Vejsiu: Ndërhyrja në planin mësimor, e pamenduar mirë. Nuk jemi aq të pasur

536
Sigal

MAS shton orët e Edukimit Fizik në të gjithë arsimin parauniversitar. Do punësohen rreth 1840 mësues për orët shtesë

Në një e-mail drejtuar të gjitha drejtorive të shkollave të arsimit fillor (klasa 1-5), të mesëm të ulët (klasa 6-9) dhe të mesëm të lartë (klasa 10-12), MAS bën të ditur se në të gjithë arsimin parauniversitar lënda e Edukimit Fizik do të zhvillohet në 3 orë në javë. Këtë e bën të ditur nëpërmjet rrjetit social facebook, z. Fatmir Vejsiu, ish Drejtori i Arsimit Parauniversitar në MASH. Duke iu referuar e-mailit të MAS z. Vejsiu bën arsyetimin e vet rreth pasojave të këtij ndryshimi të parashikuar nga MAS në planin mësimor të arsimit parauniversitar. Nëse realizohet ky ndryshim, Vejsiu llogarit se për 22 100 orët shtesë të Edukimit Fizik duhen plot 1840 mësues të rinj (për vajza dhe për djem). “Kështu shkruhet në një e-mail, që i ka shkuar shkollave. Meqë është thjesht një e-mail, po mjaftohem vetëm me një përllogaritje të thjeshtë:

1. Shtohen afërsisht 22 100 orë të Edukimit Fizik.

2. Për vitin akademik 2014 – 2015, nëse vërtetë do të jetë kjo situatë në planin

mësimor do të duhen plot 1840 mësues (për vajza dhe për djem) shtesë të Edukimit Fizik”, shkruan Vejsiu në facebook. Ndërsa këta 1840 mësues të rinj do të punësohen, ish Drejtori i Arsimit Prauniversitar me të drejtë shtron pyetjen se nëse jemi vërtetë kaq të pasur dhe, sidomos në fshat, për të paguar rrogat e të punësuarve të rinj. Ndërsa aludohet për zëvendësimin e numrit të mësuesve, apo thënë më troç për largimin po të kaq (1840) mësuesve nga arsimi parauniversitar. “Nuk kam thënë gjë se po kaq mësues të lëndëve të tjera do të duhet të lënë vendin e punës. Uroj që mos ta kenë këtë fat mësuesit e Matematikës dhe të shkencave të tjera (Fizikë, Kimi, Biologji)”, shkruan Vejsiu në statusin e tij në facebook. Ndërsa më tej ish Drejtori i Arsimit Parauniversitar shpreh sigurinë se kjo ndërhyrje e pamenduar mirë në planin mësimor nuk mund të jetë pjesë e udhëzimit për fillimin e vitit shkollor 2014-2015. “Jam i sigurt që në udhëzimin e fillimit të vitit shkollor 2014 -2015 nuk do parashikohet një ndërhyrje e tillë në planin mësimor. Mbase këtë gjë e kanë parashikuar ato të Drejtorisë së Sportit (nuk kanë faj, nuk e dinë sesi procedohet me ndryshimet e planit mësimor)” përfundon Vejsiu.

E-mail i MAS drejtuar shkollave

 Në vitin akademik 2014-2015, lënda e Edukimit Fizik do të zhvillohet me 3 orë mësimore në javë, në të tre nivelet e arsimit parauniversitar:

 1- Arsimi fillor, (klasat 1-5), nga 2orë/javë, në 3 orë/javë

2- Arsimi i mesëm i ulët, (klasat 6-9), nga 2 orë/javë, në 3 orë/javë

3- Arsimi i mesëm i lartë (klasa 10), nga 2 orë/javë, në 3 orë/javë

4- Arsimi i mesëm i lartë (klasa 11) nga 1 orë/javë, në 3 orë/javë

5- Arsimi i mesëm i lartë (klasa 12) nga 0 orë/javë, në 3 orë/javë

 -Në Arsimin fillor (klasat 1-5), 1 orë e edukimit fizik do të zhvillohet nga mësues me arsim të lartë të specializuar për këtë lëndë dhe 2 orë nga mësuesi i klasës, (siç është bërë deri më tani).

Njoftimi, MAS: Kërkohen të punësohen mësues fiskulture

 Në kuadrin e reformimit të programit mësimor, në sistemin parauniversitar, referuar shtimit të orëve  të mësimit për edukimin fiziko-sportiv në vitin shkollor 2014-2015, Ministria e Arsimit dhe Sportit, fton të gjithë personat e diplomuar si Mësues të Edukimit fizik  e që janë të interesuar të punësohen, të paraqesin pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale ose Zyrës Arsimore, që i përket zonës ku ata banojnë, kërkesën e tyre dhe dokumentacionin shoqërues. Procesi i përzgjedhjes do të bëhet në përputhje me nevojat konkrete që do të ketë çdo DAR dhe ZA, sipas kritereve dhe procedurave  të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.