Zyfer Caco: Padrejtësia me bonot e privatizimit vazhdon

774
Sigal

Shoqata e Letrave me Vlerë: Edi Rama të mbajë premtimet, ndryshe do të kemi një zhgënjim tjetër si ai i Berishës

Kohët e fundit mori fund edhe mendimi i gabuar se gjoja PS dhe Edi Rama nuk i njohin Bonot dhe Lekët e Privatizimit. Kjo frikë e shumë qytetarëve lidhej me faktin se, gjatë fushatave elektorale, ato nuk i kanë përdorur si “kartë” për të fituar vota dhe nga ana tjetër kanë kritikuar Sali Berishën për mashtrimin që i ka bërë popullit me premtime të pambajtura edhe në këtë drejtim. PD dhe Sali Berisha bënë të kundërtën, ata premtuan me bujë të madhe, duke i bërë popullit edhe thirrjen “hidhuni në tregun e letrave me vlerë”, por në fakt nuk realizuan asnjë premtim. Sali Berisha, si në të gjithë fushat e tjera edhe këtë “kartë” e përdori si peng për të marrë votat e poseduesve të Bonove të Privatizimit. Ndryshe nga Sali Berisha, z. Edi Rama pa asnjë premtim direkt, por në kuadrin e zotimeve të tij për të forcuar shtetin dhe ligjshmërinë, po vepron me përgjegjësi edhe në aktivizimin e Letrave me Vlerë. Në një emision televiziv edhe eksperti në ekonomi-financë z. Adrian Civici e ka trajtuar me kompetencë profesionale dhe ka shpjeguar suksesin që ka patur kjo metodë për privatizim në vendet e tjera të lindjes dhe krahas kësaj papërgjegjshmërinë e qeverive shqiptare në mosrealizimin e këtij procesi, e cila u shërbente shtresave sociale. Fakti se, qëllimi për të cilin u emetuan Bonot e Privatizimit për punonjësit dhe Lekët e Privatizimit për ish-të përndjekurit politikë pas vitit 1997 u devijua, duke i aktivizuar ato “me pikatore” vetëm për punonjësit e ndonjë shoqërie të rrallë dhe jo për të gjitha ato që privatizoheshin. U përdorën, por në mënyrë selektive edhe për objektet e privatizuara në tokë të pronarëve. Dhe më në fund u hap rruga për t’i përdorur si mjet pagese për trojet e zëna nga ndërtimet informale. Por lind pyetja nëse ishte ky qëllimi i plotë ai i emetimit të këtyre Letrave me Vlerë? Kurrsesi jo! E themi këtë sepse ato u emetuan për të shpërndarë pronën e vënë me punën e pa paguar gjatë sistemit të kaluar ndër shtresa të gjëra sociale e në nevojë si punëtorë, por edhe intelektualë të gjithë fushave të jetës si në fushën e arsimit, forcat e armatosura, kuadrot drejtuese, specialistët e ekonomisë dhe superstrukturës shtetërore e partiake, si dhe për ish të përndjekurit politikë. U ndërpre privatizimi masiv, u harrua paketa e privatizimeve për publikun edhe pse parashikohet në legjislacionin e privatizimeve. Nuk u përdorën Fondet e Investimeve, por edhe i vetmi Fond, Angloadriatica, që grumbulloi Letrat me Vlerë të rreth 47 mijë familjeve, nuk u fut në privatizim, por u shpërbë dhe Letrat me Vlerë ju rikthyen publikut, duke deformuar krejt tregun e tyre. E pra, fakti që të gjithë këto shtresa sociale nuk e kanë patur mundësinë që t’i përdorin këto Letra me Vlerë për të marrë pronën e tyre që u llogarit sipas moshës, vërteton pa drejtësinë që u është bërë këtyre shtresave nga qeveritë e të dy krahëve të politikës. Dhe të mos harrojmë se, shuma prej 100 mijë lekë që përfitoi një pensionist në kohën e emetimit të tyre, duhet të blinte një pronë të barabartë të barasvlershme me 4-5 apartamente, por papërgjegjshmëria e qeverive bëri që ai ta humbte këtë pronë sepse vlera e pronës tani është disa qindfishuar ndërsa vlera e Bonove ka patur rënie deri në zero. Por keqtrajtimi i këtij problemi vazhdon ende dhe diferencimi ndërmjet shtresave sociale bëhet edhe më i dukshëm nga masat qe ka publikuar qeveria aktuale, duke pohuar se, ato do të përdoren në legalizime, por jo edhe për qëllimin e emetimit të tyre siç është privatizimi i pronës shtetërore, gjë që shkruhet edhe në vetë Bonot e emetuara. Mirë ai qytetar që ka një objekt në tokën e tij do e përdorë këtë Letër me Vlerë për ta privatizuar atë. Ose një qytetar tjetër që në mënyrë krejt antiligjore e antisocial, ka uzurpuar një truall, ka bërë një ndërtim pa lejë dhe nga qeveria favorizohet e shpërblehet, duke i dhënë të drejtën që ta përdori Bonon e tij, duke paguar me kushte shumë favorizuese këtë truall, kjo edhe me Bono të blera me çmim qesharak nga qytetarët e tjerë që presin nga qeveria të përfitojnë djersën e tyre nëpërmjet privatizimeve. Këtë fat që ta përdori Bonon ose Lekun e Privatizimit 100% me vlerën nominale, mund ta ketë specifikisht dhe ndonjë person tjetër, po ai pensionisti, ish-mësuesi, ish-ushtaraku, e çdo punonjës e intelektual tjetër që në shumicën dërrmuese përbëjnë shtresën sociale në nevojë pse u dashka ta shes me çmimin sa 7 apo 8% të vlerës nominale të saj?! Kjo sipas zotit Artan Lame, (a thua se këtë e vendos ky e jo tregu), Ç’është ky diferencim e trajtim me padrejtësi shtetërore të qytetarëve të vet?! Zoti Edi Rama është zotuar që të vër në vend padrejtësitë e shkaktuara nga qeverisjet e mbrapshta e të papërgjegjshme të deritanishme. Në së kjo është e vërtetë, atëherë gjithë qytetarëve të këtij vendi duhet t’u japë të drejtën që u takon në mënyrë të barabartë, duke i hapur rrugë shitjes për poseduesit e Letrave me Vlerë të aksioneve dhe aseteve të tjera shtetërore me Bono e Lek Privatizimi. Për ndryshe do të kemi një zhgënjim tjetër si ai i Sali Berishës.