Zgjerimi i BE-së, 8 vende në “garë”

4231
Sigal

Rreth një muaj më parë BBC ka bërë një analizë të gjendjes në të cilën ndodhen tetë vendet (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Islanda, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia), në rrugën drejt hyrjes në Bashkimin Europian. (EU enlargement: The next eight. BBC, News 4 July 2012). Nga vendet e Ballkanit, vetëm Kroacisë i është caktuar data e pranimit në BE më 1 korrik 2013, Mali i Zi ka hapur bisedimet më 29 qershor 2012, Maqedonia ka marrë miratimin për hapjen, Serbia prej marsit 2012, ka fituar statusin e kandidatit, kurse Shqipëria dhe B&H, ende nuk e kanë këtë status.

 Shqipëria

Shqipëria formalisht ka aplikuar për anëtarësim në BE më 28 prill 2009, por ende nuk ka ndonjë përgjigje për statusin e vendit kandidat. Për rrjedhojë, nuk parashikohet t’i bashkohet BE më herët se viti 2015.

Prej 15 dhjetorit 2010 shqiptarët me pasaporta biometrike udhëtojnë pa viza në zonën Shengen, e cila përfshin shumicën e vendeve të BE. Kontrollet e kufijve zbuten në këtë marrëveshje, por BE po vëzhgon me kujdes vizitorët nga Ballkani Perëndimor.

Qeveritë e BE shprehen se forcimi i sundimit të ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbeten “sfidat urgjente” për  Shqipërinë.

BE dhe Shqipëria përfunduan Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asocimit (MSA), që shihet si një hap drejt anëtarësisë, në qershor 2006. Bisedimet zgjatën tre vjet e gjysmë-tre herë më shumë se në rastin e Kroacisë dhe Maqedonisë. Kjo ka ardhur pasi BE mendon se Shqipëria po lëviz shumë ngadalë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

BE gjithashtu ka dyshime për sektorin energjetik të Shqipërisë, i cili vuan nga furnizime të paqëndrueshme.

 Bosnja dhe Hercegovina

B&H nuk është parashikuar t’i bashkohet BE para vitit 2015. Mëse një dekadë pas luftës të viteve 1992-5, ajo nënshkroi MSA me EU në qershor 2008.

BE ka vlerësuar progresin në reformat politike, bashkëpunimin me gjykatën ndërkombëtare për krimet e luftës në Hagë, median publike dhe administratën publike. Shtetasit me pasaporta biometrike udhëtojnë pa viza në zonën Shengen nga dhjetori 2010 .

BE mban  në forcë paqeruajtëse dhe mision policor në B&H. Komisioni Europian shprehet se në B&H ndjehet ende një “klimë politike e paqëndrueshme” dhe ndarje etnike.

Në dhjetor 2011 qeveritë e BE e nxitën B&H të shpejtojë reformat kyçe, përfshirë ndryshimet kushtetuese. Një muaj më vonë, liderët boshnjakë, kroatë dhe serbë arritën të  krijonin një qeveri qëndrore, duke i dhënë fund 14 muajve amulli politike.

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka vendosur se ligji zgjedhor i B&H është diskriminues kundër  hebrenjve dhe popullsisë Rome, pasi vetëm boshnjakët, kroatët dhe serbët lejohen për të konkurruar për poste të larta.

 Kroacia

Kroacia aplikoi për anëtarësi në BE në shkurt 2003, u konfirmua si vend kandidat në qershor 2004, kurse bisedimet për pranim filluan në tetor 2005. Kroacia i përfundoi bisedimet me Komisionin Europian dhe 1 korriku 2013 është data e pranimit në  BE. Kroacia do të jetë i dyti vend i ish-Jugosllavisë, pas Sllovenisë që i bashkohet BE.

Reforma juridike ishte midis 30 fushave apo “kapitujve” kryesorë negociues. Komisioneri për Drejtësinë i BE, V.Reding shprehet se, “brenda një viti ata e reformuan plotësisht sistemin e tyre juridik  duke e bërë të pakthyeshëm”.

