INTERVISTA/ Prof. Dr. Kastriot Islami: Rama po rrëshqet drejt një fundi të ngjashëm me diktatorët

1038
Sigal

Jakup GJOÇA

Gazetar i “Telegraf”

Sulmi i Ramës ndaj SHBA është arrogancë tipike e një drejtuesi autoritar e të pasuruar nga korrupsioni e lidhjet me krimin e trafiqet, i cili nga njëra anë është i frikësuar, se e ndjen që po i afrohet fundi dhe, nga ana tjetër, reagon me arrogancë për t’i treguar klientelës së tij, se as SHBA nuk ka çfarë t’i bëjë.

Prof. Dr. Kastriot Islami, ish-ministri i Jashtëm dhe Ish-kryetar i Parlamentit, në intervistën për gazetën “Telegraf” analizon pse kryeministri Rama sulmon edhe “Zërin e Amerikës”. Prof. Islami, shpjegon se Opozita ka përfitime politike vetëm po t ë hapen negociatat, dhe ai që nuk do të hapen ato, është kryeministri Rama. Prof. Islami pohon se liderët e Gjermanisë, Francës, Holandës e kanë marrë vendimin për moshapjen e negociatave, sa është kryeministër Rama dhe këto shtete e grisën raportin e Mogherinit.  

-Prof. Islami. Jo rastësi, kryeministri Rama cilësoi “zhurmë kënetore politike” investigimin e Zëri të Amerikës për koncesionet e inceneratorëve. Si mundet që Rama sërish të sulmojë median më prestigjioze ndërkombëtare? Kë provokon dhe përse?

– Rama është frikësuar se ka kuptuar që gradualisht po futet në rrugën e të ngjashmëve të tij paraardhës, drejtuesve autoritarë e të korruptuar, dhe të lidhur me krimin e trafiqet. Ndoshta, të ngjashme me fundin e Noriegës, apo ndonjë personazhi tjetër famëkeq nga Amerika e Jugut, Afrika e Veriut, apo Azia e largët. Sulmi i Ramës ndaj SHBA është arrogancë tipike e një drejtuesi autoritar e të pasuruar nga korrupsioni e lidhjet me krimin e trafiqet, i cili nga njëra anë është i frikësuar, se e ndjen që po i afrohet fundi dhe, nga ana tjetër, reagon me arrogancë për t’i treguar klienetelës së tij, se as SHBA nuk ka çfarë t’i bëjë. Kjo është shenjë e fillimit të fundit të tij. Sot, për më tepër për t’i bërë karshillëk Zërit të Amerikës ka shkuar te Plehrat dhe ka kakarisur, si gjeli majë plehut.

– Kryeministri Rama nuk e do hapjen e negociatave, sepse natyrisht do të ketë nga afër monitorimin e BE për kryerjen e Reformave. A provokon pikërisht “JO”-në e udhëheqësve të Gjermaninë, Francës dhe Holandës, kur ironizon publikisht skepticizmin e tyre ndaj Shqipërisë?

– Rama ka bërë dhe bën gjithçka vetëm e vetëm për pushtet personal. Gjithçka tjetër, që thotë është gënjeshtër, demagogji, mashtrim. Rama gjykon se integrimi i vendit është pengesë e madhe për forcimin pa kufi të pushtetit të tij personal dhe pasurimin e tij të paligjshëm. Prandaj Rama as e do dhe as punon realisht për integrimin e vendit, apo më saktë në këto momente për hapjen e negociatave. Rama nuk e çan kokën për integrimin vendit në BE. Rama i ndodhur përballë vendimmarrjes së BE për moshapjen e negociatave, ndjehet në thelb shumë i lumtur që dëshira e tij anti-integrim është realizuar, por, ndërkohë, përpiqet që të maskojë gëzimin e tij, duke ja hedhur fajin të tjerëve për këtë vendim të vendeve të BE. Në shumicën e rasteve fajin ja hedh opozitës. Jo rrallë, edhe forcave ekstremiste/skeptike në Evropë. Disa herë edhe “deputetëve evropianë të painformuar”, gjermanë apo holandezë, apo disa të tjerëve të furnizuar me “baltë” nga opozita shqiptare.

