Shumë libra përkthehen dobët dhe ulin cilësinë e veprës letrare

802
Albert Z. ZHOLI
Flet Presidenti i Shtëpisë Botuese, “Westprint”, Eduard Vathi: “Rinia është larguar nga libri dhe është lidhur me internetin.”
Shtëpia Botuese, “Westprint”, edhe pse me një jetëgjatësi relativisht të re, aktualisht është një ndër Shtëpitë Botuese më prestigjioze. Në një bisedë me Presidentin Vathi për Albanian Free Press, po përcjellim përpara lexuesit disa prej problemeve që ka libri shqiptar sot. Ndër to mund të përmendim shpërndarjen e dobët gjeografike të librit, panairet e pakta, përkthimet jo profesionale, konkurrenca jo e ndershme, por edhe largimin e rinisë shqiptare nga libri dhe lidhja e saj me internetin.

Kur keni filluar apo kur ka hedhur hapat e parë Shtëpia juaj Botuese?
-Kjo shtëpi botuese i ka hedhur hapat e para në vitin 2006 pra kemi rreth 11 vjet. Jemi një shtëpi botuese relativisht e re por që kemi hyrë bindshëm në treg. Kemi realizuar botime me standarde dhe duke ju përshtatur kohës.

Si ju lindi ideja për të hapur shtëpi botuese ?
Mund të them se kjo shtëpi Botuese nuk ishte fare e rastësishme. Unë kam punuar për rreth vjet si makinist në një shtëpi botuese. Aty u lidha shumë me këtë profesion. Më pëlqenin librat, njerëzit, shkrimtarët, mënyra se si shtypeshin librat, ngjitja, kopertinat, lastrat, pra një punë zinxhir ku në fund merrje produktin një libër në dorë. Kur e kundroje që nga një material në letër dilte një libër i bukur të intrigonte, të bënte për vete. Për çdo ditë mendoja se si mund të hapja një shtëpi botuese. Në vendin e punës u njoha me shumë njerëz, u njoha me shumë shkrimtarë dhe poetë, u njoha me shumë redaktorë dhe korrektorë. Pra, një rreth miqësor shumë të madh të cilët më nxitën për të realizuar këtë dëshirë.

Sa tituj librash librash kanë kaluar në Shtëpinë tuaj botuese?
Si shtypshkronjë ne kemi shtypur rreth 2700 tituj, ndërsa si Shtëpi botuese rreth 350 tituj. Pra në 11 vjet është një numër i konsiderueshëm, duke pasur parasysh se jemi shtëpi e re dhe në treg sot ka shumë, shumë Shtëpi Botuese. Vetëm mënyra e komunikimit tonë me autorët, serioziteti ka bërë që të jemi gjithmonë në mbështetjen e plotë të tyre dhe puna të vijë në rritje.

A e mbani mend librin e parë që keni shtypu? Besoj ishte eveniment në jetën tuaj kur morët në duar produktin tashmë si botues dhe jo si makinist?
Libri i parë ka qenë për Teqenë e Tiranës, pra për historikun e saj. Ky libër ka qenë rreth 200 faqe dhe me tirazh 500 kopje. Ishte për mua një sukses, pasi autori i librit ngeli shumë i kënaqur por edhe unë vetë pashë se nxora në dritë një libër që vërtetë ishte cilësor. Ky libër ishte ogur i mirë dhe vërtet më solli fat. Pas këtij libri me vërtetë që erdhën shumë krijues të tjerë dhe kështu nuk pata më kohë të marr frymë. 

Cilat janë problemet e librit shqiptar sot?
Problemet e librit shqiptar janë të shumta, por kryesorja është që libri sot nuk lexohet nga të rinjtë. Pra, rinia e sotme është shumë indiferente ndaj librit. Më shumë janë të interesuara moshat e treta që janë lexues të rregullt. Mund të them, se rinia është më shumë e lidhur me tabletin, internetin, celularin, se sa me librin. Por për mua që jam në korrent me librin, e them me bindje, se libri është i pazëvendësueshëm dhe vlera më e madhe që mund të ketë një njeri në shtëpi. 

Cili është mendimi juaj shpërndarjen gjeografike të librit ?
Po, është e vërtetë. Në këtë pikë në Shqipëri çalojmë shumë. Pra, shpërndaja bëhet e cunguar, jo në të gjithë qytetet dhe fshatrat, madje edhe koha e shpërndarjes është e vonët. Një libër i ri i mirë që hidhet në treg, shkon shumë vonë në qytetet e largëta p.sh si në Sarandë apo Tropojë. Kjo tregon se nuk ka një organizim perfekt. Aktualisht me sa di ka dy Distributorë të shpërndarjes së librit, të cilët përpiqen, bëjnë të pamundurën, por kurrë nuk plotësojnë kërkesat e largëta dhe shpejtësinë e duhur. 

A merrni pjesë në Panairin e librit në Tiranë dhe cili është mendimi juaj për Panairet e librit në përgjithësi?
Mund të them se Panairet janë një mënyrë e mirë e reklamimit të librit dhe e lidhjes së librit me lexuesin. Panairi në Tiranë mbetet unik, me vlera të veçanta, pasi thith shumë vizitorë, blerës dhe dashamirës të librit. Në këtë panair vijnë të gjithë grupmoshat dhe vihet re një interesim për të gjitha gjinitë e librave. Por për mendimin tim Panaire të tillë duhet të hapen në të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe kjo të kthehet në një traditë si në Tiranë. Nga ana tjetër do të thosha se edhe Panairet duhet të kenë specifikën e vet, të ketë një Panair për librat për fëmijë dhe një tjetër për botimet e tjera. 
Sigal