Censura më e mirë për librin është tregu, ballafaqimi me lexuesin elitar

823
Albert Z. ZHOLI
INTERVISTA/ Flet Presidenti i Shtëpisë Botuese “Bota Shqiptare”, Genti Gjonaj: “Vlerat e panaireve janë përballja e lexuesit me librin.”
Shtëpisë Botuese “Bota Shqiptare”, është një nga shtëpitë më të vjetra postkomuniste, pasi tani po mbush plot 26 vjet. Ajo tashmë në arkivin e saj ka mbi 400 tituj nga shkrimtarë nga të gjitha vendet e botës. Në këtë shtëpi botuese janë botuar si vepra klasike po aq dhe moderne. Hygo, Balzak, Nikolai Sparks, Musso, Elif Shafaku, janë ndër emrat më të përkthyer të letërsisë botërore klasike dhe moderne. Në këtë bisedë, Presidenti Gjonaj, tregon për problemet e librit, shpërndarjen, ekzistencën dhe rolin e kritikës dhe konkurrencën mes tyre por dhe rëndësinë e panaireve të ndryshme që hapen për librin…

Kur dhe si filloi ideimi dhe hapja e Shtëpisë Botuese “Bota Shqiptare”?
Në vitin 1991, im atë regjisori Kujtim Gjonaj, xhiroi një film dokumentar ku takoi shumë miq të tij, Nga këto kontakte duke parë se në Shqipëri nuk kishte revista prestigjioze dhe ende gazetaria e pavarur nuk kishte marrë formë të plotë vendosën të hapin një revistë kulturore mbarëshqiptare me emrin, simbolik, domethënës, që dhe sot tingëllon bukur. “Bota Shqiptare”. Kjo revistë pari një jetëgjatësi rreth 2,5 vjet dhe me ndalimin e botimit të revistës më 1994, me mirëkuptimin e bashkëpunëtorëve shqiptarë të Zvicrës, ne menduam të hapim shtëpinë botuese “Bota shqiptare”. Me daljen e numrit të parë të revistës në maj të vitit 1992 zë fill dhe ideimi i Shtëpisë botuese “Bota Shqiptare”, pra në fillim si revistë dhe më vonë si Shtëpi botuese.

Sa libra ka në arkivin e vet kjo shtëpi botuese?
“Bota Shqiptare” ka në arkivin e vet rreh 400 tituj libra të të gjitha gjinive ku mbizotëron romani, kryesisht romane të autorëve të mëdhenj të huaj. Në këto botime ka letërsi botërore klasike, por edhe moderne por ka dhe shumë autorë shqiptarë të spikatur si Moikom Zeqo, Sulejman Mato, Albert Zholi, Agim Shehu, Leonard Veizi etj. Përparësi e “Bota Shqiptare” është botimi në shqip e letërsisë më të mirë momentale botërore dhe letërsisë më të mirë klasike botërore. Në këtë drejtim ne kemi prurë tek lexuesi shqiptarë autorë botërorë të mëdhenj klasik si Hygo, Balzak, dhe autorë të tjerë të këtij kalibri. Por ne duke ndjekur zhvillimet e letërsisë, kemi sjellë tek lexuesi shumë autorë modern që janë përkthyer kudo në botë dhe që janë mirëpritur nga lexuesi shqiptar. Në mënyrë të veçantë të rinjtë shqiptarë dhe femrat shqiptare janë lexues të rregullt të autorëve modern si Nikolai Sparks, i cili ka një rrëfim të veçantë. Thuajse ne e kemi botuar të gjithë kolanën e botimeve të tij me 17 tituj dhe kemi ekskluzivitetin e botimeve të tij, pasi shumë romane të tij janë bërë filma nga Hollivudi ku kanë luajtur Riçard Gir, Xhulia Roberts dhe aktorë të tjerë të mëdhenj të kinematografisë botërore. Përveç tij kemi sjellë nga Evropa një autor të pëlqyer dhe tepër rinor si Musso, që është një autor shumë i pëlqyer në Francë, i cili ka një letërsi bashkëkohore të karakterit psiko-analitik. Një autor i ri të cilit ne i kemi sjellë 6 tituj në tregun e librit shqiptar, romane që janë vlerësuar shumë nga lexuesi i ri shqiptar. Në mënyrë të veçantë do të thosha se është mirëpritur po kaq mirë nga lexuesi edhe një autore turke si Elif Shafaku (që siç thotë Pamuk është një nga shkrimtaret më të mira gra në Turqi). Kjo shkrimtare ka një potencial të madh historiko kulturor, që mbart në veprat e saj vlera të thella të mendimit përparimtar turk. Në një vepër të saj shumë të lexuar “Bastardja e Stambollit” ajo përcjell konfliktin e madh turko-armen si dhe përzierien e fateve të njerëzve që mbartin mbi vete historinë dhe tragjedinë e këtij konflikti. 

