Dr. Qemal Poçi: Analizat e falsifikuara të armëve kimike

    583
    Sigal

     Flet Dr. Qemal Poçi, toksikolog, nënkolonel në lirim: “Armët kimike nuk duhet të vijnë në Shqipëri, nuk i kemi kapacitetet”

    Një nga ekspertët e njohur toksikologë, Dr. Qemal Poçi shprehet kategorikisht kundër shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në vendin tonë. Në këtë intervistë për gazetën “Telegraf”, Dr. Poçi argumenton se Shqipëria jo vetëm nuk i ka kapacitetet e nevojshme logjistike për ta bërë këtë, por i mungojnë edhe specialistët përkatës.

    Armët kimike siriane, ngjarja e ditës, por dhe shqetësimi mbarëpopullor. Çfarë janë këto që flitet të vijnë në vendin tonë?

    Në terminologjinë ushtarake, sepse unë si ushtarak flas, ka lëndë helmuese ushtarake, ka dhe armë kimike. Lëndët helmuese ushtarake janë përbërje kimike që kanë disa veti dhe plotësojnë disa kushte që bëjnë të mundur përdorimin e tyre për qëllime luftarake, për dëmtimin e njerëzve, bimëve, kafshëve, ndotjen e rezervave ujore etj. Lënda helmuese ushtarake nuk është armë, baruti nuk është armë. Që saçmet e çiftes të kthehen në armë, duhen futur në fishek, fisheku duhet të futet në çifte dhe pastaj ajo çifte është armë gjahu. Prandaj ekziston shprehja tjetër; armë kimike, të cilat përfshijnë lëndët helmuese ushtarake, cilado qofshin ato, si dhe mjetet e hedhjes dhe përdorimit të tyre. Mund të kesh lëndë helmuese luftarake, mirëpo nuk janë armë, sepse nuk ke municione, sepse këto lëndë helmuese ushtarake në destinacion shkojnë me çfarëdolloj municioni, me to mund të mbushen që nga granatat e dorës që hidhen nga policia, deri në raketat balistike interkontinentale që në kapsollën e saj në vend të ketë bombë atomike ka lëndë helmuese luftarake, pra do municionin. Kjo është armë.

    Po tek ne çfarë vjen vetëm lëndë helmuese, armë kimike apo dhe municione të mbushura?

