Bashkim Koçi/ Një monument për Xhelal Koprencën

789
Falë dokumenteve historike dhe kujtesës njerëzore që të mund të portretizohet relativisht e plotë figura e një patrioti të madh skraparas si Xhelal Koprencka. Jo se nuk është shkruar e folur deri tani për të, por ndaj këtij burri, edhe pse janë bërë përpjekje për të nxjerrë të plotë atë çka ai bëri për Skraparin, për Shqipërinë, përsëri e përsëri do të mbetemi borxhlinj, “të pazotë” për të skalitur bustin, të bukur e të fortë, ashtu si edhe ishte Xhelal Koprencka. Familja nga vinte Xhelal Koprencka e kishte të kaluarën të artë. E kamur, me pasuri e katandi, por edhe derë e madhe oxhaku, emër që e gëzonin fiset që kishin lënë gjurmë, që ishin me zë në krahinë e më gjerë. Burrave të kësaj familjeje u kishte shkuar nami deri tek Pashai i Janinës, Ali Pashë Tepelena, i cili i kishte jo vetëm si përkrahës besnikë në momentet e vështira që kaloi pashallëku i tij, por ca më shumë, “miq për kokë” e që, për të mirat që i kishte bërë Pashait, ai i kishte shpërblyer me mall e gjë, me pyje, kullota, me toka, të cilat shtriheshin në Bulgarec të Korçës, Cërujë të Gramshit, Gostënckë e Vlushë të Skraparit e deri tek pllajat me kullota në Qafën e Martës.
Nëse do që të jetosh përgjithmonë, mbill arsim dhe kulturë. 
Nëse kërkon të jetosh për një vit mbill misër dhe grurë, nësë do që të jetosh përgjithmonë mbill arsim dhe kulturë. Kjo thënie me plot filozofi brenda, për prindërit e Xhelal Koprenckës ishte udhërrëfyese për edukimin e fëmijëve, për t’u dhënë atyre shkollim e dituri. Ata ditën t’i bënin të dyja këto kërkesa jetësore; edhe të mbillnin e të korrnin, por edhe të merreshin me shkollimin e fëmijëve. Madje dy vëllezër të tij, Dulja dhe Hasani, kanë qenë misionarë të përhapjes dhe leximit shqip. Kontributi që ata dhanë për ABC-në u konkretizua në çeljen e tri shkollave në Koprenckë, Gostënckë dhe Çorovodë. Madje njëri nga ky themel, Dulja, më 2 shtator 1909 shkoi delegat, përfaqësues i Sanxhakut të Beratit, në Kongresin e Arsimit që u mbajt në qytetin e Elbasanit. Xhelalin e panë si “të përkëdhelurin” e shtëpisë. Pas mbarimit të shkollës fillore në qytetin e Korçës, (ai na paskësh qenë me fat) vijoi shkollën Robert-Kolezh të Stambollit e më pas, po aty në Stamboll, përfundoi studimet e larta, akademinë ushtarake. Nëse u referohemi rezultateve shumë të mira në përgatitjen si ushtarak, merret vesh pse ai u caktua të shërbente si i tillë në një repart ushtarak, shumë të rëndësishëm, në qytetin e Selanikut. Falë përgatitjes dhe seriozitetit në detyrën që iu caktua, Xhelal Koprencka i ngjiti shumë shpejt shkallët e karrierës. Sipas dokumenteve të gjetura nëpër arkiva mësojmë se në vitin 1911, ka marrë detyrën e komandantit të Qarkut të Janinës. Ishte vetëm 35 vjeç. Në jetë njerëzit iu ngjajnë fjalëve; nëse nuk i vë në vendin e vet, e humbin kuptimin. 
