Prof. Dr. Myslim Pashaj:“Berisha nuk mund ta lexojë dot votën e popullit”

    60

    Prof. Dr. Myslim Pashaj, në intervistën për “Telegraf” jep një këndvështrim origjinal mbi lamtumirën politike të Sali Berishës. Zoti Pashaj, thotë se Berisha nuk iku, por u mundua të japë një shenjtërim të sundimit të tij.

    – Zoti Pashaj, Berisha në fundin e karrierës së tij politike, a u foli shqiptarëve me zemër të hapur?

     – Unë mendoj se pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk dëshironte të dëgjonte fjalime, sepse është mërzitur me ligjërimin e tij, por Berisha, edhe me ngjirjen e fundit, që rrëfeu një lloj fundi,  por …që nuk ishte fundi i vërtetë. Shqiptarët kësaj radhe kërkonin: “mbyllje goje” për politikën dhe klasën e saj të ndotur për Sundimtarin që mbolli urrejtje.

     – Ju keni qenë kritik i politikës së tij. Çfarë u bëri përshtypje te pranimi i fajit nga Berisha  për humbjen?

     –  U mundua të mashtronte sërish. Edhe pse pësoi disfatë, ai nuk dëshiron të ndryshojë, të ishte ndryshe. Po ai  “nuk dëgjon nga ai vesh e nuk sheh nga ai sy…?  “Vota e Sovarnit”  për herë të parë dha një kumt madhështor të demokracisë: “Largoni urrejtjen dhe ndasinë” , “Mos lakmoni pushtetin e sundimit…”.  Sali Berisha ndodhej sërish në fushatë, ishte po e njëjta linjë, ishte po e njëjti ndriçim që ai u bënte veprave të tij dhe nuk përmendi fare se çfarë mesazhi i përcolli atij  vota e popullit. Ashtu siç është mësuar gjithherë,  hodhi një mbulesë prej “Mesie” . Kjo ishte dhe kryefjala e gënjeshtrës së tij.

    A nuk pati një tendencë për një farë “shenjtërimi” të Berishës, pas dorëheqjen së tij?

     – Edhe në “dorëheqjen” ( kështu po quajmë të gjithë dhe po kështu e komentojmë se nuk ishte dorëheqje ) sado që ai i rrëshqiti, e bëri pirueta  ose u mundua, por nuk ia arriti dot, asaj që ai e ka pasur gjithherë në mendje të tij “shenjtërimin” që ia rrok formati i mendësisë së tij. Shqiptarët e kanë tanimë të dokumentuar hapat që ka hedhur dhe po kështu ndërtimin e një doktrine bajraktariste, që ka zënë rrënjë tek ai vetë.  Pas rënies së Paktit famëkeq të Detit me Greqinë, ai shpërfaqi dy herë radhazi, pikërisht në Dhërmi,  një garë noti me vetveten ( Si Mao në Lumin Jatze ), pikërisht në atë Det që ai e kish shitur, duke i rrëfyer shqiptarëve dhe fqinjëve të tij se ai qëndronte në garë me rekorde të reja që shënoheshin nga një Komision e regjisurë fisnore për shëndetin dhe pathyeshmërinë e tij, dhe që nuk i zbriste me kollaj, as Detit, që ai kishte shitur.  Fill pas vrasjeve të 21 Janarit, në një ditë të marsit, kur ende kish dëborë në majën e Dajtit, ai u shfaq atje me mbesën e tij, jo vetëm për të treguar se kish mbërritur në majë, por dhe për t’u thënë shqiptarëve se prej drejtimit të dorës së ndehur në ajër, duke shënjuar  Rrugën e Arbërit, gati për t’u barabitur me Zotërit e Arbërit të dikurshëm. E gjithë kjo fushatë marramendësi nuk ish për askërkënd tjetër, veçse për ta çuar një “shenjtërim” Sali Berishën, i cili me ngjirjen e zërit të tij po e çonte dalëngadalë vetveten në Panteonin e të paarritshmes dhe përjetësisë së tij, anakronike. Dhe ja, në fjalimin dorëheqës pamë lot, duar të nderura, puthje, marrje erë nga fryma e tij, prekja e kostumit, e pluhurit, si në vendet ku ende janë të paeksploruar fise indiane në Amerikën e Jugut.

    –  Dhe si përfundoi e tërë kjo histori ?

    –  Lutem, kjo histori nuk ka përfunduar. Ai iku dhe nuk iku,  njëkohshëm. Ai u ngrit në krahë, u përcoll për të ardhur prapë, se kështu e ka nginjur bashkësinë e prapambetur. Se siç e thamë është një tufë e tërë studiuesish, mjekësh, filozofësh pa filozofi, në atrofizim e sipër, oligarkë të rinj të pangopur, që i vijnë e i puthin këmbët, zëdhënësit, drejtues emisionesh që ngazëllehen. Kjo histori nuk ka përfunduar dhe ju do të shikoni groteskun që vjen pas. Ai do të shfaqet sërish në Parlament, si Don Kishoti i Mançës dhe në opozitë. Ja se si turpërohemi ne shqiptarët.

     Çfarë nuk u përmend në fjalimin e lamtumirës nga Berisha?