    Flasim me atë që s’dimë, se nuk ka gjë zyrtare. Mesa di unë në Shqipëri do të vijnë lëndë helmuese luftarake, mund të vijnë një pjesë e municioneve, predhave të kalibrit të ndryshëm, por nuk do të vijnë mjetet e hedhjes. Tani dua ta zgjeroj pak këtë pyetje. Deri më sot që po bisedojmë, në vende të ndryshme në armatimin kimik janë vetëm 7 lëndë helmuese luftarake që u përkasin 4 grupeve në bazë të destinacionit të atyre që do i përdorin këto: Grupi i parë, më i fuqishëm janë lëndë helmuese luftarake neuroparalitike, apo gaze nervore, ato që do të vijnë në Shqipëri, të cilët përdoren në fushën e betejës apo në vende strategjike për asgjësimin sa më tepër të forcave të gjallë, ku vdekja është momentale etj. Këtu hyjnë dy përfaqësuese VX që është më i fuqishme dhe zarina që është më e përhapur, por që është 10 herë më e dobët se VX. Ky është grupi i parë që ka për qëllim dhe zhdukjen e forcës së gjallë në fushën e betejës. Por ama mekanizmi i veprimit, kompleksi klinik, mjekimi është i njëjtë. Në grupin e dytë janë lëndë helmuese me veprim mbi lëkurë, ose dermoabseduese, sepse ato shkaktojnë dëmtime dhe vdekje, por kanë një periudhë të fshehtë që ka kohë që njeriu i helmuar të shkojë prapa vijës të mjekohen të degazohen, pra, ka kohë për mjekim. Këtu përfshihen ipriti (gazi mustardë, sepse bie era hudhër) luiziti dhe iperiti i azotit. Flitet se do të vijë vetëm mustard gazi. Grupi i parë nuk ka as shije, as erë, as ngjyrë dhe të kap në befasi, nëse njerëzit janë të pambrojtur. Grupi i tretë janë lëndët helmuese psikogjene ose psiqiko-kimike. Janë përdorur dhe janë eksperimentuar, por në armatimin e forcave, kryesore është BZ ose disa e quajnë Q. Me të unë kam punuar dhe kemi helmuar kafshë në Kinë. Por kjo lëndë helmuese është drogë, që për ta nxjerrë ushtarin nga loja për të vdekur duhen 500 doza më tepër se ajo që e vë në gjumë, që e shkallmon, që e çmend. Kjo lëndë nuk vjen tek ne, se vetë specialistët e armatimit kimik të vendeve të tjera nuk e përdorin këtë për faktin se kush do i vërë nën fre këta të çmendur. Pra, nëse do të vijnë tek ne, do të vijnë dy grupet e para. Grupi i katërt është grupi i të ashtuquajturave lëndë helmuese shqetësuese, ku ndahen në dy grupe të vogla në lotuese ose teshtitëse, të cilët në doza deri në 500 herë më të vogla se vdekjeprurësja shkaktojnë shqetësime të padurueshme që e nxjerrin ushtarin nga vija e betejës. Këto janë lëndë helmuese policore që përdoren në demonstrata. Këtu bëjnë pjesë kloracetofenoni, CS që është më e forta, si dhe adamsiti që njihet prej kohësh. Këto përdoren për të neutralizuar përkohësisht forcat e gjalla dhe përdoren nga policia dhe brenda disa minutash ato vetëneutralizohen. Unë flas vetëm teorikisht, sepse nuk kam asnjë të dhënë çfarë do të vijë në Shqipëri. Unë flas në rolin e toksikologut.

    Pra, sipas jush, a do ketë armë kimike hedhëse?

    Unë jam i sigurt se armë nuk do të ketë, nëse do të sjellin, se këto janë supozime.

    Supozojmë se do të vinë a ka rrezik transporti i tyre?

    Në lëndët helmuese ushtarake, qoftë në transport, qoftë në demontim etj., ka rrezik real, ka rrezik potencial dhe imagjinar. Rreziku real është kur neve, duke qenë këtu, na hedhin armatimin kimik shpërthen dhe vdes. Ky është rrezik real. Rreziku potencial është një mundësi që gjatë transportimit me anije mund të ndodhë një incident. Supozojmë (nuk është e vërtetë) se zarina ka avullshmëri të lartë, meqenëse e ka këtë veti ajo fuçia në vapor do bymehet, do të pëlcasë dhe do të shkaktojë efektin zinxhir, apo efektin domino dhe do hidhet në erë vapori. Kjo nuk ekziston! Rreziku potencial është që të prishet një fuçi, por arma kimike nuk ka efektin domino. Nuk ka eksploziv, nuk shpërthen. Edhe sikur (ta zemë) njëra të shpërthejë, ajo nuk ka predhë që ta kalojë reaksionin gjetkë, është vetëm në veten e saj dhe ata që merren me këto armë kimike janë aq të mençur që ambalazhin ta bëjnë me ato aliazhe, me ato materiale që të mos ndodhin defekte të tilla. Arsenal kimik të mbetur nga “lufta e ftohtë” ka Suedia, ka Anglia, Franca, Spanja, Izraeli, nuk po flas për Rusinë që është e tejmbushur, e deri tani që po bisedojmë bashkë, unë, personalisht, nuk kam dëgjuar që ka ndodhur ndonjë fatkeqësi, sepse ato janë me ambalazh të sigurt, janë në vend të sigurt, etj.

