Vidhet 3 herë brenda 25 ditëve Spitali i Beratit

564
Sigal

Drejtori Teknik, Alfred Lulaj: “Vidhet Laboratori Kimik, kasetofonat e ambulancave dhe të makinave personale të administratës”

Spitali Rajonal i qytetit të Beratit është bërë pre e vjedhësve gjatë 25 ditëve të fundit. Vjedhja e fundit ka qenë gjatë natës së djeshme, ku persona ende të paidentifikuar, kanë hyrë duke thyer xhamat në lokalin që ndodhet brenda ambienteve të këtij spitali dhe kanë vjedhur televizorët dhe disa pajisje të tjera si dhe një shumë të konsiderueshme lekësh që ndodheshin në sirtar, ndërkohë që, dy vjedhjet e tjera kanë ndodhur rreth datave 20 dhjetor dhe 4 janar, ku janë vjedhur përkatësisht disa ambulanca dhe automjetet personale të administratës që ndodheshin të parkuara në ambientet e brendshme të spitalit dhe aparaturat e Laboratorit Kimik në katin e parë të kësaj godine. Burimet, bëjnë të ditur se nga vjedhja e aparaturave të laboratorit është ndërprerë kryerja e analizave për të sëmurët prej disa ditësh. Drejtori Teknik i Spitalit, z. Alfred Lulaj, pohon për gazetën “Telegraf” se, vjedhja e djeshme ka ndodhur në orët e vona të natës me thyerje dhe menjëherë pasi është zbuluar vjedhja mjekët kanë njoftuar policinë.

Rreziku

Lulaj pohon se, hajdutët kanë vjedhur nëpërmjet thyerjes edhe aparaturat në Laboratorin Kimik të këtij spitali, por edhe disa kasetofona të ambulancave e makina personale të personelit spitalor. Burime nga spitali bëjnë të ditur se, aparaturat kimike, ku kryen analiza nga më të ndryshme, janë me rrezik, pasi në këto aparatura kryhen analiza edhe për të sëmurët me sëmundje ngjitëse. Burime nga spitali bëjnë të ditur se, personat që ende vazhdojnë të vjedhin në këtë spital, mund të rikthehen pasi asnjë nuk ka rënë në prangat e policisë edhe pse vjedhjet janë denoncuar në komisariat. Neglizhenca e uniformave blu ka bërë që vjedhjet të përsëriten.

Pacientët

Burime nga spitali bëjnë të ditur se dhe shumë të sëmurë që aktualisht ndodhen shtruar nëpër pavijone, por edhe ata që mund të vijnë mund të bien pre e vjedhjeve nga këta persona, të cilët edhe pse kanë vjedhur lëvizin lirshëm. Mjekët thonë se, hajdutët mund të sulmojnë edhe pacientët e shtruar në spital, pasi këtyre të fundit u jepet lek nga familjarët që ju vijnë për vizita, një veprim ky i kthyer në traditë për t’i dhënë ndihmë të sëmurit. Pacientët ndihen të frikësuar dhe kërkojnë ndihmën e policisë që të bëjë gjetjen dhe arrestimin e  personave që kanë kryer vjedhjet e ditëve të fundit.  Burimet zyrtare të policisë konfirmojnë se, menjëherë pas çdo vjedhje të kryer në këtë spital, policia ka marrë të gjitha masat dhe pasi ka grumbulluar edhe provat në çdonjërën prej vendngjarjeve është duke punuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve.