Av. Idajet Beqiri: “Byroja Kombëtare e Hetimit, armë për të luftuar korrupsionin”

402
Sigal

Avokati, politologu Idajet Beqiri, në intervistën për “Telegraf” hedh dritë për Byronë Kombëtare të Hetimit, i cili do të  ngrihet nga qeveria e Ramës, si pjesë e një premtimi elektoral,  për qëllimin dhe rolin e saj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për raportet e saj me institucionet e tjera të pavarura si Prokuroria dhe sesi, kjo Byro e Hetimeve nuk do të mund të keqpërdoret nga ekzekutivi, edhe pse do jetë pjesë e saj dhe jo institucion i pavarur kushtetues.

 Jakup B. GJOÇA

– Zoti Beqiri, ngritja e Byrosë së Hetimeve, a bie ndesh me institucione të tjera të pavarura kushtetuese, sikurse Prokuroria?

Për Byronë Kombëtare të Hetimeve dimë vetëm që Kryeministri  Edi Rama, në fushatën elektorale të 23 Qershorit, ju parashtroi një formulë të re për reformimin e strukturave të hetimit dhe të parandalimit të krimeve, të trafiqeve, të kontrabandës dhe të korrupsionit. Byroja Kombëtare e Hetimit, ose «FBI-ja shqiptare », sikurse kanë dëshirë ta etiketojnë në vendin tonë, do të rregullohet me një ligj të posaçëm.  Byroja Kombëtare e Hetimit po konceptohet si një drejtori qendrore pranë Kryeministrit që do të funksionojë për koordinimin e të gjitha shërbimeve. Këto shërbime duke u shkrirë në një strukturë të vetme, do të bëjë që kalimi i informacionit nga poshtë-lart, jo vetëm që do të bëhet transparent, por edhe i kontrollueshëm nga mekanizma të ndryshëm si dhe i pamanipulueshëm. Kjo Byro do t’i detyrojë këto shërbime që të mos punojnë paralel, por të punojnë të bashkuara në një strukturë të vetme, për një sërë çështjesh që sot janë të pakoordinuara. Kjo strukturë do të organizojë dhe do të garantojë, gjithashtu, mirëfunksionim edhe të pjesëve të tjera të organizmit shtetëror.

– A gjen mbështetje në Kodin e Procedurës Penale dhe në Kushtetutën e Republikës?

– Gjen mbështetje ligjore, sipas vlerësimit tim, sepse, në fund të fundit, kjo Byro do të ketë të njëjtat funksione dhe kompetenca që ka sot Policia Gjyqësore.

– Cili do të jetë subjekti i hetimeve dhe sa e pavarur do të jetë nga politika?

– Subjektet e hetimeve të Byrosë Kombëtare të Hetimit janë të lidhura me kompetencat lëndore në fushën e kriminalitetit që do të ketë kjo Byro. Subjektet do të jenë gjithfarë llojesh. Ndërsa kompetencat e saj lëndore do të jenë analiza e informacionit kriminal, i cili do të vijë nga shërbimet e specializuara të shtetit shqiptar. Do të jetë lufta kundër trafiqeve njerëzore që janë kthyer në një gangrenë në Shqipëri. Do të jetë lufta kundër kontrabandës në kufirin e Shqipërisë me rajonin dhe kontrabandën ndërkombëtare, lufta kundër trafikut të drogës dhe të lëndëve radioaktive, lufta për eliminimin e armëve eksplozive dhe anti-terror, lufta kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit. Do të jetë njësia speciale e agjentëve të mbulimit, si dhe policia shkencore dhe antikrimi kompjuterik, mbrojtja e dëshmitarëve dhe akomodimi i tyre.

– Duke u nisur nga kultura jonë penale, demokratike, sa real është rreziku që kjo Byro të kthehet nga ekzekutivi në një organ hetimi vetëm ndaj kundërshtarëve politike?

