Av. Idajet Beqiri/Janë 1000 arsye pse Butka nuk e vlerëson dot Mehmet Shehun

    97

    Me një mllef të madh, disi «i përligjur» do të thosha unë, Uran Butka, duke i dhënë vetes atributet e «historianit të Luftës së Dytë Botërore», dje ka shkruar  një shkrim «Mehmet Shehu, 100 -vjetori i një krimineli». Butka e konsideron kremtimin e 100 -vjetorit të lindjes së Mehmet Shehut, këtij  burri të vërtetë shteti, këtij udhëheqësi të ndritur të formacioneve të mëdha luftarake në Luftën e Dytë Botërore,  «si një nga ngjarjet më të shëmtuara të këtij fillimviti!» Butka e konsideron Mehmet Shehun «kriminel», duke marrë kështu atributet e prokurorit dhe të gjyqtarit! Prova kryesore që Uran Butka përdor për të arritur në konkluzionin se Mehmet Shehu paska qenë  “kriminel”, është libri  “me dokumente arkivore” që paska shkruar ky “historian” me titullin “Lufta Civile në Shqipëri 1943-1945”! Dhe duke përmendur disa ngjarje të shkëputura, disa emra konkretë vendesh dhe ballistësh, të ndodhura gjatë Luftës së Dytë Botërore, Butka përpiqet t’u mbushë mendjen shqiptarëve dhe më gjerë se Mehmet Shehu “ka vrarë pa gjyq!”  Është për të ardhur keq me këtë kategori njerëzish, që për fatin e keq, u është mbushur mendja se janë “historianë” dhe mendojnë se populli “i ha pa i përtypur” historitë banale dhe “konkluzionet” e tyre për historinë e pandërprerë kombëtare të këtyre 100 vjetëve të fundit. U bënë plot 22 vjet që këta tipa “historianësh”, duke u pozicionuar, kush me të drejtë, kush pa të drejtë, në krahun e “të persekutuarve”,  kanë marrë në dorë penat e ndryshkura dhe “derdhin” pa karar një vrer aq të madh, sa e kanë mbushur vendin me helm. Nuk kanë masën, nuk kanë më të voglën qetësi dhe largpamësi, nuk kanë vetëpërmbajtje, nuk duan t’ia dinë se mllefosja e tyre i bënë keq kombit dhe popullit, dhe në fund të fundit cenon sigurinë kombëtare. Ky vend ka kohë që është ndarë dhe përçarë, ka kohë që të dyja “kampet” kanë zënë “llogoret” dhe luftojnë në mënyrën më të paskrupullt mes njëra-tjetrës për interesa meskine.  Së paku për këto 100 vjet shtet, nga më i madhi e deri te më i vogli, janë futur në rrethin vicioz të “lojës me letra”, dhe “Asin Spathi”, herë e përdor njëra palë, herë pala tjetër.  Asnjëra palë nuk lodhet ta bëjë ndryshe, vetëm merr pushtetin dhe ktheje “Asin Spathi” me kokë poshtë, duke i parë në mënyrë të përhershme gjërat vetëm me dy ngjyra: Bardh dhe Zi! Jeta njerëzore kudo në botë as ka qenë, as edhe është bardhë e zi. I ka të gjitha llojet e ngjyrave dhe kombinimet e tyre që ka falur Zoti, dhe i vënë në përdorim ato sipas kohës, sipas vendit, sipas trupit, sipas natyrës. Ndërsa këtu në vendin tonë, vjen Zogu e nuk lë gjë pa bërë kundër Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit e Fan Nolit, vjen Enver Hoxha dhe nuk lë gjë pa bërë kundër Ahmet Zohut, vjen Sali Berisha me “butkët” e tij të vrerosur dhe nuk lë të zezë pa bërë kundër Enver Hoxhës… Dhe ku n’a ka çuar dhe po n’a çonë kjo mendësi bizantine antishqiptare? Na ka çuar dhe po na çonë më tej në humnerën e historisë, në përçarje, në vëllavrasje, në një çunitet të pashoq kombëtar, në një jetë të zymtë, të varfër e plotë rreziqe, në një humbje të pashembullt të dinjitetit, të nderit dhe identitetit kombëtar. Kudo në botë tregohemi me gisht si “dele e zezë” dhe si “dhi e zgjebosur”! Pse?! Sepse në çdo sistem, si në feudalizëm, si në komunizëm, si në demokraci, shtetarët tanë dhe shërbëtorët e tyre të këqij, që i nxisin dhe i frymëzojnë t’i bëjnë gjërat keq e më keq, kriter vlerësimi për kohën, interesat e kombit, për njerëzit, për figurat kombëtare, për hallet e vendit, bëjnë vetëm egon e tyre të sëmurë. Dhe me qenë se  kur u është dhënë mundësia dhe rasti të tregohen atdhetar, janë pozicionuar keqazi në rrugën e tradhtisë, kur u vjen “zogu” në dorë dhe marrin