Një bilanc alfabetik që duhet të fillojë nga vetja…..

702
Sigal

Në vijim të shkrimit “Në emër të cilës shoqatë flisni Ju zoti Besnik Dizdari?”

Më 4 janar të 2012-s, në darkë, në një hotel jashtë Shqipërie, më rastisi për pak çaste të lë mënjanë librin “Enver Hoxha” të Blendi Fevziut dhe si zakon, të lexoj gazetat sportive. Por, një shkrim i z.Besnik Dizdari më tërhoqi vëmendjen. I endur mes viktimave dhe sulmeve të diktatorit, thashë se, Kryetari  i Shoqatës së Gazetarëve  Sportivë të Shqipërisë po bënte analizën e shoqatës së tij, thashë se më në fund do të na tregonte se do ta bëjë shoqatën funksionale. Sapo lexova fare pak nga ky shkrim, mendova: Komunistët nuk ndryshojnë! Sa i tmerrshëm paska qenë  ai Enver Hoxha në shkatërrimin e personalitetit të disave. Dhe menjëherë m’u kujtuan këto rreshta,  të botuar nga Besnik Dizdari, në librin “Udhëve të Sportit”, në faqen 6, tek artikulli “Në takimin e paharruar me udhëheqësin e dashur”: “…Ato porosi e mësime të çmuara të Udhëheqësit, sot janë bërë realitet i bukur. Shqipëria Socialiste edhe në sport, ashtu si në të gjitha fushat, e pret 40-vjetorin e çlirimit të Atdheut me suksese të mëdha.  Shumë më parë, me ato kuadro që u takuan me shokun Enver 25 vjet më parë ende punojnë, te disa të tjerë vitet kanë bërë punën e tyre dhe ata qëndrojnë pranë sportit dhe ruajnë si një gjë të çmuar atë kujtim të shtrenjtë me udhëheqësin e dashur….” Për këdo tashmë, me kaq fjali do ta kuptonte se sa do të gëzohej Enver Hoxha që Kryeredaktori i tij, që personi që voton ende për Topin e Artë” e çmime të tjera, që Kryetari i Shoqatës të Gazetarëve Sportivë vazhdon të ruajë jo vetëm kujtimin e tij, por e ka të mprehur shpatën për të sulmuar gazetarët e rinj e të vjetër, opinionistët, moviolistët, kryeredaktorët, kolegët etj etj … Natyrisht që të ishe kryeredaktor në kohën e Enver Hoxhës, duhej të ishe më komunist se ai vetë, duhej të shpifje, sulmoje, të denoncoje, mbroje vijën e partisë, sulmoje  çdo element përparimtar, nëse ai nuk i pëlqente Zotit, por sot në gazetarinë sportive shqiptare ka vetëm një “Zot”, dhe ai është Besnik Dizdari, alias ish-Kryeredaktori më jetëgjatë i Enver Hoxhës! Tani të fillojmë ta shikojmë shkrimin e tij “…. për herë të parë të bëjmë një bilanc, në këtë rast “alfabetik” dhe kritik, për veten tonë, për profesionin tonë të gazetarisë 2011, që natyrisht nuk ndryshon fort prej gjithë këtyre viteve të parë të shekullit XXI…”  Flet në numrin shumës, për mos ta filluar me veten, por në emër të kujt? Ta fillojmë me veten tonë,-shkruan z.Besnik, por a lexoi njeri ndonjë rresht për punën e tij si Kryetar i Shoqatës së Gazetarëve  Sportivë? Çfarë ka bërë, analiza, zgjedhje, si zbatohet statuti, si voton lart e poshtë në emër të kësaj shoqate, si shpenzohen të ardhurat e saj, sa pranime të reja, sa trajnime apo veprimtari…. Analizën për “veten tonë” e ka që të sulmojë dhe asgjësojë armiqtë, gjithë kolegët e paaftë e kush i del përpara. Natyrisht, kjo, një edukatë nga koha komuniste, enveriste, e një kohe të vdekur e llojit “bëni si them unë, mos bëni si bëj unë”. Nëse duhej të bënim analizë për familjen e gazetarëve për vitin  2011, mund të fillohej kështu:

