Albert Habazaj: Ismail Qemal Vlora në epikën historike

150

Nderim 175-vjetorit të lindjes dhe 100-vjetorit të vdekjes të Atit të Pavarësisë

Hyrje në rrafshin krahasimtar: Histori – epikë historike

Pavarësia e kombit shqiptar është tempulli ku shqiptarët i falen Flamurit dhe Plakut të Bardhë, që së bashku me Bacën Isë, me Luigj Gurakuqin, me Rasih Dinon (nga treva e Çamërisë), me tërë ata burra të lartë e me fisnike si Marigo Posio e trimëreshat e tjera shqiptare, i zbardhën faqen Atdheut tonë të lashtë, larë me diell, qëlluar me furtunë. “Luftërat ballkanike do ta përshkonin rajonin si një nëmë biblike” (Salleo) 11). Nga literatura historiografike mësojmë se ai fillimshekull XX, qe i stuhishëm, se në atë kohë lëvizja kombëtare për liri shtrihej anë e kënd Shqipërisë, se ishin mbledhur shqiptarët e Rumanisë të kryesuar prej Ismail Qemal Vlorës e vendosën “mprojtjen e të drejtavet kombëtare e shpëtimin e Atdheut prej lakmimeve sllave e greke, dhe në Vlonë, me 28 Nanduer 1912, i u gjegj mbledhja e përgjithëshme e përfaqsivet të të gjitha visevet shqiptare qi shpalli mvehtësín e Kombit. Kronisti i asaj dite historike, kështu shkruan: Më 3 ½ hapet mbledhja… Në krye të sofrës rrin Ismail Qemali… Afër tij âsht Don Kaçorri… Aty pranë gjindet edhe Luigj Gurakuqi, i cili, në ketë çashtje âsht, me të vertetë dora e djathtë e Plakut” (Kamsi). Pavarësia mbart sakrificat e shumë brezave, duke u kthyer në një vepër popullore, në themelet e së cilës kishte vënë gurë gjithë Shqipëria. Akti historik për shpalljen e Pavarësisë pati qëllim, shpëtimin e vendit nga copëtimi i huaj, ruajtjen e tërësisë tokësore dhe fatin e kombit (FESH, 2009:2560) 4), por shteti i ri shqiptar, në vijimësi, pati një sërë problemesh e vështirësish, “për ngjarje të ndryshme, akte uzurpimi të tokave shqiptare nga fuqitë ndërluftuese të kohës, si austrohungarezët, francezët e italianët. Bukur na e sjellin një situatë të tillë edhe vargje popullore të shkëputura nga një tekst kënge i kohës:

“Shqipëri, o shkëmb e gur,

Vrite, prite për Flamur,

Bota hiq e ti-në vur”.

“Këngët e kësaj periudhe të re historike për Shqipërinë dhe për shqiptarët bashkudhëtojnë përgjithësisht me vetë historinë, brenda specifikës së folklorit, që në tërësinë e vet nuk është fotografim i realitetit, por pasqyrim artistik” (Xhagolli) i asaj ngjarjeje reale, me personazhe konkretë, zhvilluar në kohë të caktuar dhe në hapësirë përkatëse.

Në gjurmë të botimeve të para folklorike

Nga botimet më të vjetra folklorike, Qemal Haxhihasani e Zihni Zako, më vitin 1956 na japin tri këngë, që janë nga lulet e para të ciklit të periudhës së Pavarësisë. E para, regjistruar në Kabash-Gramsh, me 9 vargje të ngjeshura, lakonike, të thjeshta por domethënëse, na vjen me këtë variant:

“Medet, shokë, na mori malli,

Ku gjindet Smail Qemali?

Në Paris, mbrend te krali,

 hyn e del si zog sorkadhi:

“Shqipërinë dua t’ma ndani,

 Kanë zbritë komitat nga mali,”

 “Fol, o Smail Be me gojë!

 Merre Flamurin në dorë,

 Ngule në Sazan e Vlorë.” (Këngë popullore historike, 1956:248).

Një tjetër këngë simbolike e Pavarësisë, shumë e përhapur dhe në treva të tjera, që qarkullon me variantet e komuniteteve përkatëse, edhe në Himarë, në Vranisht, në Tërbaç, në Dukat, më gjerë në Labërinë e Gjirokastrës, Tepelenës, në Mallakastër e më tutje hapësirave polifonike, herë si këngë, herë si valle, diku duke shtuar një varg apo duke hequr një tjetër, por gjithsesi thotë artistikisht bukur profilin historik të Uratës së Flamurit Kombëtar, e regjistruar në Radhimë-Vlorë:

O Qemal kur të përzunë,

Kur desh të të zij’ Turqia

Dhe një çikë prá të zunë;

Erdh e të mori gjemia,

Brënda në Paris të shpunë,

Atje ku ish katimia.

