Alida Hisku: ‘Jetoj mes degëve shumë të bukura, por më mungojnë rrënjët’

796
Sigal

Alida Hisku një artiste e madhe me shpirt të madh:

(Impresione nga takimi me artisten e madhe Alida Hisku)

  Alida Hiskun, si shumë të tjerë, e kam njohur nëpërmjet këngës në vitet e shkëlqimit të saj në skenë.

Isha kurioze të mësoja se si kishte rrjedhur jeta e kësaj këngëtareje të madhe pas largimit nga atdheu?!

 Para se të shkoja në Gjermani për një aktivitet, një miku im gazetar më rekomandoi të takoj Alidën për ta patur mbështetje.

Fillimisht ngurova, sepse nuk kisha fare informacion për të… Kontaktova nëpërmjet e-mail-ve, ku ajo na ftoi dhe shprehu dëshirë e gatishmëri familjare për të na pritur në shtëpinë e tyre.

Sinqerisht mbeta e befasuar nga kjo ftesë kaq dashamirëse, fisnike dhe e sinqertë. Organizimi i udhëtimit u detajua nga vetë ajo. Bashkë me vajzën time Suadën arritëm me shumë vonesë në Fulda të Gjermanisë ku na priste Alida me vajzën e saj Alina.

I telefonova nga një kabinë e platformës së trenit në Fulda, ku shumë shpejt ajo befi përpara nesh me një shqetësim për vonesën që lexohej qartë në sytë e saj gjysmë të njomështuar.

U përqafuam si të njiheshim prej kohësh. Vendosi valixhen në bagazh të makinës me një zhdërvjelltësi rinore. (Tek shikoja lëvizjet e saj më erdhi në mëndje koha kur Alida trondiste skenat muzikore me zërin e saj brilant, potentë, ajo vajzë çapkëne, me shumë pikëpyetje të lëna pas krahëve të brishta tek fansat e saj.)

Nisëm udhën drejt shtëpisë. Në fakt nuk ishte një shtëpi e thjeshtë, por një kështjellë – siç e quante vetë ajo, një vilë gjigande me tre kate në mes të gjelbërimit, luleve, si në përrallën e Borëbardhës.

Pritja në shtëpi ishte një ndjesi e papërshkruar, mbështjellë me emocione të forta. Në çdo cep të shtëpisë ,apo mjediseve të saj, mund të vëreje dorën dhe shpirtin artistik të Alidës. Impresioni im i parë ishte, se si një këngëtare , artiste e madhe mund të ishte aq e përkushtuar, kaq shumë energjike për t’u marrë me detajet më të vogla në aredimin e ambienteve shumë të mëdha të shtëpisë .

Ngado të binin në sy ornamente artistike, madje shumë flutura të qëndisura, apo piktura të gjalla vendosur me shumë shije kështjellës së ëndrrave, në të cilën jetonte. Nuk mund të anashkalohej pa u vënë re studio me pianon, mikrofonin, partiturat, apo një skenë e ndërtuar jashtë, ku organizoheshin koncerte me grupe të ndryshme muzikore me një repertor të zgjedhur.

Aty çdo fundjavë organizoheshin festa me miq e të ftuar. Një ambient artistik i arkitekturuar bukur mes dritave, luleve, shatërvanit, akuariumit, tavolinave të bardha zbukuruar me kordele të kuqe, mes cicërimave të zogjve në pemët e gjelbëruara………

Alida menaxhonte një grup muzikor me solistë nga pesë kontinente, vetë ajo këndonte këngë ballkanase. Ky grup jepte koncerte në shumë vende të botës .

Ajo tregonte ngjarje, situata të ndryshme të jetës së saj artistike me shumë thjeshtësi, por me një pasion i cili ishte aq i gjallë në sytë e saj, ashtu si atëherë në vitet e rinisë së saj të vrarë, kur këndonte ‘Këngët e rinisë’, ‘ Vajzat e fshatit tim’,’Njerëzit e agimeve’, ‘Shqipëria përshëndet’, ‘Kasollja e Galigatit’ etj.. Alida nuk harron të përmend faktin që e shënonte tekstin e këngëve në pëllëmbë të dorës sepse i duhej ta ndryshonte shpesh sipas udhëzimeve të partisë …ku pikërisht në atë periudhë fillon dhe përndjekja e saj politike, si armike e popullit me shkak gjetjen e një blloku-ditar me shënimet e saj…

Alida ndjehej e lumtur dhe krenare për fëmijët e saj të mrekullueshëm . Zëri brilant i Albinit, por edhe i vajzës Alina, e plotësonin më së miri atë trio vokale kaq të suksesshme në mjediset familjare e nëpër koncerte të mëdha.

