Një jetë e kaluar mes kamerës dhe filmit

948
Sigal

Profil i mjeshtrit të madh të artit, kineastit të mirënjohur Ilia Terpini. Një film dhe një libër për elitën e sotme shqiptare të Amerikës

Ishte viti 1979 kur unë ndodhesha në qytetin e Vlorës për një reportazh. Rasti e deshtë që të njihesha me operatorin dhe regjisorin Ilia Terpini. Më thanë se ishte te Turizmi i Vlorës dhe kamerierja më tha, ai që po debaton me atë gjeneralin është Ilia. Prita sa mbaruan dhe e takova. Ata kishin ngrënë bukë dhe në tavolinë kishin vendosur shumë anije të vogla makete dhe po diskutonin. Ishin momentet kur xhirohej filmi “Ballë për ballë” dhe Ilia ishte operatori i këtij filmi. Debati ishte me konsulentin e filmit, gjeneralin Dashamir Ohri.

Kishin vendosur anijet makete dhe po bënin planin e xhirimit në lojën që do të xhirohej të nesërmen. Si mbaruan bisedën e shkëputa një minutë dhe biseduam së bashku. Ilia më tha se, kam një barrë shumë të rëndë për xhirimin e këtij filmi. Është një film shumë i rëndësishëm politik. Skenari është i Ismail Kadaresë, shumë interesant, por ekranizimi shumë i vështirë. Po mundohem t’i mbush mendjen konsulentit, thotë Ilia, që anijet që do të lundrojnë në det duhet të jenë shumë afër, gjë që rregullorja nuk e përmban, mbasi gjatë ecjes mund të përplasen. Mirëpo kamera nuk mundet t’i fus në kuadër të gjitha po të jenë të shpërndara. Gjenerali i bindi komandantët dhe kështu u bë siç tha operatori. Që atë ditë unë u bëra një mik i mirë i Ilias. Takoheshim shpesh në Tiranë dhe kujtonim ato momente shumë interesante të xhirimit të këtij filmi. Ai më tregoi sesa të vështirë e kishin pasur ditën e lojës në det, mbasi kishte pasur shumë dallgë, dhe po të thoshte operatori se nuk xhirohej kur kishin dalë të gjitha anijet në det, anijet e Sarandës, Durrësit, Shëngjinit dhe të Vlorës, ti po bën punën e armikut, ishte gjithë ai shpenzim në karburant. Ilia kishte vendosur stativin në kamer në bordin e katrasilurusit, i cili ecte me 80 milje në orë. Kur filloi xhirimi anija nga dallgët hidhej përpjetë dhe syri nuk shikonte në objektiv. Atëherë Ilia kishte hequr kamerën nga stativi dhe e kishte mbajtur në gjoks duke e drejtuar me hamendje nga anijet në det. Ai nuk shikonte se çfarë xhironte mbasi kamerat e asaj kohe nuk kishin ekran. Më vonë mësova se filmi u prit shumë mirë dhe në festival mori kupën e festivalit. Ilian e takoja shpesh dhe më informonte për projektet dhe filmat që xhironte. Mësova se Ilia ishte shumë i kërkuar nga regjisorët dhe nuk i mbetej kohë as për të marrë lejen e zakonshme. Më tregoi një ditë se kishte 3 vjet pa marrë lejen e zakonshme dhe më në fund drejtori i kishte thënë që ta marrte. Pa ikur nga Kinostudioja e takon regjisorin rastësisht Muharrem Fejzo dhe ai i propozon për të xhiruar filmin “Mësonjëtorja” që ia kishim ngarkuar. Ilia i thotë se nuk ka mundësi mbasi ka marrë lejen e 3 viteve dhe do të shkojë në Korçë. Prit, i thotë Muharremi, i fut dorën në krah duke shëtitur në oborrin e kinostudios, dhe i shpjegon me pak fjalë përmbajtjen e filmit. Ilia mbasi e kishte pëlqyer i thotë regjisorit, shko i thuaj drejtorit se Ilia e anuloi lejen e 3 viteve dhe është dakord për xhirimin e këtij filmi.

