Varfëria shqiptare, “alarm” për 1000 “kazanë”… supe!

    379
    Sigal

    Dje, një zyrtar i Ministrisë së Punës e Çështjeve Sociale, më bëri të njohur një fakt tronditës, lidhur me nivelin e jetesës dhe “fuqinë” ekonomike të mbijetesës së shqiptarëve, sot në vitin 2014. Ja fakti: Sipas evidentimit në terren të nivelit të varfërisë, aktualisht 25 % e shqiptarëve (282 mijë familje), nuk arrijnë dot të sigurojnë ushqimin ditor minimal për mbijetesë biologjike, 30 % jetojnë në nivelin e varfërisë zyrtare, 20 % jetojnë nën nivelin e varfërisë ekstreme zyrtare (ndihma ekonomike), 15 % e familjeve jetojnë në normalitet dhe vetëm 5 % e tyre jetojnë në luks, 5 për qindësh ky, që zotëron 95 % të pasurive kombëtare shqiptare, ku bëjnë pjesë ish-politikanë e qeveritarë dhe politikanë e qeveritarë aktualë, që kanë komanduar e shfrytëzuar barbarisht këtë vend në 22 vitet e tranzicionit, të krijuar e mbajtur peng qëllimisht po prej tyre. Edhe pse prej 22 vjetësh, “bejlerët” e politikës e të pushteteve shqiptare, vazhdojnë e bëjnë konferenca dhe “ballo” social-politike e qeveritare, varfëria masive në familjet shqiptare nuk është minimizuar as në nivel jetese, as numër familjesh që duhet të dalin nga skema e varfërisë, përkundrazi është rritur. Kjo plagë e rëndë sociale, po vazhdon të shtohet e të thellohet. Ish-qeveria “Berisha”, deklaronte se “shqiptarët jetojnë me mirëqenie në nivelet e popujve të vendeve të BE-së”. Qeveria “Rama”, prej 1 viti pushtet, po deklaron se “shqiptarët shumë shpejt, do arrijnë të jetojnë në nivelet e mirëqenies së popujve të vendeve të BE-së”. Realisht, shqiptarët jetojnë më keq se në vendet e Botës së Tretë, ku ushqehen aq pak e aq keq, sa racioni i bukës u jepet me “thërrime” dhe supa e uji u jepet me “shiringë”.

     Varfëria shqiptare, shkak i krizave familjare dhe krimeve sociale

     Ka një realitet, pranuar edhe nga shteti shqiptar, që 40 % e krimeve dhe krizave që ndodhin e shfaqen në familjet apo shtetasit shqiptarë, kanë si shkak varfërinë ekonomike ekstreme. Në konferencat e institucioneve ligjzbatuese, të pushtetit qendror e vendor dhe të OJF-ve, pranohet se në 90 % të rasteve, krimet ekonomike dhe problematikat që krijohen në familjet shqiptare, kanë si start dhe finish vetëm varfërinë. Fakti është që burgjet janë të mbushur me vjedhës, kryesisht të moshave 17-25 vjeçare, me motiv nxitjen prej varfërisë. Gjykatat kanë super volum nga divorcet prej varfërisë. Varrezat janë mbushur me të vetëvrarë po prej varfërisë. Po rritet numri i konflikteve familjare prej varfërisë e papunësisë, deri me vrasje djalë-baba, baba-djalë, vëlla-motër, burrë-grua. Qendrat sociale shtetërore, fetare, humane dhe trotuaret po mbushen me fëmijë të braktisur, nga prindër që nuk i ushqejnë dot dhe nga foshnja që shfrytëzohen për lypje. Në shërbimin social shtetëror, çdo ditë vërshojnë afro 100 kërkesa për strehim jetimësh të varfër, pleqsh në varfëri e të braktisur, invalidë që nuk përballojnë dot shërbimet me pagesat që marrin. Sheshet e qyteteve, janë të tejmbushur nga të papunët. Në dyert e bashkive të qyteteve ka dyndje individësh e familjesh që lypin punë, bukë e 1 thes miell. Por asnjë prej institucioneve shtetërore, nuk po i jep dot zgjidhje kësaj varfërie ekstreme që ka pllakosur shqiptarët, të varfrit që shteti u jep vetëm 60 lekë të reja në ditë pagesë ekonomike për të… jetuar!

    Pushteti lokal, “alarm” qeverisë: Duhen 1000 “kazanë”… supe!

