Ja se ç’më kujtoi grupi polifonik bullgar në teatrin e Bylisit të lashtë
Këtë fund qershori në Amfiteatrin e Bylisit të lashtë 2.300 vjeçar në natën e dytë të festivalit u ngjitën në skenë tetë vajza nga Svilengradi i Bullgarisë, të cilat të veshura me kostumet e bukura shumëngjyrëshe me shumë aksesorë zbukurues interpretuan disa këngë polifonike të trevës së tyre. Kishin udhëtuar mbi 1.200 km rrugë për të ardhur deri këtu. Kur ato filluan të këndonin ndjeva një emocion të veçantë dhe përhumba në kujtimet e largëta këtu e 52 vjet më parë, kur isha nxënës në Liceun Artistik “Jordan Misja”në Tiranë.
Kujtime të largëta
Në vitin 1960 erdhën në Tiranë disa profesor të muzikës nga Bullgaria dhe Çekosllovakia për të dhënë mësim në Liceun Artistik. Midis tyre profesor Atanas Grdev, “Artist i Popullit” dhe Decent Georgi Teodozov nga Bullgaria. Na mblodhën në një klasë me nxënësit e veglave të frymës dhe sipas një planifikimi u caktuan ata që bënin mësim me profesorët Bullgarë. Unë pata fatin të caktohem në klasën e prof. Grdev. Ishte një ditë e lumtur për mua dhe mezi prisja të filloja mësimin me profesorin. Hyra në klasë dhe isha vetëm me profesorin. U shqetësova pak dhe po mendoja se si do të komunikoja me profesorin pasi nuk dija Bullgarisht, por dhe rusisht dija pak se nuk isha ndonjë nxënës i shkëlqyer. Profesori më foli Rusisht dhe më tha të merrja Klarinetën dhe të luaja ndonjë pjesë si dukej donte të njihej me nivelin tim artistik. Më shumë e kuptova nga gjestet sesa nga përkthimi që i bëra çka më tha në Rusisht. Luajta një shkallë muzikore në disa mënyra shumë shpejt dhe pastaj një pjesë për klarinetë që nuk më kujtohet. Kur mbarova shikova nga profesori dhe po prisja i emocionuar se çfarë do të thoshte. Nuk kaluan disa sekonda dhe me një fytyrë që dukej i kënaqur më tha: “Oçien harashou” në rusisht dhe e përsëriste disa herë. Pse ta fsheh u lumturova dhe isha në kulmin e gëzimit, një profesor i nderuar aq më tepër i huaj më kish bërë një vlerësim të lartë çka më impresionoi shumë. Kjo orë e parë mësimi me profesorin Atanas Grdev ishte për mua starti i nisjes të rrugëtimit artistik që për fat të mirë rezultoi pozitiv dhe i suksesshëm. Mbas prishjes së marrëdhënieve diplomatike të vendit tonë me kampin socialist në vitin 1961 Profesor Atanas Grdev u largua nga Shqipëria dhe nuk u kthye më në Tiranë. Për mua ai moment ishte shumë e vështirë dhe tronditës. U ndava nga profesori im i dashur dhe tashmë nuk do t’i dëgjoja porositë e tij dhe po mendoja çdo të bëhet me ecurinë time në të ardhmen.
Profesori, nxënës i zellshëm i shqipes
Për fat të mirë më 15 janar u çel Konservatori Shtetëror i Tiranës dhe unë isha një nga studentët e parë të tij. Kur profesori ishte në Bullgari, i dërgova një letër që ma shkruajti në rusisht një nga studentet që kishin mësuar në Bashkimin Sovjetik. U befasova kur mbas 10 ditësh profesori më dërgoi një letër nga Sofja të shkruar në shqip dhe fillonte:
“I dashur Naxhi! Pse nuk më shkruan në gjuhën e bukur shqipe, por më shkruan në rusisht…”. U përlota kur e lexova dhe mendova profesori është muzikant jo linguist që duhet t’i interesojë gjuha shqipe. Qysh ditët e para kur erdhi në Shqipëri profesori me thirri në hotel, qëndronte tek hotel “Donika” i thoshin në atë kohë dhe më tha: Naxhi, do të shkosh në librari dhe do të më marrësh dy libra për të mësuar të shkruaj e të flas shqip si dhe një hartë të Shqipërisë. Shkova në librari dhe i mora Abetaren dhe Këndimin dhe ja çova në hotel. Shpesh herë shkoja dhe unë në hotel dhe e ndihmoja te mësonte shqip. Mbas disa muajsh si mësoi diçka shqip. Më tha se i bënin shumë përshtypje vjershat e Naim Frashërit, Rilindësit tonë të madh dhe filloi të kompozojë mbi to këngë për fëmijët e vegjël që siç thoshte do t’i promovonte në Sofje. Këto po mendoja dhe po sillja ndërmend si një film dokumentar ato që kisha përjetuar këtu e 52 vjet më parë si nxënës i profesor Atanas Grdevit.
***
Si nga një ëndërr, hodha sytë në skenë. Vajzat bullgare po këndonin të intonuara me zëra brilante këngën “A kapela”. Ky grup këndoi edhe në natën finale dhe u nderua nga juria me çmimin e parë për grupin polifonik të huaj. Në përfundim të programit të tyre në skenë u ngjit ambasadori i Bullgarisë në Tiranë Dimitar Arnaunov, që u dhuroi një tufë me lule dhe pasi i falënderoi për interpretimin e tyre të lartë, u drejtua para mikrofonit duke iu drejtuar publikut dhe organizatorëve për pritjen e mrekullueshme që iu bë grupit Bullgar duke theksuar se arti i vëllazëron dhe afron popujt. Më vonë ambasadori tha: Mua miqtë e mi më thërrasin “Arnaut“, d.m.th, Shqiptar. Më pas pimë kafe me të dhe vazhduam bisedën, një bisedë të ngrohtë dhe shumë miqësore, që më kujtoi përsëri profesorin dikurshëm të Liceut.
*Muzikolog