KLSH zbulon një mal me akuza për ish-drejtorin e Ujësjellësit dhe ZRPP

672
Sigal

Nga abuzimi i tenderave të prokurimeve të drejtpërdrejta, përfitues janë ish-pushtetarë të qeverisjes së kaluar

Prokuroria e Durrësit pas një hetimi intensiv lidhur me shkeljet dhe abuzimet e ish-drejtorit të Ujësjellësit , do ta hetojë atë edhe për shkeljet dhe abuzimet në ZRPP, në periudhën kur ai ishte atje regjistrues. Burime nga organi hetimor i thanë gazetës “Telegraf” se, “pas Eduart Ndreut, në Prokurori, ka dosjen e tij penale voluminoze edhe ish-drejtori Ujësjellësit dhe ZRPP, Doklead Ademi, ndërkohë që, ka nisur hetimi jo vetëm për shkeljet dhe abuzimet financiare, por edhe për shkelje ligjore në tendera apo edhe abuzime me regjistrimin e trojeve dhe pronave”. Vazhdimisht “Telegraf” ka denoncuar me fakte atë që ka ndodhur me shkeljet në Ujësjellësin e Durrësit dhe së fundit edhe për ato të bëra përgjatë 8 viteve në ZRPP. Kontrolli i Lartë i Shtetit me shkresë numër 526/15, datë 15 shtator 2014 ka bërë të ditur se masa disiplinore “largim nga detyra” për ish-drejtorin Doklead Ademi konsiderohet e ezauruar, sepse personi në fjalë ka ndërprerë marrëdhëniet e punës me institucionin e Ujësjellësit të Durrësit”. Më konkretisht KLSH sqaron në shkresën e saj, se, “janë dhënë konkluzionet e auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe në të veçohen abuzimet dhe shkeljet ligjore”. Inspektorë nga KLSH kanë konstatuar se ish –drejtori ka abuzuar me tenderat e prokurimeve të drejtpërdrejta dhe se përfitues të tenderave janë ish-pushtetarë të qeverisjes së kaluar, emrat e të cilëve gjenden në dosjen hetimore. Klientelizmi dhe abuzimi me fondeve nga buxheti shtetit dhe donatorët e huaj ka shtyrë Prokurorinë të tregohet e vendosur në hetimet ndaj ish-drejtorit, Doklead Ademi. Në raportin e KLSH thuhet se, “kontaktori “SIAC” shpk, ka përfituar padrejtësisht 4.6 milionë lekë për punime të certifikuara, por të parealizuara dhe Ademi ka firmosur edhe pagesën e shumës prej 3.4 milion lekë për EDICOM, shumën në vlerën 556 mijë lekë për “STE-LA 2000″, vlerën 493 milion lekë për kontraktorin “Elira” dhe 629 mijë lekë për CAUSHI”. Kolapsi i thellë financiar ku gjendet sot Ujësjellësi sipas raportit të KLSH, “është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e ish-drejtorit Doklead Ademi, pasi ai jo vetëm që nuk ka bërë asnjë hap për të pakësuar borxhin e madh, por e ka zhytur edhe më tej bilancin duke e bërë shqetësim qeveritar gjendjen financiare të kësaj shoqërie”. Pjesa më e madhe e shoqërive të Ujësjellës-Kanalizimeve kaluan në varësi të Bashkive e Komunave sapo doli VKM, ndërsa Durrësi ishte një nga dy shoqëritë që e refuzuan. Shkak ishte deficiti dhe borxhi i madh financiar thellë. Raporti KLSH sqaron se, “përveç Doklead Ademit janë akuzuar për shkelje të rënda edhe zyrtarë të tjerë të administratës, kurse shpërblimi për Këshillin Mbikëqyrës, punësimi pa organikë të miratuar dhe pa fonde në Ujësjellës, penalizimi i ndërmarrjes me 1.9 milion lekë për largime të padrejta nga puna, humbjet në rrjet përkundrejt faturimit, janë të tjera konstatime të KLSH. Investimet e parashikuara për vitin 2013 janë realizuar vetëm në masën 74.4 për qind, kurse vëllimi i ujit të prodhuar në sistem një vit më parë ka qenë 27.351 milion metër/ kub. Nga kjo janë faturuar 7.828 milionë metër/kub ujë, ose 29 për qind, ndërkohë që pjesa tjetër përbën humbjen teknike. Gjithashtu vetëm për vitin 2012 dhe 2013, kjo shoqëri detyrohet të paguajë me vendim të prerë të gjykatës, 561 milion lekë për vitin 2012, dhe 569 milion lekë për vitin 2013. Akuzat e KLSH ngrihen edhe për investimet, pasi sistemi furnizimit më ujë të pijshëm në Durrës është akoma kaotik, kurse specialistë kanë bërë të qartë se investimet e realizuara nuk janë kryer për qëllime strategjike. Gjithashtu paralelisht me akuzat ndaj abuzimeve dhe shkelet ligjore në Ujësjellës, ish-drejtori do të përgjigjet edhe për periudhën që ka drejtuar ZRPP e Durrësit, pas ankesave dhe denoncimeve nga qytetarë dhe subjekte private. Por hetimet nuk do të përfundojnë këtu pasi ato do të shtrihen edhe në veprimtarinë e tanishme të ZRPP-së së Durrësit, ku burime konfidenciale bëjnë me dije se janë lëshuar certifikata pronësie me dokumente të falsifikuara. Një tjetër pistë ku krimi ekonomik po heton është edhe shpenzimi i fondeve të festivalit të fundit dhe shpenzimet e jetës artistike dhe kulturore e qytetit të bregdetar.