Kukës, 10 ditë pas fillimit të shkollës, nxënësit ende pa libra

    555
    Kanë kaluar më shumë se 10 ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor, por në disa shkolla të qytetit të Kukësit akoma mbetet problem pajisja e nxënësve me libra. Mungesat janë vënë re më shumë tek nxënësit e shkollës 9-vjeçare “1 Qershori”, të cilët thonë se iu mungojnë tekstet e Matematikës, Gjuhës Shqipe, Edukatës Shoqërore, Gjeografisë e disa librave të tjerë. Ata shprehen të shqetësuar, sepse mësimi në këto kushte bëhet edhe më i vështirë dhe gjithashtu po mbesin mbrapa me mësimet. Ata shtojnë se kanë shkuar në libraritë, por aty iu kanë thënë se librat do të vijnë së shpejti. Tekstet shkollore, duhej të ishin gati që në ditën e parë të shkollës, për vetë faktin se shpërndarja e tyre ka nisur që më 1 Shtator, por në Kukës nxënësve do iu duhen edhe disa ditë që të marrin mësimet me leksione.

     Drejtues të shkollave, thonë se shkak është bërë mungesa e disa titujve, por edhe ndryshimi i përzgjedhjes së tyre nga mësuesit apo edhe mos marrja e librave për shkak të nivelit të dobët ekonomik të familjeve kuksiane. Pavarësisht deklaratave të Ministrisë së Arsimit se janë siguruar të gjithë librat për arsimin para-universitar, mungesën e disa teksteve e vëmë re në disa shkolla. Shqetësimi është i prindërve, por edhe i vetë nxënësve, të cilët duhet të orientohen qartë për lëndët që do të zhvillojnë gjatë vitit mësimor. “Kjo praktikë ndodh pothuaj çdo vit, u mësuam tashmë. Çdo vit fëmijët tanë e fillojnë shkollën me dy apo tre libra mangët. Në librari na thanë se do t’i sjellin këto ditë”, thotë G.S, prindi i tre fëmijëve në shkollën “1 Qershori”. Vështirësitë në sigurimin e librave të fëmijëve të tyre kanë lodhur së tepërmi edhe prindërit, të cilët kanë lënë mënjanë angazhimet e tyre për të siguruar paketën e plotë të librave. “U bënë vite që nuk po i marrim dot të gjitha tekstet njëherësh. Gjithnjë ky proces shoqërohet me vonesa të pajustifikueshme dhe mungesa të theksuara në tekste. Mirë që i paguajmë sa s’bën, por të paktën t’i marrim të plota”, thotë një prind tepër i revoltuar.
    Sigal