 A…

Mendova se do ta fillonte me gazetarin Ardian Bushi, i sulmuar, kërcënuar, se do ta vrasin, i mbyllur në shtëpi nga presidentë mafiozë, vetëm se guxon të thotë të vërtetën për sportin, të japë lajmin real nga provinca. As në Uganda, apo Siri, nuk ndodh kështu me gazetarët sportivë, por Zoti Besnik as që do ta t’ia dijë për kësi problemesh madhore. Agim Fagu jep dorëheqjen nga KOKSH, për mirë apo për keq, për faj të të tjerëve apo të tij, pak rëndësi ka, por nëse KOKSH-i shkon keq, atje s’e kanë fajin gazetarët e rinj, as ne, por dikush tjetër. Dhe këtë dëm nuk e rregullon dot as puna profesionale dhe e palodhur e Stavri Bellos, që për hir të së vërtetës edhe për gazetarët sportivë ka organizuar kurse, trajnime, brenda e jashtë vendit…. Dorëheqja e Alfred Lleshit, nga posti kryeredaktorit jo për paaftësi apo pamundësi për të drejtuar gazetën, pra krejt kundër me atë dorëheqje të z.B.Dizdarit nga Sporti Shqiptar, beneficet e së cilës i shfrytëzon edhe sot, por sepse  pronari nuk punonte gazetarët, kolegët, madje edhe korrespodentët e rretheve…. Por kjo duhet të ishte tek “A”-ja. Atletja Luiza Gega meriton një faqe, dy apo tre, por atletika në vetvete ka probleme, edhe përse për Kampionatin Botëror të Vrapimit në Mal, që më shumë ishte dekorim dhe lavd për udhëheqësin, i cili gllabëroi 240 mijë euro etj., i barabartë sa buxheti i disa federatave të marra së bashku, çfarë mund të shkruash, kur “vrapimi në MAL” u zhvillua në kodrat, apo në Kopshtin Botanik. Pra, në vlera sportive ishte rrenë, por imazh politik e qeveritar ishte shumë. Dhe mirë bëni që e ngrini në qiell këtë kampionat, se aty u dekorua “udhëheqësi i ri shpirtëror”, me medalje kampioni…..

B..

Zoti Dizdari thotë se, është fatkeqësi e keqardhje që nuk pasqyrohet shumë basketbolli, që nuk jepen skedat, rezultatet etj, jo shumë i saktë për këtë, por… Por Basketbolli në çdo fillim kampionati është në dyshim, do të fillojë kampionati apo jo? Strukturat e tij dhe gjyqtarët janë në pikë të hallit, mesatarja e shikuesve është  150-200 veta. Dhe për kë do të jap skeda gazetari, kush e lexon atë, cili kryeredaktor do të shkruante faqe të tëra për basketbollin, kur i duhet të shitet gazeta, i duhet lajme. Z.Dizdari harron se jemi në ekonominë e tregut dha ka parasysh propagandën e Udhëheqësit të madh Enver, që bënte edhe tek gazeta “Sporti Popullor”, duke shkatërruar sportin borgjez, kur sot lajmi është për sovranin-lexues. Nuk besoj të ketë njeri në Shqipëri që të besojë Besnik Dizdarin, se basketbolli ka dështuar ngaqë nuk jepen skedat e asisteve nga gazetarët…. Besnik Dizdari, gazetari në pension, që urren gazetarët e rinj, urren internetin, urren këdo që guxon të shkruajë, por thur lavde pa fund për këdo. Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve, të cilën e  ka vjedhur, e ka bërë inekzistente. Personi që edhe të madhin Anton Mazreku e përdor për interesa personale, apo për të rritur lavdinë  e Tij. Mjafton të kujtojmë se ka disa vite, që as miqve të vet nuk ua jep çmimin “Anton Mazreku”, se urren gazetarët e rinj të talentuar, sepse  vetëm ai duhet të dekorohet.