Seç u ngrit krali në gjunjë,

Mbretëresha dhe e bia.

”Cili je ti, more burrë,

 Që kërkon vulat e mia?”

“Unë jam Smail Qemali,

Prapa më vjen historia.”

 Të shtatë vulat ja dhanë,

Po do mos dojë Turqia.

“ Do dojë, se s’është punë,

 Është e jona Shqipëria!

Sazan e Karaburun

Janë vatanet e mia,

 Nëpër mes i ndan një lumë,

 Nga juga është Greqia”. (Këngë popullore historike, 1956:248).

Në 20 vargje memoria sociale e popullit na sjell një epos të tërë, me hartën e duhur gjeografike, në kontekst, me udhëtimin historik, atlasin moral dhe etnopsikologjik të një kombi dhe nga ku kuptojmë sesi një njeri me emër të përveçëm shndërrohet, nga bëmat e tij, në një idhull, në një shenjt, në një Emër të Përgjithshëm, me të cilin kuptohen gjithë shqiptarët, sepse ai bëhet simbol i shqiptarit të lirë, të pavarur e demokrat në ballafaqimet ndërkombëtare, në mejdanet diplomatike për civilitetin e vendit të të parëve të tij. Me 10 vargje na vjen kënga e regjistruar në Kuç- Kurvelesh:

Më njëzet e tet’ nëntorë

Më këmbë u ngre Shqipëria;

 Smail Qemali në Vlorë,

Me gjithë shokët e tia,

 Çi tha popullit me gojë:

 “Posht’ o shokë, robëria!

Evropa le ta dëgjojnë:

Nuk ka vënt këtu Turqia!

Ja të vdesim, ja të rrojmë,

Është e jona Shqipëria! ”. (Këngë popullore historike, 1956:249).

Kënga flet vetë; ajo bëhet zëdhënëse e historisë, kronikë e ngjarjes sipas mendësisë popullore, i cili derdh artin e shpirtit të tij nëpërmjet këngës. Më 28 Nëntor Shqipëria u bë shtet i pavarur. Kryengritjet dhe gjaku i derdhur për pesë shekuj me radhë sollën frytin e dëshiruar: Populli shqiptar theu prangat e robërisë dhe fitoi pavarësinë e tij kombëtare duke u njohur si shtet më vete. “Ku ngrihet Flamuri, ngrihet Kombi! Kur rrëzohet Flamuri, rrëzohet Kombi” (Luarasi). Studiuesi i njohur i fushës prof. Bardhosh Gaçe, kur trajton ngjarjen kombëtare të shpalljes së Pavarësisë, ndër më të ëndërruarat e shqiptarëve përgjatë gjithë kohës së pushtimit pesëshekullor osman, nënvizon se ky çast i njohur historik u reflektua në të gjitha trevat shqiptare me kushtime atdhetarie dhe këngë. Po citojmë: “Plakut të Vlorës dhe gjithë dërgatës nga gjithë vendi iu kënduan këngë heronjsh dhe trimash, mendje ndriturish dhe patriotizmi shqiptar” (Gaçe). Në librin e tij kushtuar përjetësimit të emrit të Atit të Pavarësisë në shpirtin e popullit prof. Gaçe ka botuar një monografi shkencore (Gaçe), ku përfshihen 466 materiale folklorike, nga të cilat 262 njësi folklorike – këngë të gjinisë së Epikës popullore, lloji i Epikës historike; 94 njësi folklorike të gjinisë së Poezisë lirike të llojit të Lirikës familjare, nga të cilat 57 vaje [vajtime], 37 këngë të lindjes e të djepit [ninulla], si dhe 110 rrëfime popullore, gjurmuar e mbledhur te burimi, në trevat mbarëshqiptare me dashuri e vërtetësi, sipas kritereve shkencore të fushës së Folkoristikës. Vlen të theksojmë se, krijimet folklorike të Selim Hasanit, në vijim kronologjik të botimeve, që kanë lënë gjurmë në formimin atdhetar të komunitetit dhe në zbukurimin e botës ndijesore, duke i përmirësuar njerëzit jo vetëm estetikisht, i boton më 1966 Instituti i Folklorit, ku krahas kontributit të prof. Zihni Sakos e Arsen Mustaqit, është e tejdukshme puna e “profesorit të pashpallur”, të bardhit Qemal Haxhihasani, që “në fushën e botimeve të folklorit shqiptar është më i shquari” (Xhagolli). Ja si këndon xha Selimi i Brate, në shtratin e folklorit tradicional të krahinës së tij. Tre këngë të botuara, marrë nga hejbeja me këngë labe e xha Selimit po i citoj, sipas kërkesave fonetike, edhe për kujtim e mirënjohje ndaj folklorit të tij sinkretik: Kënga e parë – me 16 vargje:

“Më dymbëdhiet’ senè

 flamuri në Vlor’ u ngre,

 me zhëgabë Skënderbe.

