Shpresa Leka: Ja cilat ishin të veçantat e projektimeve shqiptare në periudhën e socializmit

996
Projektimet shqiptare kanë njohur disa faza. Në sistemin monist kishte disa institute ku punonin inxhiniere, arkitekte, urbanistë, teknicien të të gjitha fushave që lidheshin me hartimin e projekteve të banesave objekteve social-kulturore, shkollave, objekteve të shërbimit, pallateve të kulturës. Pas rënies së sistemit monist shumë gjëra ndryshuan. Për të folur në këtë fushë për “Telegraf “ ne zhvilluam një intervistë ekskluzive me arkitekten Shpresa Leka.
Ku bazohej dhe si zhvillohej dega e arkitekturës dhe projektimeve në sistemin monist? 
Po e filloj me faza. Së pari projektimi para viteve 90’ (1944-1990). Projektimi i objekteve në këtë periudhe ishte i bazuar dhe drejtohej 100% nga institucionet shtetërore (ekzistonin 6 institute për projektime civile, industriale dhe bujqësore. Instituti i studimeve dhe projektimeve të urbanistikës dhe arkitekturës (nr 1). Instituti i studimeve dhe projektimeve të veprave rrugore dhe hekurudhore (nr2). Instituti i studimeve dhe projektimeve të veprave hidroteknike (nr3). Instituti i studimeve dhe projektimeve të veprave industriale (nr4). Instituti i studimeve dhe projektimeve te veprave bonifikuese (nr5) Ndërmarrja e punimeve gjeodezike dhe gjeologjisë inxhinjerike. Në këto institute punonin inxhiniere, arkitekte, urbanistë, teknicien të të gjitha fushave që lidheshin me hartimin e projekteve të banesave, objekteve social-kulturore, shkollave, objekteve të shërbimit, pallateve të kulturës, hoteleve, njësive tregëtare, fabrikave, uzinave, rrugëve, urave, hekurudhave hidrocentraleve, digave, dambave, tuneleve, kanaleve kulluese, kanaleve ujitëse, ujësjellësave, kanalizimeve, depove, shtëpive të pushimit, pra të gjitha llojeve të objekteve.
Po, për problemet e territorit si funksiononte?
Për problemet e territorit funksiononte një sektor i veçantë në ISP nr.1 , sektori i Urbanistikës ku hartoheshin projektet e planeve rregulluese të qyteteve dhe studimeve urbanistike për të gjitha zonat që kërkoheshin të ndërtoheshin objekte të ndryshme. Ky sektor hartonte gjithashtu dhe norma dhe rregulla të urbanistikës që përdoreshin në zbatim të planeve në të gjithë territorin e Shqipërisë. Po të kësaj natyre në volume më të vogla projektoheshin dhe në Byrotë e Studimeve dhe projektimeve në çdo këshillë rrethi në nivel lokal (12 byro studimi dhe projektimi për 12 këshillat e rretheve mbasi në atë kohë ishte një ndarje me 12 Këshilla të rretheve) që kishin një ministrukturë si institutet në Tiranë. Të gjitha objektet e ndërtuara në periudhën 1944-1990 janë projektuar nga kjo strukturë projektuese kombëtare shtetërore.
Ku do të përqendrohesh më shumë?
Unë do përqendrohem tek puna e bërë nga Instituti Nr.1 i projektimit. Ky institut ishte nga më të specializuarit dhe më të fuqishmit e kohës.
Stafi kryesor i brezit të parë ishte me emra të mirënjohur arkitektesh, urbanistësh dhe inxhinierësh që kishin studiuar jashtë shtetit në universitete të mirënjohur në botë si p.sh në Gjermani, Rusi, Itali, Austri, Hungari, Rumani, Bullgari, Poloni etj. Mund të përmenden arkitektët e njohur të këtij brezi si Skënder Luarasi, Anton Lufi, Besim Daja, Sokrat Mosko, Misto Mele, Valentina Pistoli, Mërgim Cano, Keti Qano, Vasilika Cicko, Rustem Myteveli, Kocco Comi, Mauricio Bego, Kostaq Sahatçi e shumë të tjerë të diplomuar edhe në Shqipëri si Myslym Fagu,Ibrahim Ballvora, Rifat Bodinaku, Edita Kolevica, etj.etj. Të punoje me këto specialiste ishte një fat dhe një shans që të jepej në jetë mbasi formimi i tyre profesional ishte shumë i mirë dhe pjesa më e madhe e tyre ishin dhe pedagogët e parë që formuan shkollën e arkitekturës në Shqipëri. Rreth viteve 60-70 filluan të dipllomoheshin në mënyrë masive nga Universiteti i Tiranës edhe shumë inxhinjerë të tjerë dhe kështu numri i tyre u rrit ndjeshm. Pa marë përsipër të bëj historikun e kësaj çështje do përqëndrohem tek puna e arkitektëve dhe urbanistëve në periudhën para viteve 90’ mbasi këtij komuniteti i përkas.
Kur u diplomua grupi i parë i arkitektëve shqiptarë?