Ç
ÇIKLIZMI. Fatkeqësi apo diskrimin? Se kush e ka fajin, nuk po e zgjas, por po ju servir dy pasazhe shkrimi nga Besnik Dizdari për çiklizmin, që ne e diskretitojmë, dhe atë që ai pasqyronte:  “….Kemi përshkuar me këta djem entusiaztë e të fortë rrugët e bukura të atdheut të dashur, kur ai sapo ka veshur petkun shumëngjyrësh të festës së madhe të 35-vjetorit të çlirimit. Kemi hyrë në fshatra  e qytete të rinuara e kudo kemi marrë…” Por gazetarët e rinj nuk shkruajnë dot kështu për çiklizmin, pavarësisht se falë Telesportit dhe TVSH, rrethi çiklistik  është pasqyruar shumë më shumë se e meriton ndoshta.

 D

Debutimi  i Kamzës në Superligë, debutimi i disa futbollistëve në ekipin kombëtar, debutim i disa trajnerëve të rinj në drejtim të ekipeve kombëtare, debutim i shumë gazetarëve të rinj. Kjo ka qenë për t’u evidentuar, apo jo. Sa për diturinë, duhet t’i kujtoj zotërisë në fjalë se kur ai u bë gazetar sportiv nuk kishte Degë Gazetarie, madje tashmë ka edhe Master në degën “Gazetari Sportive”. Një pjesë e gazetarëve sportivë janë mëse të shkolluar dhe me më shumë gjuhë të huaja se Kryeredaktori më jetëgjatë i shokut Enver. Nuk e di se ku e merr ai informacionin për formimin profesional dhe të përgjithshëm të gazetarëve sportivë, por të jetë i bindur se janë të gjithë të arsimuar e me shumë dije. Sa për teknikat që mësoi një gazetar i vitit 1945 rreth atletikës, as mund të krahasohet se si mësohen ato sot. Por i them zotit Dizdari, se të shkruash për krimin e organizuar nuk duhet të jesh kriminel, të shkruash për prostitucionin nuk duhet me patjetër të jesh prostitutë etj,etj.

 E

“Encikopedizmi, gazeta sportive është në vetvete enciklopedi, por gazetaria e sotme në Shqipëri nuk është enciklopedike,” – shkruan z.Besnik, më 5 Janar 2012. Natyrisht, mos ia vini re, se ai nuk shfrytëzon internetin, urren teknologjitë e reja informative dhe mendon se çdo gazetar duhet të mbajë në çantë librat e tij, kur në një celular që ke në xhep, për pesë sekonda merr deri nga 3000000 ëebsite përgjigje për çdo kërkesë. Mos ia vini re, sepse shoku Enver e ka mësuar të urrejë gjithë novacionet e teknologjisë së përparuar, që vijnë nga Perëndimi. Elis Guri, sportisti i radhës, që ikën nga Shqipëria për pak para. Ai i jep tituj e medalje Bullgarisë. Dramë e vërtetë. Iku për pak para, nga ato që shteti shqiptar dha për Kampionatin Botëror të Veteranëve të Mundjes dhe për Kampionatin Botëror të Vrapimit në Mal (por Shqipëria e zhvilloi në kodra). Madje Elis Guri iku për aq para sa harxhuan punonjësit e Drejtorisë së Sporteve për zhvillimin e Kampionatit tonë Kombëtar të Skive në Maqedoni, jo vetëm për të bërë pak turizëm zyrtarët, por edhe paratë përse t’i marrin shqiptarët e Dardhës, kur ua japim maqedonasve, të cilët edhe në Kampionatin Evropian të Hendbollit na urrejnë aq shumë… Sa mirë që bëkan një gjë të mirë këta gazetarët e rinj, joprofesionistë, që “nuk kanë shkruar asnjë rresht për atletikën dhe janë bërë gazetarë”, por futbollin e moshave ditkan ta bëjnë. Këtu harron të thotë se faqet e futbollit mbushen me llotari sportive dhe se futbolli shqiptar është akuzuar ngado për trukime.

F

FUTBOLLI. “Doemos ai. Atëherë? Gazetat sportive shqiptare janë gazeta futbollistike. I mbyt futbolli, i cili nuk le hapësirë kurrsesi për të tjera,” – shkruante Dizdari. Nuk është synimi i këtij shkrimi për të përimtuar se si shkruajmë për futbollin. Një gjë është e qartë: sot gazetaria futbollistike në Shqipëri ka arritur një sukses të madh, megjithatë: boton rregullisht kampionatet e kategorive të tjera dhe të të rinjve të të gjitha moshave, me hollësi historiko-statistikore. Po! Kjo është një arritje e madhe. Dhe e tillë ishte edhe më 2011.