Në punën time si kritik arti, në librat e mi që kam shkruajtur për personalitetet e artit, një ndër këta është dhe Ilia, një figurë e ndritur e artit kinematografik shqiptar. Ky artist i madh ka vite që punon dhe si regjisor mbasi ka një eksperiencë pune të gjatë. Mund të përmendim filma, dokumentarë, që në monizëm si: “Ansambli Migjeni Turqi” një film që kaloi përmasat e filmit dokumentar. Në monizëm në shfaqjen e filmave në kinema, jepej përpara filmit kinoditari, ose një film dokumentar. Filmi “Ansambli Migjeni Turqi” ishte 51 minuta, dhe kur u shfaq në kinema njerëzit shkonin vetëm për dokumentarin se u pëlqente shumë ky film. Kinematë nga rrethet lajmëronin se u realizua plani i filmit me dokumentarin e Turqisë. Filmi në kinostudio para se të shfaqej në kinematë e qytetit, e shikonte kolektivi krijues i përbërë nga regjisorë, skenaristë, operatorë, operatorë zëri etj. Këtë film e pëlqyen shumë por drejtori i asaj kohe Vangjush Zallemi i kishte thënë Ilias, shumë mirë e ke filmin vetëm duhet të shkurtosh disa pjesë. Të heqësh këngëtaren Fatma Zyberi, e cila këndonte një këngë turke “Nino, nino”, ku në stadiumin që këndoi ajo në Effes prej 60.000 vetash u ngrit në këmbë dhe e kërkuan 3 herë sepse e pëlqyen shumë, të hiqte sarajet e sulltanit se ishin madhështore, xhaminë blu, kishën e Shën Sofisë, që ishte kthyer në xhami, urën e madhe të Bosforit dhe disa plane të bukura të Stambollit, Izmirit, Effesit. Ilia nuk kishte pranuar dhe u prit të vinte komisioni nga Ministria e Arsimit dhe udhëheqja, të cilët e panë dhe e pranuan ashtu siç ishte dhe nuk u shkurtua. Ambasadori turk kishte thënë se, edhe ne nuk mund ta bënim kaq mirë. Në atë kohë po afroheshim me Turqinë, prandaj udhëheqja e asaj kohe e pranoi siç ishte. Më vonë Ilia u pasua me filmat si regjisor “Albanopuli në Paris”, “Mbresa nga Turqia”, “Dashuria e një zonje franceze për Shqipërinë”, “Parisi”, “Një vizitë në Athinë”, “ Brukseli”, “Mbresa nga Parisi”, “Tirana në Evropë”, “Mall Shqipërie”, “Baleti shqiptar në kështjellën e Hamletit”, një film që pati jehonë të madhe duke dhënë të gjallë Suedinë, Danimarkën, Gjermaninë, Austrinë, dhe Italinë. Nëpërmjet balerinëve të shkollës së Baletit Tiranë, patën një sukses të paparë. Vitin e kaluar në filmin “Pelegrinazh i festës së Abaz Aliut në malin e Tomorrit” e bëri të pavdekshëm kryegjyshin botëror bektashian Haxhi Dede Reshat Bardhin. Po ajo që e ngriti në piedestal këtë artist të madh, ishte filmi i kohëve të fundit “Vatra e shqiptarëve të Amerikës” kushtuar 100 vjetorit të shoqatës panshqiptare Vatra të themeluar nga Fan Noli dhe Konica, dhe shume patriotë të tjerë në vitin 1912. Ky film u vlerësua si filmi më i mirë i vitit, vlerësuar nga artistë si: Drita Pelinku, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Robert Ndrenika, Reshat Arbana, Kujtim Gjonaj, Saimir Kumbaro, Mevlan Shanaj, Teodor Laco, Xhelil Aliu, Natasha Lako, Rajmonda Bulku, Bujar Kore, doktor Tartari, Shyqyri Sako e shumë artistë të tjerë. Ky regjisor diti që këtë periudhë 100 vjeçare të mund ta bëjë bindëse, sa kur mbaroi filmi njerëzit i thanë të lumtë. Mjetet artistike të përdorura me mjaft art, si vatra me zjarr, e cila simbolizonte bashkimin e gjithë shoqatave të emigrantëve në qytete të ndryshme të Amerikës, kënga e kënduar nga një kitarist në Statujën e Lirisë me valët e oqeanit, plot dhimbje për këta njerëz që kishin lënë familjet, fëmijët, atdheun për një jetë më të mirë. Turmat e njerëzve të sotshëm që vijnë për të vizituar ishullin muze, ku ndodheshin të gjitha valixhet, rrobat, këpucët dhe shumë gjëra të tjera të gërshetuara me kronika të asaj kohe të këtyre emigrantëve e bënte filmin të mos harrohej kollaj. Kjo është dora e një artisti që së bashku me skenaristin Angjelina Xharen, Papalilo dhe operatorin Zhani Terpini si një ansambël tingëllon ky film. Një gjetje e mirë që ngre filmin ishte dora e një mjeshtri, regjisori e montazhieri Lulëzim Sula dhe kompozitorët Thoma Gaqi dhe Gerti Druga.

