Andi Lila, supergol nga 30 metra

533
Sigal

Mbrojtësi i Kombëtares shënoi një gol të mrekullueshëm për PAS Janinën. “Çmendet” komentatori grek

Andi Lila shënoi një supergol, me një gjuajte të fuqishme nga një distancë prej 30 metrash për PAS Janinën, por që fatkeqësisht nuk rezultoi vendimtar, pasi skuadra e tij humbi 2-1 në transfertën me PAOK-un e Selanikut edhe pse vendasit luajtën me dhjetë lojtarë nga minuta e 32-të (karton i kuq i portugezit Vitor). Takimi ishte i vlefshëm për javën e 30-të të kampionatit grek. Sipas mediave greke, Lila ishte një nga lojtarët më të mirë për PAS Janinën. Në minutën e 6-të ai rrezikoi me një goditje me kokë, por që mbrojtësi i PAOK-ut, Natço, arriti ta bllokojë ngjitur me shtyllën pingule mbi vijën e portës. Në minutën 49-të, kavajasi lëshoi një silurë, por mbi portë, ndërkohë që në të 61’, gjuajtja e tij nga distanca u devijua në goditje këndi nga portieri i PAOK-ut, Gliko.  Dy minuta më pas, Lila la me gojë hapur portierin e PAOK-ut, pasi gjuajtja e mbrojtësit shqiptar të PAS Janinës, preku fillimisht shtyllën horizontale, për të pushuar më pas në rrjetë, duke firmosur kështu avantazhin e përkohshëm 0-1. Për Andi Lilën ky ishte goli i tij i dytë sezonal, pas atij të realizuar në fitoren 2-1 kundër Arisit të Selanikut, dhjetorin e kaluar. PAOK-u vendosi ekuilibrat pas vetëm tri minutash, kur Shtoh barazoi shifrat në 1-1 në të 66’. Golin e fitores së PAOK-ut e shënoi Lukas në minutën e 82-të. Për PAS Janinën luajti edhe mesfushori Emiljano Vila ( u zëvendësua në minutën e 87-të), ndërkohë që mesfushori tjetër i Kombëtares, Ergys Kaçe, nuk luajti për PAOK-un për shkak të kartonit të kuq të marrë në ndeshjen me Arisin e Kristi Vangjelit.

TË TJERËT

Grasshporsi i dy lojtarëve të Kombëtares sonë, Shkëlzen Gashi dhe Amir Abrashi fitoi 2-0 në transfertë me Jang Bojs, në javën 26-të të kampionatit zviceran. Të dy u ndëshkuan me karton të verdhë. Të dy golat u shënuan në pjesën e dytë. Jang Bojs luajti me dhjetë lojtarë nga minuta e 43-të. Shkëlzen Gashi, i cili javën e kaluar realizoi një tripletë, është golashënuesi i tretë më i mirë i kampionatit. Lucerni i Jahmir Hykës humbi 1-0 me Lozanën e vendit të fundit, por mesfushori i Kombëtares sonë qëndroi në bankinë. Për Lucernin u aktivizua nga minuta e parë mbrojtësi shqiptar, Fidan Aliti. Zyrihu i Armando Sadikut barazoi 0-0 me Bazelin e Taulant Xhakës, por që të lojtarët e Kombëtares shqiptare nuk luajtën asnjë minutë, pavarësisht se ishin në bankinë. Bazeli kryeson kampionatin. Në Ukrainë, Vorskla Poltave e Armend Dallkut barazoi pa gola me Volinin në javën e 22-të të kampionatin ukrainas. Dallku, i cili mban edhe shiritin e kapitenit, luajti gjatë gjithë ndeshjes, ndërkohë që mungoi sulmuesi Ahmed Januzaj.

 2 gola

ka shënuar këtë sezon Andi Lila, respektivisht kundër Arisit dhe PAOK-ut, ndërkohë që, numëron në total 4 gola për PAS Janinën

 3 sezone

janë për kavajasin me fanellën e PAS Janinës. Lila u transferua nga Tirana në kampionatin grek gjatë merkatos së verës 2011

 Shaqiri: “Nuk dua të largohem nga Bajerni”

 Xherdan Shaqiri mund të transferohet gjatë merkatos së kësaj vere, por ylli shqiptar i Bajernit të Munihut nuk dëshiron të largohet nga klubi i kampionëve të Bundesligës gjermane. Në fakt, 22-vjeçari i ka të paktat minutat e akorduara nga trajneri Pep Guardiola, kjo dhe për faktin se në pozicionin e tij luan një emër i madh si holandezi Arjen Roben. Pak kohë më parë, Xherdan Shaqiri u shpreh i hapur ndaj ofertave nga klube si Liverpul, Juve e Napoli, ndërsa pak javë më vonë vëllai dhe njëkohësisht agjenti i tij, u shpreh i gatshëm për të negociuar me klubet më të mëdha të Europës. Të gjitha këto zhvillime nuk janë pritur aspak mirë në Zvicër. Ish-lojtari i Bajernit, zvicerani Çiriako Sforca deklaroi për “Blick” se, sjellje të tilla jo vetëm që nuk janë të pëlqyeshme, por mund të shkaktojnë probleme te familja bavareze. Gjithsesi, Xherdan Shaqiri deklaroi për mediat zvicerane se ai nuk dëshiron aspak të largohet nga “Alianc Arena”. “Kurrë nuk kam thënë se dëshiroj të largohem. Jam shumë i lumtur në Munih dhe as që e kam çuar ndërmend variantin e largimit. Opinioni i vëllait tim është trajtuar ndryshe nga çfarë ka thënë në të vërtetë, por sigurisht, nëse një klub i madh vjen dhe ka interes, atëherë mund ta merret në konsideratë. Kështu ndodh me çdo lojtar”. Shaqiri u transferua nga Bazeli në vitin 2012, për shumën e 11.2 milionë eurove, Ai ka një kontratë që i skadon pas dy vjetësh me kampionët e Gjermanisë. Xherdani ka luajtut 15 ndeshje këtë sezon, duke shënuar 5 goal, por minutat janë të pakta. Gjatë dy sezoneve të tij me Bajernin e Munihut, Shaqiri ka luajtur 41 ndeshje, duke shënuar 9 gola dhe dhënë 7 asiste.

