Nuk firmosi shkeljet financiare të drejtorit të Paraburgimit, largohet nga puna shefja e Financës

683
Sigal

Në Paraburgim ku mbahen 4-5 vetë, shteti paguan 55 persona. Denoncime për nepotizëm e abuzime me blerjet

Paraburgimi i Tropojës me një numër të kufizuar të para burgosurish, nga ku mesatarja mujore gjatë gjithë vitit është 4-5 persona. Ky numër është luks për çdo shtet të fuqishëm në botë, pasi kostoja e këtij paraburgimi është tepër e lartë në kushtet, kur shteti është në krizë financiare. Numri i punonjësve civilë e ushtarakë është 55 persona, të cilët sigurojnë 4-5 individë të paraburgosur. Kostoja vjetore kap shifrën rreth 500 000 $ në vit. A i ka mundësitë shteti shqiptar që të mbajë këtë kosto mbi shpatulla ku në afërsi të Tropojës ndodhet paraburgu i Kukësit, edhe ky me një numër të vogël të ndaluarish…  Paraburgimi  i Tropojës u hap më shumë për të punësuar 50 vetë në punë se sa për të kryer ndonjë nevojë të madhe që i duhej njeriut apo ministrisë së Drejtësisë. Në qoftë se do përdoreshin këto 500-600 mijë $   prej 7 viteve që është hapur ky paraburgim në ndonjë ndërmarrje tjetër si fabrika e përpunimit të gështenjës, qershisë, kumbullës, rrushit, boronicës etj., pra fruta që prodhohen me shumicë në Tropojë, do të punësoheshin mbi 250 vetë. Përveç përfitimeve të mëdha që do të kishte sektori i pemëtarisë edhe prodhimi nuk do të shkonte kot….