Pesëqint vjetë ku qe?

– I kishnë vënë perdè. (e kishin lënë në errësirë)

Kush e qirti shiqarè?

 – Ai plaku halleve.

 patërjoti Smail Be;

 me gazeta nënë dhe,

 me shokë nja dy a tre.

Mëretit vajte i the,

 Dua sha përmi ylqe,

 do të hap një mod’ të re;

 do vë lule një bahçe!

– unë të sho’ se ç’mëndje ke,

 po, sa të mund, do të çkre”.

Xha Selimi është lindur rreth vitit 1886 në një familje të varfër, kështu që mund të justifikohen turqizmat në vargjet e kënduara apo të hequra valle aty për aty nga ai, si t’i vinte situata, ç’i kërkonin e ç’ pëlqenin njerëzit që e rrethonin në atë kohë në lagje, në mëhallë, në fshat, në miqësi, në luftë. Kënga e dytë është me 19 vargje:

“Smail Beu i varfëri

 s’desh çifliqe, pasuri,

gjezdis me libra në gji,

 lufton kundraj me Turqi:

 – Ku jam, se dua të di,

shqipëtar a turçelli?

 E dua, se kam të drejtë,

 nga Parizi pse më çkretë?-

 Gjezdisi det e steretë

 me ca libra të mëshetë,

 nga Skënderbeu kish gjetë

 Nëntëqintedymbëdhjetë

 flamurë në Vlor’ e ngretë.

 Foli Smail Beu vetë:

 -Ka qën’ i bllokuar gjetkë,

 ky është flamuri ynë!

 bëjnë ca sikur s’e njinë

 Esat Pasha me Myftinë,

 Kosovën në bot’ e shinë.-

Më tej, vetëm me 10 vargje, përsëri xha Selimi këndon, duke i mëshuar dëshirës madhore të Plakut të Bardhë: përparimin e shqiptarëve nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, me shkollim e diturim për ta bërë Shqipërinë “lule” mes shoqeve:

“Shqipëri, lule burbuqe,

 ke qënë në mes të ujqe,

 në mbëretërinë turke,

 pesëqint e ca vjet mbushe,

 tinë shqip e ata turçe.

Qysh u ndave, u çkëpute?

Kërkon Qemali hudute.

 Libra, propagandë fute,

 nëpër shkolla, nëpër burqe,

 qirte Flamurin në dukje”. (Rapsodë popullorë. Selim Hasani: 1966).

 Ciklin e këngëve të të periudhës së shtetit të pavarur shqiptar e pasuron më tej botimi “Epika Historike, vëllimi 3”, realizuar nga Akademia e Shkencave, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë. Vepra e Ismail Qemalit për bashkimin një nga një të viseve të ndryshme të vendit regjistrohet dhe jepet në 13 këngë të tjera, të sistemuara sipas kriterit kronologjik. Shpallja e Pavarësisë, figura të veçanta si Ismail Qemali e Isa Boletini kanë prirjen të këndohen në përmasa gjithëkombëtare dhe fillojnë të futen me një perspektivë gjithmonë e më të gjerë në fondet poetike gjithëkombëtare, për shkak të peshës specifike të ngjarjes dhe gjesteve të heronjve, për rolin e veçantë në forcimin e ndërgjegjes kombëtare popullore etj., të cilat natyrshëm rrisin dhe potencialin artistik të këtyre krijimeve folklorike të karakterit epik. Kronika poetike e ngjarjes ja si vjen në një variant të Smokthinës – Vlorë:

Shqipëri, moj, shkëmb e gurë,

 Shqipëri, moj, Shqipëri! (përsëritet pas çdo vargu)

 Vrite, prite për flamur,

 Bota hiq e tinë vur,

 Evropa lësho e zur!”

vetëm në 5 vargje shprehet vendosmëria e popullit tonë në luftrat shekullore për çlirimin e tij kombëtar. Ja si i këndohet nga treva e Dukatit Simbolit tonë:

O Flamur i Shqipërisë,

 O Flamuri kuq e zi,

Rrugës tënde legjendare,

 Seç shkrove një histori.

 Pesë shekuj ti qëndrove

 I fshehur brenda në gji,

 Të ngriti Smail Qemali,

 Bashkë me shokët e tij.

 Me Shpalljen e Pavarësisë mbyllet epoka e sundimit të huaj, epoka e errësirës mesjetare dhe e robërisë së urryer, me kurorëzimin e luftës heroike të të parëve tanë, me shkëlqimin legjendar të Gjergj Kastriot- Skënderbeut, me “treqind kryengritje në katërqind vjet” për liri e pavarësi. Mozaiku i këngës zbukurohet me një variant nga Bregdeti, pikërisht nga Qeparoi i kapedanëve:

U ngre Flamuri në Vlorë,

Fol, Ismail Vlora, folë!

