Rafti: Prona i takon pronarit të ligjshëm, abuzimi me të dënohet me ligj 

    516
    Sigal

    Vendimet, të cilat janë të detyrueshëm për regjistrim sipas legjislacionit në fuqi do të regjistrohen, ky është detyrim

    Intervistë me znj.Erjona Rafti, Regjistruese e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme-Korçë. Znj Rafti vjen nga një eksperiencë pune e suksesshme, si Drejtore e Doganës Korçë. Në këtë intervistë ajo tregon mënyrën se si do të punojë, vështirësitë dhe problemet për të arritur rezultate në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë.

    Posti i Regjistruesit në Zyrë Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është një përgjegjësi e madhe pasi në këtë zyrë administrohet dokumentacioni i një prej të drejtave të garantuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, e drejta e pronës.

    Znj. Rafti, ju vini në postin e regjistrueses të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë. Mund të na paraqisni shkurtimisht CV tuaj?

    Unë jam diplomuar me titullin “jurist” dhe jam pajisur me licencën e avokatit nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Prej vitesh punoj në fushën e jurisprudencës bazuar në legjislacionin civil dhe tregtar, administrativ (kryesisht tatimor dhe doganor), familjar, si dhe legjislacionin që rregullon marrëdhënien e punës.  Prej muajit tetor 2013 kam drejtuar Degën Doganore Korçë dhe Pikën Doganore Kufitare Goricë me rezultate të larta të realizimit të të ardhurave dhe rritjes së performancës në shërbimin ndaj biznesit.

    A do të bëni reformë të vërtetë dhe abuzuesit me prona të vihen para përgjegjësisë ligjore për të gjitha shkeljet që janë bërë prej shumë vitesh, se deri tani asnjë “gjemb në këmbë nuk ju ka hyrë”?

    Ashtu si e thashë edhe më sipër, kjo detyrë është një përgjegjësi e madhe pasi përveç administrimit në vijim të gjithë veprimtarisë së zyrës, në këto tre javë punë, por edhe me parë  janë paraqitur një numër i konsiderueshëm ankesash, të cilat lidhen pikërisht me pretendimin e  shkeljes së të drejtës legjitime të pronësisë. Pikërisht për këtë arsye, çdo ditë të enjte që zhvillohet pritja e qytetarëve në zyrën e Regjistruesit, është dëgjuar me kujdes çdo pretendim dhe janë ballafaquar qytetarët me punonjësit. Rast pas rasti çdo pretendim do te trajtohet dhe pa dallim, për punonjësit përgjegjës të cilët kanë shpërdoruar detyrën, sipas kompetencës që ligji më jep, do t’ i bëhet propozimi përkatës Kryeregjistruesit

    Ju keni filluar një punë të mire  me regjistrimin e dosjeve, por a do t’ ju hiqen certifikatat e pronësisë të paligjshme banorëve që nuk ka qenë pjesëtarë të atij fshati, që të vihet drejta në vend?

    Nga të gjithë qytetarët që kam kontaktuar në pritje, por edhe në sportelet e ZVRPP, kam kërkuar mirëkuptim sepse është një kohë e shkurtër që të mund të veprohet për rivendosjen e së drejtës së shkelur. Çdo rast duhet të verifikohet për të konkluduar. Deri në realizimin e verifikimeve të këtyre rasteve, mendoj se gjithashtu një shkelje shumë e rëndë që i është bërë qytetarëve, shkelje e cila mund të ndryshojë në një kohë shumë të shkurtër, është sorollatja ditë pas dite ndërkohë që detyrimi ligjor i një punonjësi të ZVRPP, është të sqarojë e përmbushë shërbimin e kërkuar nga qytetari. Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, sa herë më takojnë e nisin fjalinë “kam kaq muaj që vij…” Me lejoni t’ju shpreh gjithashtu shkurtimisht në kontekstin e pyetjes së mësipërme për  masat e marra gjatë muajit të parë. Unë e kam nisur punën me një plan afatshkurtër dhe afatmesëm. Me urdhër të brendshëm është caktuar data 15 shtator 2014 afati i fundit i inventarizimit dhe trajtimit të të gjithë aplikimeve të qytetarëve të patrajtuara, të cilat ishin vendosur në një qoshe ose ishin mbyllur në disa kuti kartoni dhe i përkasin vitit 2012 e në vijim. Nga inventarizimi paraprak rezultojnë mbi 200 praktika të prapambetura si dhe dhjetëra të tjera të nxjerra jashtë çdo afati ligjor ndërkohë që qytetarët kanë bërë gjithë pagesat sipas ligjit. Pas përfundimit të kësaj faze, do të nxirret urdhër i brendshëm sipas, të cilit për çdo aplikim të patrajtuar sipas afatit ligjor dhe të pajustifikuar do të propozohet masë disiplinore sipas Kodit të Punës. Me këtë masë synoj që qytetari të mos ndjehet i detyruar të vijë e të shkojë disa herë duke humbur kohën për të marrë një përgjigje që ligjërisht i takon sipas afatit. Ndërkohë, deri në fund të vitit 2014 do të realizohen bisedime me drejtuesit e bankave të nivelit të dytë, biznese dhe qytetarë si dhe do të ndryshohet ndarja e punës duke synuar:

    a) investimin për instalimin e një pajisje të veçantë për marrjen e numrit elektronikisht – kjo do të ndihmojë për të shmangur radhën e zakonshme që prej orës 05:00 në mëngjes në derën e ZVRPP;

    b) rindarjen e zonave kadastrale në specialistët e ZVRPP Korçë – aplikimet e qytetarëve ndahen për t u trajtuar sipas zonës kadastrale, ku ndodhet pasuria. Të gjitha zonat kadastrale kanë të caktuar prej vitesh të njëjtit punonjës. Kjo praktikë do të ndryshohet dhe zonat kadastrale do të rishpërndahen tek punonjësit duke ndërprerë në këtë mënyrë lidhjet që mund të jenë krijuar;

    c) riorganizimin e sporteleve- vlerësoj se është e domosdoshme krijimi i një sporteli për bankat dhe bizneset si dhe një sportel për informacion pasi aktualisht ndodh që qytetari pret që në orën 08:00 deri në orën 14:00 për të marrë një informacion që mund të kërkojë jo më shumë se 5-10 minuta;

    d) publikimin e informacionit për aplikimet–duke marrë shkas nga lloji i aplikimeve të cilat janë më të shumta në numër, do të krijohet një tabelë në ambientet e jashtme të institucionit ku do të publikohet qartë dokumentacioni i kërkuar sipas llojit të aplikimit. Këto janë disa elementë të vijueshmërisë së punës, realizimi i të cilave do të përmirësonte ndjeshëm performancën e këtij institucioni dhe do të lehtësonte marrjen e shërbimit nga qytetari, bankat dhe bizneset në afat, pa dallime, pa miqësi, pa favore, pa ryshfete!

    Komisioni Vendor i Vlerësimit të titujve të pronësisë pranë institucionit të Prefektit, edhe kur përfaqësohej në gjykata nga juristët e saj dhe dokumentacioni në mënyrë zyrtare i përcillej hipotekës Korçë, nuk zbatohej dhe pronarët e ligjshëm, përsëri nuk pajiseshin me certifikatën e truallit sipas vendimit të komisionit dhe gjykatave të dy shkallëve. A do të ketë një bashkëpunim midis dy institucioneve, në mënyrë që e drejta ligjore të zbatohet dhe fajtorët t’i jepen Prokurorisë?

    Vendimet, të cilat janë të detyrueshëm për regjistrim sipas legjislacionit në fuqi do të regjistrohen. Ky është detyrim dhe moszbatimi i tij dënohet me ligj. Bashkëpunimi mes institucioneve është i domosdoshëm për të koordinuar punën në nivelin e duhur ndaj nuk do të mungojë.

     Znj.Rafti, a do të kini vullnetin për të vënë drejtësi, duke mos u epur nga presionet dhe presionet politike, për të qenë sa me transparente për publikun dhe si do të jetë shtrirja e kompozimi i zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë me Komisionin e Kthimit e Kompensimit të Pronave?

    Unë kam detyrim dhe vullnet që të zbatoj ligjin! Në çdo detyrë që kam ushtruar dhe  ushtroj, këtë detyrim dhe vullnet nuk e ka shoqëruar asnjë presion politik apo interes financiar përveç pagës që më takon ligjërisht. Punonjësit e korruptuar nuk kanë vend në administratë, ndaj kurrsesi unë nuk mund të bëj rolin e bashkëpunëtorit. Qëllimi është të fshihet pluhuri që ka zënë e drejta e qytetarit.

      Intervistoi: Vehbi FURXHI