Nisin negociatat për njohjen e pensioneve për rreth 20 mijë emigrantë. Ja përfitimet

    346
    Sigal

    Gjermani/ Takimi i ministrit Veliaj me homologen gjermane znj. Nahles

    Pas marrëveshjes me Belgjikën që hapi siparin e nënshkrimit të marrëveshjeve me vendet anëtare të Bashkimit Evropian për njohjen e pensioneve të emigrantëve shqiptarë me një vend të BE-së dhe nisjes së negociatave me Italinë, një tjetër proces negocimi duket se po nis edhe me Gjermaninë. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, nisi dje nga Berlini vizitën zyrtare dy ditore në Gjermani, gjatë së cilës u takua me homologen e tij, Ministren e Punës dhe Çështjeve Sociale, znj. Andrea Nahles. Biseda mes dy ministrave u fokusua tek njohja e pensioneve të emigrantëve shqiptarë në Gjermani, nënshkrimi i një marrëveshjeje të re në fushën e punësimit, si dhe shkëmbimi i eksperiencës dhe ndihmës teknike gjermane në fushën e arsimit profesional, punësimit dhe shërbimeve sociale.

    Negocimi

    Ministri Veliaj vuri në dukje se nënshkrimi i marrëveshjeve me vendet anëtare të Bashkimit Evropian për njohjen e pensioneve të emigrantëve shqiptarë është një nga përparësitë e MMSR-së dhe i kërkoi znj. Nahles hapjen e procesit të negocimit të një marrëveshjeje të tillë edhe me Gjermaninë. Nga ana e saj, ministrja Nahles mirëpriti kërkesën e ministrit Veliaj dhe shprehu mbështetjen e saj maksimale për ngritjen e një grupi pune në nivel teknik për njohjen e pensioneve të emigrantëve shqiptarë dhe anasjelltas. Ajo shtoi se është një mbështetëse e fortë për eksplorimin e të gjitha fushave të bashkëpunimit me vendet aplikante në Bashkimin Evropian, duke theksuar punësimin në fushën e infermierisë dhe ndihmën që mund të japë Gjermania për zhvillimin e arsimit profesional në Shqipëri. “Sapo nisëm procesin e negociatave për njohjen e pensioneve të emigrantëve shqiptarë në Gjermani. Jam i lumtur për këtë hap të rëndësishëm që hodhëm sot, nga i cili do të përfitojnë rreth 20 mijë shqiptarë”, tha z. Veliaj pas takimit me homologen gjermane. Sipas tij, me Gjermaninë po negociohet edhe mbi punësimin e shqiptarëve në fushën e infermierisë dhe shërbimet sociale. Sigurimi i mbrojtjes shoqërore për emigrantët shqiptarë dhe transferimi i kontributeve të tyre të fituara në Shqipëri dhe anasjelltas përbën prioritet për qeverinë shqiptare.

    Arsimi profesional

    Në ditën e dytë të vizitës së tij, z. Veliaj do të nënshkruajë në Hamburg një marrëveshje në fushën e arsimit profesional, duke qenë se Shqipëria është publikisht e angazhuar në ndjekjen e modelit gjerman në këtë fushë dhe qeveria shqiptare e vlerëson si të rëndësishme ngritjen e këtij bashkëpunimi në nivelet e një partneriteti strategjik.

    Çfarë përfitojnë emigrantët nga kjo marrëveshje

    Mungesa e një marrëveshje bilaterale ndërmjet dy vendeve, bën që si Gjermania ashtu dhe Shqipëria, të zbatojnë legjislacionin respektiv në fushën e sigurimeve shoqërore, bazuar në kontributet e derdhura në secilin vend. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, do të krijohet mundësia për bashkimin e periudhave kontributive dhe për t’u përfshirë në kushte pensioni. Kjo më shumë emigrantëve shqiptarë në Gjermani u intereson që të mos humbasin vitet e punës në Shqipëri, meqë këtu duhen minimalisht 15 vite pune të siguruar për të hyrë në kushte pensioni (të pjesshëm). Ndërsa Gjermania, ndryshe nga ne, nuk ka të përcaktuar në legjislacion një limit kohor për vjetërsi kontributeve për t’u përfshirë në kushtet e pensionit. Në Gjermani kur mbush moshën për pension dhe nëse nuk ke më dëshirë të kontribuosh, por dëshiron të përfitosh, masa e pensionit të llogaritet mbi bazën e kontributeve që ke derdhur, për aq kohë sa ke qenë i siguruar. Pra, emigrantët që jetojnë e punojnë në Gjermani, kur të nënshkruhet kjo marrëveshje do të përfitojnë pension nga kontributet e derdhura në secilin vend, (boll që të plotësojnë 15 vjet punë të siguruar (në të dy vendet) sipas legjislacionit shqiptar).