pushtetin, ndryshojnë konceptin dhe vendet për atdhetarinë dhe tradhtinë. Tradhtarin e konsiderojnë “hero” dhe heroin e kombit e konsiderojnë “tradhtar”! Këtë mendësi të keqe po përjetojmë edhe këto 22 vjet të vendosjes së sistemit demokratik në vendin tonë. Librin e Uran Butkës  “Lufta Civile në Shqipëri 1943-1945” e ka lexuar vetëm autori i saj dhe ata pak mbështetës të tij, të cilët kanë dëshirë të “rregullojnë” historinë fatkeqe të tyre përmes deformimit dhe tjetërsimit të historisë objektive të kombit dhe të popullit tonë. Me qenë se prindërit e Butkës dhe të shumicës së ballisto-kolaboracionistëve të tjerë, dikush nga interesi për të përfituar privilegje dhe pasuri, dikush nga papjekuria, dikush nga kokëfortësia, apo dikush nga armiqësia e hapur kundër vendit dhe popullit të vet, u bashkuan me të keqen dhe u renditën me të drejtë në krahun e të humburve dhe të turpit, përpiqen me thonj e me dhëmbë duke krijuar “historianët” dhe kalemxhinjtë e tyre, për të mbuluar “diellin me shoshë”! Kategoria e njerëzve si Butka e të tjerë, me qenë se i shërbyen okupatorëve nazifashist, në vend që t’i bashkoheshin formacioneve luftarake antifashiste për të shporrur nga trualli ynë pushtuesit italian e gjerman, përpiqen që ta konsiderojnë luftën antifashiste, si “luftë civile” dhe heronjtë dhe dëshmorët e kësaj lufte, përfaqësuesi më i denjë i të cilëve ishte Mehmet Shehu, si “kriminel”. Veprojnë në këtë mënyrë sepse mendojnë që do t’ia hedhin popullit dhe memories historike e kombëtare, duke justifikuar veprën e tyre të turpshme. Sipas historiografisë botërore Lufta  Antifashiste Nacional-Çlirimtare e popullit shqiptar nuk ka qenë luftë civile. Përkundrazi, ka qenë një luftë e drejtë, heroike,  dhe kontributeve në kuadrin e antifashizmit evropian dhe botëror. Ishte kjo arsyeja që në të gjitha evenimentet botërore të pasluftës së dytë botërore, shteti dhe populli shqiptar u renditën në krahun e fitimtarëve të kësaj lufte, u konsideruan aleatë të anglo-amerikanëve, morën reperacione lufte dhe gëzuan një sërë të drejtash të tjera në kuadrin e OKB-së etj. Ishte pikërisht kjo luftë e drejtë antifashiste nacional-çlirimtare, ishte masivizimi i saj me një ushtri prej 70 mijë njerëzish, në afro një milion popull, e cila mbuloi edhe turpin dhe tradhtinë kombëtare të ish-Mbretit Zog, i cili, pasi vodhi thesarin e shtetit, iku për t’i hapur rrugën pushtimit fashist të vendit. Ndryshe, në se në këtë vend do të ishte bërë luftë civile, Shqipëria do të kishte pësuar fatin e dhjetëra e dhjetëra vendeve dhe kombeve të tjera, të cilat humbën shtetësinë, humbën identitetin dhe pavarësinë, e u morën si “dëmshpërblim” nga vendet fituese të Luftës së Dytë Botërore. Gjithkush në këtë vend e kupton që Uran  Butka ka mision të justifikojë aktet dhe veprimet e të parëve të tij. Është puna e tij të bëjë historinë e ballistëve, pjesë e së cilës ishte babai i tij dhe ai vet. Është puna e tij të thur “legjenda heroike” për çdo lloj kolaboracionisti. Madje askush nuk ja heq të drejtën që, edhe pendimin e babait të tij për rrugën e gabuar ku ishte futur në Luftën e Dytë Botërore, rrugë e cila e çoi në të kundërtën e asaj që ishin pozicionuar të parët e tij, të cilën e “pagoi” me një akt sublim, ta konceptojë dhe ta analizojë në të kundërtën e atij pendimi. Por askush nuk i jep të drejtë Butkës që ne një shtet demokratik, siç është Shqipëria, ku liritë dhe të drejtat e njeriut janë të shenjta, të dhunoi dhe të fyej intelektualët dhe shoqatën atdhetare të një krahine martire, siç është Mallakastra, për të përkujtuar 100 vjetorin e birit të saj, heroin e popullit spanjoll dhe të popullit shqiptar, gjeneralin e luftës së dytë botërore, ish-Kryeministrin më jetëgjatë të këtij vendi, Mehmet Shehun. Butkën nuk e ka ndaluar dhe nuk do ta ndaloi askush të bëjë varrime dhe