Ndër masat energjike në luftën kundër korrupsionit është procesi gjyqësor ndaj ish -kryeministrit Ivo Sanader, i cili u arrestua në Austri dhe ekstradua në Kroaci. Kryeministre Jadranka Kosor ka zëvendësuar katër ministra në qeverinë që trashëgoi nga z. Sanader.

Një raportin e marsit 2011, Komisioni Europian  theksoi se Kroacia duhet të bëjë emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve më transparent, të thellojë investigimet për korrupsionin  në nivelet e larta dhe të ndihmojë më shumë minoritetet .

Një debat për kufirin me Slloveninë fqinjë- një anëtar i BE-së i mbajti pezull bisedimet e pranimit të Kroacisë deri në shtator 2009, kur  Sllovenia ra dakord të heqë veton dhe  ta zgjidhë problemin  veçmas.

Më 2005 bisedimet e pranimit u vonuan për shtatë muaj pasi Kroacia përpiqej të bindte BE se po bënte gjithçka për të gjetur gjeneral A.Gotovina, i akuzuar për krime lufte. Ai u arrestua në Ishujt  Kanarie në dhjetor  2005. Më 15 prill 2011 gjykata për krimet e luftës në Hagë e dënoi me burg atë dhe një tjetër gjeneral, M.Markac, përkatësisht 24 dhe 18 vjet.

 Islanda

Islanda aplikoi për anëtarësim të plotë në korrik 2009 kurse bisedimet e pranimit me BE filluan në korrik  2010. Por progresi është vonuar nga një debat mbi peshkimin e skumbrisë (një lloj peshku) dhe disa probleme që kanë lindur nga kriza financiare dhe bankare.

Islanda me 320,000 banorë, mund t’i bashkohet  BE vetëm përmes referendumit.

 Maqedonia

Maqedonia ka aplikuar për anëtarësim të plotë në mars 2004 dhe është konfirmuar si kandidat në dhjetor 2005. Komisioni Europian ka rekomanduar që BE të hapë bisedimet e pranimit me Maqedoninë pasi ka bërë “progres bindës” në reformën policore, në frenimin e korrupsionit dhe përkrahjen e të drejtave të njeriut.

Prej 19 dhjetorit 2009, maqedonasit nuk kanë nevojë për viza në zonën Shengen.

Shpresat për hapjen e bisedimeve të pranimit më 2008 pësuan një goditje nga dhuna në zgjedhjet e qershorit si dhe bojkotit parlamentar nga partitë opozitare shqiptare. Por në qershor 2011 sipas BE,zgjedhjet parlamentare ishin “transparente dhe të mirë-administruara”.

Maqedonia u pranuan në OKB më 1993 duke përdorur emrin e përkohshëm të ish- Republikës Jugosllave të Maqedonisë (Fyrom). Një debat i hapur me Greqinë mbi emrin e Maqedonisë vazhdon të pengojë vendin t’i bashkohet BE dhe NATO-s. Greqia argumenton se emri “Maqedoni” nuk mund të monopolizohet nga një vend, dhe se kjo përfshin një pretendim territorial mbi rajonin verior grek me të njëjtin emër.

 Mali i Zi

Mali i Zi aplikoi për anëtarësim të plotë në dhjetor 2008, u konfirmua si kandidat në dhjetor 2010. Statusi i kandidatit e rriti shanset e Malit të Zi prandaj BE i hapi bisedimet e pranimit të vendit më 29 qershor 2012.

BE i kërkon  Malit të Zi të intensifikojë përpjekjet për të konsoliduar sundimin e ligjit, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe të mbrojë lirinë e shprehjes.

Bisedimet me BE mbi një MSA filluan shpejt pasi vendi votoi, në maj 2006, t’i japë fund bashkimit të tij me Serbinë dhe u nënshkrua në tetor 2007.

