorët me ndriçim, me foni, me rekuizita dhe dekor, sepse ata nuk mund t’i sjellin me vete. Gjithçka përgatitet në kohë dhe në mirëkuptim të plotë. Në këtë mënyrë ne shesim mrekullitë që ka Korça dhe trevat e saj. Ndaj, me këtë rast, desha të falënderoja drejtoren e Teatrit të Korçës, Zamira Kitën, Edmond Xhumarin, Festim Tomorin etj., të cilët ndihmuan në realizimin e Festivalit; gjithashtu edhe Ministrinë e Kulturës, Bashkinë e Korçës dhe Bashkinë e Maliqit”, përfundoi rrëfimin e vet presidenti i Festivalit të Monodramës “Albamono 2019”, aktori dhe regjisori i mirënjohur, Dhimitër Orgocka.