Sigal

E pakta që duhet të pranohet si shkak për këtë situatë të krijuar, është mungesa e vullnetit për të vepruar dhe për të zbatuar ligjin nga KQZ-ja dhe Prokuroria

Jakup Gjoça

Prof. Dr. Kristaq Kume Drejtor i Institutit për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve në intervistën për gazetën “Telegraf”, shprehet se për skandalin e Valdrin Pjetrit, I cili tashmë rezulton të jetë person me rekorde kriminale, përgjegjësinë kryesore e kanë KQZ-ja dhe Prokuroria e Përgjithshme, sepse, nuk kanë bërë verifikimet e duhura të vetdeklarimeve, edhe pse në mars 2019, midis tyre këto dy institucione kushtetuese kanë nënshkruar Momerandum bashkëpunimi për të verifikuar vetdeklarimet e kandidatëve në zgjedhjet e 30 qershorit. Prof. Kume pohon se tashmë KQZ-ja duhet të shpallë të pavleshme kandidaturën e Pjetrit, të informojë kryeministrin, dhe kryeministri duhet të njoftojë Presidentin për të caktguar datë tjetër për zgjedhjet në Bashkinë e Shkodrës. Mirëpo, siç thotë Prof. Kume, Presidentii Republikës mund ta shpërfillë kërkesën e Kryeministrit, pasi ende është dekreti presidencial për zgjedhjet vendore në 13 tetor. Sipas Prof. Kumes, këtu fillon edhe ngërçi i mosfunksionimit të demmokracisë për shkak të konflikteve të pushteteve në Shqipëri.

-Prof. Kume, duke marrë shkas nga skandali i Pjetrit, cili institucion shtetëror e kushtetues mban përgjegjësi për mosverifikimin e vertdeklarimeve të kandidatëve që marrin pjesë në zgjedhje?

– Më 19 mars të këtij viti, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Prokuroria e Pergjithshme nënshkruan një Momerandum bashkëpunimi, në të cilin theksonin se “parandalimi dhe ndëshkimi i veprave penale që prekin zgjedhjet  dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve” është shumë i rëndësishëm për të  garantuar integritetin e e zgjedhjeve. Në këtë Momerandum këto dy institucione theksonin se, në zbatim të kërkesave të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin  e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen dhe ushtrojnë funksione publike” KQZ-ja në zbatim të ligjit të cituar më sipër, merrte  përsipër që “të dergojë brenda afatit formularët  e vetëdeklarimit dhe relacionin apo dokumentacionin shoqërues, në se ka, për verifikim të thelluar” dhe Prokuroria e Përgjithshme u angazhua per “trajtimin me prioritet të kërkesave të KQZ-së për verifikim të thelluar” në zbatim të kerkesave të po të njejtin ligj.  Sipas Partise Demokratike,  Valdrin Pjetri, kandidati i PS dhe i shpalluri fitues kryetar i bashkisë Shkodër është në kushtet e konsumimit të veprës penale të deklarimit të rremë. PD thekson se  Pjetri në formularin e vetëdeklarimit, që është një dokument i kërkuar nga ligji nr. 138/2015, nuk ka treguar të vërtetën për të shkuarën e tij penale.  Kjo deklaratë ka vënë në lëvizje Prokurorinë, të cilës edhe nga mazhoranca i është kërkuar të verifikojë rastin.

-Sipas jush, përse deri tani Prokuroria hesht dhe nuk ka vepruar, edhe pas denoncimeve të para?

