Dy motrat Kajtazi, policia i gjen në qytetin e Vlorës

80
Merr fund telenovela e motrave Kajzati nga qyteti i Durrësit. Policia ka arritur të gjejë vend-ndodhjen e dy vajzave pas më shumë se 1 muaji hetimesh dhe kërkimesh. Motrat Kajtazi, Orialda 18 vjec dhe K.Kajtazi 14 vjec u gjendën në një apartament në lagjen Kushtrimi në qytetin e Vlorës. Sipas Policisë motrat durrsake nuk janë shfytëzuar nga askush dhe e kanë thurur planin e arratisë të vetme. Aksioni i policisë për gjetjen e motrave është bërë nga uniformat blu të qytetit të Durrësit pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative nga kolegët e tyre në Vlorë. Tashmë, motrat Kajzati pritet që sqarojnë për uniformat blu gjithë historinë e tyre, si dhe shkaqet që i shtynë të largohen nga banesa.
Ato shfrytëzuan momentin që familjarët e tjerë ndodheshin në spitalin e Tiranës pasi u helmuan nga ushqimi, për t’i vënë flakën shtëpisë. Ato u larguan me rreth 5 milionë lekë, 4 celularë dhe pasaportat. Gjithçka sipas policisë ka qenë e qëllimshme dhe me gjetjen e tyre vajzat do të duhet të përballen edhe me drejtësinë, për shkatërrimin e pronës me zjarr dhe akuzën e vjedhjes në bashkëpunim. Më herët familjarët e dy vajzave Kajtazi hodhën dyshime se motrat mund të ishin gënjyer nga ndonjë person, pasi sipas dëshmisë së babait, ato nuk dilnin asnjëherë të vetme nga shtëpia, madje dhe për kafe shoqëroheshin nga familja.
Si nisi historia thriller e motrave Kajtazi
Historia e tyre nis më 15 korrik, kur babai i tyre, nëna dhe motra e madhe u helmuan nga ushqimi pasi konsmuan vaktin e drekës. Kryefamiljari Muhamed Kajtazi 49 vjeç, bashkëshortja e tij 39-vjeçare Anila Kajtazi dhe vajza 20-vjeçare e familjes Alketa u dërguan për mjekim në kryeqytet, ndërsa dy vajzat e tjera 18-vjeçarja Orialda dhe motra e saj e vogël me inicialet K.K ndenjën të vetme në shtëpi, pasi cuditërisht ishin të vetmet që nuk u helmuan.
Një ditë më pas, më 16 korrik, kur familjarët e helmuar janë kthyer kanë marrë një surprizë! Shtëpia e tyre në lagjen numër 15 ishte djegur pas mesnate rreth orës 02:30 dhe dy vajzat e vogla ishin zhdukur pa lënë gjurmë, por ishin kujdesur që me vete të “merrnin” veç sendeve të tyre personale, edhe 4 qind mijë lekë të reja dhe 800 euro, 4 telefona celularë, pasaportat dhe kartat e identitetit të motrës së madhe që ndodhej në spital, Alketës. Çifti i bashkëshortëve Kajtazi bënë denoncimin në polici për zhdukjen e vajzave. Nga hetimet e policisë rezultoi se ishin pikërisht vajzat e shtëpisë të cilat i kanë vënë flakën shtëpisë dhe që kanë vjedhur lekët së bashku me telefonat e familjarëve.