Kongresi i Manastirit-monument për njësimin gjuhësor, politik e kombëtar shqiptar

2153
Sigal

Nga Gëzim Prengzi

(Me rastin e 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit 14-22 nëntor 1908)

Përhapja e shkollave dhe e mësimit të gjuhës shqipe si dhe zhvillimi i kulturës kombëtare shqiptare në përgjithësi shtruan në rend të ditës nevojën e caktimit të një alfabeti të vetëm. Rilindësit me të drejtë e shihnin mungesën e një alfabeti të njësuar të gjuhës shqipe jo vetëm si një problem gjuhësor e kulturor por edhe si një çështje politike,një shenjë ndasie që pengonte bashkimin e shqiptarëve. Zgjidhja e çështjes së alfabetit do të ndihmonte më tej në lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe ashtu edhe në konsolidimin e unitetit kombëtar dhe bashkimit politik të popullit shqiptar. Vendosja e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe u përgatit gjatë një epoke të tërë të Rilindjes falë veprimtarisë krijuese në lëmin e gjuhësisë e letërsisë të disa brezave të iluministëve shqiptarë. Një ndihmesë të veçantë dhanë sidomos organet e shtypit të fundit të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX ku spikati në mënyrë të veçantë revista “Albania” e Faik Konicës. Miratimi i Alfabetares së Stambollit në 1879, ndonëse shënoi një hap të rëndësishëm përpara në rrugën e vendosjes së një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe, nuk arriti ta zgjidhë përfundimisht këtë çështje. Alfabeti i Stambollit u përhap vetëm në Shqipërinë e Jugut e të Mesme, ndërsa në Shqipërinë e Veriut e posaçërisht në Shkodër përdoreshin tri alfabete për shkrimin e shqipes, ai i shoqërisë “Bashkimi”, “Agimi”, dhe ai i shkrimtarëve të vjetër te Veriut që përdorej më shumë nga klerikët katolikë. Organet e shtypit shqiptar, ndonëse botoheshin të gjitha me alfabetin latin, kishin ndryshime ndërmjet tyre. Në këto rrethana,vendosja e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe do të arrihej, jo vetëm me sunduesit e huaj osmanë që përpiqeshin ta pengonin atë si një arritje që do të çonte në afirmimin e mëtejshëm të kombit shqiptar, por edhe duke kapërcyer frymën dhe interesa lokaliste i grupeve e shoqërive kulturore që ushqeheshin nga ndasitë krahinore të trashëguara nga e kaluara. Ndonëse në thelb ishte një çështje kulture, njësimi i alfabetit te gjuhës shqipe paraqitej njëherazi edhe si një nga problemet më të rëndësishme politike, zgjidhja e të cilit do të varej nga zhvillimi i lëvizjes kombëtare në përgjithësi. Në të vërtetë thirrja e Kongresit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe u bë e mundur vetëm në rrethanat e reja që u krijuan për lëvizjen kulturore-kombëtare pas shpalljes së kushtetutës në vitin 1908. Nismën për thirrjen e një kongresi për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe e mori klubi “Bashkimi” i Manastirit që luante rolin kryesor ndërmjet klubeve shqiptare. Drejtuesit e këtij klubi menjëherë pas themelimit të tij e shpallën zgjidhjen e kësaj çështje si detyrën më të ngutshme të lëvizjes kombëtare. Gjatë muajve gusht- shtator pasi kishte marrë edhe pëlqimin e klubeve e shoqërive të tjera atdhetare, klubi i Manastirit mori masat konkrete për thirrjen e kongresit kombëtar për çështjen e alfabetit. Në “Zëdhënien” që u shpërnda me ketë rast ftoheshin të merrnin pjesë në kongres gjithë shqiptarët brenda e jashtë Shqipërisë si dhe çdo filolog shqiptar. Kjo iniciativë u prit mirë nga atdhetarët shqiptarë dhe nga klubet e shoqëritë patriotike brenda e jashtë vendit qe u treguan të gatshme për të dërguar përfaqësuesit e tyre në kongres. Kongresi u hap në Manastir, më 14 nëntor 1908 dhe i vijoi punimet deri më 22 nëntor. Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda e jashtë atdheut, si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote. Kongresi i Manastirit u shndërrua kështu ne një kuvend të vërtetë mbarëshqiptar në të cilin morën pjesë 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga qytetet e vilajeteve të Manastirit, Kosovës, Janinës e Shkodrës si dhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, Sofjes, SHBA, Egjiptit, Italisë etj. Kongresi i Manastirit për çështjet që diskutoi e zgjidhi dhe si një nga tubimet më të gjera e më përfaqësuese nga përbërja e tij vlerësohet me të drejtë si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shek. XX. Delegatë ishin shkrimtarët dhe publicistët më të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe,klerikë e laikë si Gjergj Fishta, Nikoll Kaçorri, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Mit’hat Frashëri, Hilë Mosi, Mati Logoreci, Thoma Avrami, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi, Adam Shkaba. Veprimtarë të lëvizjes kombëtare e klubeve shqiptare si Bajram e Çerçiz Topulli, Mihal Grameno, Fehim Zavalani, Dhimitër Mole, Nyzhet Vrioni, Rrok Berisha, Leonidha Naço, Dhimitraq Buda, Akil Eftimi, Shefqet Frashëri, Refik Toptani, Grigor Cilka, Emin bej Shkupi, Hafiz Ibrahim Efendiu, Ramiz Daci, Xhemal Beu, Fahri Frashëri. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi.