– Duke ballafaquar kërkesat e ligjit të dekriminalizimit, shtuar edhe angazhimet e marra në Momerandum prej dy institucioneve, KQZ dhe Prokurori e Përgjithëshme, nga njëra anë dhe deklarimit i PD-së dhe mos përgjigja e menjëherëshme e institucioneve që ligji i ngarkon me detyrën për të verifikuar vetëdeklarimet, nga ana tjetër, e pakta që duhet të pranohet si shkak për këtë  këtë situatë të krijuar, është mungesa e vullnetit për të vepruar dhe për të zbatuar ligjin në këto institucione. Në këtë proces zgjedhor, KQZ dhe Prokurorisë së Përgjithshme u duhej që të verifikonin formularët e vetëdeklarimit për një numër shumë të vogël kandidatësh për kryetar të bashkive. Punë që mund të bëhej dhe të përfundonte përpara se KQZ të shpallte vendim përfundimtar për zgjedhjet. Kjo nuk është bërë. Asyeja nuk mund të kërkohet tek  koha e pamjaftueshme. Më shumë se koha, me sa duket, ka munguar vullneti. Natyrisht ligji nuk ka vënë afate kohore për këtë verifikim. Ai mund të bëhet edhe pasi janë shpalluar rezultatet dhe të zgjedhurit kanë filluar të ushtrojne mandatin. Nuk është ky problemi. Problem është pse ky verifikim nuk është bërë akoma. Çfarë pritej që të përfundohej dhe për të, të informohej publiku, ashtu sikurse e kërkon ligji por edhe sepse të dy institucionet janë shprehur, në Momerandumin që kanë nënshkruar, se janë të angazhuar për ta bërë transparent këtë proces? Si përgjigje për këto pyetje mund të formulohen të ndryshme. Për mendimin tim përgjigja më afër asaj që në fakt ka ndodhur ose edhe që është synuar të ndodhte, është pranimi pa e vënë në dyshim vetëdeklarimin. Pra anashkalim i kërkesave të ligjit, ose ndryshe e thënë, funksionin jo normal i shtetit ligjor.  Në se sjellim në kujtesë procesin e zgjedhjes së kandidatit për kryetar të bashkisë në Shkodër, ai është një ndër rastet që tregon dhe justifikon nevojën për të ndërhyrjë në legjislacion, duke synuar krijimin e kushteve për veprimin efektiv dhe funksional të demokracisë. Në këtë rast për demokracinë e brendëshme në partitë politike. Përzgjedhja e kandidatëve dhe caktimi i tyre vetëm dhe kryesisht prej kryetarit të partisë, pa marrë në konsideratë mendimin dhe propozime të bazës së partisë është një shfaqe domethënëse e nivelit të ulët të funksionimit të demokracisë. Kjo ka ndodhur edhe në rastin e kandidimit të  Pjetri në Shkodër. Natyrisht kjo nuk do të thotë se, nëse do të veprohej ndryshe, do të përjashtohej mundësia e përzgjedhjes së kandidatëve problematikë.  Kjo mundësi do të zvogëlohej në mënyrë të ndjeshme. Demokracia në parti do të funksionojë me efektivisht dhe, për pasojë edhe demokracia në përgjithësi në shoqërinë tonë, do të ishte shumë më tepër funksionale.

-Çfarrë probleme ligjore evidenton skandali “Pjetri”?

– Trajtimi dhe zgjidhja e rastit të  mandatit të Pjetrit, në se provohet se ai është në kushtet kur për të duhet të veprojë ligji i dekriminalizimit, për mendim tim do të nxjerrë në evidencë edhe probleme të tjera, probleme me legjislacionin, ashtu edhe me rrugë zgjidhjet që do të kërkohen për trajtimin e  këtij rast.

– Po KQZ-ja a duhet të veprojë?

– Nëse provohet se Pjetri është në kushtet kur për të do të veprojë ligji i dekriminalizimit përpara se ai të bëjë betimin dhe përpara se të ketë filluar ushtrimin e mandatit, do të duhet të aktivizohet KQZ-ja për trajtimin e problemit. KAZ-ja duhet ta shpallë të pavlefshëm  mandatin e dhënë  Pjetër dhe pas kësaj, ne se i referohemi Kodit Zgjedhor duhet t`ju jap mandatin kanditatit të rradhës,  por, si dihet votimet në 30 qershor në Shkodër u bënë vetëm me një kandidat dhe, për pasojë, KQZ-ja nuk ka se si të plotësojë vakancen e krijuar. Zgjidhja besoj se do të jetë shpallja nga KQZ-ja të pavlefshme zgjedhjen për kryetarin e bashkisë Shkodër dhe, caktimi, në të njëjtin vendim, të një date tjetër për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar të bashkisë në Shkodër. Nëse kërkohet ndonjë referencë ligjore e shprehur në Kodin Zgjedhor për një zgjidhje të tille, zor se mund të gjendet.  KQZ do të vendoset në kushtet  kur do t`i duhet të interpretojë ligjin për të justifikuar vendimin që do të marrë. Por për këtë, mendoj se do t`i duhet të marrë vendim me shumicë të cilësuar, që nuk e ka. Çështja do të duhet të kalojë për shqyrtim dhe vendim në Kolegjin Zgjedhor. Duket rrugë e gjatë, ndofta edhe e komplikuar. Kështu ndodh dhe këto janë pasoja të mosveprimit të shtetit ligjor.

Kryebashkiakja aktuale, në Shkodër a duhet të jetë në detyrë?

