TEPELENË/ Veprimtari me rastin e 70 -vjetorit të rënies së “Heroit të Popullit”, Mustafa Matohiti

1538
Sigal

Shoqata kulturore – Atdhetare “Labëria” dega Tepelenë në bashkëpunim me bashkinë e Tepelenës, Qarkun e Gjirokastrës, Komunën e Kurveleshit të sipërm, organizatat e veteranëve e të dëshmorëve, departamentin e historisë në universitetin “Eqrem Çabej”, shtëpinë e kulturës  organizoi një veprimtari kulturore me rastin e 70- vjetorit të rënies heroike të Mustafa Matohitit në Margëlliç. Morën pjesë anëtarë të shoqatës bashkëluftëtar të heroit , banorë të qytetit e fshatrave, të ftuar nga shoqatat si motra të Patosit, Fierit, fshatit “Asim Zeneli”, nga organizata e shoqata të Gjirokastrës. Nderuan me pjesëmarrjen e tyre përfaqësues nga pushteti vendor Tepelenë , qarku Gjirokastër si dhe deputetët Fastmir Toçi e Dashamir Kamberi. Veprimtaria u hap me vendosjen e luleve dhe homazhe tek bustet e tre heronjve, nën tingujt e pavdekshëm të këngëve partizane. Në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës që mban emrin e heroit, të mbushur plot tingujt e himnit kombëtar paraprinë veprimtarin. Fjalën përshëndetëse e mbajti Kryetari i Shoqatës dega Tepelenë zoti Qemal Danaj. Më pas u shfaq filmi dokumentar për jetën dhe veprën e Mustafa Matohitit i përgatitur nga profesor Fatmir Mece dhe sekretari i shoqatës Myrdar Jera. Nëpërmjet dokumenteve, fotografive të shumta të tij, familjes, bashkëpunëtorëve të Marenglenit filmimeve të vendlindjes dhe Margëllic, u paraqit shkurtimisht jeta dhe vepra e heroit që ngjalli shumë emocione tek të pranishmit. Festën e zbukuruan grupet polifonike të ardhura nga Vlora, Bença, Gjirokastra për të nderuar veprimtarin. Si gjithnjë vargjet e fortë të Tomor Lelos, Golik Jaupit, Shyqyri Hysit u pritën me duartrokitje nga populli i Tepelenës. Z.Xhafer Majko mbajti temën: Si u rrit dhe u formua personaliteti i “Heroit të Popullit” Mustafa Matohitit. Ndërsa Dr.Doc. Jaho Cana mbajti temën mbi veprimtarinë e heroit të popullit Mustafa Matohitit. Në përshëndetjen e tij  z.Dashamir Kamberi evidentoi cilësitë e veçanta të “Heroit të Popullit” Mustafa Matohiti si dhe traditat e shkëlqyera patriotike të vendlindjes së tij, krahinës së Kurveleshit dhe e rrethit të Tepelenës. Një përshëndetje të veçantë bëri dhe Kryetari i Bashkisë Tepelenë, z.Tërmet Peçi.

Si u rrit dhe formua personaliteti i “Heroit të Popullit” Mustafa Matohiti

Kushdo që merr guximin dhe detyrën të flasë për Mustafa Matohitin e ka të vështirë të pasqyrojë dhe të rrokë gjithë jetën e veprën e tij të lavdishme, sado i ditur e i talentuar të jetë. Më pëlqen të përmend një shprehje të thënë nga një poet kurveleshas: “Mustafai është si një mal akulli, kur mendon se, je ngjitur në majë të tij për ta eksploruar pa pritur sheh se ke rrëshqitur në fund… U lind në Lekdush më 15 Nëntor 1912 në një familje me tradita atdhetare, në një fshat tipik malor si gjithë krahina e Kurveleshit , në lartësinë 900-950 metra mbi nivelin e detit, me male, buza, gremina e shkëmbinj me hone e shpella të shumta (ende të pastudiuara) të cilat qenë dhe janë të mbushura me gojëdhëna, legjenda e mistere nga më të bukurat e të çuditshme. Me kërshëri e ëndje dëgjonte nga më të moshuarit historitë trimërore të të parëve. Mustafai kishte mësuar për bëmat e Bilbilenjve, Hodo Nivicës,  Çelo Picarit, Zenel Gjolekës etj.. Aq më tepër dinte për çetën e fshatit të tij ku mbi 60 pjesëtarë kundërshtuan reformat e Tanzimatit dhe një numër prej tyre u internuan në Jemen më 1847 si Zano Ymer Zanaj, Majko Hasan Kalaj, Hodo Mataj, Hodo Hysenaj, Sabri Godaj, Labë Hyseni , Sejko Xhaferi. Burrat që mblidheshin e kuvendonin në bregun e Shëmillit flisnin për trimëritë e Hito Habilit, Carcan Barxhaj, Bastri Hajnaj, për luftëtarë e vitit 1914 dhe të luftës së Vlorës 1920. Gjatë jetës së shkurtër, por shumë dinamike Mustafai ka organizuar e drejtuar shumë aksione formime çetash partizane jo vetëm në Kurvelesh e Tepelenë, por edhe në Gjirokastër, Përmet, Berat, Mallakastër etj.. Ai organizoi e drejtoi çlirimin e Kurveleshit më 28 Nëntor 1942 ndër të parat në Shqipëri me rastin e 30- vjetorit të Pavarësisë. Aftësitë e tij të lartpërmendura  si dhe humanizmi e puna bindëse që e karakterizonte e bënë Bilbil Matohitin një nga udhëheqësit më të shquar të Luftës NAÇL, duke u zgjedhur Komisar i Brigadës të VI Sulmuese. Emrin  Marenglen qindra shqiptarë e kanë trashëguar nga Mustafa Matohiti…  Ai nuk u shpëtoi dot burgjeve të regjimit, por në sajë të trimërisë, mençurisë i ka shpëtuar vdekjes disa herë. 29 Mars 1944 ishte një ditë që Marengleni dhe heronjtë Meleq Gosnishti, Lefter Talo, Dino Kalenja , shkruan epopenë legjendare në Margëlliç për çlirimin e Patosit në krye të forcave të Brigadës së VI Sulmuese. U shua një yll në qiellin e Shqipërisë për të mbetur i ndritshëm në idealet e kombit tonë, udhërrëfyes në shtigjet ende të pahapura, për të qenë përjetë në piedestalin kombëtar që çdo popull ngre për heronjtë dhe gjenitë e vet.

Xhafer Majko, Agron Majkaj