Dokumentacioni, ku, si, kur mund të studioni në Gjermani

    1184
    Sigal

    GJERMANI/Universitetet: Në Gjermani studiojnë çdo vit mbi 190.000 studentë të huaj

    Gjermania me 190.000 studentë të huaj në vit, zë vendin e tretë në botë sa i përket studiuesve të shkollimit të lartë që vijnë nga vendet e ndryshme të botës, shifër kjo, e cila është në rritje. Edhe pse me kushte të mira studimi, për shumicën nga ta, ka ende vështirësi.

    Fati është i njëjtë për të gjithë, e këtë fat e kanë edhe shumë studentë shqiptarë të cilëve u janë hapur dyert në universitetet më të njohura gjermane.
    Të ardhur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe viset shqiptare nga Mali i Zi, studentët shqiptarë në Gjermani përbëjnë strukturën më të integruar shqiptare në shoqërinë gjermane, gjë që tek opinioni i vendit vlerësohet pozitivisht. Studentëve shqiptarë, kryesisht janë të orientuar në qytetet kryesore si Berlini, Hamburgu, Munihu, Shtutgarti, Hannoveri, Dyseldorfi, etj..

     Sistemi i shkollave të larta në Gjermani


    Ç’lloje shkollash të larta ekzistojnë në Gjermani?

    Tre lloje kryesore: universitete, institute të larta profesionale dhe shkolla të larta të arteve.

    Cilat janë ndryshimet midis këtyre shkollave të larta?

    Në mënyrë shumë të përgjithshme mund të thuhet që studimet në universitete janë më teorike dhe më gjata në kohë, studimet në institutet e larta profesionale janë më praktike dhe më të shkurtra. Dhe është e kuptueshme që nuk mund të jepet një vlerësim i  përgjithshëm për shkollat e larta të arteve.

    Çfarë lloj diplomash mund të merren në shkollat e larta gjermane?

    Diploma e instituteve të larta profesionale deri tani quhej “Diplomë”, ndërsa në universitete deri tani ka patur tre lloje diplomash: “Staatsexamen” për mjekët dhe juristët, “Diplomë” për studimet e shkencave natyrore, sociale dhe ato të inxhinierisë, si dhe “Magister” për studimet e dijeve humane.

    Cili është ndryshimi kryesor midis sistemit shqiptar dhe atij gjerman?

    Në Gjermani shkollat e larta gëzojnë një autonomi relativisht të madhe, si në aspektin financiar ashtu edhe në atë politik. Kjo do të thotë që çdo shkollë e lartë ka një profil të ndryshëm, gjë që në shumë raste krijon probleme për studentët e huaj që janë në kërkim të një universiteti ose të studimeve të përshtatshme. Nga ana tjetër shanset për të gjetur një universitet që përmbush maksimalisht dëshirat dhe kërkesat e studenteve janë më të larta. Por cilido qoftë universiteti juaj – në Gjermani mund të jeni të sigurt se kudo të studioni sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.

    Rruga individuale drejt universitetit ose institutit të lartë profesional

    Çfarë duhet të di nëse dëshiroj të studioj në Gjermani?

    Fillimisht duhet të dini çfarë dhe ku dëshironi të studioni.

    Kush mund të më ndihmojë për të vendosur se çfarë të studioj?

    Përgjigje e shkurtër: Ju vetë.  Ju vetë e dini më mirë se kushdo tjetër se për ç’gjëra keni më shumë interes dhe çfarë drejtimi universitar ju pëlqen më shumë.

    Kush mund të më ndihmojë për të gjetur një universitet ose një institut të lartë profesional që përputhet me interesat e mia?

    Përsëri një përgjigje e shkurtër: Ju vetë. Ndoshta ju keni dëshirë të banoni në një qytet të përcaktuar, ndoshta atje keni familje ose të afërm. Ndoshta keni dëshirë të studioni në një universitet të madh ose preferoni një universitet të vogël.

    Një ndihmë këtu mund t’ju ofrojë interneti: Nën adresën (www.dashochschulran king.de) mund të kërkoni universitetin apo institutin e lartë profesional që përputhet më mirë kërkesat dhe dëshirat tuaja. Ka edhe informacion në anglisht.

    Nëse kërkoni informacion për qytetet në Gjermani, këtë do ta gjeni gjithmonë nën adresa të tilla si p.sh. www.koeln.de (Köln), www.hamburg.de (Hamburg) ose www.berlin.de (Berlin).

     Gjuha gjermane

    A duhet ta zotëroj gjermanishten nëse dëshiroj të studioj në Gjermani?

    Nëse dëshironi të kryeni studime universitare: Po.