– Znj. Ademi, kryetarja aktuale e bashkisë Shkodër, duhet të vazhdojë të kryejë detyrën ashtu si e përcakton ligji për vetëqeverisjen vendore. Ndërkohë, Keshilli i ri bashkiak mund të kërkojë të konstituohet dhe këtë procedurë mund ta kryejë.

– Po nëse Pjetri nuk dorëhiqet dhe kërkon të marrë detyrën si kryebasjkiak, derisa nuk ka vendim nga Prokuroria, çfarë bëhet?

– Nëse provohet se Pjetrit do të jetë në kushtet kur për të do të veprojë ligji për dekriminalizimin dhe, ndërkohë ai e ka filluar ushtrimin e mandatit të Kryetarit të bashkisë, KQZ-ja duhet të marrë vendim për pavlefshmërinë e  mandati i tij dhe t`i jap mandatin e kryetarit të bashkisë, kandidatit pasardhës. Për këtë vendim të tij KQZ-ja duhet të njoftojë Kryeministrin. Në rastin që po trajtojmë ku  Pjeter ka qenë kandidat i vetëm, KQZ-ja vetëm njofton Kryeministrin për pavlefshmërinë e mandatit.  Kryeministri duhet të njoftojë Presidentin e Republikës për vakancen e krijuar. Është Presidenti që pas kësaj duhet të shpall, datën e zgjedhjeve në përputhje me dispozitat e Kodit zgjedhor. Deri në zgjedhjet për Kryetar të bashkisë, në këtë rast, detyra e kryetarit i ngarkohet ta kryejë një ndër n/kryetarët që e zgjedh Këshilli bashkiak.

– Po dekreti i Presidentit të Republiës për zgjedhjet vendore të 13 tetorit, a është për datën e zgjedhjeve të kryebashkiakut të Shkodrës, apo cakton datë tjetër?

– Ndërkohë duke qenë se Presidenti ka dekretuar datën 13 tetor si datë për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, për të nuk ka kryetar të zgjedhur në votimet e 30 qershorit dhe as nuk ka kryetar të shkarkuar. Për rrjedhojë, Presidenti nuk ka për ta marrë në konsideratë rastin, por do të përsërit thirrjen për zhvillimin e zgjedhjeve në 13 tetor. Por që të bëhen zgjedhje në këtë datë duhet që paraprakisht dekreti i Presidentit të botohet në Fletoren zyrtare. Ndërkohë ky botim prodhon pasoja edhe për zgjedhjet  e bëra në 30 qershor në bashkitë e tjera! Si shihet, situata komplikohet. Në se Kryeministri i drejtohet Presidentit me kërkesën për caktimin e datës për zgjedhje në Shkodër pas datës 13 tetor, mazhoranca do të këmbëngul në kërkesën e saj, duke theksuar edhe se, pretendimi i Presidentit për zgjedhje në 13 tetor është i tejkaluar. Se çfarë situatë mund të prodhohet në këtë rast nuk është e vështirë për t’u parashikuar. Ashtu sikurse e gjithë kjo mund të mos zhvillohet e tillë por, mazhoranca i kërkon  KQZ e Kolegjit Zgjedhor të vendosin jo veëm për pavlefshmëri të mandatit të Pjetri por edhe të caktojnë datën për zgjedhjet e reja në bashkinë Shkodër. Një zgjidhje e tillë anashkalon mundësinë e krizës  dhe përplasjen me Presidentin por,  kjo zgjidhje thellon mosfunksionimin e shtetit ligjor dhe te demokracise funksionale.  Nga sa përmenda më sipër ajo që është shumë më tepër e rëndësishme se sa fati i  Pjetri ose i kryetarit të bashkisë Shkodër është e lidhur me faktin se problematika me të cilën është duke u përballur dhe ajo me të cilën mund të përballet vendi dhe shoqëria e jonë, është shumë më e rëndësishme dhe me më shumë pasoja negative se sa mandati i një kryetari bashkie. Ne aktualisht jemi në prag të marrjes së detyrës për kryesimin të OSBE-së. Objektivi i ynë aktual është  hapja e negociatave për antarësim në BE. Këto realisht mund të arrihen dhe të funksionojnë vetëm nëse të gjithë bashkë, në veçanti partitë politike, biem dakort dhe punojmë  për të realizuar një reformë të thellë legjislative që do të bëjë të mundur funksionimin real të demokracisë dhe shtetit ligjor në vendin tonë.

– Faleminderit, Prof. Kume!