Bilal Kola: Ja si do funksionojë dëmshpërblimi për personat që nuk kanë marrë asnjë këst, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri

    460
    Sigal

    Flet z. Bilal Kola, kreu i Institutit të ish të Përndjekurve Politikë për procesin e dëmshpërblimit dhe kategoritë që nuk janë përfshirë në ligjin e ri

     Hyrja në fuqi në shtator e ligjit të ri për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë krijon një ngërç, përsa i përket vijueshmërisë së shpërndarjes së dëmshpërblimit për personat që nuk kanë marrë asnjë këst. Ndërsa përcaktohen qartë grupet që u jepet përparësi për dëmshpërblimin, ligji i ri nuk përcakton se çfarë do të ndodhë me personat të cilët po marrin aktualisht këstin e parë. Por, kreu i Institutit të të Përndjekurve Politikë, z. Bilal Kola, sqaron në një intervistë për “Telegraf” gjithçka ka të bëjë me dëmshpërblimin. Në mendimin e tij, ky ngërç kapërcehet në bazë të parimit të solidaritetit, duke u shprehur se do të vijohet me dhënien e këstit të parë, (deri sa të krijohet barazia në këstet e shpërndara), por sipas prioriteteve që përcakton ligji i ri. Ndërsa shprehet se do të jenë aktet nënligjore dhe udhëzimet përkatëse që do të përcaktojnë qartë sesi do të veprohet me shpërndarjen e dëmshpërblimit.

      Z. Kola, si po vijohet me procesin e dëmshpërblimit për ish të përndjekurit politik?

    Procesi i dëmshpërblimit ka vijuar normalisht dhe rregullisht, pa asnjë ndërprerje. Që nga fillimi i këtij viti e deri më datë 19 gusht janë dëmshpërblyer në nivel personash, jo dosjesh, 1283 individë, që natyrisht në nivel dosjesh janë më pak, janë rreth 540 dosje. Sa i përket vlerës financiare të dëmshpërblimit 1283 persona deri në datën 19 gusht kanë marrë një vlerë, rreth 2,8 milion dollarë. Siç duhet të jeni në dijeni shuma totale e miratuar për vitin 2014 është 18 milionë dollarë, kështu që deri nga fillimi i shtatorit që do të sjellë futjen në fuqi të ligjit të ri do të vijojë normalisht procesi. Por kini parasysh që këta 1283 ish të përndjekur, janë persona që nuk kishin marrë asnjë këst. Pra, këta persona kanë marrë këstin e parë. Dhe me hyrjen në fuqi të ligjit, natyrisht, do të vijojnë me procedurat siç i përcakton ligji.

     Ndërsa shuma e alokuar për dëmshpërblimet është 18 milionë dollarë, deri më tani ju thatë se janë shpërndarë vetëm 2,8 milion dollarë dhe kjo përbën një shumë të vogël nga e tëra. Kur në kaq muaj është shpërndarë kaq pak, a mendoni se do të ezaurohet e gjithë shuma deri në fund të vitit, ndërkohë që kanë ngelur vetëm 4 muaj e disa ditë?

     Po, është e vërtetë. Është rreth 17 % e fondit të miratuar vjetor që është shpërndarë deri më sot. Kini parasysh se ka patur një procedurë relativisht skrupuloze për përcaktimin e dosjeve, se bëhet fjalë për seleksionim dosjesh, jo domosdoshmërisht duhej të shpërndahej dëmshpërblimi në mënyrë të papërcaktuar. Duke qenë se është punuar në mënyrë koncize dhe skrupuloze për të bërë atë që quhet seleksionim dosjesh të atyre që nuk kishin marrë asnjë këst, le të themi që kemi pasur një shpërndarje proporcionalisht të ulët me vlerën e fondit të miratuar, pra vetëm rreth 17 % e fondit të miratuar është shpërndarë. Por le ta marrim dhe ta gjykojmë nga ana pozitive çështjen. Nga ana pozitive, fakti që të gjithë 1283 personat, që janë dëmshpërblyer deri më sot, kanë marrë këstin e parë, kjo për mua është një gjë shumë pozitive. Pra, synimi është që të shkojmë dhe të barazojmë të gjithë përfituesit, fillimisht ata që nuk kanë marrë asnjë këst dhe më pas personat që do përfundojnë marrjen e këstit të parë të marrin këstin e dytë, pasi deri më sot, siç e dini, janë shpërndarë deri në 2 këste. Por kjo, në mënyrë jo shumë solidare, ndërkohë që kemi pasur njerëz që nuk kanë marrë asnjë këst, kemi pasur disa prej tyre që kanë marrë një këst dhe disa të tjerë që kanë marrë dy këste. Pra, ideja është të ketë një sens solidar në shpërndarjen e dëmshpërblimit, duke nisur me personat që nuk kanë marrë asnjë këst.

     Ju thatë që në shtator hyn në fuqi ligji i ri. A do të shoqërohet me akte nënligjore apo udhëzime ky ligj?