– Rreziku i keqpërdorjes së kësaj Byroje është eminent për çdo qeveri. Sot qeverisemi nga një qeveri e përgjegjshme, e cila së paku nga mënyra se si po vepron këto pak muaj, po tregon se ligjin dhe zbatimin e tij e ka të shenjtë. Ky shërbim domosdo kërkon demokratizim. Demokratizim do të thotë llogaridhënie dhe transparencë. Me siguri do të jetë një sfidë për mirëqeverisjen e këtij shërbimi në vitet e qeverisjes së Ramës. Rreziku i keqpërdorimit të Byrosë Kombëtare të Hetimeve, sidomos përdorimi i këtij shërbimi ndaj kundërshtarëve politikë nuk përjashtohet, por me një sistem efektiv mbikëqyrjeje nga Parlamenti, nga institucionet e pavarura dhe nga shoqëria civile, rreziku i shpërdorimit të tij zvogëlohet.

– Organeve të drejtësisë, deri tani, u ka munguar një organizëm, sikurse Byroja Kombëtare e Hetimeve, që nuk bëjnë dot hetimet ndaj korrupsionit në shkallët e larta të politikës, të gjykatave, etj.?

– Hetimet sot bëhen nga Policia Gjyqësore. Byroja Kombëtare e Hetimeve garanton një rritje shumë të shpejtë të cilësisë së punës hetimore. Ajo garanton një shkëputje shumë të shpejtë të lidhjeve të konsoliduara që kanë kompromentuar deri tani punën hetimore. Tashmë informacioni do jetë i kontrolluar nga mekanizma të ndryshëm dhe mbi të gjitha do të jetë i pamanipulueshëm.

– A mendoni se me Byronë e Hetimeve, do të fillojë konkretisht lufta kundër korrupsionit edhe në shkallët e larta të politikës, të gjykatave, të prokurorisë, të cilat akuzohen për korrupsion?

– Shpresoj dhe besoj sinqerisht në këtë gjë. Nëse kjo luftë do të nisë fillimisht kundër disa gjyqtarëve dhe prokurorëve në të gjitha shkallët e gjykimit, shumë shpejt do të shihnim një Shqipëri tjetër, një vend që do t’ia vlente të jetonim.

Prokuroria do të mbikëqyrë Byronë Kombëtare të Hetimit

 – Cilat do të jenë të veçantat e kësaj Byroje të Hetimit?

– E veçanta e saj do të jetë se do të merret me problematikën që lidhet me hetimin dhe parandalimin e kriminalitetit të rëndë, me atë kriminalitet që është bërë «gangrenë» për shtetin dhe shoqërinë tonë. Kjo Byro do të funksionojë dhe do të ketë një organizimi të tillë, që të jetë maksimalisht efikase në veprimtarinë e saj, sepse do t’i ketë në dorën e saj, të lidhura në një zinxhir të vetme të gjitha hallkat e tij, dhe jo sikurse janë sot, çdo hallkë, zinxhirë më vete!

–  Kjo Byro e Hetimeve do të jetë pjesë e ekzekutivit, apo hallkë e institucioneve të pavarura të Drejtësisë? Si mund të funksionojë kjo Byro e Hetimeve?

– Ka disa ide të pakristalizuara për ketë çështje. Një mendim është që kjo Byro të jetë një strukturë nën varësinë e Kryeministrit. Një ide tjetër është që të jetë një strukturë nën varësinë e ministrit të Drejtësisë ose ministrit të Brendshëm. Pra është konceptuar si një strukturë pjesë përbërëse e pushtetit ekzekutiv.

– Byroja e Hetimeve është paralel, nën varësinë apo mbi Prokurorinë?

 – Byroja Kombëtare e hetimeve nuk mund të marr dot kompetencat kushtetuese të Prokurorisë. Kjo Byro krijohet për të garantuar suksesin në luftën kundër krimit të rëndë, krimit të organizuar, kundër korrupsionit dhe trafiqeve etj. Ajo as do u bjerë ndesh, as do i dublojë dhe as nuk do nxjerrë «jashtë loje» asnjë prej institucioneve të pavarura kushtetuese.. Gjithsesi Byroja Kombëtare e Hetimeve nuk është mbi Prokurorinë. Përkundrazi, Prokuroria do të jetë mbikëqyrja e punës së kësaj Byroje, qoftë me anën e kontrollit të hetimeve, qoftë edhe me formulimin dhe ngritjen e aktakuzës.