– Mosvotimi i Rezolutës për hapjen e negociata nga Opozita dje në Parlament, a mund të çojë mesazh në BE, se është Opozita ajo që pengon përpjekjet e Shqipërisë, sepse nuk është palë bashkëpunimi me qeverinë?

– Liderët e BE e kanë të qartë se pengesa e vetme dhe kryesore për një vendim të BE kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë është Edi Rama dhe qeveria e tij. Opozita nuk ka forcë as për të penguar hapjen e negociatave dhe as për ndryshuar vendimin e BE, ndonëse ka bërë përpjekje maksimale për të bindur aleatët e saj të djathtë në Evropë që të merret një vendim PRO hapjes së negociatave. Rama, duke miratuar një rezolutë njëanshmërisht, pra pa opozitën, për shkak të mediokritetit dhe ligësisë ndonëse gjithçka e bëri për të akuzuar opozitën, i nguli edhe një thikë tjetër pas shpine çështjes së integrimit. Gjermania, Franca, Holanda e kanë të qartë se këtë thikë pas shpine e ka ngulur Edi Rama, sepse ata prisnin një deklaratë të përbashkët mes maxhorancës dhe opozitës, ku do të lexonin diçka edhe për “çështjen Xhafaj”, por Rama nuk e lejoi një gjë të tillë. Prandaj e kanë kuptuar qartë këtë hile, apo lojë tinëzare të Ramës për të miratuar njëanshmërisht një rezolutë të zbukuruar nga maxhoranca, e cila nuk paraqet realitetin që njohin ata dhe që përjetojnë shqiptarët. Rama me këtë rezolutë të njëanshme kërkoi edhe një herë t’i mashtrojë gjermanët, francezët e holandezët, duke menduar se kështu do të bënte përgjegjëse opozitën. Por gjermanët, francezët dhe holandezët e kanë marrë tashmë vendimin, duke bërë përgjegjës vetëm Ramën. Kjo ndoshta e detyroi dje deputetin Krichbaum të reagonte për t’i dërguar një mesazh të qartë Ramës se e kishte kuptuar lojën e tij tinëzare, por mbi të gjitha për t’ia bërë të qartë të gjithë shqiptarëve se Rama e ka të qartë vendimin e moshapjes së negociatave dhe arsyet për një vendim të tillë nga Gjermania, që lidhen vetëm me Ramën dhe askënd tjetër.

A është koha e përshtatshme politike për protesta masive, për bllokim të Parlamentit nga Opozita, pikërisht disa ditë para se Këshilli i BE të marrë vendim për hapjen e negociatave , që PD të mos mbështesë qeverinë për integrimin, siç bën edhe Opozita në Maqedoni, për çështjen e Integrimit?