Vendin kryesor në punimet e Kongresit, duke përfshirë edhe mbledhjet e hapura, e zuri caktimi i një alfabeti të përbashkët për të gjithë shqiptarët. Gjatë diskutimeve që u bënë ditët e para të gjithë shfaqen mendimin se alfabeti që do të vendosej duhej te kishte si bazë alfabetin latin. Por pikëpamjet e delegatëve më tej u ndanë, prandaj në ditën e tretë të punimeve Kongresi zgjodhi një komision prej 11 vetash të kryesuar nga At Gjergj Fishta ku bënin pjesë njohësit më të mirë të gjuhës shqipe, përkrahës të alfabeteve të Stambollit, “Bashkimit”, “Agimit” si dhe intelektualë të tjerë të shquar. Komisionit iu dhanë fuqi të plota për të vendosur për këtë çështje. Pas shumë diskutimesh komisioni vendosi që të mos merrej në vështrim asnjëri nga të tre alfabetet e përmendura më sipër, por të krijohej një alfabet i ri mbi bazën e atij latin, duke u dhënë shkronjave latine vlera fonetike në përputhje me nevojat e gjuhës shqipe. Por Komisioni ndeshi në vështirësi për caktimin e shkronjave dyshe që nevojiteshin për ata tinguj të shqipes që i mungonin latinishtes (dh,nj,gj,th).Në këto rrethana pas tri ditë diskutimesh (17-19 nëntor) anëtarët e Komisionit, sikurse thuhej në vendimin e Kongresit,”të shtyrë edhe nga disa shkaqe të përjashtme” nuk arritën të caktonin një alfabet të vetëm për gjuhën shqipe, prandaj vendosen “të kthehen prapa” duke pranuar Alfabetin e Stambollit e bashkë me të edhe një ABC të thjeshtë latine që të përdoreshin e të mësoheshin bashkarisht në mes të shqiptarëve. Të dy alfabetet do të përdoreshin detyrimisht në shkolla…

Ndonëse nuk caktoi një alfabet të vetëm, Vendimi i Kongresit të Manastirit ishte një hap i rëndësishëm përpara në rrugën e zgjidhjes përfundimtare të çështjes së alfabetit të shqipes dhe ushtroi një ndikim të fuqishëm në bashkimin politik dhe përparimin e mëtejshëm kulturor të kombit shqiptar. Me këtë vendim iu dha fund kaosit që mbretëronte deri atëherë në çështjen e shkrimit të shqipes. Në vend të alfabeteve të shumta që ishin përhapur në Shqipëri e në kolonitë e mërgimit, tani do të përdoreshin vetëm dy alfabete: dhe këta të dy bashkërisht. Përveç kësaj duke vendosur dy alfabete që mbështeteshin në atë latin, Kongresi i Manastirit ripohoi edhe njëherë vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur individualitetin e tyre kombëtar, kundër orvatjeve të xhonturqve për t’u imponuar alfabetin arab dhe për t’i identifikuar ata me turqit. Atë që nuk e çoi dot deri në fund Kongresi i Manastirit e zgjidhi vet jeta e popullit shqiptar. Alfabeti i thjeshtë latin duke qenë i papërzier e më homogjen nga karakteri i shkronjave, më i lehtë e më praktik për shtyp, u përhap gjithnjë e më shumë dhe nga fundi i Luftës së Parë Botërore u bë tashmë alfabeti i përbashkët e i vetëm për të gjithë shqiptarët, alfabeti sotëm i gjuhës shqipe.

Megjithëse çështja e njësimit të alfabetit zuri vendin kryesor në punimet e Kongresit të Manastirit, vetë Kongresi nuk ishte një mbledhje thjesht gjuhësore por edhe një manifestim politik. Krahas tubimeve të hapura u organizuan edhe mbledhje të fshehta kushtuar çështjeve politike të ditës, ku objekti kryesor ishte marrëdhëniet e shqiptareve me turqit, lufta për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar, zhvillimi kulturor e ekonomik i vendit dhe marrëdhëniet me shtetet evropiane. Përfundimet e diskutimeve dhe vendimet që u morën në këto mbledhje u përfshinë në programin kombëtar prej 18 pikash që iu dha deputetit Shahin Kolonja për ta paraqitur në parlament në emër të shqiptarëve. Ky program është një nga dokumentet më të rëndësishme të Kongresit të Manastirit në të cilin u pasqyruan aspiratat e shqiptarëve për autonominë territoriale administrative të Shqipërisë.

Kongresi i Manastirit pati jehonë të madhe edhe në arenën ndërkombëtare. Për të kishte folur edhe një amerikane Violeta Kenedi, e bija e Luis Kenedi, misionar amerikan në Manastir bashkë me dy të tjerë. Duke qenë misionare, Violetës, para së gjithash, i ka tërhequr vëmendjen toleranca fetare e shqiptarëve. Ajo ishte shprehur: “Të gjithëve u bëri përshtypje fryma e bukur e vëllazërisë që u shfaq këtu nga katër delegatë duke përfaqësuar katër besime të ndryshme. At Fishta, katolik, prift nga Shkodra, mbajti fjalën më të mirë. Nuk po flas për temën e tij, por fjalët e tij bënë që të rridhnin lot nga sytë e të gjithë dëgjuesve. Një hoxhë mysliman u prek aq shumë saqë u sul ta përqafonte atë përpara gjithë auditorit”

Kongresi i Manastirit dhe vendimet e tij përbëjnë një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e re të popullit shqiptar.