    Le të flasim për rreziqet…

    Rrezik potencial ne mund të quajmë një gjë tjetër, jo zbërthimin, demontimin, çaktivizimin e lëndëve helmuese. Se, në qoftë se kjo do të bëhet tek ne, por nuk do të bëhet nga ne, (unë kam thënë dhe deklaroj se ne nuk kemi potencial njerëzor, infrastrukturor etj etj), absolutisht, kjo nuk duhet të diskutohet që me këtë punë mos të merren fare shqiptarët dhe në këtë kuptim do të ishte më mirë të mos vijnë fare tek ne. Por, në qoftë se për ndonjë forcë madhore do të duhet të vijnë këtu, ata që do i sjellin këtu, do e bëjnë këtë punë nga fillimi deri në fund. E them dhe një herë, që jam me lëvizjen e përgjithshme që të mos ndotet mjedisi, por në rolin e toksikologut duhet të mendoj dhe një variant imagjinar. Nëse do të vijnë tek ne, do të depozitohen, do mbrohen dhe unë kam thënë që objekti duhet të jetë i rëndësisë së veçantë, të mbrohet me forca speciale qoftë dhe me satelit dhe këmbë shqiptari nuk duhet të ketë aty. Sistemi i çaktivizimit është i mbyllur. Në radhë të parë nuk do futen në sistem çaktivizimi 1000 ton, por do të futen pjesë-pjesë, aq sa zë impianti. Janë dy metoda; metoda me nxehje, siç bëjnë rusët; ose metoda me hidrolizë me hidroksid natriumi. Ato do të kalojnë nëpër filtra dhe nëse do të ndodhë të dëmtohet një predhë atje, janë njerëzit që marrin masat në vend dhe jashtë nuk del gjë. Ndodh jashtë, vetëm nëse merret një predhë në depo. Dua t’ju them dhe një herë që predhat nuk kanë material eksploziv. Logjika e do, që nëse do të sjellin predhat, ata duhet t’i çaktivizojnë që mos të pëlcasin fare. Qeveria shqiptare e ka për detyrë, që atyre që do t’i sjellin, ti vërë detyrë që në Shqipëri të mos mbetet asnjë ngelje toksike.

    Këto mbetje toksike ku do shkojnë?

    Çaktivizimi kudo që të bëhet dhe nga kushdo që do bëhet, do të bëhet çaktivizimi i lëndës helmuese si e tillë, si lëng dhe duhet bërë dhe asgjësimi i ambalazheve të tyre, qofshin këto fuçi, kontenierë, apo municione. Nëse flasim për lëndë helmuese luftarake, nuk ka mbetje të mirëfillta toksike, sepse për shembull zarina në përbërjen e saj ka fosfor, flor, karbon, oksigjen dhe nëse do të shtojmë dhe ipritin do të ketë dhe squfur. Këto gazra që do të bëhen në sasi të konsiderueshme do të dalin në natyrë të infiltruara dhe ajri do të dalë i filtruar se këto ngelje do të ngelen atje në filtra. Pra, në kuptimin e çaktivizimit të lëndëve helmuese, rreziku është vetëm imagjinar. Por aliazhet, predhat, fuçitë etj., janë helme kimike, janë metale të rënda toksike që kanë efekt toksik jo me ditë, muaj dhe vite, por me shekuj. Prandaj këto ose t’i nxjerrë të çaktivizuar ose t’i heqë prej këtej e t’i çojë gjetkë. Ne kemi shembull shumë të mirë Gërdecin. Kimistët tanë, tre veta të caktuar nga shteti, zbuluan në tokë 9 lëndë helmuese, nga të cilat njëri qe mbi nivelin e normës. Materialet që u çuan në Zvicër në rrugë të tjera zbuluan jo 9, por 19 dhe jo 1 toksikë, por 9 toksikë, nga të cilët 4 qenë mbi nivelet e normës. Ende dhe sot, qeveritë nuk kanë marrë asnjë masë për detoksikimin e kësaj zone, ku lëndët toksike qëndrojnë atje, janë në tokë, zhyten poshtë, ngjiten lart nëpërmjet bimësisë dhe njerëzit helmohen pak nga pak, se këto kanë veti akumuluese. Kjo vatër është në Gërdec.