Duke u futur pak në jetën e këtij artisti të madh mund të mësoj se kush e shtyu këtë krijues që mund të bëhej kaq i besueshëm, bindës dhe me talent. Në karrierën e tij ai përveç mbi 100 dokumentarëve numëron 26 filma artistikë, nga filmat më në zë që ka xhiruar gjatë  40 vjetëve në kinematografi. Artisti Ilia, ishte i kërkuar nga të gjithë regjisorët. Kështu ai ka xhiruar me Viktor Gjikën, Dhimitër Anagnostin, Pirro Milkanin, Vladimir Priftin, Muharrem Fejzon, Saimir Kumbaron, Kujtim Cashkun, Kristaq Mitron, Ibrahim Mucën, Rikard Larjen, Esat Musliun, Esat Ibron, Fehmi Oshafin, Spartak Pecanin, Kujtim Gjonajn, Endri Kekon, Xhanfize Kekon, Ilo Pandon, Shkelzen Shalen, Donika Mucin etj.

Ilia Terpini lindi në fshatin Hocisht të Devollit nga një familje patriotike. Gjyshi i tij Ilia (Ilia ka marre emrin e gjyshit) mbasi mbaroi shkollën në Greqi, punoi disa vite atje dhe u vendos në Stamboll në kryeqytetin e Perandorisë Osmane si shtetas i kësaj perandorie, pjesë e së cilës ishin edhe Shqipëria e Greqia. Me zotësinë dhe aftësinë e tij arriti që të bënte karrierë, deri edhe drejtor i portit të Stambollit. Familja e Ilia Terpinit (gjyshit të Ilias) ishte shumë e nderuar në fshat, dhe vinte nga një familje me ndjenja të larta atdhetare. Ai ishte një përkrahës i zjarrtë dhe i dëgjuar i periudhës së Rilindjes Kombëtare, një veprimtar që u rendit krahas rilindësve më në zë të lëvizjes kombëtare për dritë e dituri, liri e pavarësi.

