Diskriminimi me pagat/ Shqipëria me rrogat më të ulta në Rajon. Paga mesatare e 2020 vetëm 1% më e lartë se mesatarja e vitit 2014

663
Sigal

Paga Mesatare në Shqipëri në Krahasim me Rajonin

Open Data Albania po hulumton mbi nivelin e pagave në Shqipëri duke analizuar ecurinë e nivelit mesatar të pagës mujore prej vitit 2001 e deri në tremujorin e parë të vitit 2021. Gjithashtu analiza mbështetet në krahasimin e pagës minimale dhe pagës mesatare mujore të Shqipërisë me Rajonin. Krahas pagës mesatare të përgjithshme, do të analizohet dhe niveli i pagës mesatare sipas sektorëve dhe aktiviteteve ekonomike në Shqipëri. Të dhënat për këtë artikull janë marrë nga Instituti i Statistikave (INSTAT) dhe për vendet e rajonit nga Eurostati apo platforma si:Trading Economics. http://ndiqparate.al/2021/08/11/paga-mesatare-në-Shqipëri-rajon-dhe-Europë/

  • Shqipëria është një ndër vendet e rajonit me pagat më të ulëta.
  • Edhe pse shikojmë se paga mesatare karakterizohet nga trend rritës, sërish mbeten në nivelet më të ulëta.
  • Në vitin 2001 paga mesatare bruto për një punonjës ishte rreth 17 218 (shtatëmbëdhjetë mijë e dyqind e tetëmbëdhjetë) lekë, ndërkohë në vitin 2020 niveli i pagës mesatare është rritur me më shumë se 200 përqind duke arritur në vlerën 53 662 (pesëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e dy) lekë ose rreth 436 euro.
  • Ndryshimi me bazë vjetore e pagës mesatare në Shqipëri është karakterizuar nga trendi rritës, por me luhatje të shpeshta. Deri në vitin 2009 vërejmë rritje dhe me terma dyshifrorë, si psh në vitin 2007, ku shënohet rritja më e lartë me rreth 17 përqind më shumë se paga mesatare e vitit 2006. Pas vitit 2009 vijon kryesisht trendi rritës po në nivele një shifrore.
  • Në vitin 2015 ka një kthesë të trendit ku shënohet rënia më e madhe e pagës mesatare, 11.7 për qind më e ulët se paga e vitit 2014. Në këtë vit qeveria nisi fushatën kundër informalitetit, si rrjedhojë bizneset u ndeshën me faktin që duhet të siguronin çdo punonjës, kështu që rritja e numrit të punonjësve formalë, shumica e të cilëve me pagë minimale, ccoi në përcaktimin i një niveli më të ulët të pagës mesatare.
  • Edhe pse vijon trend rritës i pagës mesatare në Shqipëri, vërehet se nuk ka një rritje shumë të lartë krahasuar me nivelin mesatar para rënies, pra në vitin 2014.
  • Konkretisht paga mesatare në vitin 2020 është vetëm një përqind më e lartë se paga mesatare e vitit 2014.
  • Nëse shikojmë se cili nga sektorët paguhet mesatarisht më mirë, duke shqyrtuar katër vitet e fundit, konstatojmë se sektori shtetëror paguhet mesatarisht 33% më shumë se sektori privat.
  • Një nga faktorët që shpjegon trend rritës të pagës mesatare është edhe rritja e pagës minimale që përcaktohet me ligj, konkretisht nga 24 mijë lekë në vitin 2018 në 30 mijë lekë për vitin 2021. Kjo rritje e pagës minimale me 15 përqind krahasuar me vitin paraardhës, është rritja më e madhe pas vitit 2006.
  • Shqipëria ka pagën mesatare më të ulët ndërmjet vendeve të Ballkanit, ndërsa pagën mesatare më të lartë në Ballkanin Perëndimor e ka Mali i Zi rreth 787 Euro, ndërkohë që paga mesatare për Ballkanin Perëndimor, llogaritet rreth 655 Euro.
  • Në shumicën e vendeve Europiane, legjislacioni i punës përfshin nivelin e pagës minimale, megjithatë jo në të gjithë shtetet, psh Italia apo dhe shtete si: Austria, Suedi, Finlandë, Sllovenia, Danimarkë, janë shtete ku nuk zbatohet një pagë minimale ligjore. Nga ana tjetër konstatohet se disa shtete kanë jo vetëm një nivel pagë minimale, e tillë është Kosova që ka dy nivele page minimale, diferencuar sipas moshës.
  • Shqipëria shfaqet në vendet e rajonit me pagën minimale më të ulët rreth 244 euro (300 mijë lekë), pas Kosovës. Ndërsa Serbia aktualisht ka nivelin më të lartë të pagës minimale rreth 366 Euro në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por nëse shikojmë dhe fqinjët e tjerë në Ballkan, pagën minimale më të lartë e ka Sllovenia mbi 1000 euro, ndërsa në rang kontinenti, vendet me pagë minimale më të lartë janë: Luksemburg, Irlanda dhe Gjermania.
  • Paga mesatare në Ballkan dhe Fqinjët është rreth 1070 euro, ku vlerën më të ulët e ka Shqipëria rreth 436 euro, ndërsa pagën mesatare mujore më të lartë, mbi 2400 Euro e ka Italia. Gjithashtu, Sllovenia, Greqia, Kroacia dhe Rumania janë vendet që e kalojnë pagën mesatare të rajonit.
  • Gjithashtu nëse e shohim në një rang më të gjerë në të gjithë vendet e Evropës, Shqipëria pozicionohet në vendet më pagën mesatare më të ulët, konkretisht shfaqet vendi i gjashtë me pagën më të ulët, pra është më mirë se vetëm 5 shtete europiane siç janë: Gjeorgji, Azerbajxhan, Armenia, Bjellorusi dhe Moldavi, ku paga mesatare varion rreth 330-420 euro.