“Drejtuesit e komunave të Elbasanit të korruptuar, japin licenca të pastudiuara”

628
Sigal

Flet drejtori i Agjencisë Rajonale Mjedisore në Elbasan, Adi Madhi: “Janë shkelur rregullat e mbrojtës së mjedisit”

Problemet e ndotjes mjedisore mbeten një gangrenë në Qarkun e Elbasanit, ku sipas Drejtorit të Agjencisë Rajonale të Mjedisit të Elbasanit, Adi Madhi, një numër jo i vogël komunash shkelin ligjet e rregullat e mbrojtjes së mjedisit. Megjithëse është ngritur disa herë edhe në mbledhjet e Këshillit të Qarkut problemi i mbrojtjes së mjedisit, ku njësive vendore ju është tërhequr vëmendja përsëri vazhdon e abuzohet me mënyrën e dhënies së këtyre lejeve mjedisore. Disa subjekte pajisen me licenca nga drejtuesit e komunave në mënyrë abuzive, pasi këto licenca nuk janë dhënë në bazë të standardeve, kërkesave mjedisore dhe konventave mjedisore. Sipas Madhit, kjo dukuri ndodh në çdo fillim vitit, ku komunat japin leje mjedisore të përvitshme për ushtrim aktiviteti bizneseve të ndryshme, ku këto subjekte ushtojnë veprimtaritë e tyre në këto komuna. “Komunat anashkalojnë institucionin e ARM (Agjencia Rajonale e Mjedisit). Sipas ligjit këto biznese duhet të pajisen me leje mjedisore edhe nga ARM, pasi veprimtaria e tyre ndikon drejtpërdrejt në mjedis dhe përgjegjëse për mjedisin në qark është ARM”.

Komunat problematike

Ka mjaft komuna si ajo e Bradasheshit, Paprit, Mollasit, Gostimës, Polisit, Shushicës etj., që injorojnë  ligjin e mjedisit. Sipas Madhit vetëm në Komunën e Bradasheshit ka biznese të pajisura me leje mjedisore gjysmake, leje të cilat janë dhënë nga vetë komuna, e cila e përjashton në këtë rast dhe në mënyrë të qëllimshme organin kryesore të pajisjes me leje mjedisore, që në këtë rast është ARM. Sipas drejtorit të ARM-së, Madhi, nga disa komuna abuzohet qëllimisht, madje mundet të themi se bie erë korrupsioni. Kjo mënyrë e dhënies së lejeve lë rrugë për abuzime, ku çdo leje mjedisore e dhënë duhet të kalojë nëpërmjet Drejtorisë Rajonale të Mjedisit në Elbasan, e cila është edhe përgjegjësja kryesore. Shumë shpejt do të ketë penalitete për të gjitha ato subjekte, të cilat nuk janë pajisur me leje mjedisore nga ARM.