    Protestat, Qeveria të bëjë transparencë

    Personalisht i gjykoj si demokratike gjithë këto demonstrata dhe në vendin tonë postkomunist, ky është ndoshta rasti i parë që njerëzit demonstrojnë hapur. Së pari, unë mendoj, se me këtë punë Qeveria duhet të kishte dalë përpara dhe të bënte transparencë. Ato gjëra që populli kërkon rrugëve të ishin sqaruar: Ç’janë këto armë? A janë armë kimike, apo lëndë helmuese ushtarake? A kanë potencial shpërthyes, apo kanë rrezik imagjinar?  E dyta, unë them që lëvizja popullore nuk duhet të jetë nën frerët e një force politike. Ne jemi ngopur dhe jemi mbushur me mitingje elektorale. Unë mendoj se po rrëshqet pak situata, se është futur politika dhe këtu ka përgjegjësi qeveria që duhet të bënte transparencë. Unë mendoj që popullin e çoroditur, pa një informacion të saktë, e drejton një forcë politike. Kur të vijë puna për tu marrë një vendim, ky vendim nuk duhet të merret nga një forcë politike, nga maxhoranca me 84 vota, por është mirë të bëhet me vendime konsensuale mes dy forcave politike që përfaqësojnë të gjitha shtresat e popullsisë. Insistoj dhe një herë që lëvizja është demokratike, por kam frikë të polarizohet. Ata duhet të kërkojnë transparencë. Qeveria është e detyruar të bëjë transparencë që dhe ne specialistët të flasim më konkretisht dhe jo si unë tani, apriori.

    Zonat e nxehta kancerogjene të Shqipërisë

    Ekziston në Shqipëri një ‘libër i bardhë’ “Për përgatitjen e vendeve të asociuara të Europës Qendrore dhe Lindore për integrimin në tregun e brendshëm evropian”, i botuar në vitin 2004. Dhe qeveritë tona, në bazë të këtij libri, kanë bërë dhe planin e veprimit sesi do të merren masa për asociimin. Ai libër vë masa për policinë, për rendin, për drogën, për prostitucionin, për trafikimin, midis të tjerave dhe për mjedisin. Dhe ç’detyra ka për mjedisin? Që të rehabilitohen zona të nxehta si Vlora me “Pyllin e sodës” dhe zhivën; Ballshi me zonat naftëmbajtëse; Fieri me Azotikun me rezervat e mëdha të arsenikut dhe me “lumin e vdekur” të Gjanicës; Porto Romano me klororganikët që është akoma në tokë; Rubiku me arsenikun, etj. Detyra e tyre janë dhe lumenjtë apo minierat e hapura që janë varr i hapur jo vetëm që vdesin njerëz, por që janë me mijëra km tokë me ndotje krom, bakër, arsenik, pirit të cilat shkojnë në det nëpërmjet lumenjve. Dhe deri më sot, asnjë qeveri nuk ka marrë asnjë masë për neutralizimin e tyre, megjithëse detyra ishte që në vitin 2010 duhet t’i kishin mbaruar këto. Së dyti, PNUD-i ka evidentuar zona të tjera si Kombinati i Autotraktorëve, Beratin, minierat e qymyrit, Metalurgjikun, të cilët emetojnë metale të rënda dhe na sjellin 250 njerëz kancerozë në Shqipëri. Autorët e propogandës që merren me armët kimike duhet të merren dhe me këto. Dhe unë nuk jam dakord se, lëndët helmuese ushtarake kanë veprim kancerogjen, hemutagjen etj, sepse ato të vrasin në çast. Këtu nuk ka kancer, këtu ka ose vdekje ose asgjë.