– Koha për të thënë të Vërtetën dhe për të mos fshehur apo maskuar atë është në çdo kohë. Opozita vetëm mbështet ndjenjën popullore ndaj keqqeverisjes, ndjenjë që është shndërruar në protestë dhe, nëse nuk do të gjente mbështetjen, apo nuk do të udhëhiqej nga opozita, herët e vonë do të shpërthente në formë revolte. Këtë të Vërtetë opozita nuk mund ta anashkalojë, sepse qytetarët dëshirojnë të protestojnë nga që përjetojnë një realitet shumë të rëndë dhe janë të pashpresë për të ardhmen e fëmijëve të tyre. E Vërteta nuk e pengon Integrimin, sepse integrimin e pengojnë dy arsye të tjera të forta. Mungesa e dëshirës së Ramës për të integruar vendin në BE nga frika se do të zbulohen e ndëshkohen të gjithë bëmat dhe pasuritë e tij të paligjshme. Dhe të gjithë veprimet qeverisëse të Ramës që rezultojnë kundër integrimit. Me demagogji dhe gënjeshtra Rama e ka tashmë të pamundur të mashtrojë ndërkombëtarët, madje është kthyer i bezdisshëm për ta me barsoletat bajate apo batutat mediokre. Për më tepër që të Vërtetën mbi realitetin shqiptar nuk e përjetojnë vetëm shqiptarët, por e njohin me saktësi të lartë edhe ndërkombëtarët. Nëse, edhe opozita do të bëhej palë në fshehjen e të VËRTETËS, atëherë ajo nuk do të mund të ekzistonte më dhe do të kthehej në shtojcë të neveritshme të pushtetit korruptiv e kriminal të Ramës. Thënë ndryshe, një opozitë që nuk udhëhiqet nga e Vërteta, do të pushonte së ekzistuari. Dhe në këtë rast qytetarët e pashpresë dhe të pa udhëhequr nga opozita ose do të emigronin, ose do të shpërthenin në revoltë të pakontrollueshme. Këtë e dinë edhe Gjermania, Franca, Holanda e tjerë, të cilat në mënyrë figurative mund të thuhet se “grisën” raportin e shkruar nga Mogherini për “suksese imagjinare të Ramës” duke i përplasur në sy Ramës vlerësimet e tyre realiste dhe të sakta për gjithçka ndodh në Shqipëri.

A nuk do të jetë më mirë edhe politikisht për Opozitën, hapja e negociatave, sepse kështu qeverisja e Ramës do të ketë më shumë mbikëqyrje politike nga BE? Pse Opozita nuk zgjodhi Kohën pas qershorit të bënte këto denoncime ndaj Xhafës dhe, pasi merrej “OK” hapja e negociatave, të kërkohet zgjedhje e parakohshme që qeveria e re të jetë ajo që të vazhdojë procesin e Anëtarësimin?

– Pyetje shumë e saktë, që, mesa kuptohet, e ka edhe një pjesë të përgjigjes brenda saj. Të gjithë bëmat dhe gjëmat e Ramës e kanë shtyrë opozitën nga njëra të mbështesë të gjithë veprimet qytetare mbi të Vërtetën dhe nga ana tjetër të kërkojë me insistim hapjen e negociatave. Ndonëse disa njerëzve, kërkesa e opozitës për hapjen e negociatave, iu duket e çuditshme dhe demagogjike në situatën e tmerrshme që ndodhet Shqipëria e përjetojnë shqiptarët, opozita kërkon hapjen e negociatave. Shumë vetave ju duket naive dhe paradoksale kjo kërkesë. Po kërkesa e saj është e saktë dhe shumë e mirë menduar. Opozita kërkon me insistim hapjen e negociatave për të monitoruar Edi Ramën. Pra thënë ndryshe, opozita përmes hapjes së negociatave gjykon se mund të vendosë nën darën e hekurt dhe nën presionin ndërkombëtar qeverinë e korruptuar, të lidhur me krimin e trafiqet. Opozita vlerëson se kjo do të mund të ishte “rruga e vetme e butë” për të larguar nga pushteti një regjim oligarkik e të inkriminuar dhe për të shmangur në këtë mënyrë largimin e tij përmes shpërthimit të revoltave popullore.

– Cili do të jetë përfitimi politik i PD-së Nëse BE nuk hap negociatat me Shqipërinë?

