Prefekti i Korçës Spirollari: Vrojtuesit vendosen në çdo kullë vrojtimi

216

Kontrolli i radhës, sanksione sipas ligjit

Nga Vepror Hasani

 

Kontrolli i radhës nga ana e Institucionit të Prefektit të Qarkut Korçë nuk do të vonojë. Do të respektohet afati që u është lënë për përmbushjen e detyrimeve, por gjithkush prej përdoruesve të plazhit që nuk ka vendosur vrojtues në kullat e vrojtimit apo ka mangësi të tjera në këtë aspekt do të përballet me sanksione sipas ligjit. Askush nuk do të tolerohet. Konkretisht bëhet fjalë për përdoruesit e plazheve në liqenin e Pogradecit, pa anashkaluar as liqenin e Prespës. Tolerim nuk do të ketë për askënd, pasi për këtë qëllim është financuar edhe nga Bashkimi Evropian dhe, falë këtij investimi, njerëzit e specializuar për vrojtim, roje dhe shpëtim nuk mungojnë. Paralajmërimi nga vetë Prefekti i Qarkut Korçë, Dhori Spirollari, u bë në gjatë një takimi me mediat, i cili bëri të ditur se përmbushja e detyrimeve nga ana e përdoruesve të plazhit u është kërkuar fillimisht në kontakte të drejtpërdrejta, me pas me shkrim, ndërsa tashmë jemi në përmbushjen e detyrimeve ashtu siç e kërkon ligji. Me këtë rast, duhet thënë se Prefekti i Qarkut Korçë, Dhori Spirollari, e ka ndjekur procesin e parapërgatitjeve të plazhit dhe masave të sigurimit për plazhistët muaj më parë, ndaj tashmë pritet të ketë sanksione për këdo që ka bërë veshin e shurdhët. Në përmbushjen e detyrimeve nuk bën përjashtim as Bashkia e Pogradecit.

Mungesa e sigurisë për jetën e pushuesve nuk do të tolerohet

Deri më sot tha prefekti i qarkut Korçë, Dhori Spirollari, është punuar mjaft për mikpritjen e vizitorëve dhe turistëve; kushtet janë shumë më të mira, ambientet të pastra, ushqimi i sigurt, ujë gjithashtu i pastër. Drejtoria e Shëndetit Publik çdo muaj analizon mostra uji të marra në pika të caktuara të liqenit dhe atje ku u konstatuan probleme, u morën masa të menjëhershme. Dhe që të gjitha këto duhej të ndodhnin, pasi liqeni i Pogradecit është mjaft i frekuentuar nga vendasit dhe të huajt që vijnë nga të gjitha anët e botës, numri i tyre shtohet nga viti në vit. Të gjitha këto bëjnë të mundur që edhe jeta e qytetarëve të Pogradecit të jetë më e mirë.

Pra, për të gjitha arsyet e mësipërme, u punua më përkushtim, por të gjitha këto nuk kanë asnjë vlerë nëse nuk sigurojmë jetën e pushuesve. Ndaj edhe kjo kërkesë e ligjit do të përmbushet nga çdo përdorues i plazhit. Ligji e përcakton qartë, çdo subjekt – menaxhues plazhi, duhet të ketë një person të licencuar për sigurinë në ujë. Deri pak vite më parë nuk kishim persona të kualifikuar, por tani i kemi, askush prej subjekteve nuk mund të justifikohet. Pra, gjithçka është shumë më ndryshe në të gjitha aspektet. Kullat e vrojtimit nuk do t’i lemë pa vrojtues Afati që kemi lënë për vendosjen sa më shpejt të rojeve dhe vrojtuesve, nuk do të tolerohet, aq më shumë kur çdo shfrytëzues plazhi ka të nënshkruar edhe një kontratë me Bashkinë e Pogradecit. Kontrolli i paralajmëruar pritet të ndodhë shpejt.

Siguria e pushuesve

“Megjithatë, tha prefekti qarkut Korçë, Dhori Spirollari, sot siguria e pushuesve nuk ka asnjë ngjashmëri me atë të viteve të kaluara. Përmirësimet janë të dukshme, por ne synojmë arritjen e parametrave të vendeve të Bashkimit Evropian. Për këtë arsye u vendos që gjatë sezonit veror të ishte në funksion një strukturë përkatëse, me qëllim mbulimin e gjithë problematikave të evidentuara vite më parë. U punua mjaft mirë nga Bashkia e Pogradecit, nga Njësia e Qeverisjes Vendore, nga Inspektorati përkatës i Turizmit dhe institucionet e tjera, të cilat morën masa konkrete administrative, kundrejt atyre që nuk i plotësojnë kriteret e përcaktuara. Mbi të gjitha u punua me përkushtim dhe dashamirësi, ndaj sot jemi në këtë stad të admirueshëm nga vizitorët dhe turistët. Sigurojmë pushuesit dhe banorët e Pogradecit si dhe çdo frekuentues të këtij liqeni, se edhe siguria në ujë nuk do t’iu mungojë.”