Në vitin 1971 u diplomua grupi i parë i arkitektëve shqiptarë që mbaruan studimet e plota për ARKITEKTURE në Shqipëri në të cilin grup isha dhe unë Shpresa Leka së bashku me 15 studentë të tjerë. Mund të përmend shokët e mi të grupit të parë të arkitektëve të formuar dhe diplomuar arkitektë në Shqipëri si Maksim Mitrojorgji, Fatos Pashko ,Ilir Fico, Hajdar Kovaci, Herman Shvencner, Athanas Ndreçka, Janaq Jorgo, Antigoni Zoto, Magdalena Furrxhi, Efigjeni Gjoka, Nina Shehu, Engjellushe Demi, Kutalli Lozana, Islam Mavriqi , Vu Ngoc Kin (vietnamez) që u pasuan më tej çdo vit e deri sot me arkitektë të tjerë. Në kushtet e një vendi tejet të izoluar aktiviteti i projektimit urbanistik dhe arkitekturor bëhej duke shfrytëzuar mundësitë dhe potencialet që zotëronin individualisht specialistët dhe duke kaluar aftësitë e tyre krijuese në projektim ne filtrin e detyrueshëm të politikës së kohës. Përgatitja e një projekti kalonte në disa etapa. Fillimisht bëhej planifikimi në përputhje me direktivat politike të kohës, planifikohej fondi dhe pastaj fillonte hartimi i programit të projektit që quhej DETYRA E PROJEKTIMIT. Çdo projekt kishte detyrën e projektimit që ishte një dokument ligjor i rëndësishëm, i firmosur dhe i vulosur nga institucioni përgjegjës dhe projekti ishte i obliguar të respektonte me rigorozitetin më të lartë se çfarë parashikonte detyra e projektimit. Asgjë nuk duhej të kalonte caqet e detyrës së projektimit. Sot kjo mund të duket absurde por në atë kohë po të shkelje detyrën e projektimit mund të penalizoheshe rëndë.
Po pas kësaj faze?
Pas kësaj faze fillonte procesi i projektimit sipas llojit të objektit. Puna e projektimit ishte e gjitha manuale, pra me dorë. Punohej në përgjithësi me grupe pune ku arkitekti ose urbanisti kishte rolin kryesor dhe ishte udhëheqësi i projektit. Pjesë e grupit të projektimit ishte dhe konstruktori, instalatori, inxhinieri elektrik, preventivuesi gjeodeti pa përmendur këtu specialitete të tjera të inxhinierisë që kishin një rol dytësor në hartimin e projektit si gjeologu, hidrogjeologu etj..Në fazën fillestare para se objekti të konceptohej në vendin ku do të ngrihej objekti bëhej rilevimi i zonës, bëheshin disa sondazhe për kushtet gjeologjike dhe hidro gjeologjike dhe mandej fillonin skicat e para, pra fillonte të imagjinohej volumi që parashikohej të plotësonte kërkesat e detyrës së projektimit. Fillonte gradualisht dhe diskutimi në grup deri sa të jetësohej ideja e plotë e objektit në konsultim të ngushtë dhe me investitorin qe ishte një përfaqësues i entit për te cilin do te ndërtohej objekti. Pas kësaj faze fillonin vizatimet e para te cilat hidheshin ne shkallen ekzakte nga përpunuesit e specializuar për këtë qellim.
Po vizatimet si bëheshin?
Vizatimet bëheshin ne letër të bardhë vizatimi, me vizore dhe pajisje të tjera enkas për këtë qellim. Për të ndihmuar dhe anëtaret e tjerë të grupit fillonte kopjimi i vizatimeve në letër transparente nga disenjatorët që i kopjonin me tush me saktësinë maksimale e cila mundësonte shumëfishimin e tyre nëpërmjet procesit të heliografimit të fletëve transparente (me letër kalk) dhe kështu procesi vazhdonte për disa muaj deri në finalizimin e plotë të projektit. Vlen të theksohet se procesi i projektimit shoqërohej herë mbas here me diskutime në grup dhe diskutimi final ishte ne këshillin tekniko-shkencor dhe miratimi i projektit nga ky këshill ishte faza finale ligjore qe procesi i projektimit kishte përfunduar. Askush nuk kishte te drejte te bënte ndryshime mbas miratimit ne këshillin tekniko shkencor.
Po për me fonde mbi limitin?
Për objekte te rëndësishme dhe me fonde mbi limitin e ISP nr.1 projektet shqyrtoheshin dhe ne këshillin Tekniko-Shkencor te Ministrisë së Ndërtimit. E bukura dhe e veçanta e kësaj mënyre projektimi ishte se arkitekti krijonte duke skicuar dhe duke përpunuar mbi bazën e fantazisë dhe përfytyrimit te tij për funksionet dhe volumet që duhet të shoqëronin këto funksione i ndërthurur ky proces dhe me arritjen e një pamje te jashtme sa me estetike dhe te larmishme .Roli i arkitektit në këtë mënyrë projektimi jo vetëm që ishte vendimtar por kalonte përtej kësaj duke e ndërthurur projektimin arkitekturor me vlerat krijuese artistike. Pra arkitekti ishte mirëfilli krijuesi i objektit, kontribuuesi në imazhin estetik, volumor,urbanistik i vendit ku ndërtohej objekti, pra i pjesëzave të ndryshme të qytetit apo zonës ku do kryhej investimi i planifikuar. Projektuesit ishin femra dhe meshkuj pa ndonjë dallim. Ndryshimi i vetëm ishte tek aftësia krijuese e secilit.
Sigal