Ja kompanitë që “ndjellin” vdekjen me reklamat e tyre

    431
    Sigal

    Drejtësi/ Qytetarët e aksidentuar t’i drejtohen gjykatës për dëmshpërblim

    “Tabelat reklamuese” buzë rrugëve kryesore, shpesh janë burime aksidentesh, me pasojë vdekjen. Ky është skandali që na servirin kompanitë private, të cilat përfitojnë reklamimin e bizneseve të tyre, në këmbim të jetës së qytetarëve shqiptar. Vënia e reklamave nga ana e tyre vend e pa vend, bëhen, shpesh, burime aksidentesh. Në fakt, ndërmarrja e aksionit nga ana e Inspektorati i Ndërtimit me urdhër të Ministrisë së Brendshme, në tetor të 2013-s, përgjatë rrugës dytësore Tiranë-Durrës, duke prishur shumicën e tabelave reklamuese në këtë aks rrugor, me një largësi prej 20 metrash nga rruga, nuk ndryshoi asgjë. Ato sërish janë aty (ndoshta më shumë se më parë), burim i sigurt aksidentesh. Është ky realitet që ka risjellë në vëmendjen e mbarë shoqërisë shqiptare fushatën për pastrimin e mbikalimeve dhe urave, këtë radhë nga Lëvizja Rinore për Integrim, duke u mbështetur në planin e sigurisë së Ministrisë së Transporteve. “Forcimi i masave dhe penaliteteve për ata që do të ndërhyjnë në rrugë, qoftë edhe me shkarravitje, pasi ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen e numrit të aksidenteve. Rruga është një pronë e rëndësishme, një aset i rëndësishëm kombëtar dhe të gjithë duhet të përpiqemi që ajo të jetë sa më e rregullt, sa më e pastër, sa më miqësore për përdoruesit e saj dhe sa më e sigurtë. Do të 10-fishojmë gjobat për këtë qëllim, por do të shikojmë edhe masat ndërhyrje të tjera penale për ndërhyrje dhe lloje të tjerash ndërhyrje në rrugë, pasi e përsëris, rruga është një aset kombëtar”, ka deklaruar ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto.

    Reklamat, “ndjellëse” të vdekjes

    Askush deri më sot nuk thotë se, kush ia ka dhënë lejen këtyre kompanive për ngritjen e tabelave buzë rrugës, askush nuk flet për përfitimet e firmave, askush nuk ka reaguar më parë (Telegraf e ka bërë gjithmonë) për rrezikshmërinë që mbartin tabelat, si burime aksidentesh dhe askush nuk flet për mosrespektim të Kodit Rrugor. Por, gjithashtu, është e drejta e çdo qytetari të aksidentuar në rrugët e tejmbushura me tabela reklamuese, në kundërshtim me ligjin, t’i drejtohen gjykatave dhe t’i kërkojnë dëmshpërblim këtyre kompanive të cilët kërkojnë të rrisin përfitimet e tyre duke “luajtur” me jetën e qytetarëve shqiptarë. Rezulton se të gjitha kompanitë private që reklamojnë aktivitetin e tyre, nuk e kanë respektuar largësinë e detyrueshme nga rruga, duke u kthyer në jo pak raste edhe në burim aksidenti, për shkak të humbjes së vëmendjes prej tyre. Kështu, Eagle-Albtelekom i bën thirrje qytetarëve që të flasin sa më shumë në telefon: “Fol, fol, fol”, duke vazhduar me një tjetër thirrje pak më lart: “Kufizo shpejtësinë, por jo komunikimin”. Pra, përveçse përdorimit të ngjyrave të theksuara në reklamat e tyre, për tërheqjen e vëmendjes në kundërshtim me Nenin 23 të “Kodit Rrugor”, Eagle-Albtelekom luan dhe me fjalën. Me ofertat që zbulon gjatë gjithë rrugës nëpër tabelat reklamuese, kjo kompani të ‘josh’ në përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të automjetit, veprim që rrezikon jetën e qytetarëve shqiptarë, ndërsa janë në timon. Dhe vazhdon Eagle-Albtelekom me babëzinë e vet për të fituar, kur thotë: “Kujdes shpejtësinë, jo faturën tuaj”. Vë re në këto tabela, edhe thirrje për t’u bërë milioner nga monopolisti i Lotarisë Kombëtare që thërret për “Jackpot” në dy kryqëzime rrugësh, nga ku nuk e sheh dot (për shkak të tabelës) se nga të vjen makina. Dhe papritur, e gjen veten në spital, me një biletë lotarie në xhep. Sigurisht, nëse jeta jote është jashtë rrezikut, shpreson të fitosh “Jackpotin” për të paguar faturat e larta që serviren nga “Spitali Amerikan”. Nuk e harron dot këtë emër, se e ke përgjatë gjithë rrugës Tiranë-Durrës. “Spitali Amerikan” e ka menduar shumë hollë strategjinë e fitimit të pacientëve dhe përfitimit nga ta. Kjo është mizoria që na servirin kompanitë tona private, të cilat përfitimet e tyre i korrin në kundërshtim me Kodin Rrugor.