    -Ai tha thelbin e tij, thelbin Frojdist të makthit të tij. Pjesa tjetër është e parrëfyer. Po për këtë nuk kanë nevojë shqiptarët. Nuk kish se si të rrëfente pse vallë ndërtoi Parkun e vdekjes dhe Hiroshimën e barutit në Gërdec. Nuk mund ta thosha dot se si u ngazëllye teksa firmosi një Pakt të shitjes së Hapësirave detare, dhe Myslim Pashën, një kolonel të Forcave Armatosura Shqiptare e quajti “sharlatan”. Ai nuk mund të fliste për vjedhjen e madhe ne rrugën e kombit, për vrasjet e 21 janarit, për kapjen e gjithë pushteteve, për pronën që s’shkoi kurrë tek i Zoti, për pronat e familjes së tij, për përmbytjet e Shkodrës, për mungesën e Ideologjisë Kombëtare e shumë të tjera.

    –  Pse nuk e shpjegoi në asnjë rresht sundimtari votën e ndryshimit që e rrëzoi?

     – Nuk ishte kjo axhendë e tij. Se ai ka rendin e tij të ditës. Votimet e kanë trazuar, sepse ai kësaj here nuk mundi dot “të trazonte” prandaj fjalimi do të dilte i dështuar sepse nuk ishte ngjizur me trazimet e vjedhjes së votës  dhe mendësisë që ajo krijonte. Fryma që ishte mbjellë qe tragjike. Ai nuk mund të dilte nga Kulla e tij atavike në këtë fjalim, ku lëshoi edhe lot. Në këtë  fjalim ai nuk tha asnjë fjalë për votën e Sovranit, as për votuesin, sepse votuesin e ai e quan Askushi – Turma dhe ai, Sundimtari, me pelerinë demokratike.

     – Ju i patë njerëz që qanin  e ata ishin të moshave të ndryshme.

     – Këto janë pjesë të Askushit (Turmës),  të cilat janë mëkuar me shpirtin e Sundimit dhe ato shkojnë nga fryn era e Sundimtarit, të cilin ato e quajnë të shenjtë. Nuk ka më turp se kaq. Kjo ishte shfaqja më tragjikomike. Nuk kish gjë më të shëmtuar në atë pasdite të Sundimtarit, i cili luajti edhe rolin, po kaq qesharak, të njeriut të ngashëryer, që po i vinte rasti të largohej, dhe iu dhimbeshin aq shumë ata që rrinin jashtë , ata që shihte si pjesë të tij  në “trushpëlarjen” e tyre. Ky  është edhe një test tjetër se kjo dorëheqje  nuk na solli një normë demokratike të  natyrshme të qarkullimit të Qeverisjes sipas standardeve, por ajo na solli formate të tejshkuara  Viçidoliane, edhe pse njeriu që e mbart këtë është një mjek i shquar, një njeri po kaq i kënduar dhe i bredhur në botë. Mirëpo s’ka të thotë gjë, se Ai brenda tij ka një “Berishë tjetër”, “ një Berishë Frojdian” ,që e komandon. Shkalafitja e votimeve e ktheu atë në një shkëmb të rrëzuar. Ai donte që të gjithë të thoshin se ai shkëmb u rrëzua nga Eposi i tij i fëmijërisë, dhe tani ata që qanin, dhe të tjerë analistë,  filozofë, mjekë që i rrinë tek koka, sociologë, poetë, duhet që ta ngrenë këtë shkëmb e ta çojnë sërish në vendin, ku është shkëputur. Me fatin e Sizifit, me atë shkëmb në krahë, ai do të luftojë nesër në Parlament, përsëri me urrejtjen e konfliktin e tij, me kokëngjeshjen. Prandaj ai nuk mund të lexojë dot votën e popullit të tij.

      Vota e 23 Qershorit, graviteti i Kombëtarizimit

    – Populli, me votën e vet, donte t’i jepte fund Berishës, apo “Berishizmit”?

     – Fytyrat e shqiptarëve në vetminë e tyre të secilit dhe të bashkësisë, pas votimit, prisnin indiferente dhe të çelura paksa. Ata kishin marrë një vendim tjetër, të paparashikuar nga e tërë skota e analistëve të të gjithë llojeve.  Pse vallë? Ne ende jemi në tranzicion dhe mos u çudisni për këtë, derisa ne kemi shpresë për një Republikë të Re. Se Republika e Sundimit ishte Sundimi i Republikës së Zhgënjimit. Tani gjithçka tjetër duhet të bëhet nga Lidershipi i ndryshuar në filozofinë e ndryshimit, Moskuptimi është shumë kompleks, dhe një farë magjepsejeje, mbetet ende e pashpjegueshme, çka vjen prej mbrapshtisë të së ashtuquajturave “Zgjedhje”,  që mallkimi i ka çuar në “Moszgjedhje”. Si mund t’u thuash ardhjeve të numrave votimorë, që sollën votimin absurd të “1992” , “97-ta”, “Kalimi i Ilir Metës me Berishën”, “Ardhja e Ilir Metës me Ramën…”, “ Ikja e numrave irracionalë të Kaçit të Zi dhe Co”, “Votimi i Komunistëve për Lulzim Bashën”, “shpërndarje e thasëve me miell dhe racioneve të fasuleve …” Ja, prej këtyre ngjarjeve, shqiptarëve u kishte ardhur në majë të hundës dhe nuk pyetën për asnjë Parti, por hodhën votën kundër Sundimit.   Ky tipar i historisë së demokracisë shqiptare, mesa duket në vitin 2013, pas kaq shumë betejash të sjelljes me votën e fshehtë,  u doli ekuacioni që u zgjidh dhe u paraqit kurba e duhur, po që s’pati asnjë matematikan politik që ta kuptonte. Ishte graviteti i Kombëtarizmit.  Ajo ishte pjesë e forcës, energjisë dhe pjekurisë, karrikimit të bërë deri në ditë të sotme, para këtij fjalimi jargavitës së Sundimtarit.

    – Faleminderit!