Prej 19 dhjetorit 2009, qytetarët e Malit të Zi me pasaporta biometrike udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.

Liderë të Malit të Zi shprehen se vendi do t’i bashkohet BE para fqinjëve të tyre serbë apo maqedonas.

 Serbia

Serbia ka aplikuar për anëtarësi të plotë në dhjetor 2009, është konfirmuar si kandidat në mars 2012, por nuk ka të ngjarë t’i bashkohet BE së paku deri më  2015.

Progresi drejt BE ka qenë i ngadaltë, por BE i dha statusin e kandidatit, pasi në shkurt Serbia pat bërë disa lëshime mbi Kosovën. Beogradi ra dakord ta lejojë Kosovën të marrë pjesë në takimet rajonale në Ballkanin Perëndimor, ndonëse refuzon të njohë pavarësinë e saj.

Bashkëpunimi i Serbisë me gjykatën ndërkombëtare për krimet e luftës në Hagë është një kusht kryesor për pranimin e saj. Perspektivat europiane u shtuan pas arrestimit më 26 maj 2011 të shumë të kërkuarit, për krimet e luftës, gjeneral R.Mladic.

Komisionieri i BE për zgjerimin S.Fuele ishte shprehur se “një pengesë e madhe në rrugën drejt BE tashmë ishte hequr.”

Në Hagë pat përfunduar më parë edhe ish lideri serb në B&H, R.Karaxhixh. Në korrik 2011 edhe ish lideri serbo-kroat G.Haxhixh, u arrestua dhe u dërgua për gjykim aty.

Qytetarët e Serbisë me pasaporta biometrike prej dhjetorit 2009 udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.

Serbia nënshkroi MSA me BE në prill 2008, por vetëm në qershor 2010 ministrat e jashtëm të BE ranë dakord të hyjë në fuqi. BE dëshiron të shohë bashkëpunim më të mirë të Serbisë  me misionin e saj policor në Kosovë, të quajtur Eulex, por shumë serbë të Kosovës nuk e njohin autoritetin e tij.

 Turqia

Turqia ka aplikuar për anëtarësi të plotë më 1987, është konfirmuar si kandidate në dhjetor  1999,por  bisedimet e pranimit kanë filluar vetëm në tetor 2005.

Turqia plotësoi kushtin e fundit për bisedimet në korrik 2005, kur pranoi një bashkim doganor me të gjitha shtetet anëtare të BE, përfshirë Qipron. Por, dështoi të ratifikojë bashkimin doganor dhe portet dhe aeroportet e saj mbetën të mbyllura për Qipron. BE iu përgjigj në dhjetor 2006, duke ngrirë bisedimet e pranimit në tetë fusha politike.

Në dhjetor 2011 qeveritë e BE ripohuan ngrirjen, pasi ”Turqia nuk ka bërë progres drejt normalizimit të nevojshëm të marrëdhënieve të saj me Republikën e Qipros”.

Në maj 2012 BE dhe Turqia shpallën një “kalendar pozitiv”, duke nxjerrë në pah fushat ku mund të zgjeronin bashkëpunimin por Turqia refuzoi të bisedonte me Presidencën 6-mujore të Qipros, të filluar nga korriku 2012.

Kështu, vetëm  13 nga  33 fushat e bisedimeve-të quajtura kapituj- janë hapur.

Bisedimet kanë qenë errësuar nga shqetësimet rreth lirisë të shprehjes dhe demokracisë në Turqi, trajtimit të pakicave fetare, të drejtave të grave dhe fëmijëve, kontrollit civil të ushtrisë dhe tensioneve me Qipron.

Qeveritë e BE përshëndetën “respektin e plotë të standardeve demokratike dhe sundimin e ligjit” në Turqi në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2011.

BE ka mirëpritur lëvizjen për të përmirësuar të drejtat e kurdëve dhe përpjekjet e saj për të normalizuar lidhjet me Armeninë fqinjë.

