Elsa dhe Pandi Vakëflliu, mësues që ia kushtuan jetën nxënësit

920
Sigal

Ora e mësimit nis ditën e parë të shkollës dhe përfundon kur merr diplomën

 Nga Vepror Hasani

Elsa Vakëflliu, mësuesja e parë (femër) në vitet e diktaturës në Shqipëri dhe bashkëshorti i saj Pandi Vakëflliu, mësues i fizikës, sollën diferencimet që konstatohen sot mes mësimdhënies në vitet e diktaturës dhe viteve të demokracisë. Elsa Vakëflliu, në përfundimin e shkollës së mesme pedagogjike “1 Maji” në Berat, u nderua me Medaljen e Artë. Në vijim të studimeve përfundoi shkëlqyeshëm Institutin e Lartë Pedagogjik 4-vjeçar në Tiranë. Pas kësaj, gjithë jeta e saj vijoi mes nxënësve të shkollave të mesme, madje për shumë vite edhe si drejtore e shkollës. Për punë këmbëngulëse dhe pasionante, më 24 shkurt të vitit 1967, u dekorua me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të3-të. Është pjesëmarrëse në shumë seksione shkencore, konferenca dhe studime pedagogjike, bashkëpunëtore e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë; pjesëmarrëse në Kongresin e Drejtshkrimit me kumtesën: “Shkrimi i zanores ‘ë’ fundore të patheksuar”. Për kolegët e saj është mësuesja e mësueseve, sepse gjatë jetës së saj, nxori nga bankat e shkollës një armatë të tërë mësuesish. Punoi si mësuese e letërsisë për 28 vjet me radhë. Po kështu edhe bashkëshorti i saj Pandi Vakëflliu, i dekoruar më në mars të vitit 1970 nga Presidiumi i Kuvendit Popullor i Republikës së Shqipërisë me medaljen “Naim Frashëri” dhe në mars të vitit 1985 me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të 2-të. Dy bashkëshortët ia kushtuan jetën nxënësve të tyre. Gjithsesi, biseda jonë u ndal, tek diferencat që konstatohen sot në mësimdhënie, krahasuar me vitet e diktaturës.

Çdo të thotë për ju, një orë mësimi?

Dëgjo, unë nuk do të ndalem te të këqijat e sistemit të diktaturës, sepse ato tashmë dihen nga të gjithë, por kryesisht do të përqendrohem te të metat që konstatojmë sot. Një orë mësimi është art, çdo orë mësimi ka formën dhe përmbajtjen e vet, është dituri, kulturë, informacion, është bashkëbisedim, arsyetim, ndjesi, mendim induktiv, logjikë shkencore, atmosferë emocionale, thjeshtësi në bashkëbisedim, qartësi, vetëdije, rendiment, krijim, përballje me nxënësin, përvojë, vështirësi sigurisht, dhe të gjitha këto duhet të ndodhin brenda 45 minutave, ku gjithçka të jetë e gërshetuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Ora e mësimit është si qelqi, kërkon kujdes, vëmendje, përkushtim etj. Nëse mësuesi nuk arrin të realizojë dot një orë mësimi, atëherë ai ka dështuar në misionin e vet.

Të gjitha këto, a ndodhin në kohët e sotme?