Personalitet i shquar i kohës
Xhelal Koprencka me formimin dhe vetitë e tij si njeri dhe atdhetar, ishte ndër ata personalitete që koha, ngjarjet e mëdha që tronditën vendin, e bënë pjesë, e bënë që ai të gjendej në ballë të veprimeve, duke kontribuar energjikisht dhe pa asnjë rezervë. Ai i duhej vendit, ashtu si vendi i duhej atij. Madje, ishte Ismail Bej Vlora ai që e vuri “në rreth”, e shënoi në listën e autoriteteve më të rëndësishëm dhe më me zë të vendit, të cilët gëzonin respektin dhe mbështetjen e popullin. Xhelal Bej Koprenckën populli i Skraparit e zgjodhi si përfaqësuesin e tij, si njeriun më me autoritet dhe të besueshëm, si të dërguarin e posaçëm për të hedhur firmën në dokumentin final të shpalljes së Pavarësisë kombëtare më 12 Nëntor 1912. Në këtë kuptim ky burrë i lartë i njërës prej familjeve të mëdha të Skraparit, nderoi jo vetëm një fshat, një krahinë, por diçka më shumë. Firma e tij, edhe sot e kësaj dite, mbetet si gur i rëndë themeli, si të ishte shenjë bashkuese dhe përfaqësuese e Skraparit dhe skraparlinjve. “Populli na zgjodhi, iu drejtua Ismail Bej Vlora të ardhurve nga të gjitha trojet shqiptare dhe na dërgoi në këtë tubim historik që të ndërmerret shpëtimi i atdheut, e shpëtimi i vetëm është liria. Prandaj, duke u mbështetur mbi dëshirat e shenjta dhe me vullnetin e patundur të gjithë popullit dhe me përfaqësuesit e tij, e shpallim Shqipërinë të mëvetësuar, të lirë dhe të pavarur”. Këto fjalë të Plakut të Vlorës u bënë si të ishin “gjëmim” për jetën dhe veprimtarinë e mëpastajme të Xhelal Koprenckës, të cilin skraparlinjtë e kishin ikonën e lëvizjeve të mëdha patriotike. Një jetë e lumtur është e pamundur, më e mira që mund të arrihet është një jetë heroike. Personazhi i këtyre radhëve nuk vuri në plan të parë jetën familjare, karrierën për të arritur tituj e grada. Xhelali bëri jetë heroike. E bëri të tillë sepse ai nuk rreshti së punuari, nuk u përtua kurrë për t’u gjendur atje ku edhe ndihmesa të ishte me dobi për vendin. 

Pranë Plakut të Vlorës
Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë, u gjend aty ku Plaku i Vlorës e shikonte të arsyeshme të jepte ndihmesën si ushtarak dhe autoritet i padiskutueshëm. Siç dihet, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali krijoi një Pleqësi për mbarëvajtjen e Kuvendit, pjesë e të cilit ishte edhe Xhelal Koprencka. Në këtë listë ishin dhe personalitete të tjerë, nga më të mirët, nga më të përzgjedhurit e ajkës së vendit. Emra si: Iljaz Vrioni, Dud Karbunara, Sami Vrioni, Mustafa Kruja, Murat Toptani, Eqrem Vlora, Vehbi Dibra, Kristo Meksi, Dhimitër Berati, Dhimitër Zografi, Bedri Pojani, Sali Gjuka, Veli Këlcyra, Hajredin Fratari, Shefqet Daiu, Dervish Biçaku dhe Ajdin Draga do të mbeten si “badigardët” politikë, nga më besnikët të Ismail Qemalit, të cilët edhe pas më shumë se një shekull përmenden e nderohen për çka bënë për atdheun. Një komandant me vizion i orienton fuqitë dhe energjitë në drejtimin e duhur. Xhelal Koprencka ishte një i tillë, gjë të cilën e kish kuptuar edhe Ismail Qemali, i cili e ngarkoi dhe i besoi disa detyra të rëndësishme. Së pari, ai u ngarkua të ndiqte organizimin e ushtrisë. U bë krahu i djathtë i Ministrit të Mbrojtjes, Mahmut Pashë Dërrallës, i cili shikonte tek Xhelali dy cilësi të liderit ushtarak: njeriun e ditur dhe atdhetarin besnik të idealeve kombëtare. Guximi, aftësia si organizator i zoti, qëndresa në krye të punëve si ushtarak i karrierës do të diktonte autoritetet qeverisëse që ai të merrte në dorë organizimin e xhandarmërisë në qytetin e Lushnjes dhe më pas të mbulonte problemet e kufirit në Juglindje të Shqipërisë. Nëse doni që diçka të realizohet shkoni vetë, nëse nuk doni, dërgoni të tjerë. Këtë gjë komandanti me përvojë i dinte shumë mirë, por ndërkohë dinte edhe ta zbatonte. Kur atë e ngarkuan për të ndaluar e shpartalluar sulmet e andartëve grekë në territorin e Korçës, Kolonjës e Skraparit, ishte ndoshta një ndër komandantët e rrallë që priu në krye të vullnetarëve për t’u përballur më armikun. Një dokument i kohës jep informacion të plotë rreth angazhimit të Xhelalit në luftën ndaj pushtuesve grekë. Ai bënte me dije kryetarin e Qeverisë, Ismail Qemalin se rreth 1500 forca vullnetare, të komanduar nga Lace Backa, kishin zënë grykat dhe qafat e Skraparit, gjë që do të thoshte se andartët grekë do të lini kockat në një ndeshje të mundshme.
