Mustafa Kocerri/ Inxhinieri Limos Alimuçi, gjurmë të pashlyera në Hartografinë Ushtarake

    441
    Sigal

    U diplomua në Akademinë “Kujbishev” në Moskë. Është drejtori i parë i Institutit Topografik të Mbrojtjes  

    Kushtet e vështira ekonomike të familjes, pozicioni i vendosjes së fshatit të tij të lindjes Vërmiku, larg qytetit të Vlorës dhe në një teren malor e tepër malor, ndikuan që tek djaloshi Limos Alimuçi, i rritur jetim që në moshë të vogël, të spikasnin vullneti dhe këmbëngulja për të dalë ndër të parët dhe me rezultate të mira, duke arritur të marrë dy vite në një vit mësimor në shkollën fillore. Pas mbarimit të shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”, ai vazhdon shkollën e Bashkuar të Oficerëve për Topograf. Studimet i përfundon me rezultate të mira e shumë të mira.

    SHKOLLIMI NË RUSI

    Për rritjen e mëtejshme të njohurive profesionale dhe ushtarake, ai, në vitin l955, nga shteti shqiptar, së bashku edhe me disa shokë të tjerë topograf, dërgohet për studime në Akademinë e Inxhinierisë “Kujbishev” në ish-Bashkimin Sovjetik, në Moskë. Kjo ishte një akademi me një përvojë të madhe e shumë vjeçare që nga dita e krijimit të saj. Edhe këtu ai karakterizohet nga një vullnet i lartë si për përvetësimin e gjuhës ruse dhe programit mësimor, duke ngritur më lartë intelektin dhe profesionalizmin. Studimet i përfundon me rezultate të larta në vitin l96l duke u titulluar inxhinier Hartograf, i pari inxhinier hartograf në fushën e mbrojtjes për vendin tonë. Degës së Topografisë më 9 prill l96l, me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, iu shtua Reparti Special i Hartografisë, ku detyrë kryesore kishte atë të përgatitjes dhe botimit të hartave topografike të shkallëve të ndryshme. Me kthimin në Atdhe, Limosi emërohet Kryeinxhinier i këtij reparti, repart, i cili në kushtet e prishjes së marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik, kishte për detyrë botimin e hartave të reja dhe ribotimin e tyre për shkak të kërkesave të mëdha që kishte ushtria. Deri në këtë kohë, matjet e punimet topografike ishin bërë në bashkëpunim me specialistët rus që kishin ardhur në Shqipëri. Me caktimin në detyrën e krye inxhinierit të hartografisë, i nxitur edhe nga ndjenjat atdhetare, në ato momente të vështira që kalonte Shqipëria për t’i shpërblyer Atdheut, atë çka ai kishte investuar për ‘të, Limosi i përvishet punës duke organizuar dhe drejtuar njerëzit për vënien në punë të pajisjeve dhe makinerive të mara në Rusi dhe specializimin e kualifikimin e punonjësve dhe oficerëve të kësaj dege për të arritur deri në prodhimin e botimin e hartës ushtarake shqiptare, kaq shumë të nevojshme për ushtrinë, shtabet e saj si dhe për ekonominë e vendit. Harta e parë ushtarake e shtypur në repartin e hartografisë është ajo me emërtesë K-34–112–C  e rajonit të Fierit. Në këtë sukses dhe arritje të shërbimit topografik krahas kontributit të punonjësve dhe oficerëve të tjerë, ishte edhe kontributi i veçantë dhe drejtimi i mirë dhe mbi baza shkencore i inxhinierit hartograf Limoz Alimuçi.

     

    DREJTOR i INSTITUTIT TOPOGRAFIK

    Pas konsolidimit të botimit të hartave, ai jep kontributin e tij në organizimin dhe drejtimin më të mirë të punëve në Degën e Topografisë, duke kryer detyrën e zëvendës shefit të kësaj dege në vitet l968-1974. Përvoja e fituar dhe e grumbulluar në këto vite bënë që me krijimin e Institutit Topografik të Ushtrisë më 8 mars l975, ai emërohet Drejtor i këtij instituti, detyrë të cilën e kreu për disa vite. Para këtij Instituti dilnin një sërë detyrash si, vazhdimi i matjeve për triangolacionin dhe nivelacionin, kryerja e një sërë punimeve të tjera topografike, gjeodezike, hartografike, sigurimin e hartave me shkallë të ndryshme dhe furnizimin me ‘to i reparteve të ushtrisë duke krijuar edhe rezervën e nevojshme, bashkërendimi i punëve me shërbimet topografike të institucioneve të tjera shtetërore e shumë detyra të tjera.

    NË NDËRTIMIN E VENDIT

    Por kontributi dhe detyrat e institutit shtriheshin edhe më gjerë si në repartet e ushtrisë ashtu edhe në ekonominë e vendit. Dora dhe mendja e punonjësve të institutit në punimet e ndryshme të ushtrisë si në aeroporte, ndërtimin e uzinave, objekteve të rëndësisë së veçantë, bazave detare dhe atyre të rezervave e shumë e shumë të tjera, do të ishte e pranishme për vite të tëra nga fillimi deri në përfundimin e tyre. Një arritje tjetër e institutit topografik është edhe ajo e hartografimit të vendit në shkallën l:25000, hartë, e cila mbështetet në një  rrjet gjeodezik të saktë, matjet dhe llogaritjet, të cilat janë kryer nga vet specialistët e këtij instituti. Për projektimin dhe prodhimin e hartave të kësaj shkalle është dashur një kohë e gjatë dhe është kryer një punë e madhe nga shumë specialistë të këtij instituti.

    Në këto arritje të institutit përveç punës së palodhur e të lavdërueshme të punonjësve, specialistëve dhe inxhinierëve, pa dyshim edhe Limos Alimuçi për kohën që ishte drejtor, por edhe më pas ka kontributin e tij si në organizimin e drejtimin  e punëve ashtu edhe duke marrë pjesë vet drejt për së drejti në grupet e punës. Edhe gjatë kohës që punoi në sektorin shkencor të këtij institute, ai me njohurit e tij, së bashku edhe me kolegë të tjerë u kanë dhënë zgjidhje shumë problemeve, duke i paraprirë punëve dhe prodhimit në çdo sektor. Përvoja e gjatë si një kuadër e specialist, mënyra e komunikimit, të cilën ai e ka pasur të përsosur, ndikonin pozitivisht e me cilësi të lartë të mësimdhënien, për një përgatitje e nivel sa më të lartë të kuadrove të rinj që përgatiteshin gjatë kohës që ai u caktua pedagog në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve.

    INTELEKTUAL DHE NJERI I MIRË

    Limos Alimuçi ishte jo vetëm një specialist hartograf i mirë, por ai dallonte edhe për marrëdhëniet e mira e të shëndosha, me të gjitha punonjësit, ushtarët dhe oficerët. Ja si shprehet Mulla Mullai njëri nga shokët e tij më të vjetër: “Kam pasur marrëdhënie familjare e shoqërore me Limosin nga viti l950 deri sa ai ndërroi jetë në vitin 2004. Kam punuar, sakrifikuar dhe shërbyer Atdheut tim, së bashku me ‘të dhe shumë shokë të tjerë në shërbimin e topografisë, duke filluar nga e para deri sa u krijua instituti, ku i pari drejtor i tij ishte Limosi. Por ai, në tërë karrierën e tij ushtarake është dalluar si një njeri e kuadër tepër korrekt, i rregullt e me njohuri të larta në fushën e hartografisë, por edhe të topografisë në tërësi. Po kështu, ai ka qenë një ushtarak model, pamja e jashtme dhe mbajtja e uniformës të impononin respekt. Ai tërë jetën e tij e vuri në shërbim të ushtrisë dhe Atdheut, duke u shërbyer me devotshmëri. Me kuadro të tillë krenohej ushtria jonë, por që me siguri do të krenohen edhe brezat që do të vijnë për kontributin e madh që ai dhe të tjerë kanë dhënë për Shqipërinë”. Puna dhe aktiviteti i Limos Alimuçit kanë bërë që ai edhe pas 10 viteve që është ndarë nga jeta të kujtohet nga shokët, kolegët dhe njerëzit e tij. Emri i tij i mirë do të mbetet i paharruar jo vetëm për Vërmikun e Kurveleshit, ku ai u lind dhe kaloi fëmijërinë, por edhe për shërbimin e topografisë, për kontributin e veçantë që ai ka dhënë në këtë fushë, ku ai shërbeu deri sa ishte gjallë.