Nuk them se nuk ndodhin, nuk them se nuk ka përkushtim, por sot gjithnjë e më shpesh dëgjon të thuhet: “Në këtë kohë është e vështirë të punosh me nxënësit!”. Kjo është një ide mjaft e gabuar. Një mësues nuk mund të shprehet kurrsesi kështu. Mësuesia është profesioni i tij dhe ai duhet ta dashurojë atë, në të kundërt le të gjejë një profesion tjetër. Ai ka në dorë të ardhmen e fëmijëve tanë. Mësuesit i duhet ta dojë nxënësin, ta respektojë atë, ta njohë personalitetin e tij, ta ndihmojë në çdo moment, të jetë dashamirës që ai ta kuptojë se gjithçka që po bën mësuesi, po e bën për të, por sot ky përkushtim duket se është nuk është në lartësinë e kërkuar. Sot nuk bëhen përpjekje maksimale për njohjen e klasës, nxënësit që përparojnë, nxënësit e dobët, nxënësit me probleme sociale etj. Ka filluar të harrohet njohja me prindërit e tyre dhe kërkimi i ndihmës prej tyre. Mësuesi duhet të jetë i përgatitur për orën e mësimit, të ketë lexuar diçka përtej tekstit të lëndës, të ketë informacion plus, kuriozitete etj., sepse edhe nxënësi ka një mori informacionesh nga mediat, televizori, kompjuteri, interneti, prindërit nëse ata janë të shkolluar etj.

Çfarë anësh negative vihen re konkretisht?

Të gjitha ato që rendita më lart, sot kanë filluar të duken sikur nuk i përkasin më mësuesit, por në të vërtetë nuk është kështu, të gjitha këto janë pjesë e punës së tij. Fatkeqësisht, tek disa mësues dhe nxënës janë ngulitur koncepte të gabuara në lidhje me marrëdhëniet mes tyre, dhe kjo po sjell pasoja për shkollën. Sot po vihen re fenomene të çuditshme: Mësuesi hyn në klasë gjithë ftohtësi, njësoj sikur dëshiron t’u thotë nxënësve: “Unë jam mësuesi tuaj, (Perëndia), unë mund t’u ngel në klasë, unë mund t’ju kaloj, unë bëj si të dua”. Një nxënësi të dobët i drejtohen me fjalët: “Ti nuk je njeri, ti je gdhe, ti je askush, ti nuk mëson dot, bëj çfarë të duash, nuk më intereson aspak që ti nuk dëshiron të mësosh” etj., etj. Por të gjitha këto e çojnë shkollën në drejtim të gabuar, ndaj ekziston sot ky nivel dijesh në shkollat tona.

Sipas jush, çfarë duhej të bëjë më shumë një mësues?

Së pari, mësuesi në shpjegimet e tij është i njëtrajtshëm, i rrafshët, monoton, kur ai shpjegon disa dëgjojnë, disa “flenë”, disa vështrojnë nga dritarja, disa të tjerë mendojnë diçka tjetër, kurse mësuesi është i kënaqur që nuk po i bëjnë zhurmë, sepse u ka kallur datën. Kjo nuk është rruga e duhur. Nga mësuesi kërkohet debat me nxënësit. Nxënësve të mirë u jepen problema të vështira, nxënësve të dobët problema më të lehta, por gjithnjë nga teksti, që ai të ketë mundësi ta shikojë edhe në shtëpi. Edhe nxënësi i mirë ndihmohet se ka problem të vështirë, por veçanërisht ai që është i dobët. Nëse e sheh që ka ngecur, e ndihmon të ecë më tutje. Duhet ta përgatitësh situatën në mënyrë të tillë që ai të shkojë vetë në zgjidhjen përfundimtare të problemit dhe të vijë një çast kur ai të thotë: “Mësues e zgjidha”! Ne e kemi provuar këtë ndjenjë, është njësoj sikur të thuash: “ Eureka! ” Nëse nxënësi e thotë këtë gjë, të nesërmen ai do të jetë më i mirë, më i vëmendshëm, më i përkushtuar, nuk do të ndihet inferior, nis nga përpjekjet e tij për t’u barazuar me të tjerët. Atëherë më siguri që ke për të pasur një klasë të mirë, por në të njëjtën kohë kërkohet edhe zbulimi i talenteve dhe pasioneve që kanë nxënësit

Si mund të realizohet kjo?