zhvarrime të lloje-lloje bashibozukësh, “dëshmorë” të ballit, t’u bëjë atyre monografi, t’i proklamoi si “heronj”. Nuk është faji i jonë që ata që përfaqëson Butka nuk kanë një histori, nuk kanë një emër, nuk  kanë një lavdi, apo nuk kanë një burrë shteti për t’u lakmuar. Nuk është faji i ynë që për plotë 22 vjet me radhë të vendosjes së sistemit pluralist në vend, Butka dhe “historianët” e tjerë të ballistëve nuk gjetën as në arkiva, por as edhe në gjirin e popullit qoftë edhe një këngë të vetme ku t’u këndohet ballistëve të tyre. Ndërsa ne, në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, kishim ç’të flisnim, kishim ç’të kujtonim, kishim ç’të vlerësonim dhe kishim me çfarë veprash dhe veprimesh të Mehmet Shehut të ishim dhe të jemi krenar. Pastaj kishim edhe çfarë kënge t’i këndonim, sepse nuk e kemi harruar këngë e Tendës së Qypit”, të “Lufta e Spanjës”, të Brigadës së Parë, të Çetës së Mallakastrës, ku protagonist është heroi ynë Mehmet Shehu. Ajo që është më e rëndësishme, ka ardhur koha që Butka dhe të tjerët që e pasojnë në mbrapshti, të kuptojnë një herë e mirë se historia nuk mund të bëhet dhe të shkruhet prej palëve që kundërshtojnë njëra-tjetrën. Të anshmit, të interesuarit, të infektuarit, të vrerosurit nga persekutimi, apo edhe persekutorët, nuk janë në gjendje të bëjnë histori, apo të vlerësojnë figurat historike, që kanë qenë, ose janë kundërshtarë me bindjet dhe me aktet e tyre. Në se nuk do të ishin interesat meskine që e sundojnë Uran Butkën, nuk do të arrinte të bënte  ai një vlerësim kaq banal vetëm me ngjyrën zi për Mehmet Shehut, i cili luftoi si antifashiste për dy vjet me radhë në Luftën e Spanjës, ngriti formacionet luftarake kundër fashizmit në Shqipëri dhe luftoi për 3 vjet me radhë deri sa u çlirua Shqipëria, si dhe ndërtoi dhe konsolidoi shtetin shqiptar në postet më të rëndësishme për 40 vjet pa ndërprerje, prej të cilëve 28 vjet me radhë si Kryeministër!

    Të numërosh “kokrrat” e ballistëve, të kolaboracionistëve apo edhe ndonjë viktimë të luftës  që “qenkan vrarë me urdhrin e Mehmet Shehut pa gjyq në luftën e dytë botërore”, sikundër bënë Uran Butka, dhe për këtë “pikë ujë”, sikurse e konsideron çdo popull dhe çdo komb i qytetëruar në botë, në “oqeanin” e ngjarjen madhore të Luftës së Dytë Botërore, do të thotë se je dashakeqës i  vendit tënd, i popullit tënd dhe që synon ta lesh pa lavdi kombin tënd. Ne jemi vend kandidat për në BE, kemi 20 vjet demokraci, jemi larg 1943-1944 plotë 70 vjet, dhe pushteti vrau 4 persona të pafajshëm  në 21 janar 2011 vetëm se protestuan para Kryeministrisë. Dhjetëra e dhjetëra të tjerë vriten çdo vit në Shqipëri, sa është mbushur vendi me varre, nga mungesa sot e burrave të shtetit, si Mehmet Shehu.  Dhe para kësaj masakre të përditshme Uran Butka hesht! Ky Uran Butka kërkon nga Mehmet Shehu që të mos i vriste bashkëpunëtorët e fashizmit, pavarësisht se ata i vrisnin luftëtarët e lirisë, popullin e pafajshëm, apo që digjnin e plaçkitnin fshatra të tëra, apo i udhëhiqnin si udhërrëfyes nazifashistët, që ta bënin këtë gjë. Ishte luftë, kishte rënë mbretëria, vendi ndodhej në kolaps të paimagjinueshëm, sa nuk njihej miku dhe armiku. Ç’do bënte Mehmet Shehu, do t’u thoshte bashkëpunëtorëve të nazifashistëve “me që jeni shqiptar, largoni kokën, sa të marrë në shenjë gjermanin?!” Janë të gjitha këto arsyet që të mbrothësohemi si popull e si komb, me qëllim që t’i pranojmë të kundërtat, t’i vlerësojmë me objektivitet ngjarjet, njerëzit, figurat kombëtare. Të heqim dorë nga ekstremet, o me mua, o kundër meje. Ndryshe do e degjeneronim shumë shpejtë demokracinë, e cila nuk është hakmarrje, nuk është “kush ka pushtetin, ai ka edhe lavdinë”, nuk është bardhë e zi! Të mësohemi me demokracinë, e cila ka vend për të gjithë, e nuk është “ballist po”, “antifashist jo”!