Befasuese ishte Alida kur këndonte “Caruso” gjatë udhëtimit me makinë.

Dukej sikur notat e larta çanin qiellin si për të sfiduar atë ‘mallkim’, që e degdisi nga vendlindja e saj duke ia prerë këngën në mes….

Habitesha me potencën e karakterit të saj në bashkëbisedime me emigrantë të ndryshëm nga vende të tjera, të cilëve u kishte hapur derën duke i mirëpritur e strehuar në shtëpinë e saj.

‘Mëmësia’ e saj shkonte deri aty sa i mësonte gjuhën gjermane emigrantëve të ndryshëm të porsaardhur duke folur rrjedhshëm në gjuhët e tyre.

Kur e pyesje se si ishte e mundur të fliste katër gjuhë të huaja, pohonte se që në fëmijëri ajo kishte filluar të mësonte disa gjuhë, madje të këndonte fshehurazi asokohe , pra ishte një pasion e dhunti e saj e hershme.

Të gjithë emigrantët në gjuhën e tyre e thërrisnin ‘mama’, ndërsa ajo ngazëllehej mes dashurisë dhe respektit reciprok.

Nuk harronte të citonte shpesh:- “Jam e lumtur këtu në zemër të Gjermanisë, nuk më mungon asgjë, rrethuar me shumë dashuri familjare e më gjerë, përkushtim ndaj familjes dhe të gjithë njerëzve që trokasin në portën time, por ndjehem në të njëjtën kohë shumë keq sepse në fakt, unë si Alidë – shprehet ajo – jam një pemë me degë shumë të bukura por kjo pemë nuk ka rrënjët .…

Rrënjët që pata në Shqipëri m’i prenë hijet e natës në qelitë e errëta të Brakës. Pikërisht atëherë kur më dhanë shkëlqimin e një ylli të ndezur në skenë, por shumë shpejt në moshën 22 -vjeçare ma vodhën dritën duke më mbuluar me errësirë. Atëherë ‘mbeta e vetme’ në trishtimin tim, sepse ‘të gjithë kishin ikur’ – siç shprehet ajo edhe gjatë tekstit të një kënge në albumin ’Kthimi’.

Sot ndjehet krenare për fëmijët e saj të shkolluar më së miri, që flasin rrjedhshëm, këndshëm gjuhën e bukur shqipe .

Ata e kanë gjetur dhe plotësuar veten e tyre.

Në familjen e saj ka vetëm buzëqeshje, gëzim e lumturi pa masë, përkushtim , humor e gjithçka që të bën të ndiesh veten në paqe..

Vitale në çdo dimension, këmbëngulëse, modeste në tepri, e përkushtuar në çdo detaj, me synime e objektiva të qarta , ajo dhe bashkëshorti i saj janë një model në marrëdhënie mes partnerësh .

Thomas (profesor okulist, njëkohësisht Koordinator i okulistikës gjermane në Botë, respekton, ndihmon pa kufi, miqtë, bashkatdhetarët që trokasin jo rrallëherë në portën e tyre duke mahnitur me bujarinë e tij.

Ne buzëqeshjen e tij njerëzore lexohet qartë shpirti human i Alidës e me dashamirësi shprehet se:- Alida është ‘një thesar i çmuar në qafën e tij’.

Ajo është një kuzhiniere e shkëlqyer që gatuan gjithçka me duart e saj, servir dhe të jep kënaqësi të rrallë në tavolinë, ku darkave mblidhen shumë miq e të ftuar duke shijuar gatimet e saj si profesioniste mes traditës shqiptare e gjermane shoqëruar me vere te kuqe , kryesisht nga atdheu, mes bisedave plot gjallëri. Udhëton shumë dhe dashuron detin, por nuk harron të marr me vete një shishe me mesazh letre të shkruar brenda për ta hedhur atë në det sepse dëshiron të shpërndajë gjithmonë mirësi ,paqe, dashuri mes njerëzve. Nëse e pyet se , pse bën kaq shumë për të gjithë njerëzit?! -ajo përgjigjet: – nuk kam asnjë interes timin që e bëj, por thjeshtë ndjehem mirë.