Mjeshtër i sulmit dhe i tërheqjes
Një ushtarak i zoti, një komandant i sprovuar në luftë, i çon ushtarët apo mbështetësit, jo aty ku duan të shkojnë, po aty ku duhet të jenë. Xhelal Koprencka ishte mjeshtër i sulmit apo tërheqjes, ndiqte taktikën dhe strategjinë e fitimtarit. Pas Luftës I Botërore ai u ngarkua të përballej kundër bandave të Esat Pashë Toptanit, të cilat po bëheshin rrezik i madh nëse sjellim faktin që ato po “komandonin” qytetin e Beratit. Por Xhelali nuk kish lindur trim, ai ishtë bërë. Ai nuk mund të largohej, të tërhiqej për në Skrapar pa kryer misionin ushtarak. Në 27 dhjetor 1915 forcat esadiste u tërhoqën përfundimisht nga Berati. Sapo krerët e bandës morën vesh se trupat që kishin ardhur ishin nën drejtimin e Xhelal Koprenckës, morën arratinë, u larguan nga sytë këmbët. Por edhe në këtë dyluftim mbetën të vrarë tre trima skaraparas: Sakoll Radëshi, Adil Satka dhe Asllan Vëseshta. Është një ngjarje historike e cila shënon edhe vdekjen e Xhelal Koprenckës. Në mesin e vitit 1919 qytetit të Korçës iu hoq statusi i Republikës Autonome. Rreziku për t’u aneksuar nga Greqia ishte i frikshëm, gati-gati i pranishëm. Është ky moment që ai, ashtu si kish vepruar gjithnjë sa herë që rrezikoheshin fatet e vendit, mblodhi rreth vetes një mijë vullnetarë dhe u nis drejt Korçës për shpëtimin e saj. Gjatë marrshimit, aty në Qafën e Martës, në vendin që quhet Dëllinja, dikush i kish zënë pritë për t’i marrë jetën. Ishte 21 Tetori i vitit 1919. Askush nuk është nderuar ndonjëherë për atë që ka marrë. Nderimi ka qenë për atë që ai ka dhënë. Xhelal Koprencka dha shumë për Skraparin, për Shqipërinë. E gjithë jeta e tij u vu në shërbim të atdheut, ndaj edhe i takon të jetë ikona e tij. Nëse e gjithë veprimtaria e këtij patrioti të madh mund të përmblidhej me pak fjalë, atëhere, sipas meje, mund të shkruhej kjo frazë: Xhelal Koprencka ishte dhe do të mbetet i paharruar sepse bëri gjëra të vlefshme për t’u shkruar. Pra ky ushtarak i zoti, i ngjizur që në lindje për të qenë pjesë e progresit, i të mirës, do të mbetej i tillë jo për cikërrima e gjëra pa peshë, por për çështje që kishin të bënin me Shqipërinë, për ngjarje madhore e ku prezenca e tij të ngjallte guxim e shpresë. Historia e botës s’është gjë tjetër veçse biografia e heronjve, thotë historiani skocez Thomas Carlyle në vitet 1800. Besoj se edhe historia e krahinës së Skraparit, por edhe e Shqipërisë, s’është gjë tjetër veçse biografia e Xhelal Koprenckës.
Sigal