 Gjithë Evropa ta dëgjojë,

 Se shqiptarët u mbëlodhë,

 Karar dhanë në një gojë,

 Që më vete të qëndrojnë,

 Gjithë ç’janë shqipëtarë,

Jan’ vëllezër të pandarë

 Siç ishin me Skënderbenë,

 Kur e tundën gjithë dhenë.

Me një gdhendje mjeshtërore na e sjell portretin e Plakut të Flamurit kënga e Tërbaçit:

Ç’të them për Smail Qemalë,

 Trimin me shokët e rrallë,

si mali me bor’ të bardhë,

 në at’ luftën me Ballkan,

bashkë me shokët asllan’,

E ndau Shqipen mënjanë.

O Malo ballëkurorë,

të mbeti shkaba në dorë,

Që kur e ngrite në Vlorë.

O Malo, o diplomat,

 Shkrove histori të artë!”

 Pa shumë shkollë ishin krijuesit popullorë në atë kohë kur ka lindur e është përhapur kënga, por intuita, zgjuarsia popullore diti t’i nuhasë zhvillimet e kohës dhe personazhet historikë, t’i përpunonte shpejtësisht në “laborator” dhe ta qepte këngën në vend, e cila ngjitej e qarkullonte, se pëlqehej. Ja një tjetër këngë nga Vërmiku:

“Smail Qemali me halle,

 O Smail, o trim,

 Trim, o more trim (v.2-3 përsëriten pas çdo vargu si refren).

 Bëre punën më të madhe,

 Me flamurin kuqe alle,

 Që ngrite male më male,

 Shqipërinë na e ngjalle”.

Nga Velça-Vlorë na vjen ky variant që pëlqehet dhe në trevat përqark:

Tundu, tundu, o Flamur,

Marshalla, ç’lëshoke nur,

Përmbi shkëmb e përmbi gur!

Smaili të vuri vulë!

Aferim, o Smail Be,

Evropës rrotull i rè,

Flamurin në Vlor’ ngulè

 Smail Be, o diplomat

Na e ngrite kokën lart!”

Një njësi folklorike shumë interesante na e dhuron treva e Dibrës:

Nëpër fusha, nëpër male,

Vrapon populli tuj kcye valle;

Nalt e ngritëm njat Flamur,

Mi çdo shkam e mi çdo gur;

Njat Flamur me shqipe mali,

 Na e kish çu Smail Qemali.

Kur Flamurin nalt e ngritëm

Krisën pushkët, të gjith’ britën:

Rroft’ Flamuri, rroft’ Shqipnia,

Anekan sod shndrit Liria!

Bën aluzion kjo këngë për vendimin e Kuvendit Kombëtar për Shpalljen e Pavarësisë (28 nëntor 1912). Ismail Qemal Vlora si kryetar i Kuvendit Kombëtar, shpalljen e Pavarësisë ua njoftoi gjithë krahinave të atdheut. Kjo këngë shpreh edhe entuziazmin e përgjithshëm me të cilin e priti populli i Dibrës, vendimin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Mund të kumtonin shumë se këngët e popullit për Pavarësinë rrjedhin si lumë, por dëshirojmë ta finalizojmë me një këngë të veçantë nga Vranishti i Vlorës, mbledhur e regjistruar në vitin 1960. Kënga është ngritur nga Qerim Tartari (dhe këtë e kemi verifikuar nga tre burime) më 1913, kur Konferenca e Ambasadorëve, duke caktuar kufijtë e Atdheut tonë padrejtësisht, la jashtë tyre Kosovën :

Ç’ësht’këjo që na ka ngjarë

Nënë Shqipëri? (përsëritet pas çdo vargu)

 Dhe malet në hall kan’rarë,

 Se u prem’ e se u vramë,/ Për liri, për trojet tanë.

Të mëdhenjt’ (e ka fjalën për Fuqitë e Mëdha) paçin belanë,

Që e trazuan dynjanë,

 Mëmëdhen’ më dysh na ndanë,

 Kosovën jasht’ na e lanë.

 Po ne jemi shqipëtarë,

Nga një nënë e nga një babë.

Kemi një Flamur e Shkabë,

 Jemi betuar ta mbamë!” (Epika historike, 3:1990).

Këngë të tjera shumë të bukura për “Plakun e Pavdekshëm të Pavarësisë Shqiptare” (Fetiu) janë krijuar në rrjedhat e kohës dhe janë botuar nëpër almanakë folklorikë etj.; po ashtu janë botuar më vonë edhe studime e monografi, por objekt i këtij shkrimi ishin vetëm fillimet e këtyre botimeve folklorike.