    Patjetër. Ligji i ri hyn në fuqi në shtator dhe 10 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, do të hyjnë në fuqi dhe aktet nënligjore që do të bëjnë të zbatueshëm këtë ligj. Ajo që ju siguroj unë është se, me ardhjen në fuqi të ligjit, natyrisht, përparësitë që ai përcakton me 70 % të fondit vjetor të miratuar për kategorinë e personave që janë gjallë, do të fillojë menjëherë nga zbatimi. Pra, po të marrim shifrën 18 milionë dhe t’i zbresim rreth 2,8 milionë që janë disbursuar (po flasim për shifrat aktuale, pasi deri në hyrjen në fuqi të ligjit këto shifra mund të ndryshojnë), ngelen rreth 15, 2 milionë dollarë dhe kjo shifër do të ndahet në 70 % për personat që janë gjallë dhe 30 % për trashëgimtarët e të dënuarve. Natyrisht, që ligji përcakton përparësitë dhe brenda personave që marrin rreth 70 % të fondit që janë fillimisht gratë, më pas burrat mbi 75 vjeç, ata nën 75 vjeç që klasifikohen me sëmundje të rënda sipas akteve ligjore, më pas bëhet një përjashtim se futen trashëgimtarët e mitur të personave të dënuar dhe më pas të gjithë personat që janë gjallë.

     Në fakt, si do të funksionojë dëmshpërblimi për personat që nuk kanë marrë asnjë këst pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri që përcakton përparësi në shpërndarjen e dëmshpërblimit?

     Ajo që unë gjykoj, në vazhdën e parimit të solidaritetit, me ardhjen në fuqi të ligjit të ri dhe aktet nënligjore që do shoqërojnë ligjin, (meqenëse ligji vetë nuk është se përcakton marrjen e këstit të parë, apo të dytë për personat që kanë marrë këstin e parë dhe pastaj vijueshmërinë me këstin e tretë), do të vazhdojnë të marrin këstin e parë gratë, burrat mbi 75 vjeç e kategoritë me radhë siç i thashë më sipër. Pra, mendoj, se vijueshmëria ka për të qenë e tillë, pavarësisht mënyrës prioritare që përcakton ligji dhe vetëm kur të ketë një barazi në këstet e shpërndara dhe kur të shkojmë deri në dy këste të shpërndara, (pasi maksimalisht janë shpërndarë deri më dy këste), atëherë do të fillojmë me shpërndarjen e këstit të tretë, por brenda përparësisë që përcakton ligji.

     A ka pasur ankesa nga ish të përndjekur, të cilët nuk janë përfshirë në dëmshpërblim për një arsye apo tjetër dhe çfarë po bëhet për ta?

    Po, është e vërtetë që ka pasur ankesa dhe shqetësime të ngritura nga ish të përndjekurit, por unë do ti kategorizoja këto shqetësime dhe ankesa në dy grupe kryesore: Në grupin e parë janë personat që kanë dorëzuar dokumentacionin me vonesë, pra përtej afatit që përcakton ligji dhe këtu kemi gjithsej 3000 dosje të cilët duhet të trajtohen. Se në gjykimin tim është absolutisht e padrejtë që një person, qoftë edhe për arsye objektive, nuk ka mundur ta dorëzojë dosjen në kohë, të përjashtohet nga përfitimi i diçkaje që ia njeh dhe ligji si të drejtë. Kjo është për mendimin tim hallka më problematike, por që ligji i ri nuk e ka shtruar këtë për zgjidhje. Dhe grupi i dytë ka të bëjë me ata persona që janë dënuar për veprat e terrorizmit. Por unë gjykoj se në Shqipërinë Komuniste, qoftë edhe për ta agravuar situatën e një të burgosuri, akuzat për veprat terroriste nuk ishin në terma ligjorë dhe terma faktikë, nuk ishin akuza standarde që mund të ngriheshin si në vendet e tjera të Lindjes. Për ta agravuar situatën, regjimi komunist i ngrinte akuzë terrorizmi dikujt që i kishte shkruajtur letër Komitetit Qendror të atëhershëm (raste që më kanë ardhur në zyrë). Janë akuzuar për terroristë se kanë shkruar një letër!? Pra, raste të tilla janë absolutisht raste që nuk mund të përfshihen në vepra terroriste, ndërsa për ato që janë vepra të mirëfillta terroriste, unë them që duhet ndjekur praktika e vendeve të tjera të Lindjes. Por ata persona që në mënyrë tendencioze janë dënuar për vepra terroriste, sigurisht që duhet të përfitojnë dëmshpërblim. Tani, këtu kemi një problem, që unë gjykoj është kushtetues, është një çështje tejet e mprehtë ligjore, pasi, si mund ta bësh ndarjen me thikë të dikujt që është dënuar për vepra realisht terroriste dhe dikujt që është falsifikuar dhe i është ngritur aktakuza pa bërë tentativë akti terror. Kështu që, këto janë çështje që duhen trajtuar me kujdes, që duhen trajtuar rast pas rasti me idenë që më pas të bëhet një amendim në ligj dhe personat që janë dënuar me të padrejtë për vepra terroriste të përfitojnë. Për ata, që pastaj janë dënuar për vepra mirëfilli terrori, duhet ndjekur praktika e vendeve të tjera të lindjes.

     Ledjana Saliu

    (vijon)