I

Interneti. Ruajna o zot çfarë urrejtje për internetin! O zot  po i them vetëm kaq: Sistemi i përparuar i kërkimit Google tashmë mund të kontrollojë 3 miliardë vvebsite për gjysmë sekonde në kërkimin e informacionit pakufi, duke u dhënë përgjigje konkrete interesave të kujtdo. Google përgjigjet në 1800 pyetje në sekondë, ai shfrytëzohet dhe u jep  përgjigje 150 milionë njerëzve në ditë dhe 64 miliardëve në vit, ai funksionon duke realizuar kërkimin e dokumenteve në 72 gjuhë të ndryshme. Të urresh dhe fajësosh internetin, është njësoj si djegia e librave në Mesjetë. Por akoma më keq kur akuzon të tjerët për përkthime, përgatitje apo… Një pyetje të thjeshtë kam për ju: Të dhënat që përdorni në librat Tuaj për kampionatet kombëtare, botërore, evropiane dhe më tej, janë shënime Tuajat, apo i keni marrë nga burime zyrtare dhe arkiva gazetash sportive shqiptare e të huaja? Kampionatin Botëror të viteve 1934, 1938 e me radhë, skedat, rezultatet, golashënuesit, janë tuajat, apo i keni marrë diku tjetër? Pra, ca gjëra janë për përdorim publik. Absolutisht që duhet luftuar plagjiatura, por jo të gjithë gazetarët janë “përkthyes” në punën e tyre dhe nëse e bëjnë këtë gjë, nuk është ndonjë krim.

 KRYEREDAKTORI.  Është e vetmja gjë që e pranoj ashtu si thoni Ju, po po, ju jeni për redaktor të tipit komunist, por harroni që as nuk është koha Juaj, as nuk keni qenë ndonjë kryeredaktor për t’u marrë shembull, sepse sapo Shqipëria i dha shkelmin komunizmit, ike me vrap nga gazeta, se nuk dije si ta drejtoje me vetëfinancim. Madje, në rastin e artikullit për gazetën “Guerin Sportivo” të Bolonjës jeni shumë i sinqertë kur thoni se kryeredaktori nuk ma botoi shkrimin. Sepse ti do ta kesh tepruar, pasi nuk mund të shkëputeshe nga përvoja, i mësuar të bëje lavde pa fund për Udhëheqësin tënd të dashur dhe sukseset e socializmit. Këtu ke qenë shumë i sinqertë dhe besoj nuk ka kryeredaktor të të kopjojë. Është shtyp i lirë, modern, i vërtetë dhe nuk është shtyp partie, me kryeredaktor partiakë. Nuk besoj të mos ta dish se sot nuk del gazeta 2 herë në javë, nuk ka 6 faqe dhe përgjegjësia është kolektive.

 L

LIRIA. Liria e të shkruarit sot është shumë  e qartë, por sot ende ka probleme, se ka edhe dhunë ndaj gazetarëve. Gazetari sportive ende është në vështirësi, edhe për faktin se jemi në një vend me tranzicion të tejzgjatur. Por, natyrisht jemi të lirë, madje ka ikur koha kur, nëse kryeredaktori ndrydh këmbën, duhet të calojë edhe vartësi i tij, sikurse janë sjellur kryeredaktorë të sotëm karshi jush, dikur, kur drejtonit “Sporti Popullor” .

M
MOVIOLA. Pjesërisht jam dakord me qëndrimin për moviolën, por absolutisht nuk është e vërtetë siç thotë ai: “….Qofsha i gabuar, por sot në Evropë mbretëron vetëm sh (përdorimi) shqiptar i Moviolës. Një mbrëmje kam numëruar mbi 20 raste të përsëritura dhe të komentuara me moviolë. Duke marrë kohën e plot 30 minutave! Veç gazetari nuk mund të quhet kjo…”. Por moviolistët shkojnë si specilatë gjykimi dhe as si puna ime gazetar i pjesshëm dhe as si puna Juaj gazter pensionistë. Por në nuk jemi as Europa dhe as Italia, prandaj moviola duhet të vazhdojë edhe për shumë kohë….

