Aksident fatal, dëmtohet rëndë Ilir Azemi

508
Sigal

Sulmuesi 22-vjeçar i Grojether Fyrthi dhe kombëtares së Kosovës jashtë rrezikut për jetën

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Ilir Azemi, pësoi një aksident të rëndë rrugor në orët e para mëngjesit të djeshëm (04:38) në rrugën e Fyrtherit që të çon në drejtim të Nurembergut. Ylli i ekipit të Bundesligës 2, Grojther Fyrtherit, u dëmtua rëndë dhe ai ndodhet prej ditës së djeshme në klinikën e Fyrtherit, por për fat të mirë është jashtë rrezikut për jetën. 22-vjeçari po udhëtonte me “Audi”-n e tij, teksa fillimisht është përplasur me një mjet furgon (Citroen) para se të dëmtohej edhe më rëndë nga një shtyllë e energjisë elektrike. Sikurse raportojnë mediat gjermane, shtatlarti shqiptar ka mbetur i bllokuar për rreth 40 minuta në “Audi”-n e tij dhe është dashur ndërhyrja e forcave të emergjencës për ta nxjerrë nga automjeti. Në mbështetje të sulmuesit kosovar doli presidenti i Greuther Furth-it, Helmut Hak, i cili siguroi se do të ketë mbështetjen maksimale të klubit që të shërohet sa më shpejt. “Unë mora para një ore informacionin që, Ilir nuk është më në rrezik për jetën, ashtu siç kishte qenë më parë. Ai po qëndron për momentin në repartin e trajtimit intensiv. Në ditët e ardhshme do të flasim me mjekët për trajtimin e mëtejshëm të tij”, – citohet Helmut Hak nga tabloidi gjeman “Bild”. Pak orë para aksidentit të rëndë Azemi kishte sqaruar përmes faqes së tij në “Facebook” se do të mbetej te Greuther Furth, pavarësisht ofertave. Sipas Azemit, klubi gjerman i kishte refuzuar të gjitha ofertat që kishin ardhur në drejtim të tij, ndaj ishte i detyruar të qëndronte te kjo skuadër të paktën deri në fund të sezonit. Ilir Azemi ishte golashënuesi më i mirë i Grojther Fyrthit gjatë sezonit të kaluar, duke shënuar 14 gola, por pa e ndihmuar dot ekipin e tij të fitonte një biletë direkte për ngjitjen në Bundesligën 2. Sipas raportit të policisë gjermane, të dy mjetet kanë pësuar një dëm që llogaritet deri në dhjetë mijë euro, ndërkohë që dy makinat nuk janë më të përdorshme. Të dy shoferëve iu bënë analizat e gjakut. Ndërkohë që rezultatet e analizave të Azemit nuk janë bërë ende të njohura, ato e shoferit të Citroen-it rezultuan, 0,0 për mijë. Shoferi i furgonit i tha policisë së ai kishte kaluar kryqëzimin kur ishte ndezur drita jeshile.

 15 gola

ka shënuar Ilir Azemi në 49 ndeshje me Grojther Fyrthin, 14 prej të cilave sezonin e kaluar.

 Mavraj: “Shërohu sa më shpejt!”

 Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, shok skuadre me Ilir Azemin gjatë tre sezoneve të fundit te Grojther Fyrthi, i uroi atij një “shërim të shpejtë”. “Kam mbetur i shokuar, – shkruante Mavraj përmes faqes së tij në rrjetin social. – Uroj që të kesh ndihmën e Zotit, që ne të rishihemi së shpejti shëndoshë e mirë”. Edhe lojtari i Grojther Fyrthit, Shtefan Shrok, i uroi një shërim të shpejtë Ilir Azemit.

 Shqipëria përfaqësohet në Kinë me pesë sportistë, dy çiklistë, dy atletët dhe notarja Noel Borshi

 Lojërat Olimpike Rinore “Nanjign 2014”

  Ekipi Olimpik Rinor, i cili do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Rinore “Nanjing 2014” u mblodh në një takim në zyrat e KOKSH në të cilin ishin prezent edhe përfaqësues të federatave përkatëse.

