Damian Gjiknuri: Shkolla e re në Elbasan do të ofrojë kushte më të mira për 650 nxënës

Në Elbasan një shkollë që po rikonstrukturohet tërësisht do të mirëpres 610 nxënës dhe do të shërbejë 43 mësuesve. Shkolla “Kostandin Kristoforidhi” do të funksionojë si një qendër arsimore e integruar, duke përfshirë një palestër të re dhe fusha sportive, të cilat do të jenë të hapura për komunitetin si një qendër për aktivitete komunitare. Në këtë shkollë, gjithashtu, do të zbatohet projekti i Inteligjencës Artificiale, duke e bërë atë një nga institucionet inovative në fushën e arsimit.

Investimi është i Ministrisë së Arsimit dhe së fundmi ky objekt u inspektua nga drejtuesi politik i qarkut Elbasan Damian Gjiknuri së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sportit dhe kryetarin e Bashkisë Elbasan. Për këtë Damian Gjiknuri bëri një reagim ku ndau momente nga inspektimi dhe tha se në gjithë qarkun e Elbasanit së paku 6 shkolla do t’i nënshtrohen tërësisht rikonstruksionit.

Sigal

“Në shkollën “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan, një tjetër investim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Elbasanit, pamë nga afër bashkë me Ogertën dhe Gledin ecurinë e punimeve në shkollën e re, që do të garantojë kushtet më të mira për 650 nxënës dhe mësues. Falë financimit të qeverisë shqiptare, gjashtë shkolla po i nënshtrohen rikonstruksionit në Qarkun e Elbasanit”,- tha Damian Gjiknuri.

Në bashkinë e Elbasanit janë financuar 3 objekte shkollore: Shkolla “Kostandin Kristoforidhi”, Shkolla Artistike “Onufri” dhe ambientet sportive të shkollës “Luigj Gurakuqi”, ndërsa në nivel qarku, janë financuar 6 objekte arsimore në 4 bashkitë e qarkut: Elbasan, Cërrik, Gramsh dhe Librazhd.