 N

NJËANSHMËRIA. “….Gazetaria sportive shqiptare, kam përshtypjen se gjatë vitit 2011 vuajti nga tri njëanshmëri: njëanshmëria e futbollomanisë; njëanshmëria e kryeqytetomanisë; njëanshmëria e presidencialomanisë…..,” – shkruante Dizdari. E thashë pak më lart se ai është më katolik se Papa, harron që gjithë media botërore ka në qendër njëanshmërinë për futbollin. Natyrisht Morati është lajm, Rumenige, Galiani, Perez, Abramovic etj., etj., përbëjnë lajm. Sot jemi në ekonomi tregu, jemi në kohë lajmi me liderin, personat publikë, persona skupi, skandali, vipa etj., etj.. Futbolli ka tregues trofetë, fansat, shikuesit dhe nuk besoj që edhe përse “Partizani” është atje poshtë, të mos përbëjë lajm. Besoj se viti i kaluar në media ka qenë kryefjalë Flamurtari dhe Skënderbeu, këtë e dimë të gjithë, por nuk e di a i lexon gazetat sportive apo jo Dizdari?

 OPINIONISTI.

…..Kemi hyrë thuajse në epokën e “opinionistit”, i cili rëndom nuk është gazetar, sepse ai nuk ka punuar kurrë në një gazetë. Ai është diçka tjetër. Ndoshta është një “mendimtar”, ndoshta një “ideolog”, ndoshta një “ekspert”, ndoshta një “specialist”, ndoshta një “shkencëtar”. Atë e shihni kudo. Në televizione sidomos, por edhe në gazeta, ku shpesh në vend të kronikanit e gazetarit, sundon po ai, “opinionisti”. Madje tejet i fuqishëm, tek shpërndan verdikte majtas e djathtas, ndonjëherë deri në prepotencë mendimi… Figura e opinionistit sportiv në Shqipëri për fat të keq shpesh kopjon atë të politikës, që dihet është i një natyre krejt tjetër. Shtrohet pyetja: a duhet t’i jepet kaq shumë vend “opinionistit”, i cili nuk ka qenë kurrë gazetar, nuk ka punuar asnjë ditë në një redaksi gazete, e kësisoj mund të jetë vetëshpallur si opinionist?… shkruan në artikull B.Dizdari.

Natyrisht, kushdo që e njeh nga afër, e kupton fare mirë si sulmon, pa përmendur asnjë emër, i fut të gjithë në një kazan, por harron se ironia e “Plakut Mere”, përfaqësues i një kohe të shkuar është bajate, sepse tashmë opinionistët, analistët, moviolistët nuk zgjidhen nga Komitetit Qendror i Partisë së Punës, as nga sa herë përmendin udhëheqësit partiakë, as nga posti, por nga tregu, nga idetë, guximi, analiza, objektiviteti. Duhet ta harrojë Besniku i Partisë se edhe sot mund të bëjë listat e opinionistëvet apo të lojtarëve që duhet të luajnë në kombëtare, apo t’ia rekomandojë Partisë gjëra të tilla. Natyrisht, ju nuk keni guximin të ballafaqoheni, ju s’bëni dot atë punë, prandaj vazhdoni të sulmoni kolegët, qoftë edhe në atë paloeditorial bajat e subjektiv….

 PESHËNGRITJA

Morali i fabulës? Duhet të kesh sport të zhvilluar që të kesh dhe gazetari sportive të kultivuar. Jo gjithmonë kanë faj gazetarët sportivë për njëanshmërinë… shkruan z.Dizdari për Peshëngritjen dhe shikon sa i lodhur dhe kontradiktor që është, pra pas futbollit të kombëtares së Dukës, na ngelet vetëm peshëngritja për lajka, por nuk thotë që peshëngritësit tanë nuk marrin shpërblimet, bëjnë greva e  protesta përpara zyrës së MTKRS-së, sepse thjesht është mësuar t’i thurë lavde çdo qeverie, ndoshta edhe për atë post që do t’i ikë shumë shpejt. Nuk thotë asnjë fjalë për kushtet mjerane e mesjetare ku stërviten ata olimpistë, se do ta ketë vaj me qeverinë.

Nuk shpjegon e ngre zërin që edhe Erkand Qerimajt, kërkojnë t’i heqin 800 dollarë në muaj, edhe përse  është nga Shkodra, që aq fort i don z.B.Dizdari, sepse ai kritikon vetëm vartësit, kolegët por shtetin joooooooo! Në Asnjë mënyrë jo!

RADIO. Dëgjohet shumë dhe me mjaft sukses. Madje është promovim vlerash e gazetarësh, punë idesh, por kohët ndryshojnë, kampionati është shtrirë në shumë ditë, janë shtuar ndeshjet që transmetohen, janë shtuar emisionet edhe në emisionet radiofonike sportive, madje fuqishëm po japin kontribut edhe gazetare femra me mjaft emocion, edhe pse nuk mbajnë shënim kodin e rekomanduar nga  udhëheqësi i madh i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë.

STATISTIKA. Leksionet për statistikën e përvojës së atij mësuesit të gjimnazit, sinqerisht të bëjnë, ose të shkrihesh së qeshuri, ose  të të vijë keq. Natyrisht e kam shpjeguar dhe më lart, ky njeri urren teknologjinë informative, falë metodës së punës së vet (dhe  është një vlerë në këtë drejtim), por kurrsesi nuk besoj që asnjë gjeni do të kishte në kokë statistikat vetëm për Kampionatet Botërore, jo më ato të të gjithë sportit botëror, ndërsa sot, me një laptop, apo aparat celulari, në 20 sekonda ke gjithë informacionin që do.

 TELEVIZIONI. O zot,  më mirë mos të komentoj për vlerësimin e tij për televizionin, por edhe përse thotë se është rritur numri i gazetarëve sportivë, i shton vetëm në sasi dhe jo në cilësi, pastaj kërkon të revolucionarizojë punësimin e tyre mbi kriteret e tij, apo shkollës së Partisë së Punës, ku kush shkruante më shumë për udhëheqësin bëhej kryeredaktor. Por zërin e profesionalizmin e Glendi Nallbanit, Ylli Agës, Blendi Resmjes, pastaj Ekeledës Zekos, Gerti Çarçanit, Nertil Agalliut e Andi Murrajt e sa e sa të tjerëve as ata nuk i pëlqejnë! Por emocionet që na sjellin të gjithë këta gazetarë të medias vizive,  bashkë me britmat, humorin, lirinë pakufi të Shakos na e bëjnë, edhe më të lehtë këtë jetë të vështirë.

  UNI.
Uni i gazetarit. Dhe përsëri bëni si them unë, mos bëni si bëj unë, njeriu që i di të gjitha, njeriu që i bën mirë të gjitha. Nëse do t’i hidhni në fund të shkrimit një sy, aty do të shikoni se 20% të shkrimit i zë kujtimet e vegjëlisë për një gjiton, shok gjimnazi prej Shkodre, ku ishte e gjitha vetëm për “UNIN” Besnik Dizdari dhe shpaloste “Kujtimet e rinisë” me te njëjtin stil si ish-udhëheqësi i tij i paharruar. Sinqerisht duhej të shkruaja më gjatë, shumë gjatë se ai shkrim në dy numrat parë të janarit, por do ta vazhdoj shumë shpejt me xhevahire të tjera nga shkrimet e gazetarit sportiv, por po i kujtoj vetëm një gjë: Përse nuk bëri dy rreshta shkrim për vizitën e tij në një aktivit të AIPS me skiatorët  europianë? Përse nuk mori një gazetar që mbulon sportet dimërore? Me kë shkoi dhe në emër të kujt? Pra thjesht kjo duhej të ishte analiza sipas parimit që e fillon z.Besnik Dizdari shkrimin se: “…për herë të parë të bëjmë një bilanc, në këtë rast “alfabetik” dhe kritik, për veten tonë, për profesionin tonë të gazetarisë 2011…”  E patë që për veten e tij nuk thotë asnjë fjalë, por ….