Akuzat e Tom Doshit për atentat Policia shoqëron Durim Bamin

93

TIRANE – Një ditë pas deklaratave të deputetit të shkarkuar nga PS, Tom Doshi se një person është paguar për të realizuar vrasjen e tij, Policia ka shoqëruar një person të dyshuar. Bëhet fjalë për Durim Bamin nga Fushë-Kruja, i cili sipas pretendimit të Tom Doshit, është personi që ka marrë paratë nga kryeparlametnari Ilir Meta për ekzekutimin e tij.

Biznesmeni 46-vjeçar nga Fushë-Kruja vetëm një javë më parë  u bë pre e një atentati me minë të telekomanduar, e cila fatmirësisht nuk shpërtheu pasi u çaktivizua nga policia.

Bami do të merret në pyetje në lidhje me akuzat që deputeti Doshi artikuloi publikisht vetëm pak momente pasi u përjashtua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Doshi pretendon se 5 muaj më parë personi që ka marrë një pjesë të parave për të kryer vrasjen e tij, ka rrëfyer porositësin. Sipas deputetit të përjashtuar nga PS, në dijeni për këtë fakt ka qenë edhe vetë kryeparlamentari Meta, ashtu sikurse ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, kryeprokurori Llalla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi.  Doshi pretendon se ka një video ku shfaqet rrëfimi i personit të paguar për ta vrarë atë dhe deputetin e Partisë Demokratike Mëhill Fufi.

Sot Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet pas deklaratave publike gjatë të hënës që bëri deputeti Tom Doshi.

Durim Bami ndodhet aktualisht në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, dëshmia e të cilit pritet të ketë një rol kyç në zbardhjen e të gjithë akuzave.
 
Ora 13:50 Bami njihet si person që ka më shumë lokale bastesh në Fushë-Krujë