Në paraburgun e Tropojës punojnë njerëz që kanë lidhje të afërta gjaku e familjare, kusht i papranueshëm për këtë vend që do kërkesa të larta sigurie.  Kjo ka ardhur si rezultat i ndërhyrjes e interesave të shumta që kanë pasur drejtuesit e parë të këtij institucionipër të punësuar njerëz në këmbim  të ndonjë interesi ekonomik. U morën në punë fillimisht pa arsim të mesëm, pastaj u kryen marifete nëpërmjet gjykatës, ku u diplomuan mbi 10 vetë me faktin se gjoja janë djegur shkollat apo amzat dhe me dëshmitarë të rremë, gjykata i diplomoi brenda pak kohësh të gjithë ata punonjës policie që punonin në këtë paraburgim. U morën shumë policë e oficerë me precedentë penalë apo që kishin qenë në burg brenda vendit e jashtë tij, madje jashtë kritereve fizike si pa gishtërinj dore. Ka policë me gjatësi trupore 1m e 55 cm si që kanë detyrën e kontrollit dhe komunikojnë çdo ditë me publikun, i cili ngelet i habitur se si mund të shërbejë një “xhuxh” në këtë sektor, ku gjatësia trupore është kusht primar. Apo rasti tjetër, ku njëra kunatë është kontrollore dhe kontrollon kunatën e vet që punon si kuzhiniere në paraburgim. Me ndërrimin e drejtorit,vitin e kaluar, ka filluar një katrahurë lëvizjesh në kundërshtim me rregulloren e burgjeve e ligjeve të shtetit. Drejtori Granit Kurmekaj me forcën e karriges në mënyrë të flakte kundër rregullores ka lëvizur punonjësit e sektorit të policisë, duke u nisur në bazë të lidhjeve të shumta gjaku, familjare e miqësore që ka në vende kyçe që kërkojnë gradën, aftësinë, sjelljen e kohën. Në këto vende me grada ka vendosur njerëz pa grada. Kujtojmë se, pozicione të tilla kanë pagën më të madhe. Këto veprime dëmtojnë sigurinë po edhe Arkën e Shtetit, pasi pozicionet e vendosura nga drejtori bëjnë që këta punonjës të  paguhen më shumë, por edhe punonjësit e lëvizur që kanë grada paguhen në bazë të gradës në një sektor, ku puna kryhet pa gradë. Me një fjalë, i bie që kostoja e shërbimit në para në bazë të lëvizjeve që ka bërë drejtori të jetë miliona lekë, e në kundërshtim me ligjin e rregulloren e burgjeve.  Ky drejtor pyetet nga këta punonjës pse po bëhen këto shkelje të rënda, e përgjigja  e tij është: “Ligji jam unë”. Drejtori Granit Kurmekaj nuk pyet për asnjë ligj të shtetit. Konkretisht ditët e fundit largoi nga puna shefen e financës Fitore Danaj, vetëm se, kundërshtoi për shumë shkelje financiare që po bënte drejtori. Gjatë muajve të fundit drejtori e urdhëronte që të hidhte firmën për pjesët e makinës, një shumë prej 800 mijë lekë e të kalonte lekët pa ardhur pjesët e makinës në magazinë e të  kalonin në komisionet e pritjes së mallit. Por ajo nuk pranoi. Ky drejtor lëvizte për në Tropojë me furgonët e linjës B. Curri-Tiranë dhe e shënonte në fletë-udhëtimin se ka shkuar me makinën e institucionit për të justifikuar naftën në mënyrë fiktive. Ky drejtor, gjithë naftën mujore e mban në xhep pa e magazinuar në kundërshtim me ligjin. Shefja e financës i thotë drejtorit se duhet magazinuar dhe nafta, se duhet të dalë nga magazina në bazë të nevojave të institucionit. Drejtori nxehet së tepërmi dhe e nxjerrë nga zyra duke bërtitur. Shefja e financës, Fitore Danaj vazhdon përsëri kërkesat ligjore duke kërkuar që doktoresha e burgut ka një vit që paguhet pa diplomën e “Urdhrit të Mjekut” në kundërshtim me ligjin. Vazhdon i njëjti avaz nga drejtori… Por Fitore Danaj e ndodhur përballë një drejtësie që nuk pyet për ligjet është në pikë të hallit. Në qoftë se firmoste shkeljet financiare do përballet para ligjin, e nga ana tjetër çdo kundërshti ndaj drejtorit, rrezikon vendin e  punës. Ajo përsëri troket në derën e drejtorit dhe i thotë: Zoti drejtor, nuk keni mbaruar shkollën e lartë dhe paguheni me të tillë. Ai bërtet dhe përsëri e nxjerr jashtë duke i thënë se do ta largojë nga puna. Atëherë drejtori Granit Kurmekaj i propozon drejtorit të përgjithshëm të burgjeve për largimin nga puna të shefes së financës Fitore Danaj me motivacion sjellje pa etikë ndaj drejtorit. Fitorja e ndodhur para këtij fakti që drejtori e largon nga puna, shkon në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, takon zv/drejtorin e përgjithshëm dhe i shpjegon problematikën. Merr përgjigje se do të verifikohen problemet e ngritura. Mirëpo gjatë kësaj kohe kishte ardhur e-mail-i i propozimit të largimit nga puna të drejtori i përgjithshëm i burgjeve, i cili e kishte konfirmuar largimin nga puna pa u informuar për problemin e vërtetë dhe akuzat e drejta që kishte ngritur shefja e financës. Me sa duket drejtori i përgjithshëm i burgjeve informohet një ditë me vonesë dhe dërgon në Tropoje një ekip kontrolli, të cilët vërtetojnë të gjitha problemet e ngritura nga shefja e financës dhe gjejnë edhe shumë shkelje e falsifikime të tjera të drejtorit e zyrës juridike. Paraburgimi i Tropojës është një institucion, për momentin, ku ligji nuk sundon… Ky fakt është tërheqje e vëmendjes së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, që t’u thotë stop rasteve abuzive ne emër të të fortit.

R.T. Tropojë