– Opozita ka përfitime vetëm nëse hapen negociatat, sepse përndryshe rruga dhe beteja për çmontimin e kësaj bande në pushtet do të vështirësohej maksimalisht. Ka vetëm një shpresë nëse në rastin e moshapjes së negociatave opozita të kishte mbështetjen e fuqishme të partnerëve ndërkombëtare për të çmontuar bandën e rrezikshme të Rilindjes. Rama me kapjen e shtetit, me lidhjet me krimin, marrëdhëniet e ngushta me trafikantët e familjet mafioze nuk garanton më as stabilitet dhe as siguri as për Shqipërinë e as për rajonin, se për demokraci as që nuk është bërë fjalë që në minutën e pare, kur Rama e mori pushtetin me 20 deputetë me rekorde të tmerrshme kriminale e 25 oligarkë dhe kërcënoi opozitën me deklaratën “Nuk keni parë gjë akoma!” Me moshapjen e negociatave, sado që Rama do të përpiqet t’ia hedhë fajin të tjerëve, për çdo shqiptar do ta ketë e qartë se vendimi i BE është marrë për shkak të keqqeverisjes së Ramës dhe lidhjeve të tij me krimin e trafikantët. Askush nuk e beson tezën qesharake dhe mediokre të Ramës se opozita duke artikuluar të Vërtetën (që për Ramën është e barabartë me Baltën), apo duke protestuar për të Vërtetën po pengon hapjen e negociatave, aq më tepër që Rama e ka dëgjuar drejtpërdrejtë nga Merkel dhe Makron tashmë vendimin fatkeq për shqiptarët. Por, i frikësuar nga drejtimi i gishtit të shqiptarëve vetëm ndaj tij, si përgjegjës për moshapjen e negociatave, që për shqiptarët është e barabartë me heqjen e mundësisë për të jetuar e punuar, apo studiuar, apo u mjekuar në Evropë, po përpiqet me akrobacitë e zakonshme dhe shfaqjet prej klouni të fajësojë opozitën, gjermanët e holandezët, apo edhe deri Zërin e Amerikës. Frika i është shtuar në ekstrem, që për bëmat e tij nuk do të ketë më mundësi të sigurojë heshtjen e ambasadorit Lu, apo ambasadores Vlahutin, që në fund të muajit largohen e zëvendësohen nga persona të tjerë, që do të jenë më siguri shumë kritikë ndaj çdo marrëzie të tij.

– Po Nëse BE-ja hap negociatat, a nuk do të jetë ky vendim politik i BE një vlerësim pozitiv ndaj reformave të qeverisë Rama?

– Fatkeqësisht Gjermania, Franca, Holanda, duke artikuluar të Vërtetën e hidhur për shqiptarët se qeveria Rama nuk i ka realizuar detyrat e shtëpisë në një mënyrë, apo tjetër e kanë “grisur “ raportin e sukseseve imagjinare të Ramës, të hartuar nga Mogherini and Co. Merkel e Makron, por edhe deputetët gjermanë e ato holandezë ja kanë bërë të qartë Ramës vendimin e tyre, qoftë gjatë takimeve kokë më kokë qoftë përmes fjalimeve të tyre publike në Samitin e Sofjes. Vendimi duket se është marrë dhe Rama mesa kuptohet e ka të qartë. Kjo mesa duket e ka shtyrë Ramën te nisë bredhjet prej klouni për t’ia faturuar arsyet që kanë çuar në këtë vendim, baltës së opozitës, ekstremizmit të disa forcave politike në Holandë, mungesës së informacionit apo dashamirësisë nga ana ndonjë deputet gjerman.

Kryeministri Rama mundohet të justifikohet, se çështja “Xhafaj” nuk është analoge me çështjen “Tahiri”, sepse Fatmir Xhafën e duan për ministër SHBA dhe BE. Ju, si diplomat, mund të thoni, cili mund të jetë perceptimi i udhëheqësve të BE për përgjegjësitë politike të ministrit Xhafaj për vëllanë?

