Durrës, drejtuesit e institucioneve pazare me paratë e shtetit

615
Sigal

Kompani të penalizuara, favorite për të fituar tenderat e investimeve, kapin vlerat e 1.5 deri 2 milion eurove.

Drejtuesit e institucioneve të shtetit në Durrës, kanë nisur  pazaret me firma dhe kompani të penalizuara, që kanë probleme me organet e drejtësisë dhe borxhe ndaj Doganave dhe Tatim-Taksave, duke u bërë favorite të tenderave që falin shifra marramendëse. Prej disa muajsh, kompani fantazmë, me balancë të falsifikuara, me pronarë të penalizuar nga drejtësia, me të kaluar të errët apo edhe me rezultate skandaloze në cilësinë e punimeve të kryera prej vitesh, po fitojnë tendera dhe po bëhen ofertuesit  e parë dhe të privilegjuarit e komisionit të tenderave. Ata do t i takosh dhe t i gjesh prezent në bashki e komuna, drejtori  spitalore  e arsimore, ndërmarrje rruga, porti  detar  apo ujësjellësa, duke tentuar blerjen e tenderave dhe ndarjen e parave me drejtuesit  dhe sekserët. Burime nga disa prej institucionet e shtetit thanë për gazetën “Telegraf” se “rikthimi i firmave dhe kompanive fantazmë, që prej vitesh kishin deklaruar dhe mbyllur aktivitetin e tyre pas penalizimeve dhe ndëshkimeve ligjore, mbetet flagrante, ata vijnë me rekomandime ministrash, deputetësh dhe zv/ministrash, bëhen ofruesit kryesorë, trembin firmat e tjera duke u bërë presione dhe duke tentuar t i blejnë me para, dhe kështu fitojnë tenderat miliona euro, projekte dhe investime, të cilat nuk kanë shanse të zbatohen sipas parametrave teknikë e ligjorë”. Pazaret me tenderat bëhen fare hapur, drejtuesit e institucioneve nuk tremben dhe nuk stepen para asgjëje kur vjen puna për ndarjen e parave të  tenderave. Janë regjistruar me dhjetëra raste kur tenderat janë bërë strumbullari  debateve dhe denoncimeve publike dhe mediatike, duke marrë më pas rrugën drejt Prokurorisë. Por, duket se kjo e fundit, edhe pse ka nisur mbi 82 çështje penale ndaj denoncimeve me tenderat e investimeve publike, edhe pse ka arritur të bllokojë dosjet e denoncuara , edhe pse ka qysh nga janari që regjistron dhe hap dosje  të reja penale ndaj drejtuesve dhe zyrtarëve, deri sot asnjë urdhër-arresti nuk është nisur drejt gjykatave për  t u finalizuar. Burimet hetimore dhe zyrtare thanë për “Telegraf”, se “pazaret dhe abuzimet me firma dhe kompani të penalizuara për tenderat  e investimeve, kapin vlerat e 1.5 deri 2 milion eurove. Para këto të ndara mes palëve, pas favorizimit dhe mbylljes së tenderave. Duket absurde fakti se si organet hetimore duke patur në dispozicion mbi 230 dosje që lidhen me tenderat, me abuzimet me vjedhjet e parave të investimeve publike, duke patur denoncime nga dhjetëra subjekte dhe individë, madje edhe zyrtarë të institucioneve të përfolura, deri sot nuk kanë mbyllur qoftë edhe një dosje të vetme, duke pretenduar se “po mbledhim fakte”. E vërteta qëndron  në faktin se aktorët e kësaj  historie, kanë nisur prej disa javësh dhe muajsh, “gjuetinë”, duke tentuar blerjen e  hetuesve dhe prokurorëve. Madje ka zëra nga brenda organit hetimor, që thonë se “dosjet e tenderave janë si lopët që priten të nxjerrin qumësht të mirë”, pra të mbushin  xhepat  dhe të nxjerrin pa faj çdo zyrtar nga ky proces penal. Edhe gjatë vitit 2013, organet  hetimore në Durrës deklaronin , se kishin në proces mbyllje pothuajse të gjitha dosjet e  korrupsionit, por ka rezultuar se qoftë edhe një e vetme nuk ka vajtur deri sot në gjykatë. Vonesa të tilla ndoshta nuk janë të qëllimta, por ato zbehin dhe komprometojnë hapur punën dhe kontributet  e atyre që punojnë dhe duan të vendosin vërtetë drejtësi për shkelësit e ligjit, dhe  vjedhësit e parave të taksapaguesve shqiptarë.

Artur AJAZI