Raporti i ‘Safe Journalists”: Përkeqësohet liria e medias, politika dhe organizatat kriminale ndikim të madh

117
Sigal

Raporti vjetor i rrjetit ‘Gazetarët e Sigurtë’(Safe Journalists)  për Ballkanin Perëndimor thekson se gjatë vitit 2021 në Shqipëri u rregjistruan shenja të përkeqësimit të lirisë së shprehjes, të drejtës psë informimit dhe lirisë së shtypit. Në raport theksohet se ndikimin më negativ ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias i jep lidhja e fortë mes interesave ekonomike dhe politike në media ku përfshihet edhe ndikimi i krimit të organizuar. Përdorimi i mediave për shantazh rrezikon të bëhet diçka normale në Shqipëri thuhet në raport. Autorja e këtij raporti Blerjana Bino thotë se mediat janë të përqëndruara në disa pronarëve (familje) të cilat i përdorin ato për ndikime politike dhe përfitime ekonomike.

Bino: Disa nga problematikat kryesore që vihen re për 2021 janë së pari ndërthurja simbiotike e vazhduar ndërmjet interesave të fuqishëm ekonomik, politik dhe në disa raste dhe me krimin e organizuar që çojnë pastaj edhe në një akses të kufizuar të informacionit publik për gazetarët sidomos ato që janë kritikë dhe investigativë. Së dyti kemi të bëjmë me një përpjekje tashmë të strukturuar nga të gjithë faktorët, qofshin ata politikë edhe ekonomikë të fuqishëm për ta bërë gazetarinë profesionale dhe të pavarur, të panevojshme.

Bino vlerësoi se 2021 ishte viti i përqëndrimit më të madh të pushtetit politik, një nivel i lartë korrupsioni dhe rënie e fuqisë transformuese i procesit të integrimit europian, polarizimi i skajshëm pozitë-opozitë,  si dhe vetë brenda opozitës si dhe ndikimi social e ekonomik i krizave. Në këto kushte u shtuan vështirësitë edhe për mediat. Rrjeti për Gaztearët e Sigurtë ka ilustruar dhe raportuar 14 raste sulemsh fizike kundër gazetarëve të televizoneve ‘News24’, ‘Ora news’, ‘Fax News’, ‘TopChanel’ dhe ‘A2 CNN’. Autorja e studimit për Shqipërinë Blerjana Bino thotë se dhuna fizike ndaj gazetarëve është vetëm një pjesë e vogël e vështirësive të tyre të shumëllojshme nga kërcënimet e mungesa e transparencës prej agjencive shtetërore  dhe deri te kushtet e vështira të punës e presionet ndaj gazetarëve prej vetë pronarëve.

Bino: Është e nevojshme të ketë edhe ndryshime të strukturore dhe sistemike që kanë të bëjnë  me transparencën. Që kanë të bëjnë me pronësinë e medias, me konfliktin e interesit, përmirësimin e transparencës së institucioneve, aksesin në informacionin në publik dhe në mënyrën se si rregullohen ose monitorohen mediat e mëdha audiovizive dhe RTSH. Ne duhet të kuptojmë që e ardhmja e demokracisë së Shqipërisë, sa do e brishtë që të jetë ajo, do të ndikohet dhe ndikohet në mënyrë të fuqishme nga mënyra se si ne i qasemi lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes sot.

Raporti mbi treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së mediave në Shqipëri thekson se autoritetet në mënyrë të tërthortë bëjnë një mori presionesh që të duket si e vjetëruar gazetaria profesionale dhe ndërkohë ngrihen fushata shpifëse kundër mediave, bëhen padi në gjykatë për shpifje, ka kërcënime dhe padi kundër gazetarëve investigativë. Ky është viti i dytë që rrjeti për gazetarët e sigurtë të Ballkanit Perëndimor nxjerrin raport për Shqipërinë. Njëkohësisht me këtë raport ka dalë raporti edhe për 5 shtete të tjera në rajon.