 Golashënuesi më i suksesshëm i FSV Frankfurtit kërkon më shumë nga klubi gjerman

 Paratë përcaktojnë të ardhmen e Kapllanit

 Edmond Kapllani është golashënuesi më i suksesshëm i FSV Frankfurtit. Megjithatë është ende jo e sigurt, nëse lojtari i Kombëtares shqiptare do të luajë edhe sezonin e ardhshëm me fanellën e skuadrës së Bundesligës së Dytë gjermane. Sipas gazetës “Frankfurter am Main”, sulmuesi durrsak ende nuk ka arritur një marrëveshje të re me drejtuesit e klubit. Kontrata e Kapllanit skadon në fund të sezonit, kështu që 31-vjeçari duhet të gjejë një destinacion të ri, nëse nuk gjen gjuhën e përbashkët me FSV Frankfurtit, ku një nga termat më të diskutuara janë çështjet financiare. Kapllani ka një shtëpi në Bornheim, të cilën ia ka siguruar punëdhënësi, pra FSV Frankufurti, plus që ai është i mirëpaguar te klubi i Bundesligës 2. Shefi sportiv i FSV Frankfurtit, Uve Stëfer, sqaroi edhe një nga arsyet, se pse po vonohet arritja e kontratës me Edmondin. Dhe kjo ka të bëjë me anën financiare, pra me paratë. Kapllani, së bashku edhe me portierin Patrik Klandt, dëshirojnë të qëndrojnë, por kërkojnë edhe para më shumë nga klubi. “Ata më njohin mua. Ata e dinë, sesi jam unë”, – citohet Kapllani nga “Frankfurter Rundschau”. Në fakt, sulmuesi durrsak vlerësohet shumë për aftësitë që ai zotëron. “Ai është një sulmues zone, i cili me një aksion të vetëm mund të vendosë një ndeshje dhe nuk ka nevojë për shumë shanse për të shënuar gola. Në sezonin e kaluar ai realizoi 11 gola, ndërkohë që deri tani ka shënuar dhjetë gola. Kaq shpesh asnjë lojtar i bluzinjve nuk shënon”,- thekson gazeta gjermane. Nga ana tjetër, theksohet edhe fakti që në ndonjë rast Kapllani është një lojtar jo fort i disiplinuar, çka solli edhe një pezullim të shkurtër për të. “Shqiptar mendon me kokën e vet”, – shkruan “Frankfurter Rundschau”, duke iu referuar penalltisë së gjuajtur nga Kapllani, ndërkohë që trajneri Mëloman caktoi një tjetër lojtar të FSV Frankfurtit. Sulmuesi shqiptar pranon se, e kupton situatën se ku ndodhet dhe se përse po i vonohet rinovimi. “Unë kuptoj shumë dhe unë po përpiqem të kuptoj akoma më shumë”, – tha ai. Vetë Kapllani dëshiron ta vazhdojë aventurën me FSV Frankfurtin dhe ai beson se do të arrijë të gjejë mirëkuptimin e klubit edhe për termat financiarë. Gjithsesi, për 31-vjeçarin me një eksperiencë të gjatë në Bundesligën 2, por dhe atë 1, me Karlsruhen dhe Augsburgun, ka interesime nga skuadra të tjera të Bundesligës 2. Kapllani synon që të jetë një lojtar bazë i Kombëtares shqiptare. Shanset që, Shqipëria të kualifikohet për në finalet e “Euro 2016” që do të zhvillohen në Francë janë më të mëdha se kurrë. Për këtë arsye, ambientimi dhe performanca te FSV Frankfurti ia mundëson që të ai të jetë pjesë e Kuqezinjve.

 10 gola

ka realizuar Kapllani gjatë 23 ndeshjeve të këtij sezoni, më shumë se çdo lojtar tjetër në ekipin e tij

61 gola

ka shënuar 31-vjeçari gjatë karrierës së tij të gjatë në Gjermani, duke qenë shqiptari më rezultativ

Golat e Kapllanit

FSV Frankfurt

49 ndeshje/21 gola

Karlsruher: 118/26

SC Paderborn 07: 23/8

TuS Koblenz: 17/5

FC Augsburg: 8/1

Total:

210 ndeshje, 61 gola

Golashënuesit shqiptarë në Gjermani

Edmond Kapllani             61 gola

Altin Rraklli       58 gola

Ervin Skela         53 gola

Fatmir Vata         39 gola

Igli Tare                     28 gola

Skerdilaid Curri         28 gola

Alban Meha               20 gola

Altin Lala                  10 gola

Odise Roshi        3 gola

Rudi Vata                  2 gola