Qëllimi i këtij takimi ishte informimi i Ekipit lidhur me pjesëmarrjen në këto Lojëra, masat e marra nga KOKSH si dhe koordinimi me Federatat përkatëse për përgatitjen dhe gjendjen e sportistëve që do të marrin pjesë. Gjithashtu në këtë takim, Ekipit i është prezantuar uniforma e përfaqësimit e siguruar nga KOKSH si dhe nënshkrimi i kontratave për pjesëmarrje si Anëtar i Delegacionit Olimpik. KOKSH ka mundësuar grumbullimin e sportistëve për përgatitjen përfundimtare përpara pjesëmarrjes në Lojërat Olimpik Rinore “Nanjing 2014” në mënyrë që ata të përfaqësojnë më të mirën e tyre me rezultatin sportiv. Aktualisht dy sportistët e atletikës Deliu dhe Bashku janë grumbulluar në resortin “Te Stela” dhe po vijojnë përgatitjen e tyre në stadiumin “Qemal Stafa”. Ndërkohë, çiklistët Ramaliu dhe Kopshti duke qenë se Federata Shqiptare e Ciklizmit ka kërkuar që sportistët të grumbullohen dhe vijojnë stërvitjen në Itali, për shkak të kushteve dhe infrastrukturës më të përshtatshme. Gjithashtu edhe notarja Borshi ka vijuar stërvitjen në Itali, për shkak të kushteve më të mira stërvitore. Nisja e Ekipit Olimpik Rinor pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Rinore “Nanjing 2014” do të jetë më datë 12 gusht 2014. Çiklistët për shkak të bazës materiale dhe vijimit të grumbullimit, do të nisen direkt nga Italia për në Nanjing.

Ekipi Olimpik Rinor

Realdo Ramaliu         Çiklizëm

Ridion Kopshti          Ciklizëm

Francesco Frassi        Trajner

Noel Borshi        Not

Sadik Mema              Trajner noti

Eneda Deliu        Atletikë

Suad Bashku              Atletikë

Gjergj Ruli          Zyrtar

Sabahat Kastrati        Masazhoterapist

Kliton Muça       Staf Administrativ

Xhemaili fut në krizë Barcelonën

 Blerim Xhemaili fut në krizë Barcelonën. Klubi i madh spanjoll ka një çështje të re, atë të portierit. Katalanasit u mposhtën 1-0 në miqësoren me Napolin, takim që u vendos nga një gol fantastik nga distance i Blerim Xhemailit, që lëshoi një silurë të vërtetë nga larg, por futbollistit të lindur në Tetovë i duhet që padyshim të falënderojë dhe gardianin ekstrem të katalanasve, Klaudio Bravo për gjestin e tij naiv, pasi goditja nuk ishte e parezistueshme, por kiliani e çoi me duart e tij topin drejt rrjetës. Episod që favorizon padyshim gardianin tjetër të katalanasve, Andre Ter Stegen për një vend fiks në formacion me Viktor Valdes që ka siguruar se e ka mbyllur kapitullin “blaugrana megjithëse zyrtarisht është ende lojtar i Barçës. Trajneri Luis Enrike ende nuk ka zbuluar se cili do të jetë titullari mes shtyllave, por u përpoq ta minimizonte gabimin e Bravos duke deklaruar,- “ Ai aksion nuk ka asnjë rëndësi, është vetëm një gabim dhe nuk duhet ti kushtojmë vëmendje atij detaji”, ndërkohë që vetë Bravo insistoi se do të vazhdojë të punojë për të evituar gabimet pasi ka goxha vetëbesim mbi aftësitë e tij.

“Ndieja një krenari të pamatë që po luaja për Barcelonën, por unë do të vazhdoj të punoj, pasi ekziston gjithmonë rreziku që këto gjëra të ndodhin kur je në këtë rol, por rrini të qetë, unë e di se sa vlej”.