BE gjithashtu ka mirëpritur votën PO në referendumin e shtatorit 2010, që i dha mundësinë Partisë në pushtet të Erdogan për të ndryshuar kushtetutën e periudhës ushtarake dhe e solli atë në linjën me normat e BE.

Një numër politikanësh të lartë të BE, përfshirë kancelarin e Gjermanisë A.Merkel dhe ish presidentin francez N.Sarkozi, do të dëshironin një marrëveshje partnershipi të Turqisë me BE, se sa një anëtare të plotë.

Disa politikanë shqetësohen se një vend kaq i madh mysliman do të ndryshojë karakterin e përgjithshëm të BE-së, ndërsa të tjerë e vënë theksin në fuqinë e re punëtore që Turqia mund të sjellë në një Europë në plakje.

Ministria e Jashtme e Britanisë parashikon që Turqia të jetë gati për anëtarësim “në një  dekadë, apo më shumë”.

 Disa përfundime

Nga përshkrimi i mësipërm del qartë pozicioni fundor që zë Shqipëria në rrugën e saj të gjatë drejt anëtarësimit në BE. Ky pozicion shpreh “notën” e qeverive dhe opozitave shqiptare në këto vite tranzicioni. Por, sigurisht, përgjegjësia më e madhe bie mbi forcat politike që kanë qenë në pushtet,  dhe sidomos në këto vitet e fundit.

Tabloja e ecurisë të deritanishme tregon se pak shanse ka që në këtë rrugë të lemë pas ndonjë nga vendet e mësipërme (veç Turqisë që ka probleme më komplekse) edhe pse ato  kanë dalë si shtete pas shpërbërjes  (me luftë ndëretnike) të ish Jugosllavisë.

Kjo tregon se pasojat e luftës ndërpartiake për pushtet tej kufijve demokratikë tek ne, kanë sjellë pasoja shumë të dëmshme për vendin. Për fat të keq, shpesh ndeshesh me opinionin e brendshëm se “ky vend nuk bëhet” dhe opinionin e miqve tanë europianë se “këta nuk merren vesh me njëri tjetrin”. Përfundimi: le të presin aty, tek porta e BE!

Prirja për të fituar pikë partiake duke mosvotuar propozimet e shumicës në pushtet apo pakicës në opozitë edhe kur është fjala për integrimin e vendit në BE ka nxjerrë në pah karakterin sektar të partive shqiptare. Një hap pozitiv përpara u hodh me gjetjen e gjuhës së përbashkët për hartimin e projekt-ligjit për heqjen (apo kufizimin) e imunitetit të funksionarëve të lartë publikë. Një masë e tillë (që duhej të ishte marrë me kohë) edhe pse nuk besoj të luajë ndonjë rol efektiv në luftën kundër korrupsionit, gjithsesi përbën një hap pozitiv, dhe në linjën e plotësimit të kushteve nga BE.

Mirëpo ky hap ka mbetur aty pasi shumica ka vendosur (pa pasur numrat e nevojshëm) ta votojë projektligjin më 6 gusht, kurse pakica ka propozuar shtyrjen në një datë tjetër dhe votimin së bashku me disa akte të tjera. Çfarë do të ndodhë? Projektligji mund të mos miratohet pas disa ditëve.

Kush do të “fitojë” më shumë pikë nëse, ndodh kështu? Shumica do t’ja hedhë fajin pakicës se ja, “ata nuk erdhën në votim”, kurse pakica do të fajësojë shumicën, se “do të bëjë arnime në Kushtetutë”! Në këtë rast secila palë mund ta shpallë vetë “fitoren”. Por, nëse nuk gjendet një datë e pranueshme për të dy palët, madje edhe për një projekt tashmë të miratuar bashkërisht, statusi i vendit kandidat për anëtar në BE mund të shtyhet.

Kështu humbet Shqipëria.