Mësuesi nuk duhet të mjaftohet vetëm me orën e mësimit. Shkolla përbëhet edhe nga komponentë të tjera: kërkohet edukimi i vullnetit të nxënësit, zgjimi i pasionit të tij për shkencën dhe lidhja e tij e përhershme me librin. Pra, gjithçka përmblidhet te trinomi: libër-studim-dituri. Sa realizohet sot ky parim? Shumë pak. Fëmijët tanë nga homosapiens, po shndërrohen në homovirtualë. Pjesën më të madhe të kohës e shpenzojnë në internet. Të gjitha lidhjet që krijojnë me të janë virtuale, është njësoj sikur të flasësh me shpirtra të vdekur. Aty gjejnë aforizmat e kërkuara nga mësuesi, aty gjejnë fjalët e urta, esetë, njohjet e reja, jetën e autorëve të letërsisë, të shkencëtarëve etj, konkurrojnë me gjëra që nuk janë të tyret, por që i vjedhin, pa bërë asnjë përpjekje për arsyetim, thjeshtë i kopjojnë. Dituria kërkon përpjekje, lodhje, gjykim etj, parazitizmi nuk të çon askund.

Çfarë mendimi keni për kompjuterin dhe internetin në shkolla?

Jam krejtësisht e pakënaqur. Tashmë është krijuar ideja që kompjuteri është gjithçka, edhe kjo është e gabuar. Kompjuteri nuk mund të zëvendësojë bazën materiale eksperimentale mësimore. Nxënësi duhet ta bëjë vetë një lidhje elektrike, një reaksion kimik, një eksperiment etj., ndërsa më pas mund t’i ilustrojë ato edhe në kompjuter. Për ta larguar nga jeta virtuale kërkohen ekskursione mësimore që do të thotë, fjala vjen, ajo çka është shpjeguar në laboratorin e fizikës, të shihet në një hidrocentral në një fabrikë, në një uzinë, punishte a diku tjetër. Krahas ekskursioneve të tilla, kërkohen dhe aktivitete sportive, e rëndësishme është që njeriu të jetë real dhe jo virtual. Lidhja me librin është një kush tjetër për të ardhmen e nxënësit

Si mund t’ia zgjojmë nxënësit dashurinë për librin?

Nuk është aq e vështirë sa duket. Sot që të gjithë qahen: Nxënësit nuk e duan librin…, nuk lexojnë…, janë larguar prej tij… etj., etj. Në të vërtetë ndodh kështu, sepse edhe mësuesit kanë filluar të mos lexojnë. Por nuk është vetëm kjo. Së pari, kërkohet që çdo shkollë të ketë bibliotekën e saj dhe madje të jetë e larmishme në tituj. Të mos lejohet blerja me detyrim e librave jashtëshkollorë, por vetëm marrja e tyre nga biblioteka e shkollës apo e qytetit. Kur një nxënës shkon në biblioteke dhe merr një libër, ka bërë diçka, sepse ndihet protagonist në atë punë. Më pas i duhet ta dorëzojë, por edhe mund të marrë një libër tjetër. Sot është abuzuar shumë në këtë drejtim, nëpër shkolla kanë hyrë autorë të panjohur, libra pa asnjë lloj vlere edukative, vetëm e vetëm që të blihen disa libra nga një i ashtuquajtur “shkrimtar” ,sepse ai është miku ynë, sepse ka një post të rëndësishëm apo për ndonjë interes tjetër. Kjo praktikë po i largon nxënësit nga leximi i librit dhe aq më shumë kur e detyron që ta blerë, kur dihet që familjet shqiptare janë mjaft të varfra. Edhe nëse ai e bleu atë libër, nuk do të thotë që nesër nxënësi do të blejë një libër të dytë. Një gjë e tillë ndodh vetëm kur ai ka kuptuar se çdo të thotë: libër. Kjo sjell edhe dashurinë për shkencën, por sot edhe tekstet shkencore kanë mjaft gabime.

Libri shkencor nuk është si libri artistik, si mund ta bëjmë shkencën të dashur për nxënësin?

