Kryemadhi: A ka njeri që të tregojë se sa para nga taksat e shqiptarëve harxhohen për të blerë media

164
Sigal

KRYETARJA E LSI, MONIKA KRYEMADHI TAKIM ME GRATË E NJËSISË NR. 5 NË TIRANË

Parkimi në Tiranë për shembull, a ka njeri që të bëjë transparencë dhe të tregojë se ku shkojnë këto para që ne paguajmë për parkimin, që paguhet edhe brenda lagjeve nga qytetarët e Tiranës. Asnjëri nuk ka asnjë lloj transparence. A ka njeri që të bëjë transparencë dhe të tregojë se sa para nga taksat e shqiptarëve harxhohen për të blerë media, për të blerë kohë televizive apo sponsor në Facebook-un apo në rrjetet sociale të kryetarit të Bashkisë? Asnjëri nuk thotë të vërtetën.
Ne paguajmë sot faturën më të lartë të ujit në rajon. A kanë ujë shqiptarët sot 24 orë? Përkundrazi, nuk kanë fare. E pra ka ardhur kohë që këtë paketë që ka mashtruar shqiptarët, këtë paketë e cila ka qenë fiktive ta ndëshkojmë me votë më 25 prill.
T’ia japim votën asaj force politike, e cila i qëndron pranë njerëzve, bën për ta, e mban fjalën dhe iu përgjigjet atyre, aq më tepër të rinjve dhe të rejave. Dhe ne kërkojmë forcën dhe angazhimin e të gjitha grave që të shkojmë dhe të votojmë më 25 prill, të votojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë, të fëmijëve të shqiptarëve, të votojmë për të ardhmen e vendit tonë. Vend më të bukur se ky nuk ka.
Unë e di se Gjermania dhe Skandinavia hyjnë në vendet më të mira sot përsa i përket standardit të jetesës, por kohën si ne nuk e ka asnjë prej tyre. Hajde ta bëjmë Shqipërinë Zvicër, se është Zvicra pa det dhe ka vetëm një qeveri që e drejton mirë. Hajde ta bëjmë Shqipërinë Danimarkë, që ka klimë shumë të ftohtë dhe nuk prodhon dot një gjethe sallatë, dhe mjafton të shkosh në zonat e Shqipërisë dhe të shikosh që prodhohen sallata pa fund, të cilat kanë çmime të jashtëzakonshme, por që shteti nuk u garanton shitjen.
Le të jetojmë në Shqipëri dhe ta kthejmë ashtu siç ka qenë, në një vend me begati të jashtëzakonshme përsa i përket bujqësisë, agro-përpunimit, turizmit, të cilat nuk mund ta kesh po nuk pate drita, po nuk pate ujë, po nuk pate rrugë. Ju e patë se si u shemb rruga e atij oligarkut që e puthi në ballë, ai që ka marrë paratë pa fund dhe sot ku është? Sot i shemben rrugët dhe në rrugët që shemben, do të shembet edhe vetë Edi Rama me kështjellën e tij të Rilindjes.
Ndaj angazhimi juaj do të jetë një fitore e madhe për ne. Sepse vota e një gruaje dhe e një burri janë të barabarta në kutinë e votimit, por fuqia dhe forca e një gruaje me votën e saj është shumë më e madhe.