Mes shqiptarëve të Stambollit, ku bënte pjesë dhe Naim Frashëri, gjyshi i Ilias ishte një predikues i palodhur i shqiptarizmës. Në familjen e Ilias, ruhet me kujdes ora e dhuruar nga sulltani i asaj kohe si një kujtim i rrallë dhe vlerësim për këtë njeri. Ai lindi 6 fëmijë, 5 djem dhe 1 vajzë. Të gjithë i shkolloi me arsim të lartë. I pari u bë doktor, i dyti agronom, i treti drejtor i bankës Otomane, i katërti Crist Ellis (Taqo Ilia) doktor, që me propozimin e Fan Nolit u kthye në prift në Boston, dhe mbas Fan Nolit zuri vendin e tij në kishën e Shën Gjergjit në Boston deri sa vdiq. Varri i tij është ngjitur me varrin e Fan Nolit. Djali më i vogël ishte Petro, babai  Ilias kineast, i cili mbaroi shkollën në Greqi emigroi në Amerikë në vitin 1910 deri 1920 ku me thirrjen e “Vatrës” u kthye sëbashku me 250 vullnetarë të tjerë që morën pjesë në luftën e Vlorës kundër italianëve. Petro Terpini bënte pjesë në bandën kombëtare “Vatra” që me këngët patriotike ngjallnin atdhedashurinë në atë kohë në tërë qytetet e Amerikës. Kur hyri në Vlore banda “Vatra” me Thoma Nasin dirigjent, kompozoi këngën “ Vlora, Vlora”.  Petro Terpini për merita patriotike u dekorua në atë kohë me urdhrin e “Flamurit”, dhe më vonë në demokraci  me urdhrin “Për Merita Patriotike”, dhe vitin e kaluar mori titullin mbas vdekjes “Qytetar nderi i qarkut të Korçës”.

Në këtë familje u edukua dhe kineasti Ilia Terpini, vëllai i tij Koço, motra Norma, motra Violeta. Mbasi mbaroi shkollën e mesme në Korçë, ku gjatë asaj kohe vazhdoi dhe kursin e pikturës me piktorin e popullit Vangjush Mihon për 4 vjet rresht. Mbas mbarimit të shkollës së lartë punoi disa vjet si drejtor shkolle në Fier dhe pastaj vjen në Kinostudion “Shqipëria e Re” ku punoi mbi 40 vjet. Për merita të veçanta është dekoruar me “Urdhrin e Punës”, “Çmimin e Republikës”, “Artist i Merituar” dhe së fundmi “Mjeshtër i Madh”.

Gjatë kësaj kohe është vlerësuar në festivale me çmime. Ka marrë kupën e festivalit të katërt për filmin “Ballë për Ballë”, çmim për filmin “Dimri i Fundit”, “Rrugicat që kërkon diell”, “Flutura në kabinën time”, “Muri i gjallë”, “Nëpër ditarët e luftës”, “Ansambli Migjeni, Turqi”, çmim kombëtar për fotografinë artistike etj.

Ilia Terpini është një kineast dhe me vullnet të paparë, i cili ka sfiduar moshën. Mbas mbarimit të filmit “Vatra e shqiptarëve të Amerikës” ai i’u përvesh punës për një dokumentar në Lyon të Francës në shoqatat “Bashkimi shqiptar” të titulluar “Filizat e Diasporës mësojnë shqip” ku gjeti një shoqatë të formuar para 15 viteve dhe për të mos asimiluar atje ku janë kanë hapur shkollën shqipe dhe vazhdojnë të mësojnë shqip, krahas gjuhës frënge. Por ajo që do të kurorëzojë punën me sukses do të jetë një projekt i përbashkët me mua për elitën shqiptare në SHBA. Unë do të bej librin të ilustruar me foto të këtyre personaliteteve nga Ilia Terpini dhe Ilia do të realizojë filmin si operator dhe regjisor me skenar të bërë nga ana ime. Pra siç theksuam më lart një libër dhe një film për elitën shqiptare të Amerikës, ku do të profilizohet jeta, vepra dhe dashuria e tyre për Shqipërinë. Në këtë projekt do të spikatim personalitete të ndryshëm si: Eliza Dushku, Ana Kohe, Tony Davalani, Rukie Kondaj, Ana Jahaj, Ekrem Bardha, Antoni Atthanas (mbas vdekjes), Frank Shkreli, Esperanda Eugenias, Monda Hamitaj, Shaqir Gashi, Ilir Konomi, Gjon Bucaj, Dalip Greca, Agim Karagjozi, Zef Balaj, Adem Harxhi, Dritan Mishto, (konsulli ynë në Nju Jork), Naum Prifti, Mirela Milori, dhe shumë të tjerë. Ky projekt do të realizohet shumë shpejt duke pasur dhe ndihmën e Ambasadës Amerikane, Tiranë.

*Kritik Arti