    box

    Pjesë nga Kodi Rrugor shqiptar:

    NENI 23

    Reklamat në rrugë dhe mbi mjetet rrugore

    1. Përgjatë rrugëve dhe në vende të dukshme nga mjetet që kalojnë në rrugë, është e ndaluar të vendosen shenja, parulla, impiante reklamimi etj., që për nga përmasat, forma, ngjyrat, pamja dhe vendndodhja mund të shkaktojnë konfuzion me sinjalizimin rrugor ose ta bëjnë të vështirë kuptimin, dallimin apo efikasitetin e tij, si dhe të shkaktojnë shqetësime pamore a të tërheqin vëmendjen e përdoruesve të rrugës me pasojë rrezikimin e sigurisë së qarkullimit. Në çdo rast impiante të tilla nuk duhet të formojnë pengesë apo gjithsesi vështirësi për qarkullimin e invalidëve. Janë, gjithashtu, të ndaluara tabelat dhe mjetet e tjera të ndritshme të reklamimit që mund të sjellin verbim për drejtuesit e mjeteve rrugore. Në ishujt e trafikut në kryqëzime është e ndaluar vendosja e çdo lloj instalimi të ndryshëm nga sinjalizimi rrugor i përcaktuar.

    3. Përgjatë rrugëve, në mjediset ose afërsitë e vendeve të mbrojtura, për shkak të bukurisë së tyre natyrore dhe peizazhistike, ose të ndërtesave a vendeve me vlera historike e artistike, është e ndaluar vendosja e tabelave ose mjeteve të tjera reklamuese.

    4. Për vendosjen e tabelave ose të mjeteve të tjera reklamuese gjatë rrugës apo në vende të dukshme nga rruga duhet autorizimi i entit pronar të rrugës që lëshohet, duke respektuar këto norma. Në brendësi të qendrave të banuara kompetenca është e komunave dhe bashkive, të cilat janë të detyruara të marrin miratimin teknik të entit pronar të rrugës, kur rruga është shtetërore apo e rrethit.

    7. Është e ndaluar çdo lloj reklame përgjatë ose e dukshme nga itineraret ndërkombëtare, autostradat, rrugët interurbane kryesore dhe hyrjet e tyre. Në këto rrugë lejohet reklamimi vetëm në zonat e shërbimit ose parkimit, kur për këtë është marrë autorizimi nga enti pronar i rrugës, si dhe kur kjo reklamë nuk është e dukshme nga rruga.

    11. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni dhe të akteve në zbatim të tij, si dhe kushtet e autorizimeve të parashikuara nga ky nen gjobitet me një shumë nga njëzet e pesë mijë deri njëqind mijë lekë dhe zbatohen masat plotësuese administrative që e detyrojnë autorin e shkeljes të heqë, me shpenzimet e tij, të gjitha veprat, tabelat, parullat dhe çdo tip impianti e formë reklame.