Dashurinë për lëndët e mësimit mbetet një përkushtim tjetër i mësuesit. Nuk është kaq e vështirë për të zgjuar interes te nxënësit. Fizikanë, kimistë, matematikanë të ndryshëm kanë jetën e tyre, kuriozitet nga jeta e tyre, thënie të bukura shkencore, përpjekjet që kanë bërë gjatë gjithë jetës për të mbërritur në majën më të lartë të shkencës etj. Të flasësh për figura madhore tërheq gjithnjë vëmendje, sepse çdo njeri dëshiron të jetë dikush. E ëndërron atë. Së paku, në kohën tonë këtë gjë e kemi bërë në këtë mënyrë. Ja ç’thotë Galileo Galileu: “Natyra flet me gjuhën e matematikës, germat e saj janë rrathët, trekëndëshat dhe figurat e tjera matematike”. Por shprehje të tilla gjen te çdo studiues e shkencëtar, të cilat mund të përdoren me mjaft sukses. Mund të them se ne kemi përdorur mjaft mirë figurën e Njutonit, Edisonit, Arkimedit etj., pra, edhe lëndët shkencore mund të bëhen po kaq të dashura edhe për nxënësit e tjerë që janë të prirur drejt shkencave shoqërore. Por çfarë ndodh sot? Edhe në lëndët shkencore gjen gabime trashanike. P.sh: në tekstin e fizikës nr. 10, përkthyer nga italishtja konfondohet koncepti si ai i forcës së rëndesës me atë të peshës së trupit, të cilat janë shumë larg nga njëra tjetra. Kam vërejtur që çmimet e artikujve nëpër problema jepen me euro dhe jo me lekë, por kjo tregon që teksti është përkthyer dhe nuk i është bërë asnjë përshtatje. E njëjta gjë ndodh edhe me tabelat dhe grafikët, edhe këto fotokopjohen dhe hidhen në tekst. Gjen gabime edhe te emërtimet e boshteve të grafikut. Pra, me një tekst të tillë “të vjedhur”, të pa përshtatur mirë, nuk mund të ngjallësh dashuri te nxënësit, madje sjell nervozitet edhe tek mësuesit, i pengon ata në përpjekjet e tyre. Shkolla e kërkon gjithçka, mundësisht të përkryer.

Nga se vuan më tepër shkolla sot?

Sot mësuesit nuk bashkëpunojnë me prindërit nuk janë të pakët ata që kanë një përgjigje shumë të shpejtë: “Nuk na paguan njeri për këtë punë”. Në të vërtetë nuk është kështu. Nëse mësuesi nuk shkon dot shtëpi më shtëpi, atëherë klasën e tij mund ta mbajë për një orë apo dy, një herë apo dy herë në javë, pas mësimit. Ai e di ku i kanë dobësitë nxënësit e tij, di çfarë duhet të bëjë me nxënësit e dobët dhe të mirë, di cili mësim nuk u kuptua gjatë orës së shpjegimit e të tjera si këto. Pra, është përgjegjësi e tij edhe kur ai nuk arrin të realizojë brenda orës së mësimit atë që kishte planifikuar. Krahas praktikave të tilla një vëmendje e veçantë u duhet kushtuar rretheve jashtëshkollore. Jo të gjithë nxënësit kanë të njëjtën dhunti, dikush ka prirje për shkencat e natyrës dhe dikush për shkencat shoqërore, është mirë që të gjithë të aktivizohen. Pra, nxënësi nuk është vetëm objekt, por edhe subjekt, nxënësi nuk është vetëm opozitar pasiv, por pjesë e mësimit, e debatit, gjykimit. Përfundimisht, mund të them se ora e mësimit duket sikur zgjat vetëm 45 minuta, por në të vërtetë, ajo nis që nga dita e parë kur nxënësi vjen në shkollë dhe deri ditën që ai merr diplomën. Gjatë gjithë kësaj kohe u takon mësuesve që t’i veshin nxënësit me pasion, vullnet dhe flatra, sepse siç ka thënë Gëtja: “Pasioni dhe dashuria janë flatra që të çojnë në veprime të mëdha”.