– Edhe Tahiri edhe Xhafaj kanë qenë dhe janë në anijen e Ramës, anije e cila po mbytet. Partnerët tanë janë vende më shumë tradita e eksperiencë, drejtohen nga njerëz me aftësi e merita dhe zotërojnë mekanizma të sprovuar për të vlerësuar të Vërtetën dhe për të bërë dallimin mes të Vërtetës dhe Mashtrimit; këto shërbejnë për të kuptuar se as Rama, as Tahiri dhe as Xhafaj nuk mund t’ua hedhin atyre, apo t’i mashtrojnë ata. Në shumë raste ata përcaktojnë objektiva prioritarë dhe nuk kujdesen për elementët anësorë dhe pasi arrijnë objektivin kryesor ata veprojnë, duke eliminuar edhe efektet kolaterale. Për shembull. Tahirin e kanë përgjuar autoritet italiane, duke filluar nga dhjetori 2013, pra tre muaj, pasi Tahiri ishte ulur në karrigen e ministrit të Brendshëm dhe mendonte se ishte ministri më tërheqës e më “simpatiku” për ndërkombëtarët. Pra, ata e kanë pasur të qartë se çfarë përfaqësonte ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, me kë ishte i lidhur ai dhe me çfarë merrej krahu i djathtë i Edi Ramës e personi më i “suksesshëm” në qeveri i cilësuar nga Rama. Personi që arriti, ndërkohë që diheshin të gjithë këto bëma, të futej në zyrën ovale e të shtrëngonte duart me Presidentin Obama. Kjo e vërtetë për Tahirin u bë publike nga ndërkombëtarët vetëm pas 4 vjetësh, pra në momentin e duhur, apo më saktë kur e panë ata të arsyeshme. Dhe kjo jo se nuk dihej apo se me mashtrimet e tij Rama, apo Tahiri i kishin hedhur hi syve atyre, por sepse në ato momente ata kishin prioritete të tjera dhe nuk mund të konsumonin energji me Tahirin, që ishte një pengesë minore për arritjen e objektivit të tyre. Dhe e bënë goditjen pikërisht në momentin e duhur.

– Po për Xhafajn si shpjegohet që e duan edhe SHBA edhe BE…?

– Kjo që ka ndodhur me Tahirin do të ndodhë shumë shpejt edhe me Xhafajn. Ata e kanë të skanuar të gjithë veprimtarinë e Xhafajt, pra viteve ’90 e sidomos pas viteve ’90. Shqiptarët naivë kanë krijuar perceptimin iluzor se Xhafaj ka mbështetje perëndimore, sepse SHBA e BE kishin një prioritet tjetër, reformën në drejtësi dhe ju duhej konsensus i gjerë për të përmbyllur reformën në drejtësi, e siguruar rol të rëndësishëm të ndërkombëtarëve në vendimmarrjet e ardhshme të gjyqësorit. Ata për pragmatizëm arritën të bisedonin edhe me deputetë me rekorde kriminale të kuvendit shqiptar, që të bëheshin pjesë e konsensusit për të miratuar ndryshimet kushtetuese të lidhura me reformën në drejtësi, por kjo nuk do të thotë se mbështetën ata individë, të cilët pas përmbylljes së reformës në drejtësi filluan t’i stigmatizonin e godisnin një nga një. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Xhafajn, madje po vjen momenti që kjo skemë të aplikohet edhe për vetë Ramën, i cili është shumë i frikësuar se e ndjen se po i vjen radha, sidomos largimi i Lu e Vlahutin e kanë tmerruar liderin global. Jo rrallë prioritetet dhe agjendat e partnerëve koincidojnë plotësisht në kohë e në vlerësime me veprimet e faktorëve të brendshëm, duke krijuar perceptime momentale zhgënjyese, apo paradoksale për publikun, që më vonë kthjellohen e sqarohen.

E çfarë mund ta rëndojë më shumë kryeministrin Rama edhe nëse e shkarkon ministrin Xhafaj, parë politikisht, si kauzë politike e PD-së? Pse PD-ja akoma këmbëngul në shkarkimin e Xhafës, por nuk kërkon qartazi zgjedhje të parakohshme?