A e mbani mend se cilët ishin librat e parë që dolën nga “Bota Shqiptare”?
Fillimisht dua te them se ne nxorëm në treg “Princi i lumtur “ i Oscar Wilde dhe dy novelat më të bukura të shkrimtarit të madh rus Dostojevskit. Por edhe një libër shumë i bukur i shkrimtarit të madh rus Tolstoit, pikërisht “Kujtimet e Tolstoit”, dhe pastaj nga dita në ditë ne e rritëm numrin e botimeve deh sot radhitemi ndër Shtëpitë Botuese me më shumë botime. Gjithmonë tenda jonë ka qenë dhe mbetet të sjellim tek lexuesi shkrimtarët më të mirë në botë apo përkthimet që janë më të njohura në botën e librit. 

Cilat janë problemet kryesore që kalon Shtëpia juaj botuese, por edhe shtëpitë e tjera botuese në përgjithësi?
Unë do flas për ato shqetësime që kemi ne. Një ndër problemet kryesore është mos ndërthurja në mënyrë harmonike, në sinkron të artit me marketingun. Sot kërkesë e çdo shtëpi botuese është të sjellë tek lexuesi, romanin, librin me poezi, librin me tregime më të mirë në botë, por këto lloj veprash janë për një lloj lexuesi elitar, ndërkohë që shtëpisë botuese i duhet të mbijetojë, i duhet patjetër që të nxjerrë në tregun e librit edhe libra komercialë, libra që kanë situata, libra rozë, libra me tematika të kohës që sjellin konflikte, dashuri etj. Pra, në disa raste ne duhet të botojmë ato libra, për të cilët ka më shumë kërkesa duke lënë mënjanë lexuesin elitar, pasi duhet të përshtatemi me kërkesat e e lexuesit të shumtë, për mbijetesë. Por problemi më i madh është marketingu në shpërndarje. Pra nuk ka shumë ndërmarrje distribucioni për shpërndarjen e librit. Këto ndërmarrje nuk shikojnë atë që çdo libër duhet të shkojë tek lexuesi nga jugu në veri, por shikojnë anën e tyre komerciale, marrin prej nesh ato libra që ato mendojnë se shiten dhe jo të gjithë librat që ne botojmë. 

Po panairet çfarë roli luajnë tek lexuesi?
Panairet e librit, jo të gjitha, kanë ndihmesë të madhe tek të ardhurat edhe fitimet e Shtëpive botuese, pasi ka botues që nuk marrin pjesë, por panairet kanë një të mirë: Në panair ti përplasesh me lexuesin e vërtetë. Me lexuesin e kultivuar. Ne themi shpesh herë se ka pak lexues, por për hir të së vërtetës, dua të them se lexues ka, por mundësitë financiare të lexuesit nuk janë aq të mëdha se kërkesa e tyre. Nga ana tjetër, rrjetet sociale, elektronika dhe medieve on line e kanë dëmtuar përballjen e lexuesit me librin. Por ka një pjesë lexuesish që janë fanatikë, besnik fanatikë të librit. 

-Sot thuhet se ka shumë apo lumë botimesh. A ndikon kjo në cilësinë e librit, në cilësinë artistike të botimeve? A duhen lejuar të gjitha botimet?
Unë mendoj se duhet të ketë ca kritere, duhet të ketë disa rregull loje. Ekonomia e tregut tek ne është keq interpretuar. P.sh për të fituar shitet brenda një dyqani buke dhe sende apo gjëra të tjera që nuk lidhen me prodhimet e brumit. Kjo nuk ka sens. Pra ky problem ndodh edhe tek shtëpitë botuese. Me keqardhje them që ndodhin dhe botime jo cilësore. Aktualisht shtëpi botuese me staf profesionistë dhe me përzgjedhje kritikash ka pak, mund të jenë 10-15 që kanë një ekip të kompletuar për botime cilësore. Por ka dhe shtypshkronja që shtypin dhe luajnë rolin dhe të shtëpisë botuese. Pra marrin një ISBN dhe botojnë çdo autor që troket në derë, pa redaktim, pa korrektim etj…Pra ka botime skandaloze pa asnjë kritikë ,pa asnjë korrektim dhe pakontrolluar.

Po përkthimet a janë profesionale?
Besoj se po, pasi shtëpitë botuese marrin profesionistët më të mirë pasi bëhet fjalë për përkthimin e autorëve më të mirë botërorë. Këtu spekulimet janë thuajse të papërfillshme. Nga përkthyesit mund të përmend Xhevat Lloshin, Jorgji Doksani, Nonda Varfi etj. Ne me përkthimet jemi munduar të sjellim sa më pastër, sa më bukur letërsinë e huaj në gjuhën tonë të bukur shqipe.
Sigal