     Në pamundësi për të gjetur punë dhe burime ushqimi sa për të mbajtur frymën gjallë, me “burime të thara” mbijetese nga familjarët emigrantë, shqiptarët që përjetojnë varfërinë ekstreme deri tek buka e gojës, kanë menduar si shpresë të vetme shpëtimi prej varfërisë, vetëm kërkesat e bëra në pushtetin lokal, pra, në bashki, komuna, prefekturë e këshilla qarqesh, për sigurim ushqimi. Pushteti lokal nuk ka asnjë mundësi të mbajë me bukë popullatën. Nga ana e tyre, “ushtritë” e të varfërve të uritur nëpër qytete kanë nisur të kërkojnë hapje mensash supe, ose ngritje “kazanësh supe”, për t’u ushqyer. Këto kërkesa, drejtuesit e pushtetit lokal, ia kanë përcjellë qeverisë dhe ministrisë së Punës e Çështjeve Sociale. Sipas informacionit, shtrohet emergjenca për ngritjen e 1000 mensave supe në krejt vendin, sidomos në 34 qytete e zona kryesore të vendit, ku ka popullsi më të madhe e më të varfër ekonomikisht, pa burime mbijetese. Ky është një realitet alarmant e i turpshëm për Shqipërinë e vitit 2014, por ja që kjo “zgjidhje” duhet bërë, ashtu siç po bëhet në krejt vendet e pazhvilluara, madje edhe në shumë vende të BE-së e rajonit, madje edhe në disa zona e qytete të Shqipërisë, ku fondacione bamirëse prej vitesh kanë hapur mensa emergjence varfërie, ku njerëzit në nevojë jetike, ushqehen me 1 pjatë supë dhe një risk bukë në ditë. Kjo emergjencë për “kazanë supe” në qendrat e banuar me papunësi e varfëri ekstreme është shtruar si nevojë edhe katër vite më parë. Por, nuk është konkretizuar, mbasi shteti shqiptar nuk ushqen dot me “supë” as 1000 jetimet dhe pleqtë e azileve, që ka nën kujdestari, aktualisht. Katër vite më parë, ishin 200 familje në qytetin e Beratit që iu drejtuan bashkisë për të ngritur “kazanin e supës”. Bashkia nuk mundi ta hapte këtë “mensë supe”, për paaftësi financiare mbasi për “një lugë ujë me oriz” rezultonin të ishin katandisur afro 900 familje në qytet dhe afro 2000 familje në gjithë qarkun e Beratit.

     Duhen “mensa supe”, 60 qendrat bamirëse nuk e përballojnë dot varfërinë faktike

     Nëse për shembull, në Tiranë, Bulqizë, Fier, Vlorë, Shkodër, Mirditë, Dibër, Kuçovë, Librazhd, Ballsh, Korçë, Elbasan, Durrës, Kukës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnjë, Berat etj., do të hapen “mensa supe”, nuk ka asnjë “turp” që drejt tyre të vërshojnë qindra mijëra familje e individë me tasa e gaveta në duar, për t’u ushqyer prej urisë që i ka pllakosur, apo për të ngrënë atje një vakt ushqim falas. Pak ditë më parë ky realitet ndodhi në Lezhë, ku njerëzit u dyndën e u “vranë” përpara bashkisë së qytetit, kur një fondacion shpërndau nga 1 kg miell, oriz, makarona e vaj. Deri këtu, ka shkuar ekstremi i varfërisë. Në disa zona të ndryshme të vendit, janë ngritur afro 60 qendra bamirësie ushqimi, strehimi, shkollimi e veshjeje, por këto nuk e përballojnë dot fluksin e madh të atyre që kanë nevojë për mbijetesë ekonomike. Në Durrës, për shembull, 7 vite më parë u hap një mensë e tillë supe, që funksiononte me 1 vakt në ditë, me 1 copë bukë e me 1 pjatë supë për 150 persona të moshuar. Por u mbyll, sepse numri i supë-kërkuesve u shtua shumë, ndërsa fuqia e donacionit ra. Në Tiranë, përballë stadiumit “Dinamo”, një djalë i ri bamirës, ka hapur një mensë supe modeste për pak persona. Në Bathore, dy vëllezër kanë hapur një furrë buke, në të cilën shpërndajnë nga 1 e 2 bukë falas për të varfrit. Në periferi të Tiranës është hapur një qendër azil pleqsh, në të cilën shërbehet falas me ushqim e veshje për rastet më emergjente. Po kështu mensa e qendra bamirëse ditore e të përhershme janë ngritur nga komunitetet fetare, organizata e individë bamirës në Lezhë, Shkodër, Pukë, Mirditë, Gjirokastër, Korçë, Lushnjë, Tepelenë, Vlorë, Fier, Berat, Tiranë etj., por këto qendra përballojnë shumë pak të varfër. Por në realitet janë shumë dhe kjo shumicë që të mbush barkun me bukë, kërkon ose punë, ose “kazanë supe”, siç ka dhënë “alarmin” pushteti lokal. Në shkallë vendi, janë afro 50 mijë fëmijë të punësuar, ndërkohë që vetëm në Tiranë përdoren afro 500 foshnje 1-3 vjeç për të lypur në trotuare. Shteti, trajton me mbështetje sociale vetëm 110 fëmijë të braktisur dhe 320 jetimë. Pjesa tjetër janë kontigjent i lypjes dhe i kërkesës për “kazanët e supës”, të cilët urgjentisht duhet të… “vihen në zjarr”!

     Përparim HALILI