    Nëse doni të kryeni studime pasuniversitare, “master” ose doktoraturë: Jo gjithmonë.

    Sa mirë duhet ta zotëroj gjuhën gjermane?

    “Studienkolleg”-et kërkojnë “njohuri e mirë” – por janë ata vetë që do të përcaktojnë se çfarë kuptohet me “njohuri e mirë”.

    Për të kryer studime në një universitet ose në një institut të lartë profesional, ju keni nev-ojë për njohuri të shkëlqyeshme. Duhet ta provoni duke bërë një provim që quhet “DSH” (Deutsche Sprachprüfung für den Hochschulzugang). “Studienkolleg”-et do t’ju përgatisin për këtë provim i cili mund të quhet një provim i vështirë.

    Ku mund ta jap DSH-në?

    DSH-ja jepet në universitetet gjermane. Kush nuk kalon mund ta riprovojë vetëm një herë tjetër.

    A ka alternativë për DSH-në këtu në Shqipëri?

    Për fat të keq jo shumë:

    -Qendra e Gjermanishtes në Tiranë organizon provimin ZOP. Më shumë informacion mund të merrni në Qendrën e Gjermanishtes pranë shkollës së mesme “Asim Vokshi”.

    -Kujdes: Shkollat që ju garantojnë se mund të studioni në Gjermani vetëm me dëftesën e tyre të pjekurisë ju mashtrojnë!!

    Ku mund ta mësoj mirë gjuhën gjermane?

    Ne rekomandojmë Qendrën e Gjermanishtes në shkollën e mesme “Asim Vokshi”, në Rrugën e Elbasanit. Atje mund të merrni mësime nga një staf shumë i kualifikuar dhe pagesa nuk është e lartë. Provimet në Qendrën e Gjermanishtes përputhen me standartet e Institutit Goethe që është i njohur në të gjithë botën. Natyrisht që në Shqipëri ka edhe shumë shkolla private, por nuk mund t’ju themi asgjë për cilësinë e tyre.

    Atëherë, nëse dëshiroj të studioj në Gjermani, më mirë të filloj të mësoj gjermanishten që sot!

    Çfarë duhet të bëj fillimisht?

    Hapi i parë: Kërkoni në internet universitetin ose institutin e lartë profesional për të cilin jeni të interesuar. Këta do t’i gjeni gjithmonë nën adresat si p.sh: www.uni-konstanz.de (për universitetin e Konstancës) apo www.fh-jena.de (për institutin e lartë profesional të Jenës).

    Hapi i dytë: Kërkoni faqet e “Akademisches Auslandsamt”-it (AAA) ose “International Of-fice”. Atje mund të informoheni – edhe në anglisht – se për cilat dokumente keni nevojë për të bërë një aplikim. Në shumë raste, këta janë: Dëftesa e pjekurisë, një certifikatë që tregon nivelin tuaj të gjermanishtes, një fotokopje e pasaportës tuaj dhe një letër motivimi. Nëse studioni në një universitet shqiptar, kërkohet edhe një certifikatë që provon se e keni kaluar provimin e pranimit. Të gjitha dokumentet në shqip duhet të jenë të përkthyera në gjermanisht dhe të noterizuara.

    Hapi i tretë: Plotësoni një “Antrag auf Zulassung zum Studium für ausländische Studienbe-werber/innen” (“Aplikim pranimi për studime nga aplikues të huaj”). Këto aplikime ekzistojnë në gjermanisht dhe në anglisht. Shumica e universiteteve përdorin këtë aplikim standard.

    Kur janë afatet të fundit për t’i dorëzuar aplikimet?

    Sa më shpejt, aq më mirë. Në shumë universitete dhe institute të larta profesionale data e fundit është 15 korrik, në disa shkolla të larta data është më herët. Zakonisht, shkollat e larta nuk pranojnë në asnjë mënyrë që dokumentet të dorëzohen më vonë. Deri në datën e përcaktuar të gjitha dokumentet duhen të ndodhen në zyrat e “Akademisches Auslandsamt”-it ose në zyrën e ASSIST-it.

    Çfarë është “ASSIST”?

    “ASSIST” është një vend qendror që i ngarkuar nga rreth 50 shkolla të larta kontrollon nëse dokumentat tuaja janë të plota dhe formalisht në rregull. Nëse universiteti që ju keni zgjedhur është anëtari i ASSIST-it duhet të drejtoni aplikimin tuaj atje. Aktualisht një aplikim me ASSIST-in kushton 50 Euro. Çdo aplikim tjetër kushton 10 Euro.

    Albert Z. ZHOLI