– Opozita duket se ka një agjendë të qartë dhe një kalendar të mirëllogaritur veprimesh. Shkatërrimi i lidhjes së krimit dhe trafikantëve me ministrat e brendshëm është një objektiv i ndërmjetëm e momental për të shkuar te çmontimi i Ramës. Nuk ka asnjë dyshim që Kryetari i Kupolës së korrupsionit, krimit dhe trafiqeve është Rama, ndërkohë që Tahiri dhe Xhafaj janë ushtarë të tij servile, mbi të cilët ai ka mbështetur shumë nga veprimet e tij, por edhe është maskuar. Prandaj Rama duhet diskretituar për këtë skemë dhe kjo realizohet duke e sulmuar në të gjithë pikat e saj. Mund të kishte edhe një skemë tjetër, të goditej fuqimisht Rama dhe të binte menjëherë e gjithë piramida e korrupsionit, krimit dhe trafiqeve. Kjo do të kërkonte nga njëra anë energji shumë të mëdha e mund të përfundonte në një përplasje të fortë, dhe nga ana tjetër opozitës i duhet kohë të ndërgjegjësojë qytetarët që ende nën presionin e krimit dhe trafikantëve janë të frikësuar, apo të çuar qëllimisht nga Rama në varfëri ekstreme ndjehen të pamundur e të pafuqishëm të reagojnë, duke gjetur si zgjidhje më të thjeshtë emigrimin. Pra opozita, duke vlerësuar me realizëm situatën, mesa kuptohet ka aplikuar strategjinë e copëzimit dhe çmontimit pjesë pjesë të këtij regjimi banditesk, përndryshe do të duhej të realizonte shembjen e menjëhershme përmes revoltës qytetare që mund të kishte kosto të lartë dhe pasoja dhe për qytetarët. I rëndësishëm është qëllimi unik: Largimi i Ramës dhe Rilindjes nga drejtimi i vendit, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, që në rastin më të mirë do të mund të organizoheshin vetëm nga një qeveri tranzitore “antimafie”, siç e ka cilësuar opozita. Një qeveri që do të garantonte një proces zgjedhor, pa kërcënimin e kriminelëve, apo të trafikantëve, pa blerje të votës me paratë e korrupsionit, kanabisit, apo trafiqeve të drogës. Një proces zgjedhor ku vota e të gjithë e partive, të mëdha e të vogla, do të numërohej e llogaritej me ndershmëri dhe qytetarët do të mund të zgjidhnin deputetët e tyre dhe jo injorantët, apo të paaftët e kukullat e vendosura në listat e klientelës partiake, apo të kapos së bandës oligarkike. Dhe qeveria antimafia do të bëhet realitet përmes strategjisë, që po aplikon opozita.

– Faleminderit!

Në vitet 2013 OSBE-ja e vlerësonte pasurinë e Edi Ramës me 200 milionë euro të fshehura në llogari “of shore”

Prof. Islami, si e shpjegoni ju që kryeministri Rama i lau kaq lehtë përgjegjësitë politike nga “çështja Tahiri”, nga “çështja Roshi” nga “çështja Ndoka e Prenga”?

Është e vërtetë që duket sikur Rama i ka larë duart me disa nga këta individë. Por duart nuk lahen kollaj nga krimi, kur përdor “sapun kriminal”, pra mund të thuhet se duart e Ramës janë ,jo vetëm të pista, por çdo ditë e më shumë ai zhytet më thellë në korrupsion, krim e trafiqe. Mënyra, sesi i ka larë duart me këta individë dhe. se çfarë po bën aktualisht, duke maskuar disa individë të tjerë tregon që Rama nuk mund të dalë nga gropa e korrupsionit, krimit dhe trafiqeve ku ka rënë, por vetëm do të zhytet thellë e më thellë drejt një fundi të ngjashëm me atë të disa homologëve autoritarë nga Amerika e Jugut, Afrika e Veriut, apo Azia e largët. Për më tepër që tashmë është e qartë jo vetëm për shumicën e shqiptarëve, por edhe për lidershipin evropian se Rama është një nga strongmenët e korruptuar e të inkriminuar të Ballkanit, që zotëron një pasuri të paligjshme marramendëse, të cilën në vitet 2013 OSBE e vlerësonte me 200 milionë euro të fshehura në llogari “of shore” në emër të të vëllait. Dhe fundi i tij dhe të gjithë të tjerëve do të jetë ai i merituar.