Do të desha që edhe të tjerët të vepronin kështu…

Alida nuk është vetëm një këngëtare e artiste e madhe. Ajo punon madje si asistente okuliste e shkolluar me bashkëshortin e saj në klinikën e tyre private në Fulda.

Për të arritur deri këtu Alida Hisku ka përshkruar një udhë të gjatë mes rrëzimesh të dhimbshme dhe ringritjeve të fuqishme në sajë të karakterit të hekurt, si rrallëkush e posedon në pozicionin e emigrantit. Ajo lexon shumë letërsi, studion literaturë psikologjie, filozofie. mjekësie. etj. Në këtë aspekt këndvështrimi, por dhe më gjerë, vëllimi i saj autobiografik ne gjuhën gjermane ka mbi themel filozofinë e jetës së njeriut.

 Ndërsa ka botuar vëllimin e saj të parë voluminoz i cili është pritur mjaft mirë, ajo ka në proces botimi vëllimin e saj të dytë autobiografik.

Në bisedat që zhvillohen me Alidën konstaton qartë se përballë ke një grua që është psikologe, filozofe, virtyt, vlerë shoqërore, mike, shoqe, por mbi të gjitha është një model i paqes në botë. Aliden humane – e gjen në të gjitha ambientet ku mund të jetë kryesisht një shqiptar , mjafton që ajo ta dijë se kërkohet ndihma e saj.

 Në spital , në universitete, në çdo rast që mund të kenë nevojë ajo është atje për të ofruar zgjidhjen e saj por jo vetëm, por së bashku me bashkëshortin e saj Thomas . Nuk mund të lihen pa përmendur ndihmat milionëshe të familjes Keune në mbështetje të luftës së Kosovës, te cilat u transportuan me avion të posaçëm drejte Shqipërisë, për të cilat kanë shkruar shumë edhe mediat gjermane asokohe.

Të japësh dashuri, të jesh humane – shprehet Alida:- ‘është një detyrë në vazhdimësi për të çuar botën përpara me virtytet më të mira’ .

Kjo artiste e mirëfilltë në jetë e profesion përcjell pozitivitet në gjithçka që prek e bën. Është një aktore super e talentuar në arenën e jetës ku të gjitha rolet i luan me një profesionalizëm të përkushtuar ku Sicili spektator përballë arenës së saj mbetet i mahnitur dhe i përkulet me respekt.

Tek Alida lexon mirë pa ‘syze optike’ jetën në të gjitha përmasat e saj të bukura, të shëmtuara. Jetën ‘nudo’ në të gjithë labirintet e saj , kurthet, rrëzimet, ringritjet, gëzimin , optimizmin, por mbi të gjitha tek ajo spikat puna dhe forca e të të qënurit një grua e kompletuar …

Ajo thjeshtë, është një MIRESI .

Familja – thotë Alida është gjëja më e shtrenjtë për mua në këtë botë .

Mjafton të gjendesh në një tryezë mes tyre dhe lehtësisht do të konstatohet se familja e Alidës i ngjan një simfonie të vërtetë .

 Alida nuk harron pa përmendur disa pengje nga jeta e saj : – ëndrrat e mija për muzikën u ndërprenë mizorisht në kulmin e karrierës time artistike.

Askush e asnjëherë nuk u fajësua për rininë time të vrarë.

Do dëshiroja të këndoja edhe një herë në skenën shqiptare e të risjell në kujtesë duartrokitjet me ovacion të publikut tim që më mungon kaq shumë.

Atëherë m’i zhduken disqet e këngëve sa ende nuk m’i kanë dhënë nga fonoteka…

Peng tjetër ndoshta është të merrja pjesë në një festival kombëtar, siç ma premtuan, të këngës në RTSH në shenjë sfide për të kaluarën time,  apo të bëja një turne nëpër Shqipëri si dëshira ime e kahershme

“Në vendlindje – thotë Alida, -këndova strofën e parë të këngës time, refrenin e saj e vazhdova në udhët e botës”.

 Mimoza Agalliu